×

Përmbytjet, Presidenti Bamir Topi pret ekspertin e digave, Prof. Farudin Hoxha

Përmbytjet, Presidenti Bamir Topi pret ekspertin e digave, Prof. Farudin Hoxha

· 1 · 352

  • Postime: 123
ramaik
ne: 11-01-2010, 02:46:37
Në Tiranë Presidenti, Bamir Topi, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Komitetit te Digave të Mëdha, Farudin Hoxha, nje nder projektuesit e hidrocentralit te Fierzes, në përfundim të të cilit ata garantuan se veprat hidrike mbi lumin Drin jane te sigurta. Presidenti Topi beri thirrje edhe një herë për rritjen e bashkëpunimit në mënyrë që të dilet sa më shpehjt nga gjendja e krijuar. Ndërsa profesor Hoxha u shpreh se situata pritet të shkojë drejt normalizimit.

Zeri i Amerikes (Armand Mero)

Permbytjet - Presidenti Bamir Topi pret Prof Farudin Hoxhen, ekspertin e digave




Presidenti Topi konsultohet me Kryetarin e Komitetit të Digave të Mëdha, Prof. Farudin Hoxhën.



10 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë dhe zhvilloi një takim pune të thirrur prej tij me ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe digave, Prof. Farudin Hoxhën, i cili kryen funksionin e Kryetarit të Komitetit të Digave të Mëdha. Takimi u mbajt në vazhdën të disa konsultimeve që Kreu i shtetit po zhvillon me ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike dhe u përqendrua kryesisht në situatën në veri të vendit të shkaktuar nga reshjet e shumta dhe përmbytjet si pasojë e ngritjes së nivelit të ujit në liqenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin.

Presidenti Topi u njoh nga afër dhe me hollësi nga Prof. Farudin Hoxha lidhur me situatën e hidrocentraleve dhe gjendjen e digave në kaskadën e lumit Drin, ku inxhinier Hoxha ka qenë një nga projektuesit dhe ndërtuesit duke mbetur një nga hidrologët më të aftë e më të njohur në vend në këtë fushë. Në përfundim të takimit të punës Kreu i shtetit theksoi u shpreh në prani të mediave të pranishme:

“Përshëndetje! Natyrisht kam pasur një takim me Prof. Farudin Hoxhën, me cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Digave të Mëdha në vazhdën e takimeve intensive dhe komunikimeve të vazhdueshme që kemi pasur gjatë këtyre ditëve. Kemi diskutuar për situatën aktuale në kaskadën e Drinit. Nuk dëshiroj të futem në terma që i takojnë Profesorit për t’u komentuar, por fatmirësisht situate është në përmirësim të vazhdueshëm dhe natyrisht që kjo do të influencojë ndjeshëm që edhe zonat e përmbytura të dalin gradualisht duke sjellë një tjetër frymë optimizmi sa më shpejt nga ajo gjendje e krijuar.

Ka një mesazh që unë dëshiroj të jap sot si President i Republikës në vazhdim të atij mesazhi që kam dhënë nga Dajçi: dhe ky është që të gjithë pa përjashtim, të gjitha institucionet, mbarë politika, të gjithë qytetarët duhet të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin, frymën e solidaritetit, e cila është tradicionale për shqiptarët. Pavarësisht nga retrospektiva dhe direktivat politike, ne në të tilla raste duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin me ç’të mundemi për të dalë sa më shpejt dhe për ta kthyer në rrjedhë normale. Natyrisht që më pas, kur gjërat kalojnë, mund të diskutohet, mund të debatohet, mund të rritet ndjeshmëria për përmirësimin e elementeve teknikë-organizativë, por të gjithë së bashku sot duhet të fokusohemi tek dalja sa më shpejt të jetë e mundur nga situata e zonave të përmbytura. Qytetarët kanë nevojë përveç ndihmës direkte, përveç një organizimi kompleks, i cili do të realizohet, kanë nevojë edhe për një mesazh optimist. Ju siguroj që mesazhi më optimist që e rimarr sot nga Profesor Farudini është që situata në kaskadën e Drinit përmirësohet dhe ka elementë të lartë të sigurisë!

Unë ju falenderoj edhe ju si media që e përcillni këtë mesazh! Ju jeni mjaft të rëndësishëm për të dhënë klimën e duhur të mbështetjes jo thjesht nëpërmjet informacionit, transparencës, që është shumë e rëndësishme për një shoqëri demokratike, por për të dhënë mesazhet e duhura të mbështetjes për të gjithë ata banorë, të cilët më shumë se kushdo tjetër e ndjejnë, sepse janë në vështirësi. Unë ju siguroj që të gjitha strukturat e shtetit janë në një bashkëpunim intensiv, mjaft profesional dhe do të doja që edhe nga ky komunikim me ju, t’i falenderoja të gjithë pa përjashtim duke i ofruar në çdo moment bashkëpunimin dhe detyrimin për bashkëpunim që ka çdo institucion i këtij shteti! Edhe njëherë ju falemnderit dhe dëshiroj t’ia jap fjalën profesor Farudinit!”

Ndërsa nga ana e tij, Prof. Farudin Hoxha, njëkohësisht edhe Kryetari i Komitetit të Digave të Mëdha u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë për mua dhe padyshim, një vlerësim tepër i veçantë që këto dy fjalë do t’i them në selinë e Presidentit të Republikës. Unë dua t’i transmetoj të gjithë popullit, atyre që më dëgjojnë, që më shikojnë ose që më lexojnë në shtypin e shkruar që të jenë të sigurtë, që nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, që kaskada e Drinit është e sigurtë dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot.

Bëj çudi që dikush mundohet të lëshojë ndonjë tymnajë të pavërtetë, absolutisht të pavërtetë. Unë ju siguroj me fjalën time të nderit dhe jo vetëm timen, por edhe të shokëve të mij, me të cilët kemi punuar për këto vepra, që të jenë të sigurtë, si në shtëpitë e tyre! E dyta, unë uroj që kjo që ndodhi të kalojë sa më shpejt, pa asnjë viktimë, me humbjet minimale të mundshme dhe me një solidaritet të plotë të popullit shqiptar, të cilin prej kohësh ka filluar ta shfaqë dhe ta tregojë! Së treti, unë dua të them që ngjashmëria, ose probabiliteti është që fenomenet negative të vëzhguara deri më sot në kaskadën e Drinit të shkojnë duke u zvogëluar, duke u minimizuar, sepse edhe gjithë statistikat shkencore të matura deri më sot tregojnë që piket e tyre janë në muajin nëntor, në muajin dhjetor dhe pastaj shkojnë gjithnjë duke rënë. Sigurisht që mund të ketë edhe ndonjë aksident rrugës siç ndodh në ndonjë rast, por e përgjithshmja është, trendi është që kaskada do të shkojë drejt përmirësimit.

E katërta dhe e fundit, përfitoj nga rasti që ndodhem në Presidencë e përkrah Presidentit, ta siguroj që ta bëjë gjumin më të qetë, me më pak telashe, me më pak shqetësime, sepse gjërat të tilla do të jenë, do të shkojnë drejt minimizimit! Padyshim që në mbarim të kësaj ngjarjeje kaq të madhe, besoj që të gjithë strukturat e shtetit shqiptar, edhe specialistët dhe teknikët e kësaj fushe do të merren me analizën e këtij problemi për të bërë që herë tjetër, të tilla gjëra të mos ndodhin. Ju falemnderit!”

Presidenca e RSH