Fatos Lubonja e quan ish-komandantin e UÇK-s, Ramush Haradinajn, vrasës! - Tema Aktuale

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Fatos Lubonja e quan ish-komandantin e UÇK-s, Ramush Haradinajn, vrasës!

Fatos Lubonja e quan ish-komandantin e UÇK-s, Ramush Haradinajn, vrasës!

· 16 · 874

  • Postime: 1158
  • Karma: +0/-0
  • Gjinia: Mashkull

ne: 18-07-2013, 01:38:36


Njerëzit e UÇK'së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar dhe vrarë.

Afro dhjetë ditë pasi u çlirua nga Gjykata për Krimet në ish-Jugosllavi (29 nëntor 2012) prej akuzave për krime lufte, ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri një vizitë triumfale në Shqipëri. Atij iu dedikua një seancë e Parlamentit shqiptar ku mbajti një fjalim të shkurtër; u prit nga Kryeministri Sali Berisha me shumë nderim, kurse më 10 dhjetor u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Në fjalën e tij Nishani e quajti kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë i shprehte mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë më të përkushtuar të kohëve moderne: “Ai kurrë nuk u iku përballjeve, rezistencës, – tha Nishani, – duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës, të ruante të pacenuar dinjitetin e një lufte rezistence, dinjitetin e një lufte çlirimtare që ne e bëmë së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve”.1

Kryeministri Berisha, po në ato ditë bëri një deklaratë në të cilën, pasi e nderoi të shfajësuarin, u shpreh se “Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë ndërmarrjen e një hetimi të pavarur ndaj ish-prokurores Carla Del Ponte, për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Haradinaj”. Në deklaratën e tij ai i kërkoi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë “të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”.2

Edhe kreu i opozitës, socialisti Edi Rama, manifestoi të njëjtin respekt në pritjen që i bëri Haradinajt. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama, i cili e kishte përshëndetur çlirimin e tij nga akuzat që ditën që kjo ndodhi, tha se i shprehu atij mirënjohje për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës dhe se me të biseduan për bashkimin e shqiptarëve “nën qiellin e Bashkimit Europian” për unifikimin e arsimit dhe sistemit doganor etj.

Akuzat ndaj Haradinajt

Ironia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të pasur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta. Pra, se në vitet 1998–1999, dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Europës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxori të pafajshëm Haradinajn herën e parë, nënvizonte vështirësitë për t’i bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.3 Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK-së, Fatmir Limajt.

Atëherë si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt në kthimin e tij nga Haga, me gjithë këto fakte të tmerrshme? Si ta shpjegojmë se në Kosovë, mu pas kthimit të tij, ai u shpall si Kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Kosovës. Si t’i shpjegojmë iniciativa kaq kurajoze si ajo e Berishës për të hapur hetime mbi Carla Del Ponten?

Së pari, kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë në Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t’u shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit, shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qenie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skizofrenike midis glorifikimit të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin, madje edhe i vrasin ata – gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar. Mbajtja gjallë e këtij lavazhi trushplekset gjithashtu me faktin shumë më prozaik se Haradinaj me shokë, meqenëse kanë në Kosovë jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushtetit të tyre në një rreth vicioz. Fati i dëshmitarëve që pësuan “vdekje të parakohshme” e lehtëson edhe më punën e tyre.

Së dyti, mbrojtja e Haradinajt nga ana e shqiptarëve është e lidhur edhe me mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar. Akuza si ato të Carla Del Pontes duhen përgënjeshtruar dhe refuzuar, pasi ato dëmtojnë çështjen kombëtare, pasi i delegjitimojnë shqiptarët, madje duke u dhënë të drejtë armiqve të tyre, që i akuzojnë si rrezik në rajon me idenë e bashkimit kombëtar, që kohët e fundit është bërë kryefjala e retorikës politike në Shqipëri. (Në një nga fjalimet e tij të fundit, Kryeministri Berisha tha se është e papranueshme që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme, duke nënkuptuar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë (Preshevën) dhe Maqedoninë.)4

