×
Hyrja
Profili

Anti-shpifja, një ligj që mund të mbrojë oligarkët

Anti-shpifja, një ligj që mund të mbrojë oligarkët

· 2 · 448

  • Postime: 26688
  • Gjinia: Mashkull

ne: 10-09-2020, 21:53:41
 

Anti-shpifja, një ligj që mund të mbrojë oligarkët, thotë Venecia
Komisioni i Venecias, në raportin e saj të rrjedhur në media mbi ligjin e kryeministrit Edi Rama për median online, ka kritikuar ashpërsisht të gjitha pikat e ligjit, nga qëllimet e Ramës te metodat e imponimit të tyre. Por mes të tjerash, Venecia duket se ka shkuar shumë përtej analizës ligjore për të shpjeguar se si, një ligj i tillë, mund të shërbejë për të mbrojtur oligarkët nga kritikat.

Një opinion i Komisionit të Venecias që i është dërguar qeverisë shqiptare më 28 Maj dhe që rrodhi në media ditën e premte, duket se konfirmon të gjitha shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile gjatë debateve të miratimit të saj vitin e kaluar, duke kapërcyer edhe kundërshtitë e shprehura nga Presidenti Ilir Meta në dekretin e kthimit të ligjit për rishqyrtim parlamentar.

Opinioni prej 18 faqesh analizon dhe kritikon çdo pikë të ligjit duke përdorur një larmishmëri termash negativë. Në shumë raste, ekspertët e Venecias thonë se ligji siç është miratuar nga shumica socialiste më 18 Dhjetor 2020, “krijon pabarazi”, “është i paqartë”, “ka përkufizime tepër të gjera”, “ka dyshime nëse është praktikisht i zbatueshëm”, “mund të ketë efekt frikësues” për lirinë e shprehjes, apo mund të shërbejë për të censuruar çdo qytetar që të shprehet online.

Por një prej paragrafëve të ligjit, përmes të cilit qeveria kërkonte të mbronte qytetarët nga diskriminimi, është interpretuar nga ekspertët e Venecias si as më pak e as më shumë se sa si një mjet në duart e oligarkëve për t’i mbyllur gojën kritikëve.

Shembull me oligarkë

Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu dëshirën e tij për të mbrojtur “dinjitetin dhe reputacionin” e biznesmenëve dhe zyrtarëve të shtetit, kur mbajti një fjalim plot sharje dhe bërtitje në Kuvendin e Shqipërisë më 18 Dhjetor 2020, ditën kur shumica e tij parlamentare miratoi ligjin në fjalë. Duke folur për qytetarët që protestonin jashtë parlamentit kundër ligjit, Rama tha:

“Ata janë shkelës të të drejtave të njeriut. Janë shkelës të të drejtës themelore të njeriut që të mos i cënohet në publik integriteti i tij. Janë shkelës të së drejtës dhe lirisë themelore të njeriut në demokraci për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë.” Dhe më tutje komentoi: “Shërbëtorë të shtetit që i bëjnë hajdut, kusar, matrapazë dhe oligarkë, këta!”

Komisioni i Venecias pati një shqetësim të ngjashëm me ligjin, por në një kontekst tjetër. Në pikën 48 të opinionit, shqyrtohet neni 33/1 i ligjit të miratuar, ku përcaktohen detyrimet që ka media online nda publikut. Neni thotë: “Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike nuk duhet të nxisë, të shtojë nxitjen ose të përhapë urrejtje apo diskriminim në bazë të racës, prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjendjes financiare, arsimit, statusit social, gjendjes martesore ose familjare, moshës, gjendjes shëndetësore, paaftësisë, trashëgimisë gjenetike, identitetit gjinor apo orientimit seksual.”

