Mungese kurajo ne nje kohe te frikshme
Mentor Nazarko
Largimi i zotit Theodhori Sollaku nga kreu i prokurorisë është nga ato ngjarje që do kujtohen gjatë në historinë e institucioneve shqiptare. Ai ishte epilogu i një beteje të gjatë për pavarësinë e tyre. Ishte një betejë e gjatë, prej rezistencës së Sollakut dhe vendimit të drejtë të një Presidenti, që i akuzuar për favorizim ekonomik për nipërit e vet, pa sesi qeveria e sotme ja shkatërroi bizneset e tyre, ndërsa zgjodhi të mbronte këtë pavarësi. Ishte një betejë e gjatë prej mbrojtjes që një pjesë e medias i bëri kësaj pavarësie dhe nuk mbaron këtu lista e arsyeve pse ky episod i luftës për pavarësi të institucioneve vazhdoi. Ishte një rezistencë relativisht e gjatë, megjithëse nën heshtjen e institucioneve të tjera që janë strukur nën peshën e mëkateve të krerëve të tyre, apo janë homologuar me qeverinë, anipse radha do t‘i vijë dhe atyre.
Po pse rezistoi gjatë Sollaku, që vjen nga një zonë që në mitologjinë popullore nuk mbahet për trimëri? Theodhori Sollaku që megjithatë bëri trimëri, guxoi pasi njihte shtetin, - kishte punuar me dy presidentë; njihte ata që e sulmonin, madje shumë mirë, në kohëra të mira dhe të këqija. Ai mund të mos ishte zyrtar model i shtetit në shumë aspekte, por megjithatë guxoi në emër të pavarësisë së institucionit që drejtonte, t‘i kundërvihej njerëzve që i njihte mirë, madje dhe nga afër, madje dhe nga festa familjare që kishte kaluar me ta. Guxoi pasi më parë kishte depolitizuar prokurorinë, për të cilën zoti Berisha harroi sakaq sesa akuza kishte bërë në drejtim të paraardhësit të tij. Sollaku u rezistoi sulmeve dyvjeçare, pasi guxoi bashkë me një ekip të pajisur dhe të paguar keq, të përgatiste akuzat për grupe që ishin konsideruar si mjaft të rrezikshëm dhe me suport politik; guxoi aq sa mundej të guxonte në kushtet e mungesës së bashkëpunimit me ekzekutivë që nuk e durojnë këtë formulë kushtetuese funksionimi që e sheh prokurorinë si të pavarur. Sollaku mbase nuk guxoi të godiste manjatët e mëdhenj të biznesit që korruptonin zyrtarë, bashkë me zyrtarët e korruptuar, si në Rusi, por Presidenti apo më saktë kryeministrat që e shoqëruan nuk ishin Putinë. Sollaku ishte i fortë edhe pse e ruajti veten mirë nga gabime banale, që mund t‘i ishin provuar lehtësisht nga ushtria e inspektorëve të policisë, të Ministrisë së Drejtësisë, apo të ndonjë institucioni tjetër që u lëshuan kundër tij në rastin e komisionit të parë hetimor. Sollaku nuk gaboi as të sulmonte atë që ishte ideator i sulmeve ndaj tij, ministrit të Drejtësisë, megjithëse ai dha dorëheqjen nën akuza për korrupsion. E gjithë vepra e Sollakut ishte përgjithësisht një vepër e mirë përballë një Kryeministri, që megjithëse vjen nga mjekësia, nuk ka arritur të reformojë as sallën e urgjencës së spitalit më të madh të Shqipërisë, pale sistemin shëndetësor që funksionon në pikëpamje organizative si në komunizëm.