Gjuha e dyfishtë

Në deklarimet e tij, veçanërisht ato drejtuar partnerëve dhe mediave ndërkombëtare, kur flet për çështjen e nxehtë të “problemit të pazgjidhur kombëtar”, Haradinaj e paraqet veten si një politikan i moderuar. “Çështja shqiptare është zgjidhur me pavarësimin e Kosovës”, – i deklaroi Haradinaj një medieje greke kohët e fundit. – “Gjithkund ekzistojnë minoritete. Nëse fillon të projektosh kufij ‘etnikisht të pastër’, nuk do të ndalosh kurrë”. “Unë konsideroj se sot është koha e arsyes. Do t’i ftoja të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të veprojnë në drejtim të integrimit europian”. “Ne do të shikojmë përpara, nuk do të merremi me gjërat që tashmë kanë kaluar”.5

Kjo gjuhë, megjithatë, nuk e pengon atë të përdorë një tjetër gjuhë brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni ku iu dha titulli “Qytetar Nderi” i qytetit të Lezhës, ai tha: “Ne jemi një komb, një gjuhë, një flamur, një rrugë (është fjala për autostradën e ndërtuar nga Berisha, që lidh Shqipërinë me Kosovën), e cila na mundëson për të qenë një”.

Kjo gjuhë e dyfishtë është shprehje e ideologjisë dominuese të pushtetit që kanë adoptuar politikanët shqiptarë gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ideologji, që e kam quajtur nacional – europeizëm (si kalim i retorikës së elitës politike shqiptare nga nacional-komunizmi në diskursin nacional-europeist, që nënkupton instrumentalizimin e integrimit europian6) pretendon ta zgjidhë çështjen kombëtare të bashkimit të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan nëpërmjet integrimit europian duke përzierë kështu vizionin nacionalist të Shqipërisë së madhe etnike me vizionin postnacionalist të Bashkimit Europian të qytetarëve në një lloj Shqipërie të madhe europiane. Sipas kësaj ideologjie, serbët, grekët, maqedonasit, malazezët do të mbeten të njëjtët armiq që kanë qenë në të shkuarën.

Po cili është Haradinaj i vërtetë? Ç’përfaqëson ai për shqiptarët; po për europianët? – Carla Del Ponte përshkruan në librin e saj La Caccia – io e i criminali di guerra (Feltrinelli 2008) se si ndërkombëtarët e UNMIK-ut, në vend që ta ndihmonin Tribunalin për një hetim më të thellë të çështjes “Haradinaj”, i krijuan asaj pengesa me argumentin se politikanë si ai ishin shumë të fuqishëm në Kosovë dhe, kësisoj, dëmi që do të pësonin do të ishte më i madh sesa përfitimi, sepse këta njerëz mund të destabilizonin rajonin. Ky fakt flet shumë për Haradinajn. Ai u përket atyre kafshëve politike në Shqipëri dhe Kosovë që u intereson vetëm pushteti personal dhe përfitimet që nxirren prej tij. Ai e di shumë mirë se për momentin ai nuk mund ta mbajë këtë pushtet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj, kur flet me europianët ai tund flamurin me gjashtë yje të Kosovës, ndërsa kur flet me politikanët dhe bashkatdhetarët e tij shqiptarë, mbështillet me flamurin kuqezi.

Ambiguiteti i Europës

Etien Balibar, duke shkruar për situatën në ish-Jugosllavi, thotë se ajo nuk është atipike, përkundrazi, është një projektim lokal i formave të konfrontimit dhe konflikteve të të gjithë Europës që Balibar nuk heziton t’i quajë “marrëdhëniet raciale europaine.”7 Europa e sotme, më tepër se kurrë po shfaq kontradiktën e saj të brendshme midis një Europe të egoizmit të shteteve kombe dhe një Europe postnacionaliste të qytetarëve, duke konfirmuar fjalët e Balibarit mbi Europën si një “projekt politik i pazgjidhur”: “Fati i identitetit të ri europian si i tërë po luhet në Jugosllavi dhe më në përgjithësi në Ballkan. (…) Europa duhet të pranojë se situata në Ballkan nuk është një monstruozitet në gjirin e saj (…) por një pamje dhe reflektim i vetë historisë së saj dhe duhet të ndërmarrë masa për ta përballuar dhe zgjidhur atë, çka do të thotë ta vërë edhe vetveten në diskutim dhe të transformojë vetveten. Vetëm atëherë Europa do të fillojë ndoshta të bëhet e mundshme përsëri.”8 Nëse disa vjet më parë ne mund të thoshim se europianoperëndimor ët shikonin drejt së ardhmes, ndërsa europianolindorët po shihnin drejt së kaluarës, siç po ndodhte në ish-Jugosllavi, kjo nuk duket se është më e vërtetë. E ardhmja e projektit europian nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më në krizë se gjatë këtyre kohëve. Gjuha e dyfishtë e Haradinajt dhe e politikanëve më të rëndësishëm si në Shqipëri dhe në Kosovë është, pa dyshim, edhe pasqyrim në Ballkan i mëdyshjeve dhe ambiguitetit të europianëve përsa i përket projektit të së ardhmes së tyre.