Venecia thotë se ka pyetur specifikisht autoritetet shqiptare se çfarë kuptojnë ata me togfjalëshin “gjendje financiare” duke ngritur pikëpyetje nëse, ajo që normalisht nënkuptohet se është një mbrojtje ndaj shtresave në nevojë, pra gjendja financiare e keqe, mund të interpretohet në ligj si një mbrojtje e hapur dhe e pacipë e të pasurve dhe oligarkëve nga kritikat.

“Elementë nga kjo listë mund të përdoren për të bllokuar çdo koment kritik kundër figurave publike dhe/ose të shtypë çdo debat legjitim politik mbi çështje të interesit publik të cilat mund të perceptohen nga disa grupe apo individë si “diskriminues”,” komentojnë ekspertët e Venecias. “Për shembull, përkthimi i saktë në anglisht i termit “gjendje financiare” u kundërshtua nga përfaqësuesit e autoriteteve gjatë takimeve të tyre në Tiranë dhe kuptimi i saj mbetet i paqartë. Por kjo mënyrë formulimi mund të bëjë që kritikat ndaj më të pasurve (dhe në veçanti oligarkëve – individëve me pasuri ultra të lartë, kontrolli i të cilëve mbi struktura të stërmëdha ekonomike ndikon mbi pushtetin politik) ose pjesa më e privilegjuar e shoqërisë mund të konsiderohet si shkelje e nenit 33/1”.

Debati me oligarkë në Shqipëri është i kohëve të vona. Disa biznesmenë që dominojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë apo perceptohen se janë miq të pushtetit, konsiderohen të tillë. Opozita politike akuzon qeverinë se është në shërbim të oligarkëve ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi në një rast se në opinionin e tij, në Shqipëri nuk ka oligarkë. Ndryshe nga Rama, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla akuzoi kreun e opozitës Lulzim Basha si të kapur nga oligarkët, akuzë që sugjeron se Balla, ndryshe nga Rama, mendon se në Shqipëri në fakt ka oligarkë.

Komisioni i Venecias natyrisht që ështës shumë larg cicmiceve të përditshme të politikës shqiptare dhe debateve me oligarkë, por komentet e tyre mbi detyrimin e medias për të mos diskriminuar askënd në bazë të cilësimeve të ndryshme flasin për një perceptim prej tyre se ligji anti-shpifje i Ramës është bërë në fakt për të mbrojtur të pasurit dhe zyrtarët nga kritikat.

Komisioni argumenton se qeveria shqiptare duhet të kufizohet te përkufizimi standard i ndalimit të gjuhës së urrejtjes pa hyrë në detaje të tilla të imta.

“Disa kritete të tjera janë gjithashtu të gjera – p.sh., referenca ndaj statusit familjar apo shoqëror në përkufizimin e gjuhës diskriminuese mund të përdoret për të penguar kritikat ndaj njerëzve me lidhje familjare me oligarkët dhe politikanët,” thotë Venecia.

Ligj që mbulon gjithçka dhe asgjë

Komisioni i Venecias duket se përdori një gamë të gjerë cilësorësh të gjuhës angleze shumë përtej analizës ligjore për të komentuar mbi atë që çfarë ligji i qeverisë rregullon dhe çfarë nuk rregullon. Për shembull, përkufizimi i qeverisë se çfarë është media dhe çfarë nuk është media është ky:

“Publikimi elektronik” nënkupton faqe interneti me përmbajtje të formësuar editoriale dhe/ose portale që përmbajnë versione elektronike të medias së shkruar dhe/ose informacione mediatike të ofruara për publikun, me qëllim argëtimin, informimin dhe edukimin. Publikimet elektronike të bëra nga individë, të cilat nuk kanë përmbajtje të formësuar editoriale dhe nuk kanë qëllim edukimin, argëtimin, apo informimin për publikun, nuk konsiderohen publikime elektronike në kuptim të këtij ligji.”

Për Venecian, ky lloj përkufizimi njëkohësisht përjashton çdo gjë dhe përfshin çdo gjë që gjendet në internet. Venecia përdor termat “e mjegullta”, “e paqartë”, “e paparashikueshme”, “amorfe”.

