×

Prijësit e rebelimit, Kronikë pa koment, e periudhës Janar - Mars 1997 !

Prijësit e rebelimit, Kronikë pa koment, e periudhës Janar - Mars 1997 !

· 4 · 843

  • Postime: 27110
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 21-08-2007, 08:31:50
Parathënie

Janë shkruar me dhjetëra libra për vitin e vrarë 1997. Janë bërë me mijëra faqe analiza e komente nga analistë, politikanë, gazetarë, nga ish-spiunë e ish-shefa sigurimi. Libra, artikuj dhe komente kanë shkruar për këtë vit të vrarë edhe grafomanë që nuk kanë pasur as një të qindtën e informacionit të domosdoshëm për të marrë përsipër një nisëm të tillë, por janë nisur nga zelli i verbër politik për të shërbyer në një njërin krah të politikës, apo në tjetrin krah, me qëllimin e vetëm të përfitimit nga këto "analiza" dhe "komente" të mbiquajtura libër.
Duke respektuar punën e secilit prej tyre për bërjen e këtyre librave, them se në nismën time për të shpalosur para lexuesve Vitin e vrarë ‘97 nuk do t’i referohem asnjë fakti apo të dhëne të botuar në faqet e këtyre librave. Kjo jo për faktin se kam bindje të prerë se në to nuk gjendet asgjë e vërtetë, por për atë që unë i kam vënë vetes tjetër qëllim. Nisma ime është paraqitja e ngjarjeve, fakteve, personazheve, viktimave dhe fitimtarëve të këtij vitit të vrarë, pa asnjë lloj komenti.
Komentin dhe analizën e këtij viti të vrarë, le ta bëjnë prokurorët, gjyqtarët, politikanët, historianët, analistët apo kush të dojë. Ndërsa komentin e ngjarjeve të këtij viti të vrarë po ia lë në dorë lexuesit.

Në vend të një prologu/Gjatë vitit 1996 Shqipëria arriti suksese të padiskutueshme në të gjitha fushat. Integrimi i shpejtë i saj në strukturat euro-atlantike, ngritja e shpejtë ekonomike dhe sukseset e policisë në luftën me krimin ua kishin hequr përfundimisht të drejtën morale të majtëve për të synuar marrjen e pushtetit me mjete demokratike. Ndaj edhe grupet paramilitare që i kishin përgatitur për veprim që në zgjedhjet e majit ’96, i instruktuan mjaft mirë për të vepruar më me forcë, për të kryer akte të pastra terrori, vrasje, grabitje etj. Megjithëkëtë, forca e policisë dhe konsekuenca e krerëve të shtetit të asaj kohe për konsolidimin e institucioneve, funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën e pakompromis kundër krimit bënë që këto banda paramilitarësh të majtë shumica të përfundojnë në qeli e disa prej tyre të largohen përkohësisht nga vendi, për t’u rikthyer më vonë me mjete dhe para të dhuruara nga disa segmente antishqiptare të njohura. Ndërsa krerët e opozitës së majtë flirtonin pa mëdyshjen më të vogël në dëm të çështjes kombëtare shqiptare me organizata e klane mafioze vetëm e vetëm për hir të rikthimit në pushtet me çdo çmim.
Me paratë dhe eksponentët më kriminalë të këtyre klaneve antishqiptare u përgatit terreni i pararevolucionit të armatosur të pranverës 97 me mjaft kujdes. Propagandimi i fajdeve si suksesi më i madh i ekonomisë shqiptare, infiltrimi në strukturat më të rëndësishme të këtyre firmave piramidale i ish-oficerëve të sigurimit dhe ish-spiunëve dhe pasurimi i shpejtë i një shtrese njerëzish ekstra të majtë përmes grabitjeve të shumave të mëdha nga këto firma piramidale qe hapi i parë. Kjo për të vazhduar më pas me sponsorizime në dorë e nën dorë të shtypit e të mediave ku propagandoheshin shifrat marramendëse të fitimit nga këto piramida me qëllim mashtrimin e një mase sa më të madhe njerëzish. E gjithë kjo bëhej që të sigurohej prapavija, pra mbushja e shesheve me njerëz të pakënaqur nga grabitja e parave nga këto firma, ku këto të fundit kishin besuar mrekullinë pasurimit të menjëhershëm.
Në fshehtësi të plotë ishte përgatitur edhe infrastruktura e dhunës dhe furnizimi me armë i grupeve të majta paramilitare. Ky furnizim u bë përmes dy portave. Nga Jugu me det dhe tokë armët dhe kontingjentet e krimit vinin prej Greqisë fqinjë, siç qe lirimi nga burgu i disa kriminelëve në zë që ishin dënuar atje me burgim të përjetshëm. Dhe nga veriu kryesisht përmes Hanit të Hotit ku kryesisht hyjnë shumë armë automatike që shkuan në Vlorë, pa përjashtuar këtu edhe disa eksponentë kriminalë që ishin rekrutuar nga shërbimet e fshehta serbe.
Po si u realizua skenari i këtij revolucioni të armatosur? Cilët qenë aktorët kryesorë në skenë dhe në prapaskenë? Këto pyetje marrin përgjigje në mënyrë modeste nga shënimet e mia jo të plota të mbajtura gjatë atyre ditëve kur antikrimi dhe krimi ishin në dyluftim të rreptë. Kur shteti dhe antishteti luftonin për jetë a vdekje, kur njeriu dhe antinjeriu kacafyteshin deri në agoni. Kur shqiptari dhe antishqiptari luftonin në kufi,në qeveri e deri dhe në parlament. Dhe për fatin e keq të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të demokracisë së këtij vendi triumfuan në këtë dyluftim fituan krimi, antishteti, antinjeriu dhe antishqiptari. Ky libër përmban shënimet e mia nga fillimi i janarit e deri në fund të Marsit 1997. Shënime këto të paraqitura në formë ditari në mënyrë të përmbledhur dhe pa asnjë lloj komenti.