Rasti i shfajësimit të Haradinajt është shumë sinjifikativ në këtë kontekst. Dështimi i dhënies së një vendimi të drejtë ndaj tij hap një diskutim të madh jo vetëm mbi problemin e raportit të politikës me drejtësinë, d.m.th. mbi atë se si pushteti politik krijon pengesa ndaj drejtësisë, por edhe mbi atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare e Europës postnacionaliste kur ajo ka kundër interesa të ashtuquajtura kombëtare. Vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, si ajo e Hagës, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se “ligji e drejtësia janë ata vetë”, të kryejnë krime të tjera. Por pandëshkueshmëria e tyre, edhe si rezultat i dobësisë së kësaj Europe të qytetarëve ndaj Europës së shteteve kombe, është një inkurajim për ta që t’u fryjnë erërave nacionaliste në vendet e tyre dhe të mbajnë gjallë ndjenja urrejtjeje ndaj fqinjëve.

Kjo pandëshkueshmëri nuk është vetëm një kërcënim për paqen dhe integrimin e vërtetë europian, por është edhe një kërcënim për zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës brenda vetë Kosovës. Niveli i kriminalitetit është shumë i lartë në Kosovë, veçanërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar. Elita politike ku bën pjesë edhe Haradinaj dhe Limaj, akuzohet fort për këtë. Nuk është rastësi që Kodi i ri i Procedurës Penale i janarit 2013 e bën më të vështirë se ai që ishte më parë, madje edhe më të rrezikshme, mundësinë për të thërritur dëshmitarë.9 Politikanët kosovarë, megjithëse kanë shtetin në duart e tyre, në vend që të bëjnë ligje që t’i mbrojnë më mirë dëshmitarët duke lehtësuar kështu përdorimin e tyre nga ana e Prokurorisë, bëjnë të kundërtën. Dhe statusi i tyre si mbrojtës të bashkatdhetarëve, – paçka se Carla Del Ponte shkruan se “nuk ka asgjë fisnike apo heroike në ato krime” duke ngulmuar se pandëshkueshmëria e tyre mund të shkaktojë luftëra të reja, – ua bën më të lehtë hartimin e këtyre ligjeve.

“Racizmi triumfon kur identifikohet me shtetin, kur bëhet vetë shteti.” (Foulcauls). Nën qiellin e një Europe që resht së shikuari të ardhmen e saj si një Europë e qytetarëve dhe kthehet mbrapsht në Europën e egoizmave të shteteve kombe, ky leksion mbetet kuptimplotë, veçanërisht në rajone të tilla si Ballkani.

* Ky shkrim është botuar në anglisht në numrin e majit 2013 të revistës SUDOSTEUROPA Mittelungen, që ka vënë në fokus (me kontributet e Andreas Ernst, Florian Bieber, Natasha Kandiç, Karl – Peter Schvarz, Adelheid Wolfi, Sonja Biserko, Fatos Lubonja) çështjen e çlirimit nga Gjykata për Krimet në ish-Jugosllavi të Gatovinës dhe Haradinajt dhe pasojat e saj.

