Kur do të kthehemi si më parë? - Tema Aktuale

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Kur do të kthehemi si më parë?

Kur do të kthehemi si më parë?

· 2 · 345

  • Postime: 27311
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 31-12-2020, 13:58:53
 

27 dhjetori u konsiderua si “Dita V” në Europë për shkak se në kontinent nisi të aplikohej vaksina e parë kundër Sars-Cov-2. Të parët ishin punonjësit shëndetësorë. Deri tani vaksinat e certifikuara janë Ffizer-Biondetch, Moderna dhe AstaZeneca me Johnson & Johnson. Pyetja është se sa do të ndikojë vaksina në kthimin në normalitet. Më poshtë vjen një renditje e pyetjeve kryesore që kemi dhe përgjigjet e ekspertëve.

Kur do t’u kthehemi përqafimeve dhe shtrëngimit të duarve?

“Kur të kemi arritur imunitetin e tufës, domethënë kur jemi të sigurt se nuk ka më mundësi për një rifillim të epidemisë. Ndoshta koronavirusi nuk do të dalë nga qarkullimi, por nëse të gjithë jemi imunizuar në një sasi të arsyeshme dhe kemi imunitet që zgjat mjaftueshëm mund të mendojmë të kthehemi te zakonet tona, përfshirë këtu përshëndetjen duke shtrënguar duart dhe duke përqafuar të dashurit. Kur? Ne duhet të kemi topin e kristaltë për ta thënë saktë, por shpresojmë të jetë në vitin 2022. Unë mendoj se distancimi, larja e duarve dhe maskat janë masa që do të duhet të mbeten në fuqi për tërë vitin e ardhshëm për të parandaluar që valët epidemike të mos fillojnë përsëri” –thotë Paolo Bonanni, epidemiolog dhe profesor i Higjenës dhe Mjekësisë Parandaluese në Universitetin e Firences.

Çfarë u rekomandoni atyre që duan ta kalojnë Vitin e Ri së bashku?

“Nuk duhet ta ulim vigjilencën. Është mirë të mbani distancë edhe gjatë darkës dhe të vendosni maskën kur nuk jeni duke ngrënë. Numri i njerëzve me të cilët mund të festoni duhet të kufizohet në 4 ose maksimumi 6 të tillë. Dhomat duhet të ajrosen çdo 1 orë (mbani një pallto gjatë kohës së ajrosjes) dhe jini të vëmendshëm për të gjitha ato që duken situata të rrezikshme, si shkëmbimi i telefonave celularë për të shkëmbyer përshëndetje me njerëz që mungojnë ose duke shkëmbyer dhe shërbyer pjata” – thotë Fabrizio Pregliasco, virolog, drejtor mjekësor i spitalit Galeazzi në Milano.

Kur do të jemi në gjendje të kthehemi në zyrë për të bërë një bisedë me kolegët pa shqetësimin e maskës dhe distancimit?

“Është shumë e mundshme që ne do të jetojmë me këtë virus për 1-2 vjet, derisa të arrijmë imunitetin e tufës ose 70-80% të jenë vaksinuar. Në këtë periudhë, derisa të vaksinohemi, nuk do të duhet të ndryshojmë sjelljen aktuale. Virusi do të qarkullojë me më shumë variante që kanë një forcë më të madhe ngjitëse dhe për këtë arsye mund të infektohemi apo të zhvillojmë sëmundjen. Kujtojnë se vaksinat parandalojnë sëmundjen, por nuk e kurojnë atë, prandaj, në mungesë të terapive efektive për Covid-19, është akoma shumë e rëndësishme të vazhdoni të merrni të gjitha masat (maska, larje duarsh, distancim) për të zvogëluar rrezikun e infeksionit. Kështu do të kalojë të paktën edhe një vit para se të mund të kthehemi me qetësi në vendin e punës dhe të rifillojmë edhe ato rituale shoqërore të dashura për ne siç janë pushimi i kafesë në makinë ose në lokal” – thotë Sergio Abrignani, imunolog, profesor i rregullt i Patologjisë së Përgjithshme në Universitetin Shtetëror të Milanos dhe drejtor i Institutit Kombëtar të Gjenetikës Molekulare “Romeo dhe Enrica Invernizzi”.

Kur do të jemi në gjendje të heqim maskat?

“Sigurisht jo shpejt. Do të duhet të presim që fushata e vaksinimit të përfundojë me një përqindje të popullsisë të paktën 75%. Vetëm në këtë rast, dhe pas disa muajsh, pasi të jetë konstatuar se imuniteti i shkaktuar nga vaksinimi dhe ai i tufës janë efektivë, do të jetë e mundur të mendoni për heqjen dorë nga maska” – thotë Pierangelo Clerici, president i Shoqatës Italiane të Mikrobiologëve Klinikë dhe të Federatës Italiane të Shoqërive Laboratorike Shkencore.

Kur do të jenë në gjendje fëmijët tanë të kthehen në sportet e mbyllura?

