Mos u trembni nga horrat!
Prof. Hamit BEQJASa shumë horra ka! Të marrin frymën. I gjen kudo. Nuk të lënë rehat. Je i rrethuar prej tyre gjithandej. S'u shpëton dot.Mos u çuditni që shumica sish janë grumbulluar në Tiranë. Ju mund të më thoni: Si është e mundur? Tirana është bërë metropoli kryesor i vendit. Qendër e madhe politike, ekonomike, kulturore. E përpjekjeve për stabilizimin e demokracisë pluraliste dhe të ekonomisë së tregut te lirë. E biznesit, shtypit, debateve. Ku ka mundësi t'i thuash sikter "fukarallëkut". Të pasurohesh shpejt. Të gjesh shkollim më të mirë për fëmijët. Dhe punësim jo të keq për të rinjtë. Edhe gruan tënde, kur ka pamje tërheqëse dhe është pak lozonjare, mund ta emërojnë sekretare në ndonjë institucion të rëndësishëm. Madje, me kërkesën dashamirëse dhe miratimin e rrufeshëm të shefit të tij. Justifikimi: Duhet të jetë edhe e paraqitëshme. E kërkon puna. Klientët mund të kënaqen. Ajo i ka këto cilësi.***Në Tiranë po grumbullohet ajka e vendit â⬓ politikanë të shquar; intelektualë të spikatur; artistë e sportistë të dalluar; biznesmenë që po pasurohen "turrevrap". Gjithfarë vipash. Shumë nga këta njerëz kanë mbirë si këpurdhat pas shiut. Nga kanë dalur? Nuk janë vendas tradicionalë. Në 1939-ën Tirana ka patur rreth 30,000 banorë. Gjatë viteve të rregjimit "socialist" është rritur në afër 50,000. Kurse tani thonë se ka një milion. A diçka më shumë. Është shtuar e shtohet ditë për ditë.***Cilët janë qytetarët e rinj të saj? Ardhacakët. Në kapërcyellin që po përjetojmë, duke dashur të jetojnë më mirë, në truallin e synimeve për progres, kanë vërshuar e vërshojnë në kryeqytet si ujët e rrëmbyeshëm. Janë masa njerëzish të dyndur nga e gjithë Shqipëria. Shpesh flitet se mbizotërojnë veriorët e verilindorët. Janë "gjatosha" a "gjatovina". Me hundë të gjatë e të drejtë. Si përfaqësues të një rrace alpine, dinarike. Por shtatlartë ka në të gjitha viset shqiptare. Edhe në të Jugut. Ardhacakët janë disa breznish. Së pari: të ardhur këta pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Së dyti: fëmijët e atyre që janë sistemuar "para demokracisë".***I rëndësishëm është statusi social i të ardhurve. Ata përfaqësojnë një shtresë të re shoqërore. Të "agallarëve" të rinj. Të "afendikojve". Të "zotërinjve".Si rregull, janë kapadainj. Ata mund të mos kenë ndonjë shkollim të lartë. Pavarësisht kësaj, mendojnë se mund të bëjnë ligjin. Dhe qëllon që e bëjnë. Mund t'u imponohen mjedisit shoqëror, pushtetit shtetëror, shoqërisë civile, mekanizmave të shumta administrative. E mund të arrijnë edhe sukses. Mjetet e afirmimit të tyre janë të shumta: Abuzimi, përvetësimi, reklama dhe gënjeshtra, shantazhi dhe krimi, dhuna e çfarëdollojshme â⬓ fizike, moshore, gjinore, edhe seksuale. Një mekanizëm "sui generis". Dukuri të dala nga humbëtirat e pellgjet shoqërore. Për t'u ngjitur lart pa asnjë skrupull. ***Për t'i konkretizuar mendimet që u përpoqa të parashtroj do të ndalem në tri situata jetësore të ditëve të sotme. M'i ka treguar një shok