×

Partiakët e sotëm zvëndësuan patriotizmin me besnikërinë ndaj partisë

Partiakët e sotëm zvëndësuan patriotizmin me besnikërinë ndaj partisë

· 1 · 129

  • Postime: 304
Alban
ne: 10-02-2020, 17:10:25
Ishte ëndërr madhështore mbarëshqiptare ajo që edhe u realizua: përpos Shqipërisë të kemi edhe një Kosova të Pavarur. Dhe siç ndodh me ëndrrat, ato lindin të brishta dhe jetësimi i tyre rëndom e rritë numrin e ëndërruesve të dëshpëruar. Por megjithatë, ëndrrat e bëra jetë, kurrë nuk janë rrezikuar nga ata që kanë pritur shumë prej saj e kanë arritur pakë, por vetëm nga ata që ëndrrën kolektive e kanë shpallur pronë të tyre private. Dhe kjo është ajo që u ndodhi Shqipërisë e Kosovës: ato i ëndërronim të gjithë, por i jetojnë vetëm ata që tani i mbron policia nga populli i vet. Dhe Rilindësit dikur, si dhe rinia kosovare më vonë, ia dolën ta forconin boshtin kurrizor kombëtar dhe të ndërtonin shtete e të unifikonin gjuhë. E arritën këtë edhe shkaku se patriotizmin shqiptar e peshonin me kandarin sa je i dobishëm dhe sa i je përkushtuar shqiptarësi, e jo nga ajo sa u shërben partive dhe sa je i pëlqyer nga të tjerët. Ata pra ndërtuan standardin jopërjashtues, gjithëpërfshirës patriotik, të mbështetur mbi bindjen se s’mund të jesh i dobishëm për botën, nëse s’je e mira e popullit tënd. Dhe ata vepronin kështu ngaqë nuk luftonin për pushtet, por donin të ndërtonin ‘shtëpi’ – shtet për popullin e vet. Por partiakët tanë të sotëm, me në krye ‘Rilindësi’ e Piktorit, e zhbënë këtë standard vlerësues të patriotizmit, duke e barazuar atdhetarinë me besnikërinë ndaj partisë, me çka doli se ai që i përkulet flamurit partiak, nuk ka nevojë të dëshmojë devotshmërinë ndaj shqiptarisë. Dhe ‘Shqipëritë’ tona prej moti janë bërë pronë e ‘hajdutokratëve’ dhe ‘tenderokratëve’, në to forcohet mendësia e trashëguar nga e djeshmja komuniste që kërkonte t’i shërbesh partisë e jo shtetit, me çka u bastardua edhe më shumë patriotizmi i Rilindësve tanë. Me çka pra edhe vazhdoi përçarja brenda shqiptare, thuajse sa për të treguar se ajo nuk mund të mbijetojë pa armiq brenda vetvetes, se ajo përbëhet nga ‘properëndimorë’ e vetëshpallur si e mira e shqiptarisë dhe nga ‘prolindorët’ shkatërrimtarë të kombit. Po pra, sot kur kemi Shqipëri e Kosovë të pavarur, jemi të përçarë e copëtuar thuajse në aq copëza sa kemi edhe parti, edhe atë vetëm që të mos shihet se kemi burrështetas që qëllim të vetëm kanë pushtetin e jo shtetin, që to mos shihet se politikanët tanë din ta sundojnë popullin, por jo edhe vetveten, se ata dinë të ‘mbajnë’ pushtet, por jo edhe të ndërtojnë shtet për shqiptarët. Andaj duhet që një ditë e më parë, t’i kthejmë në përdorim peshoret dhe standardet e Rilindësve tanë për matjen e patriotizmit shqiptarë: se bëmat e cilitdo shqiptari, vlejnë vetëm aq sa peshojnë në kandarin e shqiptarisë.

Kim Mehmeti