Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ishin një natë përballë njëri-tjetrit një panel opinionistësh/analistësh dhe një panel pronarësh të mediave. Të tre opinionistët/analistët në panel u kundërviheshin pronarëve të mediave, sa herë që këta të fundit i quanin analistë – madje, me njëfarë përbuzje ndaj këtij termi.
Në fakt, të tre ata opinionistë/analistë – Mustafa Nano, Fatos Lubonja dhe Andrea Stefani – janë shumë më tepër opinionistë se sa analistë. Në shkrimet e tyre ata mundohen shumë më shpesh t’i përgjigjen pyetjeve “Pse gjërat nuk janë siç duhet të jenë?” apo “Si duhet të ndryshojnë gjërat?”, se sa të analizojnë kombinimin e ndodhive që kanë sjellë një ngjarje të caktuar apo gjasat e diçkaje që mund të ndodhë në të ardhmen, pavarësisht preferencave personale.
Në botën anglosaksone, debati se ç’duhet quajtur dikush që bën edhe opinionistin edhe analistin është zgjidhur nëpërmjet termit “columnist”, ose e shqipëruar, “kolumnist”. Kolumnist quhet atje një njeri që mbush periodikisht një kolonë (në anglisht: column) të faqes së opinioneve/analizave të një gazete. Dhe disa kolumnistë preferojnë më shumë të ofrojnë opinione në kolonën e tyre, e disa të tjerë të ofrojnë më shumë analiza. Por rrallë qëllon, për të mos thënë kurrë, që dikush të ofrojë vetëm opinione e dikush tjetër vetëm analiza.
Të shkruash një opinion të goditur, padyshim është një ndërmarrje e vështirë, si nga pikpamja intelektuale ashtu edhe civike.
Së pari, të shkruash nëse gjërat janë siç duhet të jenë apo se si gjërat duhet të ndryshojnë, kërkon një nivel të lartë intelektual. Vetëm dikush që ka njohje të thellë të temës që trajton në një opinion mund të fitojë respektin e lexuesit kur përpiqet t’u përgjigjet pyetjeve të mësipërme.
Së dyti, kur mundohesh t’i përgjigjesh këtyre pyetjeve, merr përsipër rrezikun që të bësh armiq. Kjo, sepse duke shkruar një opinion, artikullshkruesi zakonisht sfidon status-kuonë. Dhe, në përgjithësi, për ruajtjen e status-kousë, janë të interesuara disa palë ose, më keq akoma, të gjitha palët e debatit publik.
Po a është më e lehtë të bësh një analizë? Padyshim. Megjithatë, edhe analiza ka vështirësitë e veta.
Së pari, para se të ulesh të shkruash një analizë, duhet ta varësh qyrkun e preferencave apo opinioneve personale në një dhomë të ndryshme nga ajo ku po bën analizën. Analiza duhet të shkojë atje ku e çojnë në mënyrë logjike presupozimet dhe faktet e përdorura dhe jo atje ku do të kishte dëshirë apo interes autori të mbërrinte. Në të kundërtën, lexuesi mund të mendojë se analisti është i njëanshëm ose, më keq akoma, i kapur nga njëra apo tjetra palë.
Së dyti, kur bën një analizë, është shumë e rëndësishme që presupozimet dhe faktet e përdorura për të ndërtuar analizën të përfaqësojnë sa më afër realitetin. Sepse, për shembull, mund ta quash si të mirëqenë se reshjet e fillimvitit në Shkodër ishin një fenomen që ndodh një herë në 100 vjet, por të dhënat shumëvjeçare të Institutit Meteorologjik mund të tregojnë se ky fenomen ka qenë shumë më i shpeshtë.
Fakti që të shkruarit e një opinioni të goditur është më i vështirë se të bërit e një analize të goditur, nuk do të thotë domosdoshmërisht se publiku preferon më shumë opinionet se analizat. Është më se e natyrshme që publiku ta mirëpresë pak a shumë njësoj si një opinion të argumentuar mirë, që prek çështje themelore të jetës së vendit, ashtu dhe një analizë të paanshme, që shpjegon apo parashikon me rigorozitet rrjedhën e ngjarjeve.
Për shembull, është me interes për publikun të lexojë një opinion që argumenton se është në të mirë të vendit që aksh grupim politik të fitojë zgjedhjet. Po ndoshta me po aq interes publiku mund të lexojë një shkrim që analizon me paanësi dhe kompetencë gjasat e fitores së këtij grupimi.
Në përfundim, mund të thuhet se mediat tona nuk vuajnë dhe aq nga epërsia numerike e analizave ndaj opinioneve. Problemi i tyre, si në drejtim të analizave ashtu edhe të opinioneve, nuk është sasior – është cilësor.
Eduard Zaloshnja (Shqip)
Eno Bozdo: T'fala Sandrit