i ngushtë i imi. Ai i ka përjetuar vetë ato. Besnik i vetvetes, i kam marrë leje atij që, si gjithmonë, në paraqitjen e ngjarjeve te jem anonimal. Siç kam patur rast ta them shpesh, për mua ka rëndësi dukuria. Kurse bartësi i saj mund të jetë kalimtar. Me këtë kriter po veproj edhe kësaj rradhe. E di se lexuesit kuriozë për të ditur vende dhe emra të gjallë e konkretë, mund të ngelen të pakënaqur. Por do ta pranojnë këtë prirje timen. ***Në një kafe-bar. Diku afër "Zogut të Zi". Një bar i nivelit mesatar. Klientela e tij është mjaft heterogjene. Por mbizotërojnë horrat. Shtatë â⬓ tetë vetë. Në një qoshe të lokalit. Gërthasin si të ishin në pyll. Hingëllijnë. Flasin të gjithë njëherësh. Ngrenë zërin vazhdimisht. Veçse u mungon megafoni.Janë punëtorë në një objekt ndërtimi aty afër. Të ardhur. Bisedojnë si zhurmaxhinj. Për çështje pronash, të ardhurash, dokumentesh. U duhen për t'u sistemuar në Tiranë. Zëri u tingëllon fort. Secili ka celularin e vet. Shkëmbejnë informacion për aferat me të cilat merren. E gjithë kjo lloj potere i bezdis të tjerët. ç'pamje kanë këta tipa? Madhoshë në kokë e në shtat. Sillen si "halabakë". Nuk pyesin për ata që ndodhen pranë tyre. Në dimër, kur është ftohtë, kur fryn erë, e bëjnë këtë potere brenda në lokal. Në pranverë, me zbutjen e kohës, ulen jashtë, në tryezat e trotuarit të barit. Por këtu e shtojnë dozën e zhurmës.Në lokal vijnë rregullisht edhe çifte bipolare të rinjsh. Klientelë e rregullt. Mund të jenë dy - tre çifte. Por qëllon edhe shtatë a tetë. Dallohen se djali me vajzën përkëdhelen hapur; qeshin me të madhe; fare pa te keq puthen fort. Flasin edhe këta me zë të lartë. Të gjithë pernjëherësh. Pa i lënë radhë njeri-tjetrit. Veshja - sfiduese. Sidomos e vajzave. Që në prill- thuajse lakuriq.Ka edhe gra që rrinë aty me grupe, me minigrupe. Gojët e liga mund të thonë se merren me thashetheme. Pasi, sipas këtyre gojëve, ky është "zanati i grave". Por a mund të merresh me thashetheme duke "i denoncuar" me zë të lartë. Mendohet se gratë dinë ta bëjnë edhe këtë. Për të gjithë këta grupe a nëngrupe, vendi që zihet në lokal është i njëjtë. Në dimër brenda, duke filluar nga pranvera jashtë.Por në atë lokal vijnë edhe burra të moshuar. Duan të pijnë në qetësi ekspresin mëngjesor. Të lexojnë ndonjë gazetë. Midis tyre ka edhe nga ata që quhen intelektualë. Më së shumti janë pensionistë. Por në kso rrethanash ata edhe mund të bezdisen. Nuk ndjehen rehat. Mund edhe të largohen shpejt. U soset durimi. Djemtë që shërbejnë në lokal s'u thonë gjë. As njërës palë, as tjetrës. I kanë porositur: Mos bëni vërejtje! Mund të plasë sherri. Ruajuni, pasi meshkujt kanë revole apo thika në xhep. Dhe mund t'i përdorin. Ka patur viktima që janë gjetur rastësisht nëpër lokale. Pikërisht në vende të tilla "sundojnë" horrat. Nuk i shqetëson njeri. Sa keq! Dhe pse? Pasi ekziston mendimi: Mos u përzini. Mund ta pësoni. Deri edhe në vrasje. ***Nga kafe-bari, po kalojmë në një trotuar të gjerë. Në lagjen "Ali Demi". Dihet destinacioni i