×

Fundi i pretendimeve për trafikim organesh

Fundi i pretendimeve për trafikim organesh

· 1 · 204

  • Postime: 23736
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 28-05-2010, 00:13:57
Për vite të tëra kanë qarkulluar histori lidhur me serbë të rrëmbyer dhe të vrarë për t'iu marrë organet në muajt që pasuan luftën në Kosovë.


Sipas disa burimeve (pranë secilit nga investigimet), tre hetime paralele të kryera nga hetuesit nga Serbia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, nuk arritën të gjenin prova që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte trafikuar organet e personave të ndaluar.

Siç pretendohet, dhjetëra serbë të marrë robër ishin çuar në një shtëpi në qytetin e Burrelit nga qershori 1999 deri në maj 2000 dhe në mënyrë sistematike iu ishin marrë organet e trupit, për t'i shitur.

Këto pretendime janë të prezantuara në autobiografinë e ish- Kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, e botuar në 2008.

Por, pamundësia për të gjetur burimet origjinale dhe ndonjë provë të re që prej vitit 2004, tregojnë se kjo histori nuk ishte e mbështetur në fakte.

Raporti i Këshillit të Evropës, që pritet të botohet muajin e ardhshëm nga hetuesi, Dick Marty, pritet të përqëndrohet në kërkesat politike për qeveritë e përfshira, sesa në zbulimin e fakteve të reja.

Pengesat

"Është fakt që nuk ka asnjë provë për këtë çështje," thotë Matti Raatikainen, kreu i Zyrës për Krime Lufte të Misionit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX).

"Asnjë trup, asnjë dëshmitar. Të gjitha njoftimet dhe vëmendja e medias për këtë çështje nuk na kanë ndihmuar. Në fakt ato nuk i kanë ndihmuar askujt."

Problemi kryesor, tha ai, ishte që skandali i krijuar nga këto pretendime, kishte larguar vëmendjen nga puna që po bëhej për të gjetur eshtrat e 1861 personave që ende konsiderohen si të zhdukur nga lufta dhe ndëshkimi i vrasësve të tyre në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.

Në vitin 2009, një hetim special i BBC-së gjeti prova në qytetin e Kukësit për ekzistencën e kampeve të UÇK-së ku mbaheshin të burgosur.

Në fillim të majit, EULEX-i bëri edhe arrestimin e parë në lidhje me këtë çështje.

Kanë dalë gjithashtu hollësi se shqiptarë të dyshuar se nuk kanë qenë besnikë ndaj UÇK-së, janë marrë në pyetje në një hotel në Durrës dhe më pas janë transferuar në Kukës.

Zbulimet konstante në shtypin serb, se fakte të reja apo dëshmitarë të rinj kanë dalë lidhur me çështjen e pretenduar për trafikim organesh, kanë dalë të rreme, ose kanë qenë pa bazë.

Pas luftës në Kosovë gazetari amerikan, Michael Montgomery, kishte hasur ushtarë të UÇK-së që kishin transportuar të burgosur serbë dhe shqiptarë, të vdekur dhe të gjallë, përtej kufirit nga Kosova për në Shqipëri.

Tre nga shtatë burimet e tij, i referoheshin mundësisë për trafikim organesh dhe kanë identifikuar "shtëpinë e verdhë" pranë Burrelit.

Por, gazetari Montgomery nuk ka qënë i sigurt dhe e ka dorëzuar një përmbledhje të hulumtimit të tij tek Zyra e Personave të Zhdukur dhe Provave Mjekoligjore në Misionin e OKB-së në Kosovë.

Burime të zhdukura

Një ekip i OKB-së në Gjykatën e Hagës, i drejtuar nga Matti Raatikainen, e vizitoi "shtëpinë e verdhë" në shkurt të vitit 2004.

Në një prej dhomave të katit përdhesë, përmes një kimikati u zbulua se dyshemeja përmbante gjurmë të përhapura gjaku, të cilave nuk u dihej origjina. Familjarët nga ana e tyre dhanë shpjegime kontradiktore.

