Opozita bojkoton seancën për reformën
Majko: “Qeveria dhe vetë Berisha po rikthejnë praktikat e errëta të viteve 1992-1997, duke u përgatitur për vjedhje të votave. Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj farse, por mbetemi të vendosur për të marrë pjesë në zgjedhje dhe do të përpiqemi që t’i kryejmë ato brenda standardeve”
Deputetët e opozitës bojkotuan ditën e djeshme senacën parlamentare ku priteshin të votoheshin ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kushtetutë dhe ligjin për Mediat. Në këtë mënyrë dështoi edhe reforma zgjedhore që pritej për t’u kryer në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale, duke bërë që në këto zgjedhje të shkohet me Kodin aktual Zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në votimin e amendimeve për reformën, duke mos dashur të bëhet pjesë e farsës së përgatitur nga ana e Partisë Demokratike. Sipas Majkos, zgjedhjet e ardhshme lokale janë në rrezik dhe Partia Demokratike po përgatit vjedhjen e votave të qytetarëve.
“Qeveria dhe vetë Berisha po rikthejnë praktikat e errëta të viteve 1992-1997, duke u përgatitur për vjedhje të votave. Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj farse, por ne mbetemi të vendosur për të marrë pjesë në zgjedhje dhe do të përpiqemi që t’i kryejmë ato brenda standardeve”, - deklaroi Pandeli Majko, duke shtuar se mazhoranca ka shkelur të gjitha afatet përsa i përket Kodit aktual Zgjedhor dhe kryesisht, afatit për listat. Majko deklaroi se opozita nuk mund të votonte amendimet kryesisht të mazhorancës, të cilat ishin futur në rendin e ditës pa respektuar procedurat parlamentare. “Amendimet e mazhorancës janë futur në rendin e ditës jashtë procedurave parlamentare. Po kështu, në Komisionin e Ligjeve amendimet kanë kaluar pa konsensusin e nevojshëm dhe në këtë komision u rrëzuan pothuajse të gjitha amendimet e opozitës”, - theksoi Majko. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi se mazhoranca nuk ka bërë asnjë përpjekje për të plotësuar dy kërkesat e vetme të opozitës, lista të rregullta dhe certifikata të sigurta. Sipas Gjinushit, janë kaluar të gjitha afatet e Kodit Zgjedhor dhe mazhoranca ka shkelur marrëveshjen e 30 gushtit.
Fatjona Mejdini