Marrë nga: GAZETA EXPRESS

  • Postime: 12739
  • Karma: +31/-8

#1 ne: 18-07-2013, 07:28:35
e lexova dje nga gazeta tema


ne cdo lufte ka situata te tilla. edhe ne luften nacionaliste ka patur vrasje,perdhunime,sikterosje,zhdukje personash
pamvaresisht se xhaxhi Veri na e pasqyronte sikur tere njerezit me moral luftuan dhe cliruan

  • Postime: 12739
  • Karma: +31/-8

#2 ne: 18-07-2013, 12:02:57
Të gjithë kundër Lubonjës
18 Korrik, 2013 | Postuar në: Aktualitet,Rajoni | Shkruar nga: TemA
Select Language​▼

Drejtuesit e AAK-së, por edhe partive të tjera, kanë reaguar ndaj deklaratave te Fatos Lubonjës, i cili e quajti vrasës Ramush Haradinajn, ish-komandantin e Zonës Operative te Dukagjinit.

Në rrjetet sociale kanë reaguar Burim Ramadani, Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, anëtarët e Kryesisë; Ernest Luma e Avni Arifi dhe shume prej drejtuesve lokalë të kësaj partie

Në Twitter ka reaguar edhe Memli Krasniqi, anëtar i PDK-së dhe Ministër aktual i Kulturës.

“A ke turp o Fatos Lubonja për deklaratat e sëmura që bën kundër çlirimtarëve të Kosovës? Skizofreninë tënde s’mund t’ia mveshësh kombit tënd!”, shkruan Krasniqi.

Një reagim ka ardhur edhe nga Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku.

“Shokuese deklarata e Lubonjës! Pa fjalë!”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ernest Luma, ndërkaq shfaqet shumë më i ashpër; ai e fyen publicistin shqiptar duke e quajtur “nëna e viçit”.

Avni Arifi thotë se Lubonja gjithmonë ka mbajtur qëndrime antishqiptare.

Kurse Burim Ramadani habitet se si mund të akuzohet dikush si vrasës kur ai është shpallur dy herë i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se ende nuk ka një reagim zyrtar të AAK-së./EXPRESS

#3 ne: 18-07-2013, 16:08:26
Ma kap i cik ca arme cop cop perdorni ju te botes se 3-te Vagabondo dhe shif ca armesh perdorim ne te botes se 1-re.







  • Postime: 1158
  • Karma: +0/-0
  • Gjinia: Mashkull

#4 ne: 18-07-2013, 22:59:21
PËRGJIGJET LUBONJA: MJAFTË ME HERONJ QË ABUZOJNË ME PUSHTETIN

 Fatos Lubonja ka dhënë një intervistë për emisionin “InfoMagazina” të televizionit Klan Kosova, sot pasdite. Intervista është realizuar përmes linjës telefonike, kurse në studion e Kushtrim Sadikut ka qenë i pranishëm edhe Ernest Luma, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Gazeta Express sjell përgjigjet e publicistit të njohur shqiptar, Fatos Lubonjam, si dhe kunderpergjigjet ndaj tij nga anetari i partise se AAK-s, Ernest Luma, nga Prishtina.


---


KlanKosova: A jeni në dijeni për debatin që po zhvillohet në Kosovë rreth shkrimit tuaj?

F. Lubonja: Jam pjesërisht në dijeni sepse kam qenë i zënë me punë tjera, jam në dijeni që shkrimi është botuar në “Panorama” fillimisht, por pastaj - siç veprojnë gazetarët në përgjithësi - jo vetëm që e marrin pa leje dhe pa kërkuar asnjë të drejtë të autorit, por edhe titujt i vënë si ia ka qejfi e të bëjnë debat si i ka qejfi shqiptarëve.

Titulli që kam vënë unë është “Nën qiellin e Europës”, ndërsa titulli që kanë vënë autorët sepse shkrimi është botuar në gjermani në një revistë gjermane me një titull të gjatë, diçka si “Shfajësimi i Haradinajt”...

Ndërsa titujt që i vënë shqiptarët i vënë sipas oreksit, sepse unë nuk jam gazetar investigativ e para e punës dhe unë nuk mund të vë tituj ‘ky është vrasës’. Unë kam bërë një analizë atje dhe jo një akt të gazetarisë investigative.

Por, është drejtë e secilit që shkruan të kuptojë dhe interpretojë atë si të dojë.

KlanKosova: Pra po thoni se ju kanë keqcituar mediat?