tij. Për të ecur këmbësorët. Pranë është një dyqan ushqimor universal. Vazhdimisht plot me klientë. Një biznes mbimesatar. ç'lidhje ka kjo me problemin që kemi shtruar për diskutim, atë të "horrave". Ka! Për pronarin e dyqanit çështja është e thjeshtë. Makinat furnitore nuk mund të parkojnë në rrugë. Ajo është dytësore. Atëherë, ato dynden në trotuar. Kamiona, furgona, edhe vetura. Trotuari mund të zihet i tëri. Këmbësorët e shumtë nuk kanë ku të kalojnë. Ata janë jo vetëm të rinj këmbëshpejtë. Por edhe nëna me fëmijë të vegjël; të rritur, me ngarkesa në duar; pleq të moshuar, me shkop a patericë; edhe invalidë.Pronari i dyqanit nuk do t'ia dijë se ç'heqin kalimtarët. Për të ka rëndësi që mallrat të shkarkohen sa më parë. Edhe shoferët janë të interesuar të kryejnë punë sa më shpejt. Po t'u hedhësh një sy qortues të shikojnë vëngër.Në kso rrethanash, të zotët e lokalit, duke u krijuar vështirësi njerëzve, a nuk dalin, kuptohet, në mënyrën e vet, në një farë roli "horrash"? Gjykojeni vetë. ***Nga kafe-bari e trotuari i gjerë po kalojmë në një njësi të tretë, në një rrugë dytësore. Në magjistralen Tiranë-Elbasan. Në të ka trafik shumë të ngarkuar. Por aty gëlojnë shumë edhe nga ata që i kemi quajtur "horra". Dhe që e shohin atë vend edhe si qendër parkingu. Ta vështrojmë situatën konkretisht. Në atë rrugë, në oborret e pallateve e vilave të banorëve te saj, të zotërit e shtëpive parkojnë disa vetura. Kjo është e natyrshme. Por e keqja qëndron në hapësirën e saj. Në të nuk ka shenja qarkullimi. As policia rrugore nuk kalon andej. Megjithëse e ngushtë, rruga është dykalimshe. Kjo krijon zallamahi. çështja është se duke qenë si "mall pa zot", në të futen të parkojnë shumë njerëz. Për sherr aty është edhe një farmaci e njohur. Shumë thonë: këtë ilaç e gjen tek farmacia e rrugës Tiranë-Elbasan. Edhe farmacisti është i njohur. Shërben mirë. Dhe tek ai gjenden shumë lloje ilaçesh. Një sebep "plus" që shumë klientë të vijnë aty me makinat e tyre. Ka nga ata që zënë edhe portën e ndonjë oborri ku hyjnë e dalin makinat e banorëve që jetojnë aty. Megjithëse ajo ka edhe shenjën: Mos e zini portën!Por "nevojtari" ka hallin e vet. Po i the: mos zër hyrje-daljen e portës, mund të të shikojë edhe vëngër. Për justifikim mund të të thojë: Ja, dy minuta, sa të shkoj pak në farmaci.Por s'është puna vetëm tek farmacia. Në rrugë parkon lirshëm kushdo që do të lerë makinën. Për sa kohë? Nga një minimum prej gjysëm ore deri në një ditë të tërë. Madje ka edhe nga ata që nuk kanë frikë ta lënë edhe natën. Qëllon të futen vetura me targë nga rrethet. Siç ka mbetur zakon të thuhet: Nga provinca. Ja, ndalet një makinë me targë, ta zëmë nga Pogradeci. E drejton një grua. Si për kuriozitet, me mirësjellje mund ta pyesësh: Sa do të qëndroni këtu? Edhe ajo, po me mirësjellje të thotë: Kam një punë tek një i njohur. Për nja gjysëm ore. Por mos u habisni nëse ajo qendron jo vetëm gjithë ditën por ndoshta edhe natën. Ruajna zot; thonë se paska makina që vijnë nga rrethet e qëndrojnë