6 Janar 1997 - Ministri i Brendshëm, Halit Shamata, lëshon një urdhër ku kërkon vënien në gatishmëri të policisë dhe masa të rrepta sigurie të kontrollit të bregdetit. Kjo pasi trafiku i klandestinëve dhe drogës nga njerëzit e Sabit Brokajt, Skënder Gjinushit dhe Arben Malajt, është bërë një shqetësim serioz për qeverinë dhe policinë italiane. Shefi i komisariatit të Vlorës, Sokol Mulosmani, bllokon disa skafe ndalon mbi dhjetë vlonjatë që strehonin klandestinët që prisnin të niseshin drejt brigjeve italiane. Në mbështetje të këtij urdhri komisari Mulosmani nis bashkëpunimin konkret me karabinierinë italiane duke shkëmbyer me to numrat e telefonave dhe fakseve. Kjo bëhet për shkëmbim informacioni sa më direkt dhe të shpejtë,me qëllim goditjen dhe parandalimin e aktivitetit të paligjshëm që kryhet në të dy anët e kufirit. Po këtë ditë hyri në zbatim paketa antikrim që u miratua nga parlamenti vetëm disa ditë para vitit të ri. Kjo paketë parashikonte që dënimet për krime të rënda të jenë pa marzhe duke iu hequr mundësinë prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar për të liruar kriminelë nga burgjet përmes përfitimit të ryshfeteve.
8 Janar 1997 - Një fajdexhi nga Kuçova i quajtur Bujar Fata, shpall falimentimin e firmës së tij të quajtur "Malvasia" dhe zhduket me afro një milionë dollarë në çantë duke lënë pa shpresë rreth 40 mijë klientët e tij. Flitet se paratë i kishte depozituar me interesa të larta në një bankë të Turqisë. Gjykata e Faktit Tiranë lë në burg pa afat disa doganierë që janë akuzuar për kontrabandë në pikën doganore të Kakavijës. Nga burgjet greke vijnë informacione që policia e këtij vendi po keqtrajton të burgosurit shqiptarë.
9 Janar 1997 - Ushtarakë të lartë të NATO-s takohen me ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali. Ndërkohë ministri i Brendshëm del para gazetarëve në një konferencë shtypi ku bën bilancin e punës së vitit 1996 dhe shpall strategjinë e punës së dikasterit që drejton për luftën kundër krimit. Efektivi i policisë së Kakavijës ndryshon 100 për qind. Qeveria mirëkupton studentët në kërkesat e tyre ekonomike dhe merren masa për zgjidhjen e këtyre kërkesave. Në Vlorë policia vret aksidentalisht një grua. Kjo pasi makina me të cilën ajo po udhëtonte nuk i bindet urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar dhe policët i pandehën për trafikantë dhe qëlluan mbi to.
10 Janar 1997 - Në pikën e kalimit të kufirit Kakavijë policia greke kthen mbi 200 emigrantë shqiptarë. Policët e shtetit fqinjë pretendojnë se nuk kanë dokumente të rregullta,duke u kërkuar edhe letërnjoftimet e vogla. Emigrantët e kthyer forcërisht deklarojnë se kishin viza të rregullta leje qëndrimi madje edhe certifikata të rregullta me foto, dhe të noterizuara e të përkthyera.
11 Janar 1997 - Fluksi i kthimit me dhunë të emigrantëve shqiptare nga Greqia shtohet në mënyrë të ndjeshme. Nga të gjitha pikat e kalimit të kufirit me këtë shtet fqinjë vijnë lajme për mijëra të kthyer. Sipas një burimi nga Kakavija numri i të kthyerve e ka kaluar shifrën e 3000 personave, pjesa dërmuese e të cilëve me dokumentacion të rregullt dhe me viza të lëshuara nga vetë Ambasada greke. Refugjatët e kthyer me dhunë tregojnë për keqtrajtime dhe grabitje parash nga ana e policëve grekë.
12 Janar 1997 - Një tërmet 4.3 ballë i shkalës Rihter godet Shqipërinë e Jugut. Dëmtohen rëndë mbi 70 shtëpi banimi. Qeveria greke deklaron se ka gati procedurat e ekstradimit në Shqipëri të shqiptarëve që vuajnë dënimin në këtë vend.
14 Janar 1997 - Një skaf me 130 milionë dollarë është larguar me shpejtësi nga brigjet e Vlorës. Këtë lajm e emetuan disa media njëherësh, duke çuditur tërë opinionin shqiptar, pasi shifra ishte me të vërtetë marramendëse. Mirëpo Ministria e brendshme doli me një komunikatë për shtyp ku thuhej: "Lidhur me lajmin e largimit të një mjeti lundrues në drejtim të panjohur me rreth 130 milionë dollarë dhënë nga disa media, Ministria e Brendshme bën të ditur se policia nuk disponon të dhëna të mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e informacionit mbi të cilin mbështetet ky lajm. Megjithëse lajmi u emetua nga mediat me 14 Janar, burime jo të konfirmuara flisnin sikur skafi me 130 milionë dollarët ishte larguar nga brigjet e Vlorës më 9 janar. Këtë lajm e bën të besueshëm edhe fakti që ai u emëtua edhe përmes valëve të radios "Zëri i Amerikës". Ky lajm solli si të thuash goditjen e parë në tërmetin e fajdeve. Në njoftimin e saj Ministria e Brendshme garanton qytetarët se ka qenë dhe mbetet e vendosur për të goditur të gjitha llojet e trafikut të paligjshëm dhe autorët e tyre, që bien ndesh me sigurimin e jetës,pasurisë dhe veprimtarisë së qytetarëve.