F. Lubonja: Tani juve po përsëritni të njëjtën gjë që unë thashë, do të thotë që nuk e lexoni me kujdes artikullin dhe kam bindjen që ju as vetë nuk e keni lexuar sepse gazetarët shumicën erasteve nuk i lexojnë artikujt. Atëherë në artikull thuhet shprehimisht që shqetësimi kryesor i artikullit është që si është e mundur që politikanët shqiptarë, intelektualët shqiptarë, bota gazetareske shqiptare pret në mënyrë triumfale një njëri që gjithsesi ka qenë i akuzuar për krime lufte dhe e pret në mënyrë triumfale ndërkohë që ka bajagi të dhëna, nëse jo për të qenë i bindur, për të pas dyshime se mjaft nga ato akuza qëndrojnë. Ky është thelbi që kam thënë unë dhe ka të bëjë me dobësinë e gjendjes shqiptarëve, e politikës shqiptare e shoqërisë civile shqiptare për të qëndruar kritikues ndaj të vërtetës...

Në këtë rast ndërhynë Ernest Luma, anëtar i Kryesisë së AAK’së. Ai i thotë Lubonjës se nuk ka të drejtë t’i akuzojë heronjtë e luftës dhe luftën e pastër çlirimtare të Kosovës. Njëherësh, sipas Lumës, Lubonja ka fyer shqiptarët duke i quajtur “popull skizofrenik”.

Kurse Lubonja i është përgjigjur: Ajo që unë kam thënë skizofreni shqiptare është një skizofreni që ne e kemi vuajt në kurriz gjatë i them zotërisë, prandaj është një skizofreni midis botës virtuale dhe përrallave dhe ëndrrave të një pushteti dhe mjerimi që shkakton ky pushtet dhe këtë e kemi provuar në kohën e Enver Hoxhës ku njerëzit që përdorin mitin e luftës goxha mirëmjeruan popullin për 80 vjet.

Skizofrenia ka kuptim që të jetosh midis këtij virtualiteti dhe mjerimit real të realitetit dhe për t’u shliruar pra nga kjo pikërisht duhet të shlirohemi nga të ashtuquajturit mite dhe heronj dhe duhet të shikojmë të vërtetën në sy ky është një nga ato që vë në pah artikulli. Për sa i përket asaj që quhet shpifje, unë kam cituar dhe nuk kam thënë diçka nga mendja ime, kam cituar libra që kam lexuar veçoj librin e Carla Del Ponte, veçoj edhe librin që u botua nga dy gazetarë italianë për Kosovën, “Kosova midis mafias dhe SHBA’së”, pra kam cituar nuk kam shpifur, por kam cituar dhe aty ku është për të hedhur dyshim, hidhet dyshim dhe aty ku thuhet qëndron diçka që është e vërtetë, thuhet që është e vërtetë, por ka edhe të vërteta dramatike me të cilat Kosova duhet të ballafaqohet mendoj unë ashtu si edhe shumë shqiptarë që janë të vërtetat e të zhdukurve që s’mund të mohohen dhe për të cilët nuk ka as fajtorë dhe as nuk është vënë gishti diku dhe mendoj që në qoftë se flasim, sepse përmendëm më parë Fulen që ka ardhur në Kosovë, dhe në qoftë se flasim për një Kosovë dhe një Shqipëri që bëhet e denjë për të hyrë në popujt me vlera evropiane atëherë ajo është një Kosovë që nuk mund të jetojë ku në njërën anë flitet për vlera evropiane dhe një tjetër i fryhet urrejtjes ndaj miqve dhe ndaj fqinjëve dhe urrejtje ndaj çdo kujt që ka mendim të kundërt nga pushtetarët. Pra kjo lloj shoqëria nuk mund të jetë demokratike pra thelbi i artikullit tim nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën por ka të bëjë edhe me atë se sa mund të ndërtohet një shoqëri demokratike në një vend ku ka aq shumë dhunë, ka aq shumë akuza për vrasje, ka aq shumë dhunë që e prodhon edhe qëndrimi i kundër që dëshmon kjo se si kanë reaguar ndaj artikullit tim.

Ndërhyn Luma sërish: Ju po tentoni me linçuar personalitetet e luftës dhe liderë politik që janë dëshmuar në të gjitha periudhat...z. Haradinaj përveç që s’ka bënë krime ka mbrojtur pengjet dhe civil...Projekti i UÇK’së është krenari mbarëkombëtare dhe ka dalë fituese.

