×

Ramën tashmë nuk e besojnë as të tijët

Ramën tashmë nuk e besojnë as të tijët

· 1 · 145

  • Postime: 27110
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 27-04-2011, 13:00:53
Në dy javët e para të fushatës, strukturat e PS-së kanë kuptuar se i kanë të humbura zgjedhjet dhe po mundohen të distancohen nga Edi Rama, i cili po mbetet si përgjegjësi i vetëm për humbjen. Nëpër mitingje askush s’ia beson gënjeshtrat, ndërkohë që deputetë e partiakë po vënë në zbatim agjendat e tyre personale, për kohën, pasi të certifikohet rrënimi elektoral i Edvinit, i cili tashmë është aq i vetmuar, sa s’ka mundësi që për bojkot e as për prishje zgjedhjesh.

Fushatës së Edi Ramës dhe partisë private që ai drejton i ka dalë kallaji që në dy javët e para të fushatës zyrtare për zgjedhjet vendore. Përpjekja për të shpërndarë gënjeshtrat e fushatës politike, të perspektivës për një rotacion të afërt politik ka sjellë edhe demaskimin e grupit që mendon të marrë peng PS-në, duke marrë peng zgjedhjet dhe vendin. Gënjeshtrat s’po ia ha më askush dhe gjatë takimeve paraelektorale po shihet qartë që edhe vetë kandidatët socialistë për bashkitë e komunat po bëjnë çmos që të mos fotografohen me të e as të identifikohen me “Rrugën e vetmisë”. Spikat mungesa e biznesmenëve, të cilët duket se janë të humbur në të dyja rrethanat, edhe kur shfaqen pranë Edvinit, edhe kur përpiqen t’i shmangen atij. Fakti se ata janë investuar në një gili-vili antiligjore për vite me radhë, në dëm të interesave të kryeqytetasve, i ka sjellë ata në momentin e pafavorshëm, kur perspektiva e bizneseve të tyre varet në një masë nga vijimi i aferave me kryebashkiakun në detyrë, por nga krahu tjetër, ata s’janë të gatshëm të marrin koston e identifikimit me të, një konfirmim se pas 8 majit, ata duhet të mbyllin licencat e tyre.

Në këtë tollovi, veç dy javë nga fillimi i fushatës elektorale, është bërë e qartë se asnjë pilulë elektorale e as ndonjë rritje e gjuhës agresive s’do të mund të sillte optimizmin tek militantët të paktën, se me 8 maj do të vijë suksesi e se pas këtij momenti do të tentohej “goditja e madhe”. Kjo shpresë është vrarë që në dy javët e para të fushatës dhe nuk janë veç kryebashkiakët socialistë që e kanë kuptuar të parët, nuk janë veç biznesmenët që po bëjnë çmos të distancohen nga Edvini... Edhe në kryesinë e PS apo në Grupin Parlamentar tashmë agjenda politike ka ndryshuar dhe përveç ndonjë qoke vetjake tek ndonjë bashki (a komunë), deputetët, ish-ministrat dhe të tjerë drejtues të lartë të PS kanë nisur të mendojnë se si do të “rehatohen” pas 9 majit, kur Edi Rama shndërrohet në një patate të nxehtë, i cili duhet nxjerrë sa më shpejt nga strukturat partiake. Nëse i pari e kuptoi Kastriot Islami, i cili u cilësua si “qafiri i partisë” prej Edvinit, i dyti është Andis Harasani, i cili dje në letrën e tij të hapur, drejtuar kryetarit të partisë, thotë se lista e kandidatëve në zgjedhjet e 8 majit është mbushur me njerëz që s’kanë asnjë lidhje me partinë dhe linte të kuptohej se s’mbante asnjë përgjegjësi për dështimin e tyre në zgjedhje. Pandeli Majko dhe Ben Blushi, secili sipas mënyrës së vet, po mundohen ta minimizojnë koston që do të marrin nga falimentimi elektoral, duke u përpjekur të shtojnë profilin personal, herë përmes batutave, herë përmes inskenimit të incidenteve e më shumë përmes institucionit të mejhanes partiake, atje ku shpërndahet mesazhi se ne s’kemi asnjë punë me Edi Ramën e ai le ta mbajë për vetë humbjen. 

Dy javë para 8 majit, Ramën s’e besojnë as të vetët se do të ketë ndonjë sukses në zgjedhje dhe secili ka nisur të vërë në zbatim agjendën e vet personale. Edhe planet e përbashkëta për bllokimin e zgjedhjeve, edhe përpjekjet për bojkotim masiv apo për trazira janë sfumuar, pasi ato duan një vullnet partiak dhe një besim se do të kenë sukses. Dy javë para 8 majit s’ka më asnjë fije optimizmi se PS do të ketë ndonjë sukses në zgjedhje, prandaj edhe është zyrtar fakti se Ramën s’e besojnë as të tijët... Dhe ky është një lajm i mirë për zgjedhjet e 8 majit!

Ilir Nikolla