×

Shqiperia, Kosova, Evropa dhe integrimi

Shqiperia, Kosova, Evropa dhe integrimi

· 2 · 965

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 24-01-2008, 10:47:39
Nga Bamir Topi

Asambleja Parlamentare, së cilës unë i drejtohem, është forca më dinamike në shtrirjen e bashkëpunimit evropian për të gjitha shtetet demokratike në mbarë Evropën. Ajo është ndërgjegjja e Evropës. Si Asambleja e Parë Evropiane, e krijuar në historinë e kontinentit tonë, kontributi i saj, sidomos në ngjarjet historike në Evropën Qendrore dhe Lindore në fillim të viteve 1990, mbetet vendimtar. Ajo i ndihmoi këto vende, duke i sjellë në grupin e demokracive evropiane dhe nxiti bashkëpunimin e vërtetë parlamentar midis të gjitha kombeve evropiane. Asambleja kontribuoi dhe vazhdon të japë kontribut në ndërtimin e një Evrope të madhe, pa vija ndarëse.

Roli juaj madhor, të nderuar anëtarë të Asamblesë, në përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian është i pazëvendësueshëm. Demokracitë në zhvillim, ashtu si vendi im, i vlerësojnë në mënyrë angazhuese rekomandimet, rezolutat apo dhe opinionet që marrin jetë në këtë sallë. Është një kënaqësi e veçantë për mua e në të njëjtën kohë përgjegjësi t‘ju drejtohem nga kjo foltore e nderuar në emër të qytetareve të Republikës së Shqipërisë, duke ju sjellë këtu jo vetëm vullnetin politik të klasës politike shqiptare, por edhe zërin, mesazhin dhe aspiratën evropiane të popullit shqiptar.

Ne duam të zbatojmë dhe përfundojmë reformat e periudhës së tranzicionit sa më shpejt të jetë e mundur; ne duam të gjallërojmë ekonominë shqiptare; ne duam të rrisim standardin e jetesës në Shqipëri; ne duam të bëhemi pjesë e pandarë e Evropës së Bashkuar, të cilës i përkasim historikisht dhe gjeografikisht. Më lejoni të deklaroj qartë dhe në mënyrë të vendosur: integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është prioritet kombëtar dhe qëllim strategjik i politikës së jashtme të vendit tim. Si rrallë ndonjëherë, për këtë çështje ekziston një konsensus i plotë politik në Shqipëri, ashtu edhe një mbështetje e konsiderueshme e opinionit publik shqiptar.

Si President i Republikës, shpreh garancinë e fortë se ky është mesazhi i të gjithë qytetarëve, i gjithë spektrit politik, i gjithë grupeve sociale. Unë shpreh garancinë se në bashkëpunim me forcat politike në Shqipëri, pozitë-opozitë, do të vazhdoj të ndjek këto qëllime dhe shpresoj të jem i suksesshëm në përmbushjen e tyre. Republika e Shqipërisë ka një vlerësim të lartë për mbështetjen e dhënë nga Asambleja Parlamentare dhe për mirëkuptimin që kjo strukturë ka treguar ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t‘iu afruar Bashkimit Evropian. Shumë prej jush, jo vetëm kanë ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe procesin e saj të tranzicionit, por edhe i kanë mbështetur ato me vullnet pozitiv dhe me besim. Ju jam shumë mirënjohës për kontributin tuaj.

Shqipëria po transformohet vrullshëm, por me vendosmëri drejt një shteti demokratik. Ne jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ky ndryshim kërkon. Megjithatë, ndryshimi është i nevojshëm, në mënyrë që një ditë Shqipëria të mundë të marrë pjesë aktivisht në institucionet evropiane si një anëtar i barabartë. Përvoja dhe ndihma e shteteve të tjera në këtë këndvështrim do të ishin të dobishme. Ne jemi duke punuar mbi reformën në administratën publike, harmonizimin e legjislacionit dhe përfshirjen e të gjithë potencialit tonë në rregullimin, modifikimin, ndryshimin e sistemit të drejtësisë dhe të Kodit Zgjedhor. Ne e shikojmë këtë detyrë gjithnjë e më pak si një barrë dhe më tepër si një detyrë dhe mision, mbi të cilën ne duhet të punojmë me vendosmëri, për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur standardet evropiane.