Fatos Lubonja ripërsërit prapë argumentet që sipas tij, shtrojnë nevojën për një debat rreth mitizimit të figurave dominuese në jetën e shqiptarëve.

Lubonja: Tani, unë e përsëris edhe njëherë që nuk mundet kurrsesi që në merr të një lufte, që padyshim që ka pjesën e vetë të rëndësishme për çlirimin e Kosovës, të krijohen heronj dhe këta heronj të mund të abuzojnë me pushtetin etyre. Këtë e kemi provuar në kurriz e përsërit në kohën e Enver hoxhës dhe jo vetëm ne dhe nuk duhet të përsëritet pra shoqëriaduhet gjithmonë të mos maskoetohet me heronj. Fakti është që, përveç akuzave për luftën për të cilat flitet, flitet edhe për dëshmitarë të zhdukur, pra procesi më shumë është mbyllur për shkak të mungesës së provave përveç kësaj fakti është që po të ndjekësh edhe shtypin kosovar por jo vetëm shtypin kosovar ka shumë akuza për një klasë politike që po të ishte aq patriote siç pretendon nuk do të ishte pasuruar në mënyrë megalofante në kurriz të popullit me korrupsion dhe ne një situatë që nuk është aspak e denjë dhe këta heronj duhet ta tregojnë dashurinëe tyre jo vetëm në një moment por gjithë që është dashuri e vërtetë ndërkohë që siç shikojmë dhe lexojmë, akuzat për korrupsion që i vihen një klase politike, e që janë aq të mëdha thotë se këtu kanë lidhje me njëra me tjetrën sepse ai miti i ndërtuar mund të përdorët dhe të abuzohet me të, kaq kisha.

Marrë nga: Gazeta Express

  • Postime: 1280
  • Karma: +0/-0

#5 ne: 18-07-2013, 23:12:14
Ky injoranti pseudo publicisto analist leshi do injoruar.

Ky ka fyer figuren e Skenderbeut,ka ironizuar himnin :).




Miopi me strabizem :D

  • Postime: 12739
  • Karma: +31/-8

#6 ne: 19-07-2013, 07:11:24
ky te tere kete e ben qe te dali kundra rrymes po se kupton qe ia fut vetes tyci
analist i frustrum

  • Postime: 12343
  • Karma: +336/-221
  • Gjinia: Femer

#7 ne: 19-07-2013, 09:03:36
I madh Lubonja lol
fatkeqsisht realiteti dhemb

  • Postime: 1280
  • Karma: +0/-0

#8 ne: 19-07-2013, 10:18:18
I madh Lubonja lol
fatkeqsisht realiteti dhemb
Pse dhemb Shej?

Sepse Skenderbeu per ate s'eshte asgje?

 ;)

  • Postime: 12739
  • Karma: +31/-8

#9 ne: 19-07-2013, 12:02:55
Lubonja është një shqiptar si ne!
18 Korrik, 2013 | Postuar në: Editorial | Shkruar nga: TemA
Select Language​▼

