Presidenti i Nderit i republikanëve, Sabri Godo, ka befasuar mbrëmë në emisionin e Çim Pekës, “Fakt”, kur deklaroi se Berisha duhet të bëhet President dhe Basha Kryeministër dhe lider i së djathtës. Godo për herë të parë kritikoi edhe presidentin Topi për rolin e tij të vakët në krizën politike dhe parashikoi se lëvizja e tij e re politike për një parti të re nuk do të funksiononte.

Intervistoi Çlirim Peka
Në emisionin e fundit që kemi pasur bashkë, i cili ka hapur shumë debate, jeni shprehur publikisht se unë me dëshirë do të ndihmoja dhe jam pro Lulëzim Bashës për kryetar bashkie. Zoti Basha prej afërsisht 1 muaji e gjysmë ka filluar punën si kryetar i Bashkisë. Cili është perceptimi dhe mendimi juaj për performancën e zotit Basha?Ai pothuajse nuk ka filluar punë, unë i uroj punë të mbarë, dhe vazhdoj të kem bindjen se Basha do të jetë njeriu i ndryshimeve. Vura re disa gjëra që shpalli gjatë fushatës elektorale dhe që më bënë përshtypje të veçantë. E para, një herë Basha nuk ka ndërmend që të zhvillojë luftë politike në Tiranë. Do ta nisë mandatin duke i bërë një ftesë opozitës në Këshillin Bashkiak që të miratojnë vendimet sa herë ato do jenë transparente, të qarta dhe të pranueshme, dhe ta kritikojnë sa herë që nuk është bindës në gjërat që thotë. Në qoftë se ai do të arrijë ta sigurojë këtë bashkëpunim, them se do të sjellë një gjë të re, jo vetëm në Tiranë, por me ndikim në të gjithë Shqipërinë. Sepse ndodh që për 6 muaj me radhë të bllokohet Bashkia e Durrësit, sepse mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për ato vendime që kërkojnë një votim të cilësuar. Dhe kështu mbeten pa u bërë punët e bashkisë, bllokohen investimet, bllokohet qyteti dhe këto kalojnë pa u zënë në gojë, por kjo nuk ndodh vetëm në Durrës. Pastaj Fieri merr shembull nga Durrësi dhe kështu përhapet kjo në të gjithë Shqipërinë duke sjellë një dëm që është vështirë të kalkulohet. Në qoftë se Basha arrin të krijojë këtë lloj bashkëpunimi nga i cili duhet të marrin dhe të tjerët si shembull, atëherë mund të themi se solli diçka të re në politikën administrative të shtetit.
Pra, ju duket se Lulëzim Basha e ka këtë fillim?Ky e ka të ngulitur këtë, tani varet dhe nga pala tjetër, se për të bërë paqe dhe për të bërë luftë duhen gjithnjë dy palë.
Po e akuzojnë për spastrime politike nga bashkia?Në një takim elektoral iu bë një pyetje e drejtpërdrejtë, sesi do të sillej ai me një aktivist të partisë apo me mikun e tij që do të shkojë t’i kërkojë një favor. Iu përgjigj aty për aty në mënyrë të drejtpërdrejtë, me aktivistin e partisë dhe mikun jam i gatshëm të ndaj plaçkat e shtëpisë, por ajo që është e qytetit nuk më përket mua, që do të thotë që ky njeri është i vendosur të luftojë korrupsionin. Tani kjo nuk do të thotë që me ardhjen e Bashës në bashki do të zhduket korrupsioni, por me frymën që po fut kryetari i ri, nuk do të punojë më ryshfeti në Bashkinë e Tiranës. Ai do të bëjë decentralizimin dhe do të fuqizojë veten duke u dhënë kompetenca 11 njësive bashkiake dhe qytetarët nuk do të sillen rreth bashkisë me një letër në dorë, por do të mund të mbarojnë punë te rajoni i tyre. Kjo është thënë dhe përsëritur, por Basha është i vendosur ta bëjë këtë dhe në këtë mënyrë fuqizon potencën e vet të qeverisjes. Ai ka vendosur të bëjë konsulta me qytetarët, duke u bazuar te fjala e urtë që thotë se, nëse nuk ke kohë të dëgjosh njerëzit nuk ke kohë të qeverisësh. Ai është i vendosur të dëgjojë qytetarët dhe të kërkojë forma të reja në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Këto duken ide të thjeshta, por që lëvizin punë të mëdha dhe unë them ky njeri duhet të lihet të punojë dhe duhet ndihmuar. Brenda 3-4 vjetëve do të arrijë të formojë veten dhe të dallohet si një lider i së djathtës duke qenë një masë koke më lart se ata që e rrethojnë.
E keni për gjatësinë një mase koke më lart?Qesh...jo jo, sepse ne historikisht kemi vuajtur gjithmonë nga njerëzit e gjatë. Nuk ka të bëjë shtati fare, e thashë në mënyrë figurative. Nuk e di nëse unë do të arrij ta shikoj Bashën në krye të qeverisë për 3-4 vite, por për mua do ishte një hap më tej drejt Europës, jo se kam ndonjë problem me Berishën, por mbase ka ardhur koha të bëhen ndryshime. Mua nuk do më dukej çudi e madhe sikur Berisha të bëhej President. Shumë njerëz që më dëgjojnë mund të thonë që e ka mendjen në vend ky apo jo, por unë i them gjërat si i mendoj dhe nuk të them mendo si unë, unë e mendoj kështu dhe besoj se është një zgjidhje.