Duke marrë parasysh faktin se edhe standardet evropiane, me të cilat ne kërkojmë të krahasohemi, në vetvete janë në zhvillim dhe përmirësim të vazhdueshëm, mbetet një detyrë e përhershme e institucioneve shqiptare përmirësimi i legjislacionit të brendshëm, në përputhje me këto zhvillime dhe në funksion të konsolidimit të një sistemi ligjor efektiv në tërësi. Në këtë aspekt, vlerësojmë të rëndësishëm zbatimin e Rekomandimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës lidhur me zbatimin e Konventës Evropiane të të Drejtave tÑ‘ Njeriut në nivel kombëtar, ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane, publikimin e praktikës së Gjykatës Evropiane. Jam i vendosur të mbështes reformën e domosdoshme të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Drejtësia shqiptare duhet t‘i shërbejë qytetarit dhe jo politikës, duhet të japë drejtësi, duke i kthyer besimin të gjithë shoqërisë shqiptare. Reformimi duhet të prekë qelizat më të ndjeshme ndaj sëmundjes së korrupsionit për ta çrrënjosur atë. Për këtë qëllim, kam nxitur, si pjesë të një pluralizmi demokratik, debatin në tryezat politike parlamentare, me shoqërinë civile, me të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, me median e shkruar dhe audiovizive, si edhe me pushtetin lokal, në bashkëpunim me ekspertët e fushës, vendas e të huaj. Më jepet rasti të vlerësoj Programin V tÑ‘ Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për Mbështetjen e Trajnimit të

Administratës Gjyqësore në Shqipëri. Sigurisht, ky program do të përmirësojë efikasitetit e sistemit gjyqësor, nëpërmjet organizimit të një sistemi trajnimi të qëndrueshëm dhe tÑ‘ pÑ‘rmirÑ‘simit të organizimit të administratës gjyqësore (kancelarët e gjykatës, sekretaret e gjykatësve dhe prokurorëve dhe grupi tjetër i punës administrative të gjykatës) në të gjitha gjykatat shqiptare (Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apeleve dhe ato të Rretheve). Jam optimist për rezultatet e tij.

Një proces tjetër i rëndësishëm reformues, i nisur tashmë në Shqipëri, është ai i sistemit zgjedhor. Debati parlamentar në Shqipëri për këtë çështje duhet të japë frytet e tij për një sistem të qëndrueshëm, afatgjatë, i cili të realizojë pasqyrimin real të votës së lirë në nivelet politike qeverisëse ose opozitare në Shqipëri, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Një sistem zgjedhor i standardeve evropiane do të krijojë qëndrueshmëri të institucioneve dhe të administratës.

Veçoj në këtë fushë dhe mbështes asistencën e Komisionit të Venecias mbi imunitetin parlamentar, modifikimin e sistemit zgjedhor dhe të sistemit të prokurorit të përgjithshëm; strategjinë dhe planin antikorrupsion në kuadër të projekteve rajonale; mbështetjen në reformat legjislative si: e drejta penale, konflikti i interesave, financimin e partive politike, sistemin e burgjeve, bashkëpunimin me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale për krijimin e një kuadri të mirë institucional për autonominë lokale dhe rajonale.

Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në vënien në zbatim të Konventës kuadër "Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare". Dëshiroj të vlerësoj maksimalisht iniciativën e Këshillit të Evropës për hapjen e Shkollës Politike nÑ‘ Shqipëri. Ajo vjen në një moment shumë të domosdoshëm për Shqipërinë. Për shkak të një regjimi të kaluar diktatorial, vendi ynë ka nevojë për një strukturë për formimin në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Krijimi i një elite në këtë drejtim do të shpejtonte procesin integrues të vendit tim. Gjykoj se avancimi në Procesin e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian është i ndërlidhur gjithashtu me procesin e heqjes së monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Heqja e këtij monitorimi provon se Shqipëria ka dalë nga faza e parë e tranzicionit në vazhdim të procesit të saj të integrimit dhe pohon nivelin e lartë të demokracisë e të të drejtave të njeriut dhe plotësimin e standardeve të Këshillit të Evropës në vend. Një proces pasmonitorimi në harmoni me lëvizjen integruese të Shqipërisë do të ndihmonte vendin tim në afrimin e tij politik me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.

Shqipëria ka nënshkruar tashmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian dhe procesi i anëtarësimit po ecën me ritme normale. Vendi është plotësisht i angazhuar në zbatimin me seriozitet të marrëveshjes "INTERIM" të Stabilizim-Asocimit. Marrëveshja është ratifikuar nga 15 vende, në disa të tjera është në proces dhe ne shpresojmë që, brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, të ratifikohet nga të gjitha vendet. Jemi duke punuar me seriozitetin më të madh për zbatimin e saj nen për nen, kapitull për kapitull, me synimin për të kërkuar më pas statusin e vendit kandidat, në mënyrë që ta meritojmë këtë proces të pandalshëm e të pakthyeshëm. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time ndaj parlamentareve te vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kontributin e tyre në këtë proces.