Nga Mero Baze

Ka një reagim histerik ndaj një shkrimi të Fatos Lubonjës rreth dy standardeve të liderëve shqiptarë në raport me shqiptarët dhe Evropën. Reagimi vjen nga leximi fragmentar i shkrimit dhe pos të tjerash nga fokusimi tek biografia e luftës dhe e paqes e Ramush Haradinaj. Por shkrimi është më i gjerë se kaq. Thelbi i tij është se liderët shqiptarë, për të mbuluar problemet e tyre brenda, përdorin nacionalizmin, kurse për t’iu servilosur Evropës, gjuhën e saj. Në të vërtetë më i hidhur për mua është fakti që shqiptarët nuk janë as nacionalistë dhe as evropianë, por një shoqëri që tenton të përdorë çdo mënyrë sjelljeje për të mbijetuar.
Unë nuk hyj tek ata kolegë që pajtohem shpesh me ato që shkruan Lubonja dhe nuk dua të hyj në polemika me njerëzit e emocionuar nga ndonjë paragraf i tij. Reagimi ndaj shkrimit të Lubonjës tregon disa probleme që ka shoqëria shqiptare me perceptimin e standardeve të një shoqërie perëndimore. Lubonja tregohet i guximshëm si publicist kur i beson të gjitha ato që thuhen për Haradinajn, dhe bazuar mbi këtë u bën gjyqin politikanëve shqiptarë. Por kjo nuk është një arsye për t’u linçuar publikisht, por një arsye për të reflektuar përse ne nuk flasim sinqerisht për historinë tonë. Krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, krahasuar me dhunën e UÇK-së ndaj tyre, janë të pakrahasueshme dhe të pabalancuara, por ky nuk duhet të jetë kriteri ynë për të gjykuar historinë. Krimi nuk është statistikë dhe si i tillë qëndrimi ndaj tij nuk varet nga sasia e kufomave. Serbët kanë bërë gjenocid real ndaj shqiptarëve, kanë vrarë në mënyrë masive, kanë përdhunuar gra dhe vajza, kanë deprimuar karakteret dhe krenarinë e tyre duke iu nënshtruar një regjimi represiv etnik, kanë hequr të drejtën e tyre për shkollim dhe vetëqeverisje, dhe së fundmi kanë hyrë në konflikt me Perëndimin për ta ruajtur me dhunë këtë dominancë. Perëndimi nuk e toleroi këtë gjë dhe ka bërë luftën e parë në botë në emër të të drejtave të njeriut. Kosova është shembulli jo i lumtur për Perëndimin se si ata bombarduan një shtet vetëm pse donte të shtypte qytetarët e një kombësie tjetër brenda territorit të tyre. Dhe i ndëshkoi rëndë duke ua hequr nga duart këtë popull. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Shkrimi i Fatos Lubonjës nuk rreket të tregojë se dhe shqiptarët kanë bërë krime dhe as tenton t’i barazojë ato me krimet serbe, por tregon gjuhën e drunjtë dhe hipokrite të politikës shqiptare në raport me krimin. Ai thjesht kërkon të dëshmojë se ne jemi të pasinqertë dhe kur bëjmë si evropianë dhe kur bëjmë si shqiptarë dhe këtu besoj se ka të drejtë.

Së dyti, dua të theksoj se vetë Lubonja është një shembull i këtij standardi të dyfishtë. Ai është një publicist i kulturuar dhe një shkrimtar i mirë, i cili ka ndikim në opinionin tonë publik. Në shoqërinë ku ai jeton dhe kontribuon, pra në Tiranë, më 21 janar të vitit 2011, regjimi i Tiranës vrau katër qytetarë të pafajshëm, të parrezikshëm, të pambrojtur dhe të paarmatosur. Ata ishin me duar në xhepa para kryeministrisë duke protestuar për të drejtat e tyre politike. Regjimi i vrau, i poshtëroi, mbrojti vrasësit dhe ishte gati të vinte themelet shtetit shqiptar duke akuzuar presidentin, kryeprokuroren, SHISH dhe gazetarët si puçistë. Fatos Lubonja, i cili është një kontributor i rëndësishëm në TV Klan, një grup mediatik i regjimit që iku, nuk adoptoi ndaj këtij krimi standardin që adopton si intelektual ndaj krimeve sado të pakta të UÇK. Përkundrazi, në krimin e regjimit në Tiranë ai shikon dy palë përgjegjëse, dhe opozitën që i nxori në protestë, dhe vë si dytësor regjimin që i vrau. Ky është një fakt që dhe Lubonja është shqiptar, një shqiptar me dy standarde, i vetëkufizuar, vetëcensuruar dhe vetëpërdorur nga rrethanat në këtë vend.
Histeria ndaj tij duhet të ndalet. I gjithë shkrimi i Lubonjës ka dhe atë tiparin e tij të përhershëm, cektësinë me të cilën prek problemin. Ai mendon se e ka imunitet faktin që nuk është i interesuar për informacionin real, por në fakt e ka mangësi të madhe. Ai shpesh shkruan me të njëjtën lehtësi për çështje politike, sociale, kulturore, kriminale dhe historike, duke injoruar thellësinë e problemit. Në këtë rast cektësia me të cilën ai qaset ndaj problemeve, nuk e mbron dot, por jo se e fajëson në atë shkallë sa po e sulmojnë.