Në një vend ku hidhen mbeturinat u gjetën mjete që përdoren për ndërhyrje kirurgjikale.

Disa hetues kërkonin që të vazhdoheshin hetimet, kurse për të tjerët provat ishin shumë të pakta.

Argumenti më serioz ishte fakti që burimet origjinale të gazetarit Montgomery ishin zhdukur.

Njëri prej burimeve ishte vrarë, siç supozohet, në një rast që nuk kishte lidhje me hetimin, ndërsa të tjerët nuk mund të gjendeshin.

Madje edhe autoritetet serbe që i kanë bërë kaq shumë propagandë historisë së "shtëpisë së verdhë", sot kanë dyshimet e tyre.

Një burim nga Beogradi, që është i afërt me gjykatën për krime, thotë se ende beson se diçka ka ndodhur atje, por jo në shkallën që është sugjeruar dhe që ndoshta nuk ka fare lidhje me UÇK-në.

Varret masive

Duke marrë parasysh mungesën e fakteve, ekspertët sugjerojnë se Shqipëria do të kishte ndihmuar për ta hedhur poshtë këtë histori të dëmshme, sikur të ishte treguar më e hapur.

Raportuesi special i OKB-së, Philip Alston, tha në shkurt se "përpjekjet për të hetuar nuk kishin gjetur bashkëpunimin e duhur nga ana e qeverisë shqiptare".

Ai i bëri thirrje Shqipërisë që të prezantonte një propozim për hetim të pavarur dhe të bashkëpunonte me të vërtetë.

Fundi i 'përrallës' për trafikim organesh, siç e quan një hetues i EULEX-it, do t'i lërë prokurorët për krime lufte me shumë punë nëpër duar.

Në maj, u zbulua një varrezë masive në qytetin Rashkë në jug të Serbisë, ku u gjetën trupat e rreth 250 personave që besohet se janë shqiptarë të vrarë nga trupat serbe në Kosovë dhe që janë varrosur përsëri në fillim të qershorit 1999.

Dheu i kuq që ishte ngjitur me eshtrat, sipas disa dëshmitarëve okularë, sugjeronte se trupat ishin varrosur fillimisht në Drenicë në Kosovë dhe më pas ishin zhvendosur në Serbi për të zhdukur provat.

Prokurorët besojnë se ushtria serbe ishte përgjegjëse.

Vrasje për hakmarrje

Serbë të zhdukur janë gjetur edhe në Kosovë.

Zhvarrosja e 25 serbëve, viktima të UÇK-së, pritet të fillojë këtë vit në një minierë në Obiliq.

Kësaj miniere iu vu zjarri dhe ashensori që zbriste nëntokë u shkatërrua për të fshehur provat.

Përpjekjet për të gjetur viktima të tjera po duken të vështira.

"Kanë mbetur shumë informatorë potencialë," thotë Alan Robinson, një prej shefave të Zyrës për Personat e Zhdukur.

"Të tjerë njerëz që mund të dinë vendndodhjen e personave të zhdukur, nuk duan të flasin nga frika, apo për arsye se nuk kanë interes."

Sipas EULEX-it, 2,244 trupa janë identifikuar që prej vitit 2001.

Prej tyre 301 nuk ishin shqiptarë, që do të thotë se ishin serbë, romë apo të tjerë.

Rreth 228 trupa ishin të serbëve te zhdukur pas 10 qershorit 1999, në fund të luftës, gjatë kohës së vrasjeve për hakmarrje nga shqiptarët e Kosovës.

Në total rreth 13500 persona mendohet se janë vrarë gjatë konfliktit, ose menjëherë pas përfundimit të tij.

Hetimi i kryer nga Dick Marty prej Këshillit të Evropës mbi pretendimet për trafik organesh, pritet të publikohet në fund të qershorit.

Zhvarrosja e trupave në qytetin Rashkë pritet të fillojë në muajin gusht.

Nga Nick Thorpe
Marrë nga BBC në Shqip