Ne e shohim Bashkimin Evropian si një familje me pjesëtarë të ndryshëm që punojnë bashkë, një komunitet në të cilin respektohet interesi i çdo kombi, duke zhvilluar bashkëpunimin mbi bazat e solidaritetit. Shqipëria uron ta pasurojë këtë komunitet të vlerave me identitetin e saj të rrënjëve historike, vlerat e qytetërimit e të kulturës dhe shpirtin kombëtar. Ne duam të jetojmë së bashku në bashkëjetesën e shumëllojshmërisë. Nuk duhet të harrojmë se unifikimi i Evropës nuk do të jetë i plotë, derisa të gjitha vendet e Procesit të Stabilizim-Asocimit të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe derisa Evropa të jetë e bashkuar në kufijtë e saj gjeografikë. Vetëm një Evropë e bashkuar është e aftë të eliminojë luftën si një instrument politik për zgjidhjen e konflikteve, të zhdukë mungesën e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe vetëm një Evropë e bashkuar është e aftë të udhëheqë vendet e rajonit tonë drejt një të ardhmeje më të begatë.

Shqipëria gjithashtu ndjek me kujdes diskutimet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s mbi çështjet e sigurisë. Ne vlerësojmë shumë adoptimin e strategjisë së sigurimit evropian si një strategji që do të aftësojë Bashkimin Evropian të përballojë kërcënimet dhe ndryshimet globale, duke kontribuar te sistemi i shumanshmërisë i sigurisë, ashtu si përfshirja akoma më aktive në disa vende të Evropës Juglindore. Shqipëria është e vendosur të anëtarësohet në NATO. Ajo shpreson shumë të marrë ftesën e saj në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Gjykoj se ne e meritojmë një ftesë të tillë. Në historinë e anëtarësimit drejt NATO-s, Shqipëria jep shembullin e rrallë ku të gjitha forcat politike janë në konsesus të plotë, të gjithë faktorët joqeveritarë, të gjitha grupet shoqërore, të gjitha mediat dhe i gjithë opinioni publik mbështesin këtë anëtarësim. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë mbështesin këtë anëtarësim dhe janë sa të sinqertë, aq dhe të përgjegjshëm. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të shtrijë jo vetëm shkallën e sigurisë rajonale, evropiane e globale, por do të japë shembullin pozitiv të fitores së demokracisë në vendin ku jo më larg se 15 vjet përpara sundonte diktatura më e egër politike e të gjitha kohëve.

Një pjesë të konsiderueshme të procesit integrues ne e kemi lënë tashmë pas. Demokracia është një shumatore e hapave të vegjël, por gjithashtu një proces i cili nuk mbaron asnjëherë. Ajo nuk është një gjendje statike, por një proces në zhvillim dhe lëvizje. Shqipëria, pa dyshim, do të vazhdojë të ecë në të njëjtin kurs edhe në politikën e saj rajonale. Ajo është një nga arritjet e saj të viteve të transformimit, sepse e vlerëson atë si plotësim i detyrimeve që ka në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian e në NATO, të harmonizuara me interesat kombëtare të saj. Vendi im po jep shembullin e një politike në interes të forcimit të paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon. Ai nxit klimën e besimit reciprok nëpërmjet zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, politike e kulturore me të gjitha vendet e rajonit si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Unë do të nxis këtë strategji të politikës rajonale bashkëpunuese të Shqipërisë, sepse jam jo vetëm i bindur në orientimin e saj të drejtë, por edhe i inkurajuar nga vlerësimet e partnerëve tanë euroatlantikë, rajonalë dhe më gjerë. Shpreh kënaqësinë se i gjithë faktori shqiptar, që banon në rajonin tonë, është bërë pjesë lëvizëse e integrimit rajonal në të gjitha proceset e tij. Si një element i rëndësishëm jo vetëm nga numri, por edhe nga shtrirja gjeografike në rajon, i gjithë faktori shqiptar: politik, publik, mediatik apo edhe ai i biznesit, është i ndërgjegjshëm për rolin e tij demokratizues, të pazëvendësueshëm dhe moderator në këtë pjesë të Evropës. Ata janë të bindur se partneriteti euroatlantik është e vetmja e ardhme e sigurt për ta, për rajonin, për vendet ku ata jetojnë dhe janë të vendosur ta respektojnë atë si qytetarë të denjë evropianë, në harmoni të promovimit të vlerave kombëtare.

