Grupet brenda Partise Socialiste - Tema Aktuale

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Grupet brenda Partise Socialiste

Grupet brenda Partise Socialiste

· 1 · 569

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 26-07-2009, 13:27:44
Situata në Partinë Socialiste nuk është edhe aq e këndshme. Pa frikë mund të thuhet se është shpërthyese. Një shpërthim, i cili nëse ndodh do të lërë pas vetëm kujtimin e një partie dikur të madhe. Prej gati një muaji, duket një përpjekje e mundimshme, herë-herë e vuajtur, nga figura të ndryshme të Partisë Socialiste për të mos e paraqitur këtë të fundit si humbëse. Po prej gati një muaji edhe kryetari i saj Edi Rama ka marrë në dorë komunikimin e përditshëm me mediat, duke i mëshuar të njëjtës ide; kundërshtarët e PS-së nuk janë legjitimë në fitoren e tyre. Po ashtu, për të njëjtën periudhë kohe, vijohet me pyetjen (fatkeqësisht idiote) “A i humbi zgjedhjet PS?!”, e pas kësaj pyetje ka gjithmonë ca që nisin e japin përgjigje të gjata e të mbushura me analiza. E gjithë kjo në fakt, dashje apo pa dashje, po i bën një shërbim të madh vetë Partisë Socialiste. Në këtë lodhje rraskapitëse postzgjedhore, elektorati socialist, shumica e të cilëve (si në 2005) besojnë ende në mrekulli, e marrin pak nga pak “dozën e helmit”, nisin të mësohen me të vërtetën e humbjes, pavarësisht se “fituan”. Dhe kjo e shpëtoi, apo më saktë po e shpëton PS-në nga shpërthimi i menjëhershëm, por duket e vështirë që ajo të shpëtojë nga përplasja e grupeve që sot ravijëzohen dukshëm brenda saj.
Grupi i parë dhe më i madhi është grupi i kryetarit Edi Rama. Janë njerëz të rinj, të ardhur papritur në politikë, të pastërvitur, të trembur ndonjëherë nga përgjegjësia e beftë që kanë mbi supe. Këta janë jo vetëm në grupin parlamentar, por edhe në forumet e larta drejtuese të Partisë Socialiste ku përbëjnë shumicën, edhe në shumicën e partisë në rrethe. Realisht kjo është një tjetër parti, e cila drejtohet ekskluzivisht nga Edi Rama brenda Partisë Socialiste. Të gjitha këto figura dhe figurina në jetën politike, të qenit “të rëndësishëm” ia dedikojnë vetëm Edi Ramës. Jashtë ombrellës së tij, ata janë të pamësuar të veprojnë sipas situatave, apo sipas ideve të tyre. Këta janë mbështetja e sigurt e Ramës.
Grupi i dytë dhe më i forti, është grupi që ka interesa tek Edi Rama. Janë “steka e vjetër” e Partisë Socialiste, ata që përherë kanë gatuar në kuzhinën e saj ushqimin për të gjithë socialistët, të majtët dhe shqiptarët. Për ta Edi Rama nuk përfaqëson aspak “të renë”, “modernen” apo “përtej asaj e kësaj”. Rama është për ta kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe jo kryetari i Partisë Socialiste. Përveç kësaj, për këtë grup njerëzish, jo pak të kundërshtuar në bazë, Rama ka përbërë mbrojtjen e sigurt e qenies edhe për katër vjet të tjera mbi karrigen e privilegjeve. Nuk ka asnjë dukje se këta mund ta mbështesin Ramën në një realitet të ri brenda Partisë Socialiste, por e sigurt është se ata do të luftojnë egër për mbijetesën e vet sido që të vijnë punët.
Grupi i tretë dhe më i sinqerti, është grupi i socialistëve të vërtetë. Janë ata që u dhimbset ajo parti, e duan atë parti, kujtojnë “betejat” që kanë fituar dhe “plagët” që kanë marrë në emër të kësaj partie. Këta janë ca pak idealistë që mund të kenë mbetur aty këtu, dhe që kushdo që vjen në majë të PS-së i përdor për të pastruar fytyrën mediatike. Ky lloj grupi ka një shtrirje të madhe poshtë në bazë, por që asnjëherë nuk ka mundësi të ngjitet lart në forume për shkak të makinacioneve të përhershme të grupit të dytë. Idealistët e Partisë Socialiste kanë mbështetur përherë çdo lëvizje që është paraqitur si shpëtim për PS-në dhe për të majtën në përgjithësi, duke u zhgënjyer në fund. Ndoshta këtë radhë ata mund të ngrenë zërin dhe do të ishte fuqia e vërtetë për atë që do të arrijë të bëjë për vete këtë zë.
Grupi i katërt, janë kundërshtarët e dukshëm të Ramës, ata që “guxuan” të flasin për humbjen e Partisë Socialiste dhe për përgjegjësitë që duhet të marrë kryetari i saj, Edi Rama. Eshtë një grup i vogël, por që duket se ka potencial të madh për të lëvizur elementët në Partinë Socialiste. Duke qenë se po gjykojnë ftohtë në një kohë të nxehtë paselektorale, kanë shansin të marrin me vete pas një fare kohe edhe të gjitha ato “koka” që do t’u dalë me vonesë dehja nga fitorja pa pushtet. Eshtë grupi, mes të cilëve mund të gjenden edhe rivalët e ardhshëm të Ramës.
Grupi i pestë janë kundërshtarët e padukshëm të Ramës, ata që u lanë “pas listave”, ata që nuk u përfillën, ata që u zëvendësuan, ata që “u shporrën” nga Partia Socialiste, ata që u përbuzën, ata që nuk përfituan, ata që rrëmojnë gjithmonë në shtëpinë e humbësit, intrigantët e vegjël, thashethemexhinjtë, emisarët e njërit apo tjetrit drejtues apo ish-drejtues. Ky grup mund të jetë relativisht i vogël, por është dëmi që sjell për Partinë Socialiste mund të jetë i madh.
Grupi i fundit mund të përbëhet nga pjesë të vogla të së gjitha grupeve, është grupi i nostalgjikëve të Fatos Nanos. Në 14 vjet ish-kryetari në shumë zgjedhje ka humbur tre prej tyre, 1992, 1996 dhe 2005. Dorëheqjen e dha vetëm pas kësaj të fundit...
Këto grupime, pavarësisht deklarimeve në media dhe vendimeve në institucionet zgjedhore, janë duke u përgatitur për betejën e radhës në Partinë Socialiste, gjatë katër viteve në opozitë. Një ndërprerje e mandatit të Ramës siç e parashikon edhe statuti, mund të shmangte shpërbërjen de fakto të PS, ashtu siç e kundërta mund t’i jepte jetë edhe një rrëmujë totale, ku shumëkush do të përpiqej të krijonte grupet e tij mbështetëse për postin e kryetarit.
Por realisht, e ardhmja e Partisë Socialiste nuk ka të bëjë aspak me realitetin e Ramës, i cili ashtu si Nano dikur, duhet të mbajë mbi vete përgjegjësitë e dështimit. Se çdo të ndodhë më pas në PS, do të dalë një dorë e fortë që do ta mbajë mbledhur këtë parti, do të rikthehet kryetari historik që sërish nuk do të lejojë shpërndarjen e saj, do të kemi krijimin e partive të tjera me grupe të pavarura parlamentare, kjo mbetet për t’u parë. Mbi të gjitha si do të reagojë “grupi parlamentar i Edi Ramës”

Edmond Arizaj
Gazeta Panorama

Temat e fundit