15 Janar 1997 - Firma huamarrëse "Sude" që i përket një gruaje 30-vjecare me ngjyrë, të quajtur Maksude Kadëmi, shpall falimentimin. Në orën 16.20 të kësaj ditë ajo del në ballkonin pallatit ku banonte dhe para disa qindra kreditorëve që qëndronin aty duke thirrur "duam paratë tona", deklaron: "Loja ime ka mbaruar. Paratë e mia nuk kanë të bëjnë me qeverinë. Kjo është një skemë piramidale që falimentoi. Ju nuk keni asnjë arsye që paratë që humbët këtu t’ia kërkoni shtetit". Kreditorët dhe disa të tjerë që nuk ishin të tillë qëlluan me gurë mbi forcat e policisë që qëndronin pranë pallatit të fajdexheshës.
16 Janar 1997 - Qeveria Meksi në një mbledhje urgjente të saj merr vendim për të ngrirë në Bankat shqiptare të të gjitha niveleve të gjithë shumat në lekë dhe valutë të firmave më të mëdha huamarrëse. Me këtë vendim u ngrinë 25.5 miliardë lekë të fondacioneve "Populli", "Xhaferri" dhe firmës rentiere "Gjallica". Me vendim të posaçëm qeveria bllokoi edhe të gjitha transaksionet hipotekare. Qindra kreditorë të "Gjallicës" u grumbulluan në Vlorë duke demonstruar në kërkim të parave të tyre. Disa persona jo kreditorë të futur në mes të turmës pasi hodhën parulla politike kundër qeverisë goditën me mjete të forta mbi forcat e policisë dhe për pasojë mbetën të plagosur dy policë.
Greqia ktheu qindra refugjatë shqiptarë.
17 Janar 1997 - Ministri i Financave, Ritvan Bode garanton kreditorët se paratë e firmave dhe fondacioneve të ngrira në bankat shqiptare, janë të sigurta dhe do tu kthehen kreditorëve. Gjykata lë në burg pa afat katër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sudes. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë garanton se përveç parave që janë ngrirë kreditorët do të marrin më pas edhe pjesë nga pasuritë e këtyre firmave që do të shiten si objekte, automjete etj. Në sportelet e fondacioneve "Populli" dhe Xhaferri" mblidhen kreditorë dhe ish-sigurimsa që nxisin për akte dhune.
18 Janar 1997 - Presidenti Sali Berisha në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së garanton familjet goditura nga skemat piramidale se do të ndihmohen nga shteti në shumë fusha dhe deklaron se ato që kanë humbur shtëpitë në këto skema do të trajtohen me përparësi me kredi. Policia përcakton sheshet për mitingjet që kërkohen nga kreditorët dhe PS-ja,dhe bën thirrje për zbatim të ligjeve dhe ruajtje të qetësisë, pasi ka shumë informacione se segmente të inkriminuara të së majtës shqiptare po kërkojnë të manipulojnë zemërimin e qytetarëve që kanë humbur paratë në skemat piramidale dhe po bëjnë thirrje për akte dhunë dhe prishje të rendit kushtetues.
20 Janar 1997 - Militantët e PS-së, disa spiunë të ish-sigurimit komunist, dhe disa qindra kreditorë bëjnë një miting proteste. Ata arritën të dalin edhe në Sheshin "Skënderbej" ku më pas harruan thirrjet tradicionale për paratë e humbura në fajde dhe nisën të brohorasin në kor për Fatos Nanon. Dy militantë të PS-së rreth të 50-ve u lyen me bojë të kuqe për të pozuar dhe dhënë deklarata para kamerave të TV-ve të huaja. Më pas kjo lojë e kurdisur në zyrat e PS-së u kuptua shpejt dhe TVSH dha pamje filmike ku ata po lanin fytyrat me bojë të kuqe. Një ditë më parë kishin deklaruar në shtyp edhe Gjinushi edhe Meidani se në mitingun e kësaj dite do të derdhet gjak. Dhe si për të mos dështuar në derdhjen e gjakut ato zgjodhën rrugën e derdhjes së bojës së kuqe mbi fytyrat e disa militantëve, vetëm e vetëm se si e si të akuzojnë policinë për përdorim dhune. Edhe në Fier u organizua një miting proteste ku këtu ndryshe nga çfarë u kurdis në Tiranë qenë protestuesit që përdorën dhunë kundër forcave të policisë.