afër rrugës në fjalë me ditë të tëra. Por se mos është çështja vetëm te këto vetura. Në rrugë ka mundësi të hyjë lirshëm çdo makinë. Dhe ato hyjnë. Pengojnë kalimin e lirë të njëra-tjetrës. Edhe më tepër, atë të këmbësorëve. Sa vështirësi kanë të kalojnë, sidomos fëmijët, të moshuarit, të sëmurët që duan të marrin ilaçe. Por cilët janë pronarët e këtyre makinave? Kuptohet: "Parellinj". Së paku, të një shkalle të caktuar. Mes tyre ka patjetër edhe "hallexhinj", që kanë nevojë të domosdoshme ta lënë diku makinën. Për pak kohë. Ose që të shkojnë në farmaci.Por, po t'i vrojtosh me vëmendje, shumica janë njerëz të ngeshëm, të veshur mirë, serbesë. Makinën e lënë kudo. Atje ku është më komode për ta. Në këtë situatë veturat pengojnë njera-tjetrën. Zënë qoshet e kthesave. Makina që vjen e ka të vështirë të kthehet. Kalimtarët edhe më keq. Aq sa ka filluar të thuhet: Makinat po hanë njerëzit.Shtrohet edhe një herë pyetja: ç'lidhje ka e tërë kjo paraqitje e një rruge, e problemeve të qarkullimit në të, me "horrat"? Ja që ka!Mjaft nga ata, që lënë serbes makinat në këtë rrugë, janë tamam "horra". Njerëz që nisen nga interesa të lakuriqta vetjake, për të cilët, të tjerët nuk janë veçse "kokrriza" rëre. Prandaj mos pyet për ta, "shkeli" me të dyja këmbët. ***Pasi dëgjova me vëmendje paraqitjet e mësipërme të mikut tim, kalova në meditime vetjake. Këtë e ndjeva si një detyrë të domosdoshme. Nuk m'u duk e drejtë që për këtë temë, e cila në formulim tingëllon mjaft e mprehtë, njerëzit "horra" t'i gjenim vetëm në mjedise publike si lokalet, baret, trotuarët, rrugët dytësore. Do të ishte një trajtim i tyre në rrafsh minor. Edhe më e rëndësishme është t'i shohim ato në nivel madhor. Nëpërmjet dukurive me shumë peshë në jetën e popullit. Pse, a nuk ka horra në jetën e sotme politike; në median e shkruar dhe elektronike, në kulturë, shkencë, art, sport, etj?Gjithë jetën kam qenë i lidhur me këto fusha. Prandaj, i jap vetes të drejtën të shfaq ndonjë mendim, për praninë e "horrave" edhe në to. Duke qenë objektiv e realist, larg politizimeve të tejskajshme, gjithmonë besnik i vetvetes: Anominal.Duke tentuar të them diçka edhe për to, e ndjej përgjegjësinë e vështirësinë. Janë fusha që janë rrahur e rrahen për ditë. Mund të themi pa frikë: Janë bëma të jetës sonë shoqërore, të lakuara e të stërlakuara në shtyp, në të gjitha organizmat shtetërorë e shoqërorë. Që nga Kuvendi popullor e partitë politike, deri te tryezat e thjeshta familjare. Nuk e di a ka mbetur gjë pa thënë?!Në kapërcyellin historik të pesëmbëdhjetë viteve te fundit për ta është folur e flitet kaq shumë. Mbarë e mbrapsht. Djathtas e majtas. Nga i madhi e i vogli. Nga shtetarët e pushtetarët e deri tek plakat që kanë mbi shpinë gjurmët e anafalbetizmit e të tërkuzës. Nga qytetari e fshatari. Nga plaku e i riu. Nga i madhi e i vogli. Nga meshkujt e nga femrat. Nga vendalinjtë e nga të ardhurit. Nga malsori e fusharaku. Nga disi më të kamurit. Por edhe nga bark-pangopurit. Nga pinjollët e familjeve të mëdha