Kosova mbetet çështja e fundit e pazgjidhur e shpërbërjes së një shteti të ndërtuar artificialisht, të ish-Jugosllavisë, prandaj është një proces politik shpërbërës i natyrshëm. Republika e Shqipërisë vlerëson se zgjidhja e qartë dhe e shpejtë e statusit të Kosovës, që është pavarësia e saj, është një domosdoshmëri që diktohet jo vetëm nga realiteti në Kosovë, por edhe nga interesat e stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria është e bindur se vetëm një Kosovë e pavarur dhe demokratike, brenda kufijve të tanishëm, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, faktor stabiliteti, paqeje e begatie për rajonin e Ballkanit e më gjerë. Në këtë kontekst, ne dënojmë çdo përpjekje për ndarje, që do të shërbente për ringjalljen e nacionalizmave në Ballkan. Shqipëria është e vendosur të respektojë plotësisht kufijtë ndërkombëtarë të fqinjëve, përfshirë edhe kufijtë e Kosovës.

Paketa e Presidentit Ahtisari është e vetmja alternativë e mundshme kompromisi, për një rast unik siç është Kosova, që ofron një zgjidhje realiste, të drejtë, të balancuar, të qëndrueshme e afatgjatë, ofron standardet më të larta për minoritetet në Kosovë; që gëzon mbështetjen e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të shumicës së anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ajo garanton jo vetëm tërësinë tokësore të Kosovës, por edhe integritetin funksional të institucioneve të saj në të gjitha nivelet. Kosova nuk mund të mbetet peng i statusit të papërcaktuar.

Nëse zgjidhja nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dështon, ne gjykojmë se Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të marrin menjëherë iniciativën diplomatike për zbatimin e Paketës Ahtisari dhe krijimin e kushteve që shteti i ri i Kosovës të përfshihet në familjen e kombeve, si dhe së bashku me vendet e tjera të rajonit të ecë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Nëpërmjet zgjedhjeve të fundit politike në Kosovë, zgjedhjes së Presidentit, por sidomos qeverisë së re të koalicionit gjithëpërfshirës, krejt natyrshëm Kosova po ofron një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë dhe një partneritet të besueshëm ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në interes të zhvillimeve të mëtejshme demokratizuese dhe integruese të rajonit, gjykoj se të gjithë duhet ta pranojmë këtë fakt dhe të nxisim në mënyrë civile procesin.

Bota po bëhet më e vogël, jo për shkak të zhvillimit të teknologjisë, por për shkak të politikave të reja integruese dhe globalizuese. Shqipëria është e ndërgjegjshme për këtë ndryshim thelbësor gjeopolitik me përmasa globale. Bota ka ndryshuar dhe me ndryshimin e botës kanë ndryshuar edhe sfidat që ne duhet të përballim. Ato janë globale dhe kërkojnë globalizim të energjive. Shqipëria i është bashkuar kontributit të të gjithëve në përballjen me krizën e vlerave, varfërinë botërore, terrorizmin ndërkombëtar, krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën e trafikun e drogës, konfliktet etnike apo të besimit.

Ne mund të pasurojmë kontributin e të gjithëve me përvojën e harmonisë së besimeve në të gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët. Bashkëjetesa midis dy besimeve, islamizmit dhe krishtërimit, në Shqipëri është jo vetëm shembull i gjallë unik, por edhe një përvojë shpresëngjallëse dhe optimiste. Ajo mund të kontribuojë në përgatitjen dhe zbatimin e programeve dhe objektivave politiko-strategjike për një Evropë të lirë, pa konflikte dhe paragjykime fetare apo etnike, apo për një botë ku civilizimet mund të prodhojnë vetëm vlera dhe jo gjakderdhje për popujt e tyre. Konstatoj sot se evropianizimi i shekullit XIX të Henri de Saint-Simon-it nuk është më një ide, një nocion teorik, por një realitet ku kombet dhe shtetet, të mbledhura së bashku, qeverisen nga parimet e demokracisë, të së drejtës për liri dhe drejtësi, nga parimet e paqes, virtytit dhe drejtësisë. Kjo është Evropa jonë.

* Fjala e Presidentit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (23 janar 2008, Strasburg, Francë)

G.Shqip

  • Postime: 737
Rust
#1 ne: 26-01-2008, 15:21:57
E keqja ka ardhe dhe do vij nga Europa...
 

Ikin 227 mijë persona, Shqipëria dhe Kosova me eksodin më të lartë në rajon

Nisur nga InfoZRubrika Shqiptaria

Postimi i fundit 01-06-2020, 22:34:42
nga InfoZ
shqiperia chat nastradini

Nisur nga InfoZRubrika Parapre

Postimi i fundit 20-05-2020, 22:53:24
nga InfoZ
www chat shqiperia

Nisur nga InfoZRubrika Parapre

Postimi i fundit 20-05-2020, 21:34:32
nga InfoZ
forumi shqiperia com

Nisur nga InfoZRubrika Parapre

Postimi i fundit 20-05-2020, 21:33:11
nga InfoZ
shqiperia chat

Nisur nga InfoZRubrika Parapre

Postimi i fundit 20-05-2020, 21:32:40
nga InfoZ