Gabimi i Presidentit
Me vendosjen e firmës mbi shkarkimin e prokurorit, zoti Topi bëri ndoshta në një plan, diçka të drejtë. Nën presionin e shumicës, premtimeve për kryeprokurorë te disa prokurorë, që madje filluan të vetshpalleshin, mungesës së bashkëpunimit të policisë, etj., institucioni i akuzës po shkërmoqej. Duket se me këtë veprim mori fund, mosfunksionimi i një institucioni të rëndësishëm. Por bëri një gabim të madh, që minimalisht ka për t‘i kushtuar shumë po atij. Kishte rastin të bënte një veprim që do ta vendoste në një start të drejtë përballë opozitës që i dha një shans, duke mos e sulmuar. Të paktën kreu i saj, Rama, apo liderët e tjerë të opozitës pas akuzave të para, vendosën ta pranonin si President. Zoti Topi mund t‘i kërkonte dorëheqjen Sollakut dhe t‘i ruante dinjitetin një zyrtari veteran të shtetit, duke e propozuar në një institucion tjetër dhe duke sfiduar pjesërisht shumicën nga erdhi vetë, anipse nuk do t‘ja votonin dekretin. Por zoti Topi nuk guxoi ta bënte një gjë të tillë.
Në një kuptim, ky veprim mund të duket si një akt autoriteti i Presidentit të Republikës, për shkak se ai mund të ketë imponuar një kandidaturë të vetën, pas luhatjeve të para për ta zgjedhur emrin e Prokurorit të Përgjithshëm nga një listë partish, apo atë që do t‘i propozonte Berisha. Akt autoriteti, bashkë me imponimin për të shkarkuar ministrin Rusmali që realisht u shkarkua prej zotit Berisha, që po të donte mund ta kthente mbrapsht. Por e vërteta nuk është vetëm kaq.
Zoti Topi e kreu këtë veprim me një ndjenjë faji, ashtu siç u duk me kohën e zgjedhur për ta bërë këtë. Ndërsa para Solanës, që e kishte ftuar pikërisht për t‘i rritur protagonizmin institucional, për ta shkëputur nga hija e Kryeministrit që e zgjodhi, zoti Topi nuk guxoi ta përmendte vendimin që kishte marrë, dje në pak orë, arriti të lexonte raportin e specialistëve proshkarkimit, të studionte kandidaturën e pasardhëses dhe të firmoste dekretet respektivë. A thua sikur Bashkimi Europian nuk ka njerëz për të raportuar se ç‘ndodh këtu!
Veprimi i zotit Topi ishte nën një ngut të madh për të mos koinciduar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mund t‘ia zhvlerësonte atë. Por kjo nuk e bën atë më pak antikushtetues. Koha nuk i heq karakterin veprimeve.
Veprimi i djeshëm i Presidentit dhe miratimi i kandidaturës së zonjës Rama me aq ngut, ishte demonstrim i hapur i mungesës së kurajës së atyre që sot drejtojnë institucionet, nga pasja në krye të akuzës të një njeriu jokomod për shumicën, frikë nga vendosja si zëvendësues i Sollakut të një njeriu të afishuar qartazi me shumicën ashtu siç u përfol. Filluan të qarkullonin emra që njiheshin për lidhjet e veta me kreun e shumicës, por mesa duket nuk u guxua të shkohej deri aty. Nuk u guxua, madje u mashtrua se do të zgjidhej një kandidaturë që të vinte prej opozitës, mjaft që të ikte Sollaku. Paradoksalisht kjo mungesë trimërie e institucioneve, e Presidentit për t‘i rezistuar Kryeministrit, e Kryeministrit për ta vijuar traditën e vet të kontrollit të paturpshëm të institucioneve, e peshës së historisë negative të tij në krye të shtetit, u përqendrua në kandidaturën e një femre. Një individ i tillë do ta ketë shumë të vështirë të punojë pas sulmeve të frikshme që u organizuan ndaj paraardhësit të vet. Do ta ketë të vështirë të funksionojë pa eksperiencë, pa ditur ato që dinte paraardhësi i saj mbi krerët e institucioneve që kishte përreth apo mbi të, dituri prej së cilës vinte dhe trimëria e nevojshme. Qenia femër mund ta mbrojë para sulmeve të opozitës, që mund të përmbahen prej tyre, por kaq është fare pak për të qenë Silvia Konti e Shqipërisë, e prezantuar duke qeshur në mënyrë cinike nga kryeministri i radhës.
Veprimi i djeshëm i Presidentit i hap rrugë kontrollit të institucioneve të pavarura nga ana e shumicës. Me firmën e parë të Presidentit Topi, kur duhet vërtet të merrte ndoshta për herë të parë në jetën e tij si politikan, një vendim të vërtetë dhe të rëndësishëm. Kjo është vërtet e frikshme.
marre nga gazeta shqip.