kurse ketu Berni ke repliken Mero Bazes (qe vdisje ti dikur..une e shaja e ti ma beje burre te mire ...ja ku e ke tani burrin e mire) perkundrejt atij zotnise qe une pavarsisht e respektoj edhe pse i ziu duhet te eci nen linjen e partise dhe jo Sales.....Besnik Mustafaj qe sala e hodhi si lecke e qe sot vetem per ideale ben sikur i mbeshtetet.....
Nga Mero Baze
Besnik Mustafaj po bën një përpjekje të sforcuar për të gjetur një arsye të ndjehet si pjesë e Partisë Demokratike. Lexova një shkrim të tij rreth rezultatit të Lulëzim Bashës dhe përveç bezdisë nga diçka e pasinqertë në adresë të këtyre zgjedhjeve, ndjeva një lloj detyrimi për të mos lënë një të pavërtetë të zërë vend.
Teza kryesore e Besnik Mustafajt se Lulëzim Basha është i fituari i madh i këtyre zgjedhjeve është më boshe se ç’është vetë Lulëzim Basha. Unë nuk e gjej fitues Lulëzim Bashën as kur e krahasoj me Besnik Mustafajn, Spartak Ngjelën dhe Sokol Olldashin, dhe as kur e marr atë thjesht si një kandidat të koalicionit më të gjerë “anti- Edi Rama” që ka pasur ndonjë herë kundër së majtës në Tiranë.
Lulëzim Basha ishte në vitin 2011 ndaj Edi Ramës në pozitat që ishte Edi Rama ndaj Besnik Mustafajt në vitin 2000. Në krah të Edi Ramës në vitin 2000 përveç gjithë partive të majta deri në fraksione, ishte e djathta e rëndësishme për Tiranën e Dashamir Shehit, e cila i mori Mustafajt rreth 9 mijë vota dhe partia e pashpallur e Genc Pollos që doli e festoi e para humbjen e tij, dhe nën rrogoz edhe republikanët e Mediut apo disa fraksione liberale, të cilat po mikloheshin për një opozitë pa Berishën. Pra, nëse në vitin 2000 kur kundër Besnik Mustafajt ishte e gjithë e majta, plus ish pushtetarët e PD-së, në vitin 2011 kundër Edi Ramës ishte e gjithë e djathta, plus e majta që ka qenë në pushtet këto 20 vjet në Shqipëri, ku përfshihen dy ish- kryeministra dhe një kryetar partie komuniste. Nëse Lulëzim Basha do të ishte i fituar i madh, ai duhej ta mundte Edi Ramën së paku me aq vota se Edi Rama në krye të atij koalicioni aq të gjerë mundi Besnik Mustafajn në vitin 2000. Pra, Basha, jo vetëm që nuk ishte i suksesshëm si kandidat i PD-së, por me gjithë sforcimin e tij me ngjyra kriminale në këtë proces, nuk arriti të ishte dot as triumfator i koalicionit më të gjerë në historinë e këtij vendi kundër një kandidati të së majtës në Tiranë. Nëse marrim rritjen natyrale të elektoratit gjatë këtyre 11 viteve dhe diferencën me të cilën Rama mundi Mustafajn me atë koalicion aq të gjerë, duhej që Lulëzim Basha ta mundte Edi Ramën me së paku 35 mijë vota diferencë që ta konsideronim fitues.
Basha po ashtu nuk arriti dot as rezultatin e Edi Ramës në vitin 2003, i cili kishte në krah të tij jo vetëm të djathtën e mërzitur me Berishën, por dhe kandidatin zyrtar të Genc Pollos, Kreshnik Çollakun. Diferenca e Ramës me Ngjelën mbeti e madhe edhe pse gjysma e familjes Berisha shkëmbente kuti votimi me apartamente për fëmijët e Sali Berishës, por mbi të gjitha mbeti e madhe se Edi Rama arriti të ishte përsëri përfaqësues i atij koalicioni të gjerë “anti-Berishë”.
Basha nuk arriti dot as rekordet e vitit 2007. Edi Rama në 2007 nuk kishte aleatë nga e djathta dhe konkurroi vetëm me votat e së majtës. Olldashi arriti të marrë për PD më shumë vota se sa mori për PD Lulëzim Basha, ndërsa Rama vetëm me të majtën arriti rreth 20 mijë vota para së djathtës.
Në vitin 2011, Edi Rama kishte mbështetje vetëm të majtën e mbetur pas shkëputjes së ish pushtetarëve të së majtës, dy kryeministrave dhe disa grupeve brenda PS, të cilët bashkëpunuan hapur me Berishën. Mjafton të kujtojmë se Sekretari për Zgjedhjet i Partisë Socialiste me 8 Maj pinte kafe publikisht me Sali Berishën dhe se dy ish-kryeministrat e së majtës ishin online me të për të mundur Edi Ramën. Në krah të Lulëzim Bashës ishte pra një pjesë e rëndësishme e së majtës, e gjithë e djathta historike dhe e re, gjithë fraksionet e partive të qendrës dhe Partia Demokratike. Ky koalicion i gjerë falë amoralitetit të prodhuar nga korruptimi i klasës politike në vend, duhet ta kishte çuar Lulëzim Bashën së paku 50 mijë vota përpara Edi Ramës, sikur të mos llogarisim këtu votat e blera, votuesit e importuar, trupën shëtitëse votuese, blerjet e votave tek romët dhe të ardhurit nga veriu. Lulëzim Basha nuk ia doli dot. 10 vota larg finishit mbeti si humbës dhe sot është përfshirë në një spirale të fëlliqur të marrjes së mandatit në tavolinë, për të cilën nuk dua të diskutoj.
