Ndërsa Shqipërisë i duhet të konsolidojë filozofinë ekonomike të së djathtës, PS-ja ende nuk është bindur se i duhet reformimi i vetes. Prandaj e djathta do t’i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit pa patur nevojë për gabimet e së majtës, as për sherret, bashkimet apo ndarjet e saj për interesa “pragmatiste”. E djathta i justikoi këto dy mandate, prandaj elektorati shqiptar nuk ka pse të votojë për një të majtë, që tetë vite vetëm u tall me vullnetin e tij.
Nuk ka pse të shpresojë e djathta nga të majtët e dëshpëruar, nga egoistët, të pakënaqurit apo nga karrieristët, që po “shkumëzojnë” sot brenda PS-së.

E djathta është edhe alternativa e ëndërruar për 50 vjet në sistemin e hiperkolektivizmit, i cili mbolli vetëm mjerim. Kjo e djathtë, që përballoi me dinjitet diktaturën, solli dhe diellin e demokracísë. Kurse sot kjo ka për detyrë, jo vetëm ripërtëritjen e vetes, por dhe kujdesin për reformimin e një të majte europiane. Prandaj dhe ia ka respektuar aq denjësisht pushtetin e saj moral në opozitë. Sepse vetë e djathta mbart thelbin e aspiratës së zhvillimit kapitalist, iniciativën e lirë dhe lartësimin e personalitetit të individit. Mbart misionin e ripërtëritjes së vlerave morale e shpirtërore të një shoqërie, që aspiron integrimin në Europë.
Ishte kjo e djathtë që nuk pranoi të bëhej bashkëfajtore në krimin e diktaturës, që nuk iu nënshtrua terrorit, as kushteve mizore, me të cilat komunizmi u përpoq ta denatyronte shqiptarin. E djathta nuk ka përgjegjësi për kalvarin komunist! Nuk i duhet asaj të përgjigjet për urinë, luftën e klasave, konfliktualitetin, urrejtjen e paarsyeshme, etj. Përkundrazi! Si viktimë e gjenocidit komunist, ajo ka sot të drejtën të kërkojë pendesën e autorëve, që e nëpërkëmbën Shqipërinë dhe përdhosën virtytet e kombit; që përçanë unitetin moral e shpirtëror të shqiptarëve. Prandaj, ajo del sot ballëhapur para elektoratit shqiptar si frymëzuese e demokracisë, e civilizimit, e zhvillimit dhe vëllazërimit kombëtar.
E djathta ka në shpirtin e vet gjithë ëndrrat e atyre që u martirizuan për liri e demokraci; ka aspiratën europiane të rilindësve; ka vuajtjen e pashembullt që e lartëson, mirësinë e fisnikërisë, me të cilën mposhti të keqen. Ajo ka ndershmërinë e trashëguar dhe tolerancën fisnike ndaj mëkateve komuniste; ka vizionin perëndimor të qytetërimit, sakrificat e brezave për ta bërë Shqipërinë Zonjë. E djathta ka pasuritë e grabitura nga komunizmi, respektin ndaj dhembjes së pamerituar njerëzore, adhurimin ndaj atyre që iu kundërvunë “kuçedrës” komuniste! E djathta është alternativa e progresit, për të cilin u martirizua; është mishërim i filozofisë së reformave europiane, altari i madhështisë së individit, tempulli i shenjtërimit të sovranitetit të popullit. E djathta është shpirti i drejtësisë humane, avokatja e të drejtave qytetare, “engjëlli mbrojtës” i barazisë së çdo individi para ligjit.
E djathta përfaqëson antikomunizmin. Ajo është “peshorja” e vlerësimit të atyre që kanë kontribuar për pavarësinë dhe zhvillimin e Shqipërisë. E djathta udhëhiqet nga parimi i vlerësimit të më të aftit. Nuk pajtohet e djathta me reformat, që garantojnë barazinë e njerëzve në mjerim. Ajo e çmon efikasitetin e çdo pushteti me mirëqenien dhe prosperitetin e tij shoqëror. E djathta ka vërtet të shenjtë votën e lirë. Ajo pranon të jetë shërbestare e atyre që e kanë zgjedhur. Ndershmërinë e zgjedhjeve ajo e çmon më lart se fitoren e saj. E djathta ka aspiratë integrimin e vendit në Europë. Ajo është mbrojtësja fanatike e pluralizmin politik, ithtare e kompromisit, dialogut dhe konsensusit. Prandaj nuk e mbështet e djathta fitoren e saj mbi dështimet e aksioneve politike të kundërshtarit.
Duke qenë alternativë konstruktive, ajo shqetësohet për qytetarin, të cilin e çmon si kryeqendrën e synimeve të saj politike. E djathta është për rishikimin e historisë, për transparencën dhe dënimin e krimit komunist. Ajo kërkon hapjen e arkivave dhe demaskimin e autorëve të masakrës komuniste. Ajo ka respekt e mirënjohje për viktimat e diktaturës dhe ndien detyrim madhor rehabilitimin e tyre sa më real në jetë e shoqëri. Ajo e dënon të kaluarën diktatoriale për të mos u përsëritur më. E djathta nuk është hakmarrëse, as paragjykuese. Ajo synon lartësimin e vlerave të kombit!
Nuk mburret e djathta me ato që ka bërë, por vlerëson me realizëm gjithçka që ka penguar dhe pengon ecjen e vendit përpara. E djathta nuk pajtohet me mashtrimet elektorale, me pazaret e pamoralshme elektorale, as me delirancën komuniste apo përbuzjen dhe mentalitetin e marrjes së pushtetit me dhunë. E djathta nuk është rebele, as nihiliste, as populiste, as konjukturale. Ajo nuk pretendon të jetë e përkryer, ndonëse e synon përsosurinë; nuk ekzagjeron ajo arritjet e saj; nuk e mohon ndonjë sukses të së majtës.
Kurse e majta me Ramën në krye mbledh neobllokmenë, që trashëgojnë delirancën komuniste dhe që premtojnë të sjellin parajsën me program utopik dhe që krekosen të zhdukin “mjerimin” me taksa që shkurtojnë vende pune. Ndërkohë që mburren për bashkimin me ata që ka sharë dhe luftojnë këdo që përkushtohet për Shqipërinë. E majta është paradoksale. Pretendon “rilindjen” pa urryer bëmat e diktaturës. Shtiret si patriote duke i bllokuar Shqipërisë integrimin dhe i mohon asaj çdo progres që ka arritur me të djathtën. Prandaj të majtës i duhen, të paktën, edhe katër vite të tjera të qëndrojë në opozitë për t’u reformuar! Kurse të djathtës i duhet të realizojë sa më parë integrimin e vendit në Europë dhe të ndihmojë të majtën të rilindë duke u reformuar sinqerisht! Se nuk mund t’i besohet e ardhmja e vendit një ekipi politik që, për pushtetin e vet shpërdoroi gjithë vullnetin e elektoratit!...
Luan MYFTIU
Sa qesharake!!!!!!!!!!!!!!!!!
Po ju pershendes me disa vargje te Ali ASllanit te shkruara qe ne 1942 dhe gjithashtu te postuara ne kete forum nga Anonimus...
Maskarenjte
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, poshtëë ky zot, ky palo zot!
Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titilli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!... Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
.....