“Aktivitetet sportive, dhe në veçanti ato të “kontaktit” në një mjedis të kufizuar, janë ndaluar për shkak të rrezikut të lartë të transmetimit të virusit që shkaktojnë mjediset e brendshme. Aktiviteti sportiv rrit ritmin e zemrës dhe të frymëmarrjes me një rritje të rrezikut të përhapjes së “piklave” në një distancë më të madhe se një metër, kufiri minimal i përcaktuar nga një konventë shkencore e njohur ndërkombëtarisht, i distancimit për të shmangur infektimin. Imagjinoj që aktivitetet e sporteve në ambiente të mbyllura do të autorizohen kur kurba e infektimit do të tregojë prova të qëndrimit nën pragun e vëzhgimit dhe gjurmimit të kontaktit. Ne e konsiderojmë atë prag në 50 raste për 100 mijë banorë, sot në Itali kemi rreth 160 raste për 100 mijë, pra jemi më shumë se 3 herë përtej mundësisë së kontrollit të përhapjes së virusit. Fushata e vaksinimit, nëse kryhet pa ndërlikime të veçanta, sigurisht që do të lehtësojë afrimin e këtij momenti” – thotë Agostino Miozzo, koordinator i Komitetit Teknik Shkencor.

Kur do të jemi në gjendje të vizitojmë të afërmit dhe miqtë e shtruar në spital?

“Ne ndoshta do të jemi në gjendje të shkojmë kur të jemi të vaksinuar të gjithë ose në çdo rast ata që kanë një certifikatë që vërteton vaksinimin ose që kanë kaluar tashmë sëmundjen dhe që mund ta bëjnë këtë. Frenimi i infeksionit mund të japë hapësirë për më shumë liri edhe para se të kryhet vaksinimi masiv. Unë mbetem i idesë së maturisë absolute sepse spitalet janë vendi i fundit që ne mund të rrezikojmë të lejojmë që virusi të hyjë. Mundësia e kryerjes së testit të shpejtë me ndjeshmëri të lartë para hyrjes në spital për të takuar një të afërm është një mundësi që duhet të merret parasysh, por nuk është e lehtë të zbatohet në mënyrë masive, edhe për shkak të mungesës së stafit. Sidoqoftë, unë besoj se vizitat në spital nuk janë përparësi në këtë kohë, megjithëse jam krejtësisht i vetëdijshëm se ka një rëndësi të madhe që një pacient duhet të shohë anëtarët e familjes së tij” – thotë Massimo Galli, shef i sëmundjeve infektive në spitalin Sacco në Milano.

Kur do të jetë e mundur të udhëtojmë përsëri?

“Ne gradualisht do të rifillojmë udhëtimet bazuar në progresin e pandemisë në vende të ndryshme, domethënë kur situatat epidemiologjike janë të ngjashme dhe nën kontroll. Kjo është arsyeja pse koordinimi ndërkombëtar është kaq i rëndësishëm: në këtë kuptim, ajo që po ndodh me vaksinimet, ndarja e dozave në të njëjtën kohë mes vendeve të ndryshme evropiane, është shumë e rëndësishme” – thotë Luca Richeldi, pulmonolog, kryemjek i Poliklinikës Gemelli dhe anëtar i Komitetit Teknik Shkencor.

A ka zakone që do të mbani edhe pas pandemisë?

“Unë patjetër që do të vazhdoj të laj duart më shpesh. Nuk mendoj se do të përshëndetem së shpejti me një shtrëngim duarsh ose me një përqafim. Unë do të punoj shumë më tepër me takime kompjuterike virtuale. Do të udhëtoj shumë më pak për punë, sepse shumë konferenca dhe takime do të vazhdojnë të jenë virtuale. Unë do të jem gjithnjë e më krenar të jem pjesë e botës së vogël të kërkimit shkencor, i cili me vaksinat po shpëton botën e madhe të të gjithëve nga një katastrofë pandemike” – thotë Sergio Abrignani, imunolog, profesor i rregullt i Patologjisë së Përgjithshme në Universitetin Shtetëror të Milanos dhe drejtor i Institutit Kombëtar të Gjenetikës Molekulare “Romeo dhe Enrica Invernizzi”.

Kur do të jetë e mundur të shohim një ndeshje në stadium?

“Nëse do të ktheheshim në kushtet në të cilat ishim në qershor/korrik, me RT nën 1, nuk do të shihja problem me 1 mijë njerëz që të ndiqnin një ndeshje në një stadium të zbrazët. Problemi që duhet të menaxhohet është më tepër grumbullimi që krijohet në hyrje dhe në dalje. Është ajo që duhet të ndërhyjmë për të rralluar praninë e shumë njerëzve me një qasje të shkallëzuar. 1 mijë njerëz jashtë në një strukturë që mund të strehojë 30,000 spektatorë nuk paraqet problem për infeksionin” – thotë Paolo Bonanni, epidemiolog, profesor i Higjenës dhe Mjekësisë Parandaluese në Universitetin e Firences.

Kur do të shkojmë në një koncert?