“Komisioni i Venecias vlerëson se, sa për fillim, nocioni i “publikimeve elektronike është tepër i mjegullt”,” thuhet në raport.

“Është e paqartë nëse blogerët individualë, ose njerëzit që kanë faqe personale në platformat e rrjeteve sociale (Facebook, Instagram, Tëitter etj.,) që publikojnë informacione nga media janë apo jo të përfshirë në këtë përkufizim. Sipas shpjegimit që ka dhënë qeveria, faqet që nuk kanë përmbajtje të formësuar editoriale janë të përjashtuara dhe se ligji synon të shënjestrojë vetëm mediat. Por për Venecian “ky lloj konkluzioni nuk rrjedh qartazi nga ligji.”

“…çdokush mund të ketë një publikim pa ekspertizë teknike apo profesionale, edhe blogerët individualë mund të kenë faqe “të formësuar editoriale” që “mbajnë informacion nga media” me qëllimin e “dëfrimit, informimit dhe/ose edukimit”, vëren Venecia para se të paralajmërojë se një përkufizim i tillë i gjerë e shtrin ligjin shumë përtej medias profesionale dhe ligji nuk pengohet nga asgjë për t’iu imponuar çdokujt që dëshiron të ndajë informacion, ide apo opinione për të dëfryer, informuar apo edukuar publikun e gjerë në internet.

Privatësia online është e drejtë themelore e njeriut

Një nga dëshirat e kryeministrit në lidhje me paketën antishpifje ishte që të dinte me lehtësi dhe pa u lodhur identitetin e çdo personi që mban një publikim online. Ligji kërkon që çdo faqe mediaje online të deklarojë një adresë fizike dhe elektronike dhe të regjistrohet pranë autoriteteve si media. Sipas kryeministrit Edi Rama: “Identifikimi i pronësisë mundësohet me të gjithë, që të dish se me kë ke të bësh, jo me prita, me ferra, pas të cilave dikush të gjuan dhe ti nuk e di nga të erdhi dhe ku të shkosh.”

Kjo ishte në fakt një nga pikat më pak të debatuara në Shqipëri dhe dekreti i Presidentit Meta për kthimin e ligjit në parlament, ndërsa kritikonte atë në tërësi si antikushtetues, veçonte pikërisht këtë aspekt si një “një hap me tendencë pozitive.”

Komisioni i Venecias duket se mendon ndryshe. Më saktë, komisioni rikujton atë që ekspertët e të drejtave të njeriut e dinin. Na pëlqen apo jo, e drejta për të komentuar në mënyrë anonime online është e drejtë themelore e njeriut.

“Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka njohur rëndësinë e anonimatit për lirinë e shprehjes dhe të privatësisë,” thotë Venecia e cila citon gjykatën: “anonimati ka qenë prej kohësh një mjet për të shmangur reprezaljet apo vëmendjen e padëshiruar. Si i tillë, anonimati është i aftë të promovojë rrjedhjen e lirë të ideve dhe informacionit në mënyrë të rëndësishme, përfshirë, dukshëm, edhe në internet.”

Por Rama në fjalën e tij në mbrojte të ligjit synonte pikërisht të kundërtën e kësaj: dëshirën për të ditur se kush po e shan në internet.

Venecia sqaron gjithashtu se e drejta për të qenë anonim në internet nuk është absolute dhe ajo mund të hiqet në rastet e abuzimeve serioze me lirinë e shprehjes, të tilla si “gjuhë urrejtjeje apo pornografi”.

Gjoba pothuajse të rënda sa burgu

Për kryeministrin Edi Rama, ndëshkimet e parashikuara në ligj për shkelësit janë “qesharake”. Ndryshe nga Rama, ekspertët e Komisionit të Venecias mendojnë se gjoba në përmasa të tilla janë “pothuajse të rënda sa dënimi me burg, por janë edhe më hileqare”.