21 Janar 1997 - Gjykata e Tiranës jep masa dënimi me disa ditë burg për disa nga protestuesit e së dielës që përdorën dhunë dhe për disa të tjerë jep si masë dënimi gjobë. Policia zbulon dhe kap 150 kg drogë, të tipit marihuanë. Gjermanët dorëzojnë masterplanin për ndërtimin e terminalit të Aeroportit të Rinasit që kap vlerën e investimit fillestar prej 50 milionë DM. Qeveria ngre një Komision të Posaçëm për fajdet.
22 Janar 1997 - Policia mbështetur në vendimin e prokurorisë arreston presidentët e dy fondacioneve më të mëdha "Xhaferri" dhe "Populli", Rrapush Xhaferrin dhe Bashkim Drizën. Nën hetime vihen edhe rreth 50 arkëtarë të këtyre fondacioneve. Këto firma piramidale kyçën sportelet në Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Kreditorët e Sudes ndjekin rrugën ligjore duke bërë paditë kundër saj në Gjykatën e kryeqytetit.
23 Janar 1997 - Parlamenti mbyll me ligj të veçantë aktivitetin e firmave piramidale mashtruese. Ligji parashikon dënime të rrepta për drejtuesit dhe bashkëpunëtorët e këtyre firmave si dhe konfiskim të pasurisë të këtyre firmave piramidale. Policia në të gjithë rrethet kryen arrestimin e 118 personave bashkëpunëtorë në këto firma piramidale që kishin përfituar përmes abuzimit. Vendoset masa e arrestit me burg për Bashkim Drizën dhe Rrapush Xhaferrin.
24 Janar 1997 - Rreth 3000 protestues mes të cilëve edhe shumë paramilitarë të majtë që nuk kishin asnjë lidhje me fajdet nisin një protestë në qendër të qytetit të Lushnjës. Më pas këto eksponentë irritojnë dhe manipulojnë turmën dhe nisin veprimet e dhunshme mbi policinë dhe objektet publike. Digjet godina e bashkisë dhe ajo e këshillit të rrethit si dhe një makinë e policisë. Në këtë miting të dhunshëm plagosen rëndë tre policë të forcave speciale dhe 12 policë të tjerë marrin plagë të lehta. Në Fier policia arreston një shef të policisë së rendit dhe disa policë të tjerë të cilët kishin grabitur paratë nga arkat e fondacionit "Xhaferri". Shefi i Komisariatit të policisë së këtij rrethi shkarkohet nga detyra. Gjykata le në burg Bashkim Drizën dhe Rrapush Xhaferrin. Presidenti Sali Berisha takon drejtuesit e Kuvendit Popullor dhe ato të Qeverisë, për të gjetur rrugët sa më efikase për përshpejtimin e shpërndarjes së parave që ishin ngrirë në bankë nga këto fondacione mashtruese. Në darkë Berisha në një prononcim për TVSH u shpjegon shqiptarëve lidhur me këto masa urgjente që janë marrë në dobi të tyre.
25 Janar 1997 - Zëvendëskryeministr i Tritan Shehu shkon në Lushnjë. Një grup protestuesish të dhunshëm nuk e lejojnë atë të takohet me njerëzit duke e mbajtur peng për disa orë në dhomat e stadiumit të qytetit ku kishte zbritur me helikopter. Në darkë vonë ai kthehet në Tiranë. Presidenti Sali Berisha zhvillon një takim pune me përfaqësues të partive politike shqiptare ku diskuton rreth modaliteteve dhe rrugëzgjidhjeve të mundshme për problemin e firmave piramidale. Pas këtij takimi pjesëmarrësit lëshuan nga një apel për këtë problem. Sabri Godo, kryetar i PR-së nënvizoi se paratë nuk gjenden duke djegur bashki, Hysen Selfo nënkryetar i partisë Balli Kombëtar kërkoi që njerzit të mos mashtrohen nga spiunët dhe operatyivët e ish-sigurimit komunist.Ndërsa Vasil Melo kryetar i PBDNJ u shpreh se shteti ka predispozitë për zgjidhjen drejt të problemit.Sekretari i Përgjithshëm i PS-së rexhep Mejdani refuzon pjesëmarrjen në këtë takim.
Presidenti Berisha iu drejtua opinjonit publik me një apel ku u kërkonte kreditorëve që të mos bien pre të propogandës së segmneteve kriminale të politkës që bëjnë thirrje për gjak dhe akte dhune.
Në Gramsh protestuesit e dhunshëm të prirë nga krerët e PS-së djegin disa zyra të bashkisë dhe këshillit të rrethit si dhe shkatërrojnë një fabrikë të firmës "VEFA".Edhe në Berat krerët socilaistë së bashku me disa banditë të njohur arrijntë të djegin zyrat e bashkisë dhe Këshillit të rrethit disa makina shtetërore .Turmat e dhunshme të drejtuara nga këto segmnete kriminale të politkës dogjën edhe në Belsh godinën e bashkisë.Në të gjitha këto akte u panë në krye të turmave drjetuesit lokalë të PS.-së si dhe banditë të njohur të cilët për tiu shmangur goditjes së policisë kanë vënë përpara gra dhe fëmijë.