e deri tek ata pak njerëz me ngjyrë që jetojnë tek ne. Nga kush nuk është folur e për çfarë nuk është folur?Prandaj, më falni që nuk po zgjatem në një enumeracion, - po i them shqip â⬓ njehsim, - të mjediseve, të problematikave, madje edhe të njerëzve që i kanë rrahur e po i rrahin dukuritë djegëse te realitetit të sotëm shqiptar. Gjithë çështja është se njerëzit kërkojnë zgjidhjen e problemeve. Mirëpo ato po vonohen. Prandaj i shohin me frymë pesimizmi e ankese, edhe me zhgënjime. E pra, në këto kushte, e kërkon tema e "horrave" që edhe unë, një profesor i cili më së shumti ka shkruar e shkruan "ese", minisprova sociopsikologjike, të dalë në shesh të "mejdanit", në këtë betejë të madhe, së paku fjalësh të pafund.Këtej, më lejoni për aq sa më lejon "takati", të jap edhe unë disa mendime për çështjet e mëdha, të cilat jo vetëm i rrahim ditën, por na faniten edhe natën.***Duke kaluar tek çështjet të cilat i quajtëm madhore, tek diskutimet rreth tyre, po e filloj me një temë që nuk mund ta anashkaloj. Pasi në trajtimin e saj kam marrë pjesë edhe vetë. Me shkrime në shtyp e me ndonje debutim televiziv. Është tema e lakuar, madje e stërlakuar e shkencës dhe e arsimit të lartë; e institucioneve të tyre; e mardhënieve midis tyre; e Akademisë se Shkencave të Shqipërisë; e statusit të sotëm të akademikut. Kuptohet: Edhe një mori çështjesh më të mëdha e më të vogla që dalin prej tyre. Jo vetëm konceptuale. Edhe organizative, financiare, administrative. Kuadri dhe baze materialo-teknike. Titujt shkencorë. Profesorati. Njësi të punës. Edhe me peshë.Pa u hallakatur shumë, po përqëndrohem tek "pazari i madh" për Akademinë e Shkencave. çfarë është thënë e nuk është thënë për të! Ka tre-katër vite që ajo ka "dalur" në ankand. Disa, plot zërin, e quajtën të plakur, dogmatike, të padisponuar për rinovim. Në anën tjetër: E kanë cilësuar vatër, tempull të shkencës e të kulturës kombëtare. I kanë vënë emrin gllabëruese e fondeve. Por kahu tjetër ka folur e flet vazhdimisht për shpenzime racionale, për një punë të frutshme me prodhimtari të gjerë. Është hedhur ideja e "shkrirjes" së saj. Por kjo është cilësuar si një sfidë e ç'ekuilibruar. Është thënë që ajo duhet të pasojë një reformë të thellë. Dhe mundësisht sa më shpejt. Të tjerë, duke pranuar në parim nevojën e ndreqjeve reformuese, kanë insistuar që kjo punë të mos bëhet me nxitim. Është kërkuar që ajo të shkëputet nga modeli lindor i akademive dhe të adaptojë modelin perëndimor euroatlantik, i cili jep rendiment më të lartë. Por edhe kjo tezë ka patur kontestime. Edhe akademitë e Lindjes po reformohen. Edhe në to ka patur vlera. Pastaj, ne kemi qenë më prapa. Kishim ç'të merrnim edhe nga vendet lindore. Është hartuar një projekt për reformimin e Akademisë, të arsimit të lartë, të punës shkencore në përgjithësi. Për këtë është përpiluar edhe platforma përkatëse. Pranë qeverisë është krijuar edhe një grup pune për të drejtuar zbatimin e saj.Kurse, në qarqet "me emër", duke përfshirë këtu edhe ata që mbajnë titullin