Ajo që dua të them është se Lulëzim Basha është kandidati më i dobët që PD ka pasur përballë Edi Ramës që nga viti 2000. Ai ka marrë votat minimale historike të PD-së po të krahasosh dhe rritjen e numrit të votuesve natyralë që ka çdo parti. Pikërisht për këtë shkak, Partia Demokratike ka dalë 14 për qind më pak se Partia Socialiste, e cila është parti e parë dhe Sali Berisha sot nuk flet më si udhëheqës i PD-së, por si udhëheqës i koalicionit “anti- Edi Rama”, i cili nuk është një koalicion realist dhe i qëndrueshëm pasi ka lindur nga interesa financiare dhe mund të shkrihet për çfarëdo interesi të ngjashëm. Ai nuk është koalicion politik jo vetëm pse Nano- Berisha- Meta- Idrizi janë tri të majtë me një të djathtë, por dhe pse që të tre majtët e këtij koalicioni nuk janë aleatë të Berishës, pro thjesht kundërshtarë të Edi Ramës. Bile Berisha duke tentuar të rrëzojë Edi Ramën, me këtë shkatërrim që i ka bërë PD-së në të vërtetë po pret pa dashje degën ku ka hipur. Në momentin që e majta kolaboracioniste rrëzon Edi Ramën, ajo nuk ka më arsye politike të bashkëpunojë me Berishën dhe ky koalicion merr fund. Berisha mbetet kryetari i partisë që është 14 për qind pas Edi Ramës.
Një problem tjetër që meriton vëmendje është legjenda mbi etikën e fushatës së Lulëzim Bashës. Jam ndalur disa herë gjatë fushatës rreth kësaj teme dhe nuk dua të përsëris veten, por dua të them në mënyrë të qartë se kjo është fushata më e pandershme e historisë së Shqipërisë pasi është fushata më e pavërtetë e saj. Në këtë fushatë përveçse u vra e vërteta, u tentua të prodhohet një model i ndyrë fushate, ku kandidati komunikon me qytetarin përmes shesheve të xhirimit dhe jo përmes kontakteve direkte me ta.
Një fushatë e falsifikuar nuk mund të jetë kurrë një fushatë etike. Ajo ishte dhe mbetet një fushatë fyese ndaj qytetarëve, pasi synonte instrumentalizimin e tyre dhe jo informimin e tyre apo ballafaqimin me ta. Qytetarët nuk i fyen e vërteta e hidhur, sado e hidhur të jetë ajo, më shumë se sa i fyen gënjeshtra për historinë e tyre të hidhur. Si mund të jetë ndjerë mirë vajza e rritur e Ziver Veizit kur shikonte se vrasësi i babit mohonte duke buzëqeshur plumbin në gjoksin e babit të saj, si mund të ndjehej mirë vajza e madhe e Aleks Nikës kur shikonte Dafinën të shkonte me mamin dhe babin e veshur firmato në Teatër të Kukullave, kurse ajo rrinte e mbyllur në shtëpi të saj, pasi nuk ka kush ta nxjerrë më shëtitje. Si mund të jetë e ndershme një fushatë për një kandidat me katër vrasje mbi shpinë dhe dhjetë fëmijë jetimë që do t’i ketë para syve gjithë jetën, vetëm se ky njeri pasi ka vrarë nuk flet më keq, por buzëqesh. Është fyerje e madhe e inteligjencës së kësaj shoqërie të quash etike një fushatë të një njeriu, rrobat e të cilit vijnë ende era barut, dhe ne t’i lavdërojmë parfumin që vjen nga truku elektoral i tij. Kjo etikë i shkon për shtat vetëm vrasësve gjakftohtë, por kurrë njerëzve të qytetëruar që kanë guximin të marrin përgjegjësi për gjërat që bëjnë. Lulëzim Bashës nuk i shkon as etika e vrasësit burrnor, as etika e vrasësit të pafajshëm. Atij i shkon vetëm etika e të pabesit, njeriut që të vret pas shpine dhe pastaj buzëqesh. Ky njeri na ka rënë për pjesë ta kemi politikan, por së paku të mos shtiremi se jemi të lumtur për të. Le ta marrim siç është, si një fatkeqësi.