Nga Ndrekë Gjini
 

  • Postime: 1826
  • Gjinia: Mashkull
Sirio00
#1 ne: 27-08-2007, 14:47:17
mendoj se ne kete artikull anashkalohet nje fakt shume e i rendesishem: Kush ishte ne pushtet dhe lejoi lulezimin e firmave piramidale?
Kush ishte ne pushtet dhe kishte detyren te ruante shtetin?

  • Postime: 1209
  • Gjinia: Mashkull
chekevara
#2 ne: 27-08-2007, 15:03:27
une se kuptoj akoma, si ka mundesi, qe presidenti i asaj kohe(berisha me shoke), te mos kuptonte pasojat e firmave piramidale.......??????dhe si mun tju vihet faji opozites se atehershme(nuk egzistonte), edhe pse nuk mohoj qe ne 97, opozita i ka hedhur benzine zjarrit....

une nuk arrij te kuptoj akoma, si ka munesi, qe po ata politikane qeverisin akoma!!!!!!

fatkeqesia e shqiperise....... :(

  • Postime: 1826
  • Gjinia: Mashkull
Sirio00
#3 ne: 27-08-2007, 16:27:57
Me duket se ajo pjesa e Tritan Shehut ne Lushnje nuk eshte dhene e plote....mungon dicka..... dicka qe mund te gjendet ne dyqanet e fruta perimeve.....