Ju e mendoni si zgjidhje Sali Berishën President për t’i liruar vendin Lulëzim Bashës si lider i së djathtës, apo e mendoni zgjidhje formatin e Sali Berishës për të drejtuar institucionin e Presidentit?Basha është një burrë fisnik, që ka sjelljen e duhur për këdo dhe që ka ndjenjën e mirënjohjes, që është shumë e rrallë te politikanët e sotëm, të cilët marrin atë që u duhet dhe nuk e kthejnë më kokën mbrapa të shikojnë se ç’bëhet. Unë shikoj dhe majtas dhe djathtas, por nuk shikoj ndonjë figurë më bindëse se Lulëzim Basha për të marrë drejtimin e vendit, për tërë formimin e tij kulturor, drejtimin e tij perëndimor dhe gjithçka që ka të bëjë me figurën e tij. Si institucion, deri tani Presidenca është nënvlerësuar, duke i bërë një dëm shumë të madh këtij vendi. Një President i vullnetshëm dhe i fuqishëm si Berisha në personalitetin e tij do të mund të vendoste shtetin ligjor në Shqipëri, që është një nga problemet nr.1 të këtij vendi, dhe do të çonte përpara dhe shtetin e së drejtës që është më i vështirë se shteti ligjor. Gjithashtu, Berisha do të mbronte Kushtetutën dhe të drejtat e qytetareve, veti të cilat nuk i kam parë te asnjë President.
Zoti Basha pas fitores në Bashkinë e Tiranës është më i votuari në kryesinë e PD-së, ndërkohë duke promovuar zonjën Topalli si kandidate e mundshme për Presidente, është në rrjedhën e ngjarjeve për t’i hapur rrugë Lulëzim Bashës. A ju duket normale që Berisha, që ka probleme brenda partisë, t’i zgjidhë nëpërmjet kryetarit të shtetit? Dhe a mund të jetë Jozefina Topalli Presidente e Republikës?Nuk dua të flas për këtë temë. Por shumë njerëzve u bie në mend se mund të jenë presidentë, bile ndonjëherë pazaret janë ulur deri atje saqë është dukur se bëhet fjalë për një bakall apo një dyqan që jepet në ankand. Janë bërë zhvlerësime vërtet të neveritshme dhe kjo duhet të marrë fund. Unë me emra të përveçëm nuk merrem, kam këtë mendim timin dhe nuk më intereson se çfarë mendojnë në Partinë Demokratike. PD duhet të dijë mirë një gjë, se Presidenti më në fund i takon tërë popullit dhe jo PD-së, pavarësisht se ajo i ka votat për ta zgjedhur Presidentin. Duhet të mendohet mirë, sepse u bë e dyta herë që PD-ja zgjedh një president dhe pastaj del Jozefina Topalli e para dhe thotë i kërkojmë ndjesë popullit për këtë President që zgjodhëm.
Cili është gjykimi juaj për presidentin aktual Bamir Topi?Unë nuk e çmoj fare rolin e Presidentit në zgjidhjen e krizës politike në vend, nuk më ka mbetur në mend asgjë që ka thënë ai. Ka një diapazon gjuhe prej 100 fjalësh, unë presidenti, institucioni presidencës, korniza presidenciale... vërtitet rreth këtyre fjalëve dhe në fund ajo që tha ishte çudia e madhe, zgjidhni krizën, bëni debat... Pikë e zezë, kjo mbetet që të thotë një President?! Kështu që mua më duket se ai nuk dha ndonjë kontribut me gjithë insistimin e 3 diplomatëve të shquar, të cilët në të vërtetë dhanë një ndihme të madhe për të ulur tensionet dhe për të bërë zgjedhje të mira që ishin të domosdoshme për Shqipërinë. Në rastin e presidentit nuk më duket se e kapën litarin nga ana e duhur, se, ç’doli në fund nga kjo?
Në përgjithësi, shikoj një mungesë imagjinate, sikundër thashë, një fjalor shumë të kufizuar. Në planin njerëzor me shqetëson pak fati i Bamir Topit, por nuk kam asnjë lloj armiqësie ndaj tij. Përkundrazi, e kam parë që në fillim me simpati si një i ri që do të japë diçka, do të ketë një kontribut në mbarëvajtjen e këtij vendi. Mirëpo ai u përpoq të notonte midis dy ujërave dhe nuk ia doli dhe në korrik do të mbahet mend thjesht si një ish-President.
Zoti Topi do të krijojë një parti të re, partia Aleanca Kuqezi?Unë nuk dua ta pranoj këtë, megjithëse disa indikacione atje më çojnë. Kjo parti më duket diçka kalimtare, që fluturon me erën, sepse nuk ka një platformë, por ka vetëm një ngjyrim folklorik. Nuk dua të merrem me disa detaje të cilat mund të jenë dhe koincidenca që duken si strategji të Bamir Topit për të krijuar këtë parti, e cila do më dukej që në fillim një gjë e dështuar. Nuk do t’ia këshilloja kurrsesi, pasi parti me baza të tilla kanë origjina të tjera.
Bamir Topi mund të bëjë ndryshimin e aleancave në vitin 2013, duke marrë shembullin e LSI-së, një parti e majtë që bëri koalicion me PD-në. Topi po synon të krijojë një parti, të marrë disa vota të djathta dhe t’ia bashkojë ato Edi Rames. A mundet Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu ta bëjnë këtë?Jo, kurrsesi! Kush do ta ndjekë Kreshnik Spahinë dhe çfarë përfaqëson? Bën ndonjëherë ndonjë deklaratë që mund ta bëjë cilido gazetar kur krijohet një incident diplomatik. Këto nuk janë gjëra serioze, por janë gjëra që shkojnë me erën....