akademik, ka patur edhe mjaft reflekse mbrojtëse. Duke e pranuar në parim reformimin, kanë theksuar se me këtë duhet të kuptojmë ndreqjen dhe jo prishjen. Ata kanë vënë në dukje veprimtarinë e institucioneve të Akademisë, botimet e saj të shumta, sidomos në fushën e albanologjisë, revistat e buletinet në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja. Kanë theksuar se në marrjen e përvojës së huaj, të jemi të kujdesshëm. Të adaptojmë ato që i përshtaten kushteve tona. Edhe Akademia po përpunon një platformë. Si të thuash, kemi platformë dhe kundërplatformë. Është shkruar deri edhe për reformë të reformimit të projektuar. Në këto diskutime, në njërën anë, te ata që kanë projektuar reformimin e shpejtë është vërejtur edhe një farë trajtimi i çështjeve me ton të paapelueshëm e të pakundërshtueshëm. Krahas diskutimeve kompetente, kanë shprehur mendimet e tyre, edhe studiues. Sidomos njerëz të medias. Por që kanë qenë e janë shumë të largët për këtë fushë.Është e kuptueshme që në rrethana të tilla, në diskutimet e zgjatura e të stërzgjatura, ka patur e vazhdon të ketë mjaft njëanshmëri, subjektivizëm, edhe tendenciozitet. Pa i kapërcyer këto shfaqje, është vështirë të gjendet rruga e mbarë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara dhe që nuk mund të mos e shqetësojnë opinionin shkencor të vendit. A mund të gjendet ndonjë kompromis i "arsyeshëm", për të dalë nga kjo gjendje? Mendja ta thotë se po!***Janë lakuar goxha edhe akademikët. Sidomos ata që e mbajnë këtë titull nominalisht. Pa u zgjatur, mund të them se edhe për këtë kanë spikatur dy qëndrime, madje të kundërt me njeri-tjetrin.I pari: Akademikët janë të plakur. Së paku, shumica e tyre vegjetojnë. Nuk kanë prodhimtari shkencore. Nuk dihet si dhe pse e kanë marrë titullin! Si njerëz në shërbim të regjimit? Apo për zotësi në punë, si kapacitete intelektuale? "Aforfe", me emërim nga lart? Apo me zgjedhje?Ndonjë shakaxhi i mençur edhe i këndshëm, mundet, në rrumbullim të ndonjë gote, thotë se ka prej tyre, që kanë nevojë t'u shkosh prapa me oturak. Qoftë vetëm shaka e hidhur! I dyti: Nga akademikët, ka nga ata që janë personalitete të shquara shkencore e kulturore; me një barrë mend e "një tufë me libra"; me një veprimtari e krijimtari të gjerë e të frutshme dhjetravjeçare; me ndihmesa të spikatura në fushat e ndryshme të dijes, etj., etj. Ec e gjeje, se ku është e vërteta midis këtyre dy pozicioneve, në pamje të parë, diametralisht të kundërt. Ajo qëndron atje ku i tërheq "krraba" secilit. Te shikimi i çështjeve në prizëm personal; tek interesat vetjake; te përfitimet e ndryshme; tek mungesa e qëndrimit kritik e autokritik; tek fryma grupore, klanore; te fodullëku; deri edhe tek zilia. Po ta shikojmë çështjen kështu, gjithmonë në mënyren e vet, mund ta gjejmë "horrin" edhe te njeriu i qarqeve shkencore.