×

Fundi i palavdishëm i partive të vogla

Fundi i palavdishëm i partive të vogla

· 1 · 378

  • Postime: 23736
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 08-08-2008, 09:22:21
Krerët e PDR-së, Genc Pollo dhe Tritan Shehu, i kanë shtuar këto ditë deklaratat për një bashkim me PD-në, bashkim që me sa duket mund të ndodhë në prag të fillimit të fushatës elektorale. Kjo ngutje shpreh shqetësimin e tyre për fatin politik të PDR-së në zgjedhjet e ardhshme Shkrirja e PDR-së me PD-në mund të jetë fillimi i një reaksioni zinxhir që mund të sjellë edhe shkrirjen e disa partive të tjera të spektrit të djathtë dhe të majtë. Në fakt, të njëjtin shqetësim duket se kanë edhe partitë e tjera të vogla. Kështu PSD prej kohësh ka hedhur dhe mbron idenë e një konfederate të majtë, në kuadrin e së cilës kreu i kësaj partie, Gjinushi, duket se kërkon të sigurojë vazhdimësinë e partisë së tij dhe njëfarë roli brenda së majtës. Nga ana tjetër, demokristianët e Ndokës (pjesa që mbështet Ndokën) duken po aq të shqetësuar. Pasi kanë humbur postin ministror dhe pasi janë përçarë në dy grupe brenda vetes, demokristianët shqiptarë duket se po shkojnë drejt ndarjes së mëtejshme, gjë që do t’i bënte ata të pavlefshëm në tratativat paraelektorale të vitit të ardhshëm. Edhe partitë e tjera të vogla duket se janë para të njëjtit problem dhe nuk është çudi që legjislaturën tjetër parlamenti shqiptar të ketë vetëm 4 parti: PD, PS, LSI, (dhe ndoshta PR për shkak të koalicionit me PD-në), ndërkohë që një duzinë partish të tjera të vogla do të zhduken nga skena e jetës politike.
Një zhvillim i tillë, edhe pse jo shumë i shëndetshëm për pluralizmin politik, në fakt është logjik. Pjesa më e madhe e partive të vogla kanë shkuar në mënyrë të pandalshme drejt vetasgjësimit. Ato kanë qenë në pjesën më të madhe trupa parazitë të ngjitur pas partive të mëdha, gjë që i ka shndërruar në struktura politike të atrofizuara, pa asnjë rol aktiv në jetën politike të vendit. Këto parti i braktisën gradualisht alternativat politike që përfaqësonin dhe degraduan në parti në shërbim të një individi (drejtuesit të tyre) ose të grupeve të individëve që i përdornin ato thjesht si një mjet presioni ndaj partive të mëdha. Rasti më i mirë për të shpjeguar degradimin e këtyre partive është sjellja e tyre nëpër koalicionet qeveritare. Përfaqësuesit e këtyre partive në këto koalicione nuk kanë bërë asnjëherë presion për të mbrojtur alternativat e tyre politike, apo për të ndikuar në përfshirjen e ndonjë pjesë të programit të tyre në programin e qeverisë. Madje, edhe kur qeveria ka vepruar totalisht kundër programit të ndonjë prej partive të vogla, përfaqësuesit e tyre nuk janë larguar nga qeveria, përkundrazi.
Kjo ka qenë arsyeja pse ndikimi i këtyre partive në jetën politike ka rënë ndjeshëm. Pjesa më e madhe e tyre prej kohësh nuk ka më asnjë domethënie për elektoratin shqiptar. Modeli më shembullor i degradimit të këtyre partive në kioska të vogla të shkëmbimit të interesave vetjake është Partia Demokristiane Shqiptare. Kjo parti e krijuar që në fillimet e pluralizmit modern shqiptar, është “trafikuar” disa herë nga drejtuesit e saj. Pas disa peripecive të fillimit, ku grupe të ndryshme ziheshin njëri me tjetrin për kontrollin e kësaj partie, ajo më në fund me përkujdesjen e shtetit i kaloi grupit të drejtuar nga z.Zef Bushati. Mendoni, në momentin kur z. Bushati ishte kryetar i kësaj partie, ai ishte njëkohësisht edhe nëpunës i thjeshtë në zyrën e letrave të popullit në kryeministri (bëhet fjalë për vitin 1996). Pas njëfarë konsolidimi të kësaj partie për shkak të qëndrimit në opozitë bashkë me PD-në, zoti Bushati u caktua ambasador në Vatikan, gjë që në atë periudhë u përfol se u realizua në shkëmbim të dorëzimit të kryesimit të PDK-së, zotit Nikollë Lesi. Nuk dihet si qëndron e vërteta, por në fakt z.Lesi u bë në të vërtetë kryetar i PDK-së dhe z.Zef Bushati shkoi ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Në krye të PDK-së, zoti Lesi hyri në parlament dhe jo pak kohë pas kësaj ai e dorëzoi kryesimin e partisë dhe në krye të saj u vu z.Nard Ndoka. Paradoksale është se zoti Ndoka nuk ishte fare në PDK, por ishte kryetar i grupit parlamentar të reformatorëve të Pollos. Shkëputet nga PDR bashkë me disa deputetë të tjerë, dhe menjëherë bëhet kryetar i PDK-së. Pasi mbledh edhe disa deputetë të tjerë, bën një grup me njëfarë ndikimi në Parlament dhe arrin të marrë postin e ministrit të Shëndetësisë. Mënyra e drejtimit të tij krijon pakënaqësi brenda partisë dhe një grup kundërshtarësh brenda saj bëjnë një mbledhje, ku e largojnë nga drejtimi i saj. Ai bën nga ana e tij një mbledhje ku shkarkon ata që e shkarkuan dhe kështu PDK ndahet në disa fraksione që luftojnë dhe akuzojnë njëri–tjetrin. Nëse gjithë kjo histori që tregova nuk do të kishte ndodhur para syve tanë, nuk do të merrej si e vërtetë. Por ja që ka ndodhur. Ajo u soll këtu në mënyrë të detajuar për të treguar thelbin e funksionimit të partive të vogla gjatë këtyre viteve. Në thelb këto parti janë joserizoe dhe nuk e kanë justifikuar ekzistencën e tyre politike dhe meriton të përsëritet edhe njëherë: fundi i tyre është logjik.
Sot këto parti po e ndjejnë këtë fund dhe janë vënë në lëvizje, disa kërkojnë të futen nën ombrellën e më të mëdhenjve, disa propozojnë forma të reja organizimi, disa mundohen të ruajnë koalicionet e vjetra. Në fakt, të gjitha janë forma të reja të parazitizmit të tyre të vjetër. Dhe qëllimi kryesor është sigurimi i disa vendeve në Parlament për pronarët dhe bashkëpronarët e këtyre kioskave partiake, e jo afirmimi i spektrit të alternativave politike që ato përfaqësojnë. Po të ishte ndryshe, ato duhej ta mbronin ekzistencën e tyre përballë elektoratit, kategori që për këto parti kulisash është dhe do të mbetet i panjohur apo thjeshtë një ëndërr e largët e parealizuar.

Mark Marku
Gazeta Panorama