“Gjithçka do të varet nga shpejtësia me të cilën kryhet fushata e vaksinimit dhe do të arrihet imuniteti i tufës (të paktën 70% për këtë virus). Unë mendoj se duhet ende e gjithë 2021 për të rimenduar koncertet në stadiume apo të tifozëve të bashkuar me njëri-tjetrin në tribuna. Në vend të kësaj, unë besoj se koncertet e muzikës klasike mund të mbahen më herët, apo dhe në raste të tjera që lejojnë distancën fizike” – thotë Fabrizio Pregliasco, virolog, drejtor mjekësor i spitalit Galeazzi në Milano.

A do të jemi në gjendje të vizitojmë gjyshërit kur ata të vaksinohen?

“Sigurisht, por jo menjëherë pasi përgjigja imune e shkaktuar nga vaksinimi dhe kujtesa imunologjike vendosen disa javë pas injektimit të dozës së dytë. Kur të jemi të sigurt se gjyshërit janë imunizuar, ne mund t’i takojmë ata pa problem. Ajo që është e mirë dhe e drejtë është që fëmijët dhe nipërit të vaksinohen për të rritur mundësinë e mos-transmetimit të virusit” – thotë Pierangelo Clerici, president i Shoqatës Italiane të Mikrobiologëve Klinikë dhe të Federatës Italiane të Shoqërive Laboratorike Shkencore.

Kush vaksinohet i pari do të ketë më shumë liri?

“Shumica dërrmuese (95%) e atyre që do të vaksinohen, 30-40 ditë pas dozës së parë do të mbrohen nga sëmundja dhe ndoshta, me shumicën e vaksinave, madje edhe nga infeksioni, edhe nëse do të jemi të sigurt për këtë të fundit në disa muaj. Kështu, ata që vaksinohen do të mbrohen dhe duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë më lirshëm dhe t’u nënshtrohen më pak kufizimeve. Sidoqoftë, do të ishte e këshillueshme që edhe të vaksinuarit, gjatë kohëzgjatjes së pandemisë, të përdorin maskën në vende të mbushura me njerëz; kjo për të shmangur që 5% e vaksinuarve që nuk do të mbrohen të mos infektohen në ambiente të mbushura me njerëz. Për disa muaj, shumica e të moshuarve do të jenë vaksinuar, domethënë, pjesa e popullsisë më e ndjeshme ndaj formave të rënda të Covid-19 dhe për këtë arsye ne duhet të shohim një rënie të ndjeshme të vdekjeve në një kohë të shkurtër. Në atë moment ne do të fillojmë të menaxhojmë një pandemi në të cilën shumë do të infektohen, por pak do të vdesin. Sidoqoftë, kjo nuk do të nënkuptojë të gjithë, sepse nëse nuk e ndalojmë qarkullimin e virusit me sjelljen tonë, ne rrezikojmë që të dalë një variant i ri i virusit, i cili mund t’u shpëtojë vaksinave të disponueshme” – thotë Sergio Abrignani, imunolog, profesor i rregullt i Patologjisë së Përgjithshme në Universitetin Shtetëror të Milanos dhe drejtor i Institutit Kombëtar të Gjenetikës Molekulare “Romeo dhe Enrica Invernizzi”.

Kur do të kthehemi të hamë në restorant pa ankth?

“Ne do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë kur të kemi një pjesë të madhe të popullatës së prekshme të mbrojtur nga vaksina dhe qarkullimi i koronavirusit do të priret të ulet si rezultat i rritjes së njerëzve imunë. Sidoqoftë, ju kujtojmë se edhe tashmë duke respektuar rregullat në fuqi, është e mundur të shkoni në restorante pa ankth, por me shumë kujdes” – thotë Luca Richeldi, pulmonolog, kryemjek i Poliklinikës Gemelli dhe anëtar i Komitetit Teknik Shkencor.

Çfarë nuk do të kthehet si më parë?

“Së pari, shpresoj që një sistem shëndetësor që ka treguar të gjitha limitet e tij të mos kthehet më si më parë dhe shpresoj se duam ta kthejmë situatën dhe të përmirësojmë shëndetin tonë në një mënyrë vendimtare, duke marrë parasysh rëndësinë e mjekësisë territoriale dhe shëndetit publik. Në fund të epidemisë do të kthehemi të shohim njëri-tjetrin dhe të jemi së bashku, njeriu është një kafshë sociale, por besoj se pas një eksperience të tillë do të mbajmë gjallë rregullat e higjienës mjedisore dhe personale dhe vëmendjen ndaj ventilimit. Ndoshta nuk do të jetë aq e pazakontë të shohësh njerëz me maska gjatë periudhës së gripit, siç ndodh në vendet e lindjes” – thotë Massimo Galli, shef i sëmundjeve infektive në spitalin Sacco në Milano. ©LAPSI.al, marrë nga Corriere della Sera

  • Postime: 7497
  • Karma: +88/-62
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 31-12-2020, 16:17:27
Le Ta fillojme me nje urim qe eshte sipar i normalitetit.

“Gezuar Vitin e Ri 2021”!
Qofte nje vit me i mire se ky qe po iken.
Sjellte normalitet në jeten tone dhe ardhte plot me te mira, shendet, harmoni dhe cdo gje Qe na mungojne kete Vit qe po iken.

Gezuar!🥂

Temat e fundit