U plake, u poqe por mbete…
27 Qershor, 2013 | Postuar në: Editorial | Shkruar nga: TemA Online
Select Language▼
Nga Bledi Mane
1./
Dje njerëzia e planetit qante me llahinka në dy vende. Kishin vënë kujen afrikano-jugorët para një spitali në Pretoria ku legjenda e luftës kundër racizmit, Nelson Mandela, po ndeshet me agoninë e vdekjes. Nuk duan t,u largohet kaq shpejt nga jeta tribuni i lirisë dhe barazisë, i cili ua ktheu dinjitetin e racës dhe të humanizmit në standard global. Ndërsa mijëra kilometra më në veri, në juglindje të kontinetit evropian, lotët dhe qurret po shpëlanin kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Një pjesë e mirë e popullsisë së këtij vendi ballkanik, ngase nuk mundën dot të zbrisnin nga Bjeshkët për të qarë vdekjen e shokut Enver Hoxha më 1985-ën, shfrytëzuan dorëheqjen hipokrite të një tjetër diktatori shqiptar. Qante Jozefina e qante Mesila, qante Muli e qante Kaç Islami, qante Klani e qante TVSH-ja, qante informaliteti e qante korrupsioni, qante familja e qante bashkia, qante studenti me 9-vjeçare e qante polici i kanunit, qante krimineli e qante Bell Air-i, qante Zhani Ciko e qante Dhori Kule…
Sali Berisha pretendoi se na gënjeu duke dhënë dorëheqjen 24 orë më parë. Nuk kishte hapësirë nga ta luante sumatriçen dhe me një fjalim aspak kritik e konfensional ndaj vetes dhe punës, kujtoi se pikëlloi edhe armikun më të betuar. Kamerat fiksonin tek-tuk ndonjë lot harbut që i zbriste nga sytë (me qeska të varura), por kripa e përzjerë me ngashërimin spontan i afrohej rreth buzës dhe kur Saliu hapte gojën, i futej brenda dhe ky mbytej e pinte ujë të kapërdihej. Ky burrë që nuk qau kurrë në pranverën e luftës civile të ’97, ky palo burrë që nuk iu drodh qerpiku as kur Gërdeci i përlau burrin e motrës së Lirisë, ky gjakatar që në 21 janarin e 2011, shtrënguar pas Lul Bashës, kundronte si vritej poshtë zyrës së tij kushëriri i Arjan Çanit, Ziver Veizi, derdhte lotë në zyrat e partisë duke mbuluar si shurra mutin humbjen katastrofike. Dhe nuk qau as kur ia vranë Azem Hajdarin poshtë atyre zyrave e sa për hipokrizi nuk e përmendi fare në fjalimin mortor të 26 qershorit 2013.
Tani është fakt që ti Sali kapitullove. Pavarësisht zhurmës që do bësh në parlament, pavarësisht intrigave apo përgjimeve që do ua shesësh mediumeve në vitet që do vinë, pavarësisht kukullës budallaqe me emrin Lul Basha që do e përdorësh si kryetare partie, askush nuk do të të marrë seriozisht. Mëkatet e tua do të të nëpërkëmbin pleqërinë dhe familjen, partinë dhe opozitarizmin. Dje, në qoftëse do të ishe burrë me sedër e me kuarajo, duhet ta kishe zhveshur logjikën dhe gojën nga jeleku antiplumb. Dje duhet të kishe folur si një burrë shteti e ti shikoje qytetarët e republikës tënde në sy. Dje, si lavire e konsumuar mundoheshe të rivirgjëroje veten, por u shfaqe më cullak. Këtij vendi i ke borxh përmbytjet, spitalet e sëmura, arsimin analfabet, policinë e mulosur kuksianërisht, presidencën e sëmurur bujarisht, parlamentarizmin e menderosur jozefinërisht, gjykatat e gjingjonëzuara nga korrupsioni…
Dje ishe i tmerruar. Dje dridheshe si atëhere kur të arrestoi Ilir Meta dhe qaje në qelitë e policisë. Ti nuk je trim dhe llogaritë e bëra gabim do të të fundosin. Ti që ia nxive jetën dhjaksit Fatos Nano dhe e burgose pse kishte vjedhur lëng dardhe, sot duhet të përgjigjesh pse vodhe liritë dhe jetët e viktimave të Gërdecit dhe 21 janarit. Nëse qeverisja e re do të bëjë kompromise për hatër të ekuilibrave politikë, po të kujtoj se media dhe gjenerata e qindra gazetarëve nuk ta falin poshtërimin dhe fukarrallëkun që mbolle porsi hashash Lazarati.
Dje ishe i tmerruar, nga sot e tutje je vetëm. Nuk ka burrë nëne që të mbron e të avokaton ymrin e mbetur. Le të të vijë Mesila, Jozefina, Majlinda e Rajmonda porsi Margaret Thatcher të pinë çaj me ty, porsi me Pinoçetin, por dije mirë. Je vetëm, të kanë braktisur policë, prokurorë e gjykatës. Ta drodhën të gjithë, se duan të ruajnë bythën e tyre. Kujtove se i kishe besnikë, por u gabove. Edhe Lefteria e këqëzësë, megjithëse me vetëm tre ushtarë, nuk mundi dot të të shpëtonte. Fundja kanë pakëz sedër dhe logjikë, e shikojnë sesi ti po tretesh i plakur e i pafuqi.
Ike, ike plaku Mere. Fol pak me krushkun, me Luan Malltezin, për ndonjë vend aty te Muzeu Historik Kombëtar.
Megjithëse mos u lodh kot, dëgjova që dhe kokallat e pellazgëve dhe ilirëve po protestonin duke bërtitur nëpër pavijonet e muzeumit:
-Nuk e duam afër, psherëtinin.
-Është mëkatar, sepse e ndoti edhe ajrin e këtij vendi që ne mburreshim deri dje!