***E kuptoj se interesin më të madh lexuesit mund ta kenë: Ku i gjen autori i këtij shkrimi "horrat" edhe në politikë? E dinë të gjithë që ka. Flasin të gjithë. Derdhen ankesa të pafund. Bëhet fjalë për "horra", që nga nëpunësi, arsimtari, mjeku e deri tek qeveritari. Nuk më takon të zgjatem për këtë. Së pari, pasi aktualisht nuk jam i ndërfutur në mënyre aktive në këtë jetë. Sigurisht, dëgjoj ankesa të panumurta nga të gjitha anët. Por si "optimist" i pandreqshëm, u këshilloj njerëzve të kenë besim te e ardhmja. Një fjalë goje!Së dyti, për të qenë i qartë, mjafton t'i referohesh ndonjë çështjeje të kohës. Ta zëmë â⬓ energjitikës. Ose, - po të doni, - përcaktimit dhe zbatimit të legjislacionit. Atje, ku qëllon të shkelen haptas "rregullat e lojës". ***Por edhe për median nuk mund të mos them diçka. Pasi gjithë jetën time, kam qenë e jam i lidhur me të. Kuptohet, me të shkruarën dhe elektroniken. Por më shumë me të parën. Që nga shkrimet në gazetën e murit të shkollës, 60 vjet më parë, e deri tani, kur herë pas here botoj "ese", sprova sociopsikologjike në faqet e gazetave.Me të drejtë, median e quajnë pushtet i katërt. E realizon atë nëpërmjet informacionit të shumtë e të shumllojshëm që na jep. Duke plotësuar një nevojë të përditëshme tonën. Por mos mendoni se në media nuk ka "horra". Gjenden edhe atje. Pronarë, drejtorë a drejtues gazetash; kryeredaktorë; analistë të shquar që punojnë me kontratë e paguhen shtrenjtë; bashkëpuntorë të shtypit, brenda e jashtë vendit, që shfrytëzojnë intensivisht internetin; po bashkëpuntorë, që veç pagesës së majme, punojnë me kontratë në një organ dhe shkruajnë edhe në gazeta të tjera; ose, që shkrimin e ditës e botojnë a ua botojnë të tjerët në disa organe; edhe nga ata që botojnë dy-tre shkrime në ditë â⬓ nuk i dihet se si! â⬓ duke punuar shumë, pra me djersën e vet, a duke përdorur manipulime të ndryshme. Gazetarë e bashkëpuntorë gazetash që luftojnë për të drejtën. Por edhe nga ata, që nën pushtetin e parasë, mund ta ndërrojnë e ndërrojnë shpesh flamurin. Jo vetëm një, por edhe dy - tre. Edhe në shtyp ka sponsorizime. Si kur i marrin vetë, ashtu edhe kur u a japin të tjerëve. Në këtë mes, paraja luan rol të madh. Pasi shtypi është edhe biznes. Dhe bosët e tij e përdorin me mjeshtëri këtë zanat, duke shfrytëzuar reklamat dhe burime të tjera fitimi. Gazetarët punojnë me një sistem pagash tejet të diferencuar. Nga më të lartat, deri te më minimalet. Duke i trajtuar disa bashkëpuntorë pak të informuar për hiletë e tyre, qoftë edhe të zotët, si "bujkrobër modernë". Pa u paguar fare shkrimet. Mjafton që u bëjnë nderin dhe ua botojnë.Besoj se është e kuptueshme qartë, se edhe në media ka jo pak "horra". Janë të zotët. Me kulturë të gjerë. Me bollëk informacioni. Të shkathët në punë. Por edhe manipulatorë. Është shtrati për të qenë ca "horra". Nuk ke ç'u bën! Detyrohemi t'i pranojmë ashtu siç janë. ***E kuptoj që jam zgjatur. Jam shprazur. Por mbetem i rezervuar. Ta zëmë se e kam pësuar vetë nga "horrat". Nga kolegë që ma kanë hedhur. Por nuk është rasti ta trajtoj edhe këtë temë. U kam ngopur me gjithfarë shembujsh. Po e mbyll shkrimin me atë që fillova: Mos kini frikë nga "horrat".