Dhe së fundmi dua të ndalem pak tek ajo që më ngjau si një daltonizëm politik i zotit Mustafaj, tek ngatërresa e qëllimshme e ngjyrave që Basha mund të sjellë në PD. Shpresa e tij e vakët, të cilën as vetë nuk e beson, se Lulëzim Basha do të punojë tani e tutje për demokracinë brenda PD-së, është një shaka e hidhur. Lulëzim Basha është në politikë, pikërisht se në atë parti mungon demokracia dhe meritokracia. Ai është aty si kollovar politik i familjes Berisha, ngritur mbi supet e njerëzve që bënë opozitën e vështirë dhe të hidhur të asaj partie pas vitit 1996. Kur vetë Mustafaj rropatej të ruante votat nga hajdutët e Ilir Metës në vitin 2001, Lulëzim Basha ishte duke mashtruar noterin holandez për të blerë shtëpi në Holandë. Kur Spartak Ngjela rropatej me pazarxhinjtë e familjes Berisha nga Vuthaj, që shkëmbenin apartamente me kuti votimi, Lulëzim Basha ishte duke spiunuar Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn në Hagë. Ai u shfaq në selinë e PD-së me Damir Fazliçin për të marrë frytet e pushtetit duke nxjerrë nga jashtë asaj selie të gjithë ata që e sollën në pushtet. Ky njeri që gjatë kësaj fushate elektorale, me metoda prej gestapoje, ka vënë nën përgjim dhe struktura të PD-së se mos e tradhtonin, jo vetëm që nuk mund të vendosë rregulla loje në atë parti, por vetë ai është simboli dhe shkaku pse në atë parti s’ka më rregulla loje. Ai është shkaku i vetëm që Berisha i ngjan përditë e më shumë Fidel Kastros së roitur që mban fjalime para deputetëve që ulin kokën deri në mes të shalëve të tyre, për të mbajtur të qeshurat nga ligjërime që nisin me “fitore plebishitare” para njerëzve që janë të gjithë humbës dhe mbaron me përpjekje për barsoleta që nuk i kupton askush. Lulëzim Basha është shkaku pse vetë Mustafaj është de facto jashtë asaj partie, pasi është shkëmbyer shumë më lirë se sa meriton, është shkëmbyer vetëm pse nuk shkonte mirë me një shoqe të Argitës.
I dashur Besnik. Unë kam dhe një lexim tjetër të përpjekjes suaj për të vlerësuar në mënyrë të gabuar Lulëzim Bashën, por atë nuk dua ta komentoj publikisht se është cinike. Unë e kuptoj se mes rreshtave të asaj letre më shumë se sa gëzimi për arritjen e Lulëzim Bashës, ndjehet gëzimi për mbetjen e PD në dorë të tij. E di se kjo është një hakmarrje e madhe e Zotit mbi gjithë ata që ka përdorur Berisha në parti, mbi gjithë ushtrinë e eunukëve që e dëgjojnë kokulur pa hapur gojën, mbi gjithë ata që për të shpëtuar një karrige për një tender më shumë heshtin, ndërkohë që kanë qenë gati të vrasin Berishën kur ai ishte rrugëve, i parrezikshëm dhe opozitar. E ndjej cinizmin tënd kur mendon se si buzëqesh Arben Imami, si spërdredh sytë Genc Ruli, si nuk kuptohet picërrimi i buzëve të Pollos dhe ngjyra e tij që nuk kuptohet nëse është skuqur apo është natyrale, si turfullon Jozefina, apo si ndez cigare pas cigareje Sokol Olldashi në këtë keqkatandisje të PD-së në derexhenë e Lulit. Por mua më dhimbset ajo parti. Jo se kam qenë pjesë e atyre që e kanë ndërtuar që ditët e para, por dhe për faktin se demokracia në këtë vend do jetë gjithmonë e gjymtuar derisa të jetë e gjymtuar demokracia në atë parti. Mos u bëj aq cinik që të bësh sikur gëzon vetëm pse kjo parti është katandisur në dorë të një njeriu, që nuk ka fuqi as ta marrë dhe as të lërë pa leje.
PD-ja është sot një parti e mundur keq, shumë keq. Ajo ka humbur në tre të katërtat e vendit, kudo që është shfaqur shëmbëlltyra e treshes Nano- Berisha- Meta, është një parti që nuk ka dalje në det, pasi në bregdetin shqiptar është shfaqur shëmbëlltyra e Shkëlzenit, Argitës dhe bandës së tyre, është një parti që ka humbur dhe buzë Rrugës së Kombit pasi askush nuk beson tek patriotizmi i një qeverie që ka instaluar monopolet e biznesit të mafias ish- jugosllave në Tiranë, duke krijuar për ta dhe lehtësi fiskale, dhe bën sikur çon rrugën drejt Kosovës, ku nuk lejohet të blesh as rrushin e mrekullueshëm të Rahovecit. Mos gënjeni veten se hakmerreni ndaj PD-së duke e katandisur në dorën e një kukulle, që thjesht kërkon të jetë një Argitë e bukur, me idenë se çdo fytyrë e bukur gënjen dikë. Është më e mirë ajo tjetra, Argita e vërtetë. Është më e vërtetë historia me të edhe kur përleshesh, edhe pse është më lehtë të marrësh hak ndaj PD duke e lënë në dorë të Lulit.