Altin Ketro thotë:
21 Korrik, 2011 më 11:10 am DHE VJEN NJË DITË, DO VIJË NJË DITË, MOS ARDHTË AJO DITË!
Dhe vjen një ditë që ajo ngrehinë në formë konike, që fare mirë mund të quhej “Krahët e Shqiponjës”, do shembet. Simbol, po po, simbol i Tiranës, i qytetarëve të saj që u përdhunuan nga arroganca qeveritare. Ata nuk u pyeten për atë ndërtesë që ka hyrë thellë në memorjen e gjithsecilit per nesh. Ishte më e pakta që mund të bëhej, t’u merrej një mendim, në një referendum lokal (megjithëse ajo ndërtesë ka përmasa kombëtare) e t’u thuhet thjesht e shkoqur: E doni? Po apo Jo! Vetëm dy fjalë, vetëm një pyetje, vetëm kaq!
Marrëzia do e çojë deri në fund marrëzinë e vet dhe askush nuk e ndalë. Sepse marrëzitë ndjekin njëra-tjetrën, ndonëse në distancë kohe, por të njëjta janë. Atëherë u prish një ndërtesë bashkie, më e bukura që plotësonte ansamblin e ndërtesave ku përfshihen edhe ministritë ekzistuese përreth sheshit “Skënderbej” dhe në vend të saj u ngrit një muze. Brezi i ri nuk e ka jetuar atë kohë dhe mund ta dijë ose nga tregimet e prindërve, ose nga kronikat televizive të kohës. Sapo e ka parë a dëgjuar padyshim ka menduar – “Oh, sa keq”! Por, atëherë vendoste Partia dhe popullit nuk i ngelej tjetër veçse të duartrokiste.
Po tani, çfarë e bën popullin kaq indiferent që ta pranojë në heshtje?! Do vijë një ditë edhe për brezin e sotëm t’u tregojë fëmijëve të tyre për historinë e ndërtesës konike që përfaqësonte në arkitekturën e saj, vet simbolin tonë Kombëtar. Oh, sa keq – do thonë ata fëmijë. Po, ku ishit ju prindër? – do pyesin. Ne, vetëm folëm – do u themi. Ja, bëmë disa shkrime mediatike sensibilizuese, emisione televizive, shfrymë dufin sa mundëm në Facebook, dolëm atypari për të protestuar me intelektualë, arkitektë, ekspertë, studiues, idealistë, indiferentë-kurjozë, por pa i shkaktuar asnjë dëm marrëzisë që kishte vendosur të kundërtën.
Kësaj here nuk do ketë shfajësim. Jetuam në këtë farë demokracie që edhe ashtu mbytëse prej marrëzisë së rregjimit në fuqi, na e jep gjithsesi mundësinë për t’i thirrur ndjenjës qytetare të gjithkujt prej nesh për ta kundërshtuar me forcë, aq sa ta detyrojmë të kthejë udhë, e në mos të vendos ta prishë brutalisht, të paktën të na pyes për të qenë të qetë në ndërgjegjen tonë që “shumica vendosi e ne, pakica, duhet të heshtim e t’i bindemi verdiktit të saj”.
Po i lëmë të qetë ta çojnë deri në fund marrëzinë e tyre. Dëgjojmë zëra se “ata kanë pushtetin dhe me të bëjnë ç’të duan përsa kohë janë në qeverisje” apo “mirë t’i bëhet këtij populli që i voton”! Po pse more, argumenta janë këto?! Me këto tolerime të shumicës popullore do lëmë ne një grusht njerëzish të vendosin për fatet tona e të qytetit ku jeta na lidhi?! Sa cekësi mendimi dhe sa frymëzim për të marrët që inkurajohen për marrëzi të tjera.
Ajo ndërtesë në formë konike apo piramidale, ka veçantinë e saj, sepse është një nga veprat më të mira e të bukura të arkitekturës komuniste, e cila shquhej për shëmtinë steriotipe në ndërtim. Çdo periudhë ka historinë e saj e cila duhet trashëguar brez pas brezi për të parë evoluimin e mendimit krijues, si dhe të shërbejë për raste studimi e krahasimi midis brezave.