Në Kosovë ka shumë politikanë që kanë thënë gjëra të tmerrshme për njëri- tjetrin. Po të lexosh çfarë kanë thënë bashkëluftëtarët e UÇK-së për njëri- tjetrin, apo njerëz të PDK kundër AAK, Lubonja të duket një njeri i moderuar dhe i censuruar. Po të dëgjosh çfarë ka thënë Berisha për Metën, Meta për Ramën dhe Rama për Berishën, gjithë shkrimet e mia për ata, janë shumë të dobëta. Mos bëni sikur e dëgjuat për herë të parë nga Lubonja këtë gjë. Nuk ka thënë asgjë më shumë se sa kemi bërë dhe nuk ka bërë asgjë më shumë se sa thotë. Është shqiptar si ne. Në shumicën e kohës me dy fytyra.

  • Postime: 1158
  • Karma: +0/-0
  • Gjinia: Mashkull

#10 ne: 19-07-2013, 14:11:02
Pjeserisht ka te drejte. Ne pergjithesi jane fjale me vlere.

  • Postime: 414
  • Karma: +11/-3
  • Gjinia: Mashkull

#11 ne: 19-07-2013, 18:07:26
ky te tere kete e ben qe te dali kundra rrymes po se kupton qe ia fut vetes tyci
analist i frustrum

Hahaa kyt gje do thoja :D hiq at analistin :D

  • Postime: 12739
  • Karma: +31/-8

#12 ne: 19-07-2013, 18:10:34
mire e ke se o publicist ne fakt

  • Postime: 12343
  • Karma: +336/-221
  • Gjinia: Femer

#13 ne: 20-07-2013, 09:08:59
urdhro?!
Po flisja per Rramushin une jo per Skenderbeun sa per paranteze.

  • Postime: 1280
  • Karma: +0/-0

#14 ne: 20-07-2013, 10:35:08
Ne lufta s'ka ligje ,fatkeqesisht :)

Pastaj s'te shkon ndermend qe Thaci i ka dhene dic nen gune e ketij? :S

S'permend vengoshi luften per mbrojtje te grave,femijve te masakruar nga serbi,por permend gjyqin e Haradijnat.

Pabesi Shej kjo e admiruesit tend ne shkrim,pabesi!

  • Postime: 566
  • Karma: +0/-0
  • Gjinia: Mashkull

#15 ne: 22-07-2013, 16:48:41
tani cdo lufte eshte trazire, ben krime dhe tremb forcat vitale nga ai vend. Ashtu si fisi vital sllav ''Milloshevic''(sepse kush mund ti dalloje njerezit nga perngjasimet e tyre) iku nga ngerci pseudo-komunist apo mongolet e reformuar qe ushtrojne ende dhune ne ''Himalaje''(Azi), po ashtu edhe kosovaret vitale, embrionet qe dine te jetojne pasluften kane ikur pothuaj. Keto qendra apo i ashtuquajturi Ballkan behen gjendra mizerie, mbipopullimi dhe baza te ndyra te veglave te mafias, pa arritur, pa gjetur vend tjeter per tu asimiluar dhe filon migrimi i dyte, relativ, jo i organizuar i atyre qe e dashurojne jeten.
Kurse Haradinaj eshte nje ''kriminel'' i rregullt, ditur qe shteti ka deshtuar tashme dhe nuk mund te beje sherbetorin e popullit, por shteti i tyre eshte modern, elastik dhe do dije te pershtatet me veglat e mafias qe eshte nje shoqeri tjeter, terrori, ku vrasja eshte miresi kurse tortura eshte perzgjedhje. E pra kultura greke ndjehet deri ketu kunder kultures barbare, mafias, por kjo nuk do te thote se ketu ka patur ndonjehere interesim direkt nga Greqia hyjnore. Kurse fisin ''milloshevic'' e kane inat, nje reaksion organik qe nuk shkon deri ne eleminim personi, por kjo eshte gjuhe organike nuk behet fjale per siperfaqe artistike apo shije intelektuale te ndodhive.
Fatos Lubonja mbart nje dashuri te vecante mbase me te thelle, qe e ka rritur si qytetar por jo forcuar sa te duronte fallsitetin e shtetit dhe shoqerise dhe normalitetin e vullnetit apo deshires se me te fortit.

Temat e fundit