“Jashtëzakonisht problematike për lirinë e medias nëkontekstin shqiptar është natyra jashtëzakonisht ndëshkuese dhe me efekt shkatërrues të gjobave,” thuhet në raport.

“Vetëm kërcënimi për aplikimin e sanksioneve të rënda mund të ketë një efekt frikësues për gazetarët dhe mediat,” vijon më tej raporti.

“Ka gjasa që gjobat e rënda janë përtej mundësive të shumë mediave të vogla dhe për rrjedhojë mund të shkaktojnë ndërprerjen e aktivitetit të tyre. Gjobat tepër të larta përbëjnë një kërcënim pothuajse po aq frikësues sa edhe burgosja, por veprojnë në mënyrë më hileqare”, vijon më tej Venecia, duke argumentuar se gjoba të tilla mund të shihen si një mënyrë indirekte për t’i bërë presion medias.

Në përfundim, Venecia argumenton se ligji vuan nga paqartësia dhe ka gjasa do të ketë “efekt frikësues” duke shtypur diskutimin e lirë dhe debatin politik në sektorin e internetit në Shqipëri.

Nga Gjergj Erebara
https://www.reporter.al/anti-shpifja-nje-ligj-qe-mund-te-mbroje-oligarket-thote-venecia/

  • Postime: 21592

#1 ne: 11-09-2020, 10:59:49
Shtatëmbëdhjetë organizata shqiptare të Shoqërisë Civile janë informuar në rrugë jozyrtare për një përpjekje nga ana e shumicës parlamentare të Partisë Socialiste për të çuar përpara, në mënyrë jokorrekte dhe jotransparente projektligjin e shumëdebatuar për mediat online, duke mos respektuar në tërësi opinionin e Komisionit të Venecias dhe duke anashkaluar disa nga vërejtjet më të rëndësishme të këtij opinioni.
Organizatat janë informuar se Kuvendi i Shqipërisë ka në plan të shqyrtojë dekretin e Presidentit Meta për rikthim të ligjit për rishqyrtim dhe në bazë të nenit 86 të rregullores, të trajtojë vetëm ato pika për të cilat Presidenti ka pasur vërejtje.
Organizatat vërejnë se kjo është mënyra e gabuar e trajtimit të problemit dhe nuk adreson shqetësimin kryesor të ngritur nga Opinioni i Komisionit të Venecias. Për rrjedhojë, organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të pranojë dekretin e Presidentit dhe të rinisë procesin nga e para në mënyrë që një nismë e tillë ligjore të ndërmerret vetëm pasi të jemi siguruar për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes.
Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes.
Komisioni i Venecias, në opinionin e vet në pikën 71 shkruhet: [Komisioni] këshillon kundër zgjerimit të mandatit të AMA në fushën e medias online pa një fuqizim korrespondues të pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij institucioni.”
Organizatat vërejnë se pavarësia dhe profesionalizmi i këtij Institucioni të pavarur (AMA) që Venecia rekomandon, nuk garantohet me korrektime në legjislacion, aq më tepër në kushte të urgjencës/shpejtësisë, por kërkon një debat të mirëfilltë që më së pari duhet te vijë si nismë e vetë gazetarëve profesionistë dhe jo e ekzekutivit/parlamentit.
Organizatat rikujtojnë gjithashtu se në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetërregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias.
Për sa më sipër, organizatat kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë të mos vijojë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh me kushtetutën dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Organizatat shprehin gatishmërinë të ndihmojnë Kuvendin e Shqipërisë në trajtimin e shqetësimeve të ngritura më herët.

Lista e organizatave nënshkruese:
BIRN Albania
Civil Rights Defenders
Citizens Channel
Faktoje
Grupi Shqiptar per te drejtat e njeriut
Instituti Shqiptar i Medias
Instituti Shqiptar i Shkencave
Këshilli Shqiptar i Medias
Komiteti shqiptar i Helsinkit
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Neë Media Netëork
Qendra Res Publica
Qendra Shqiptare MediaLook
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Temat e fundit