Nuk ka ndërtesë tjetër që të ketë marrë aq shumë energji negative nga pushtetarët (përjashto objektet e kultin gjatë diktaturës), a thua se e keqja fshihet brenda dhe me shembjen e saj do fillojë një erë e re për shoqërinë tonë. Absolutisht JO! E keqja fshihet në mendjet e djallëzuara të politikës dhe fati i keq i asaj ndërtese është vetëm se ndodhet në një vend “pëllumbash”, shumë e lakmuar nga mafia për të bërë para. Ashtu si është, ajo nuk sjell fitime, ose ato janë shumë minore. E për këtë arsye ajo duhet zhdukur, por për këtë duhet ngritur një kauz e madhe që të bëhet e besueshme. Dhe u gjet “lufta kundër komunizmit”, fryma e së cilës demek fshihet brenda ndërtesës. Sa fyese për çdo person që zotëron inteligjencën më minimale për të kuptuar mbrapshtësinë e kësaj teze të dalë boje. Por, marrokut aq i bën, mjafton ta hedh në eter e pastaj të ngjisë ku të ngjisë deri sa ta çojë në fund marrëzinë e tij.
Ajo do shëmbet. Tiranës do i mungojë Piramida, një nga pikat e pakta mitike referuese të saj. Aty ku grupet të huaja turistësh ndalin hapin. Fotografojnë dhe shohin me trishtim rrjepjen për së jashtmi pa e parë dot vjedhjen për së brendshmi. E marrin në celuloid një kujtim nga Shqipëria, nga metropoli i saj, pa e ditur që ajo do rrafshohet nga themelet një herë e mirë.
E bëra edhe unë shkrepjen time nën sfondin e saj. E dua një kujtim përpara se të më shfanepset nga sytë. Edhe për t’ia treguar fëmijës tim. Kur të rritet e të më pyesi – Po ti babi, çfarë bëre për ta ndalur?, – unë do i përgjigjem thjesht – Ja, shkrova këto rradhë! Vetëm kaq! Turpërisht për vehte e të tjerët. Turp nga se? Ja pra, sepse nuk shkuam më shumë se tek keqardhja mediatike e nuk qemë të zot ta ndalnim me fuqinë fizike. A jemi në kohë? Absolutisht PO! E kemi vetë në dorë, ne, qytetarët e Tiranës t’i themi NDAL kësaj barbarie. Vendimet qeveritare nuk mund të dalin kurrë kundër fuqisë së vullnetit popullor.
Por, deri sa ta shoh të materializuar këtë fuqi popullore, nuk më ngelet tjetër veç të them : Lamtumirë Piramidë! Madhështisë së krahëve të tu do i zërë vend një ngrehinë “moderne”, e kohës, me çelik e xhama, me gardistë të armatosur që nuk do na lenë ti kalojmë pranë, e cila do strehojë “kokat” e politikës që tash 20 vjet demokraci kanë luftuar kundër memorjes së kombit, prosperitetit dhe ardhmërisë së tij, duke e vjedhur, plaçkitur e vrarë jo vetëm atë, por edhe ëndrrat e qindra-mijra familjeve
Unë do jem përpara Piramidës, më 21 korrik 2011, ora 19:30, jo vetëm për të protestuar, por edhe për të matur pritshmërinë time për ndërgjegjësimin qytetar. Për të mos i thënë lamtumirë asaj, por të marrëve që na qeverisin.
Kush ka sy – të shikojë, kush ka vesh – të dëgjojë, kush ka gojë – të flasë, kush ka zemër – të luftojë. TANI!
Dhe së fundi, po shkëpus këtë sentencë nga thirrja apel e njërës prej organizatoreve, Inida Gjata ZHAKU : “Ne Populli i Shqipërisë, kërkojmë një Piramidë! Për ta shndërruar në Monumentin e Vuajtjeve tona si shenjë pendimi për çdo sistem që kemi zgjedhur të na drejtojë! Piramida duam të jetë tek PIRAMIDA dhe duam të jetë Qendër e të Drejtave të Njeriut. Të jetë plotësisht në dobi të qytetarëve, taksapaguesëve, zgjedhësve tuaj”.