po e vertete lexojeni kete artikull mu duk interesant.
Emra të njohur mbeten jashtë listave
PD në pushtet e dorëzoi listën e kandidatëve për deputetë pas mesnatës ndërsa PS e dorëzoi disa orë më vonë në mëngjes.
Forca më e madhe politike e opozitës ishte kështu partia e fundit që dorëzoi listat pas një debati të fortë partiak dhe sulmit të ashpër që ish kryetari Fatos Nano i bëri një natë më parë kryetarit aktual, Edi Rama.
Në këto lista, emra të njohur të politikës mbeten jashtë listave.
Në listën e PD shumica e grave kandidate janë të renditura nga fundi, me pak shansë për të fituar.
Shumica e partive politike që marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit dorëzuan ditën e martë, brenda afatit ligjor listën e kandidatëve për deputetë.
PD në pushtet, ndonëse e shpalli listën më herët, e dorëzoi atë në KQZ disa minuta pas mesnatës, kur përfundonte afati i fundit, ndërsa PS e paraqiti listën në mëngjes.
Zyrtarët e KQZ priten deri në orën 1 të mëngjesit, por PS nuk u paraqit.
Kjo ngjarje përbën një rast të veçantë dhe të papritur.
Është shkelje e qartë e ligjit zgjedhor, por sidoqoftë nuk pritet që PS të penalizohet.
Atmosfera e tensionuar në mjediset e politikës gjatë gjithë ditës së martë, shpërtheu në mbrëmje fillimisht me shpalljen e listës së PD.
Kryeministri Sali Berisha i shpalli me eufori emrat e kandidatëve, duke kryesuar vetë listën e kryeqytetit.
Tetëmbëdhjetë deputetë aktualë të PD nuk do të jenë në listën e kandidatëve.
Shtypi i Tiranës nënvizon se shumica e tyre njihen si pjesëtarë të të ashtuquajturit grupi i presidentit Topi, të cilët, sidomos vitin e fundit, nuk janë pajtuar me disa qëndrime të udhëheqësit të partisë dhe kryeministrit Berisha.
Jashtë liste ka mbetur ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj, i cili një ditë më parë shpalli ndarjen e përkohshme nga politika.
Njëri prej zërave më aktivë në PD, Preç Zogaj, është gjetur i papërgatitur kur e ka parë veten në mbrëmje jashtë listës. Menjëherë Zogaj është rreshtuar me partinë e sapokrijuar Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës, një tjetër disident i shpallur prej kohësh brenda PD.
Në listën e kandidatëve të PD bie në sy se kanë hyrë disa prej këshilltarëve aktualë të kryeministrit.
Po ashtu bie në sy se në të paktën dy raste është shkelur ligji elektoral lidhur me numrin e kandidateve femra.
Ato janë më pak se 30% siç e parashikon ligji. Numri i tyre është respektuar në qytetin e Tiranës, me futjen në vendin e tretë të listës së aktores së njohur të kinematografisë, Rajmonda Bulku.
Por në qarkun e Vlorës vetëm kandidatja e gjashtë është grua kurse në qarkun e Beratit nga tetë kandidatë që janë shpallur, vetëm një është femër. Ligji parashikon që njeri ndër tre të parët në lista duhet të jetë një grua.
Sa i takon krahut të majtë, një ngjarje ka qenë dalja publike e ish-kryeministrit Nano pas një mungese prej më shumë se dy vjetësh në media.
Zoti Nano bëri kritika të ashpra kundër pasuesit të tij Edi Rama në televizionin kombëtar Klan, duke parashikuar humbjen e PS në zgjedhje dhe ridaljen e tij në krye të partise socialiste.
Kryesia e partisë Socialiste u mblodh vonë në mbrëmje për të përfunduar listat e kandidatëve.
Jashtë listës së PS-së kanë mbetur dy ish kryeministra, Fatos Nano dhe Ylli Bufi.
Sakaq kryetari i LSI, ILir Meta, kryeson listën e partisë së tij në kryeqytet.
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule është në krye të listës në më shumë se një qark, gjë që lejohet nga ligji.
PBDNJ pasi ishte 4 vjet në koalionin e djathtë, është rreshtuar tashmë me koalicionin e majtë të PS.
Shpallja e listave të kandidatëve shënon një moment kulmor të fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit.
Emocionet dhe atmosfera në qarqet politike gjatë ditës së martë ishin të pakrahasueshme me vitet e kaluara.
Kjo i dedikohet ligit të ri elektoral, formulës së tij krejt të ndryshme nga ligji i mëparshem.
Kritikët e ligjit patën folur prej kohësh për lista të mbyllura, pikërisht për faktin se deri në minutën e fundit para fillimit të fushatës publiku dhe zgjedhësit nuk kishin mundësi të njiheshin me emrat e kandidatëve.
Ligji i ri elektoral konfirmoi kontrollin e fortë të kryetarëve të partive mbi listat e kandidatëve. Mund të thuhet se tashmë zarët janë hedhur.
Me 28 qershor pritet të marrin përgjigje dy pyetje kryesore: a do të rikonfirmohet PD e z. Berisha apo partia e re socialiste e drejtuar nga Edi Rama do të vije në pushtet?
Dhe tjetra, me rendësi jetike për integrimin e Shqiperisë në Europe : a do të jenë zgjedhjet e rregullta dhe të pakontestuara nga humbësit?
BBCAlbanian.com