Post reply

×

Post reply

Emri:
Email:

Verifikimi:
Flamuri yne ka ngjyre?:

Permbledhje

Postuar nga: M A X
« ne: 07-05-2020, 17:00:41 »

Në stilin e tij të zakonshëm, që kur e pyet “për lopët e racës, ai ta kthen për luftën në Vietnam”, Edi Rama është përpjekur ta shpjegojë raportin e Freedom House, për rënien e nivelit të demokracisë, duke bërë përgjegjëse opozitën.


Sipas kryeministrit, ne mund të ishim renditur edhe më keq në klasifikimin e vendeve me tendenca autoritariste, nëse plani i PD-LSI për të djegur vendin do ti’a kishte arritur qëllimit.

Pra thënë shkurt, fakti se klasifikohemi mes demokracive hibride, se bëjmë pjesë mes atyre shteteve ku udhëheqësit po heqin dorë edhe nga fasada demokratike, se autokrati i Tiranës barabitet njësoj me Vuçiçin, Gjukanoviçin apo Viktor Orbanin, është ekskluzivisht një mëkat i Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, të cilët dogjën mandatet, bojkotuan zgjedhjet lokale dhe organizuan një maratonë protestash shpesh herë të dhunëshme në pranverën e kaluar.

Natyrisht, ngjarje të tilla jo të zakonta, patjetër që luajnë një rol në gjykimin e përgjithshëm që i bëhet nivelit të demokracisë në vend. Por, po të vrasësh pak mendjen e kupton se përpara se të shihen si shkaqe të regresit, ato janë thjeshtë pasoja të gjendjes reale.

Dhe këtë e vërteton më së miri qoftë historia botërore, që pothuajse nuk njeh raste kur opozita çmendet, ndonëse ka përpara një “pushtet ëngjëllor”, qoftë edhe ajo që shkruhet në raportin e fundit të Freedom House. Aty theksohet shprehimisht se në shumë vende “nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një mjedis ku diskutohet”.

Eshtë mëse e qartë se veprimet ekstreme të pakicës, edhe tek ne ashtu sikurse kudo, rrjedhin si rezultat i arrogancës dhe dhunës së një pushteti aspak demokratik.

Por le të abstragojmë për një moment, sikur ajo që thotë kryeministri është e vërtetë. Le të budallepsemi dhe të besojmë që jetojmë në atë kopësht shkëmbor të Europës juglindore ku na ka rënë për pjesë një opozitë e çmedur, që ndiqet pas, nga pothuajse nga gjysma e elektoratit, gjithashtu tërësisht e marrë, të cilët po shkatërrojnë imazhin e përbashkët. Pra, le të mendojmë se leva për të na renditur mes demokracive apo autokracive qenkësh në duart e opozitës, se po të kishte heshtur, po të rinte ulur në parlament, po të bëhej pjesë e zgjedhjeve farsë, ne do të na klasifikonin si një regjim perfekt.

Por, edhe po të xhonglojmë kaq rëndë me logjikën tonë, sërisht ka diçka që kërcet.

Sepse imazhi vendit sot nuk është nxirë vetëm nga parlamenti monist, pushteti lokal një partiak dhe demostratat me molotov poshtë kryeministrisë.

Ne jemi ende i vetmi shtet ‘demokratik” i rruzullit pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Ne jemi unik në llojin tonë, se pasi kemi rafshuar çdo institucion të pavarur (përfshirë edhe Kontrollin e shtetit) kemi nisur edhe procedurë për shkarkimin e presidentit. Ne jemi një vend ku sipas raportit të “Reprorters sans Frontieres” liria e shtypit bën përditë e më shumë hapa pas. Ne jemi një vend, ku ligjet autokratike kundër mediave, i kthen mrapsht Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias.
Dhe sado që të fajësojmë opozitën për mëkatet e saj, çdo kush e kupton se ne po rëshkasim përditë drejt një regjimi personal që varet vetëm nga vullneti i keq i atij që kemi në krye.

Dhe për të mësuar këtë më shumë sesa sa të lexojmë raportin e Freedom House, mjafton të shikojmë ecurinë e pandemisë së koronavirusit. Kjo krizë shëndetësore më shumë se gjithçka na tregoi se jetojmë një një vend ku bashkë me kryeministrin kemi marrë bonus edhe kryeinfektologun edhe kryeredaktorin edhe kryepolicin edhe kryepsikologun dhe kryeparukierin edhe kryetaksistin edhe kryetenderuesin.

Për tu bindur për këtë, le të hapim çdo mbrëmje ekranet, ku shefi i qeverisë rivalizon fort me Dr Pëllumb Piperon, jo se ky i fundit thotë gjëra që si pëlqejnë, por thjeshtë se i vjedh një pjesë të audiencëës.

Pra mjafton të bëjmë një bilanc të këtyre dy muajve izolim, mjafton një ditë detoks prej trushplarjes që na bëhet nga ERTV, për të kuptuar se sa absurde është përpjekja për të debatuar lidhur me rolin shkatërrimtar të opozitës në demokracinë e vendit.
Sepse, si qëndron e vërteta, më shumë sesa nga raportet ndërkombëtare, e marrim vesh përmes atij që na hyn përdhunshëm, çdo mbrëmje, në shtëpi, përmes ekranit.
Andi Bushati
©Lapsi.al

Postuar nga: M A X
« ne: 06-05-2020, 22:26:59 »

Raporti i organizatës së njohur “Freedom House” mbi demokracinë e “Vendeve të tranzicion” i publikuar këtë të mërkurë duket se ka lënë pa një alibi qeverinë shqiptare. Kjo e ka detyruar këtë të fundit të shkojë deri atje sa për të justifikuar kritikat, u ka paraqitur shqiptarëve një tjetër raport të Freedom House të 2 muajve më parë.

Por çfarë ka ndodhur?

Raporti i fundit bën kritika të forta për nivelin e demokracisë në vendin tonë duke e renditur atë edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Jo vetëm kaq pasi në raport vihet re një rënie e treguesve. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe 7 më i larti, Shqipëria ka 3.82 pikë nga 3.89 pikë që kishte një vit më parë.

“Kjo ka të bëjë me një numër faktorësh, përfshirë bojkotimin e opozitës dhe konfliktin politik rreth zgjedhjeve që i la votuesit pa një zgjedhje të vërtetë për sa i takon votës”, – shprehet Michael Smeltzer, analist kërkimor i raportit “Vendet në Tranzicion”.

Smeltzer thotë se “nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet. Në fakt, ata janë gjithnjë e më pak të interesuar për diskutime”.

Ndërsa Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë i cili është autor i kapitullit për Shqipërinë i tha “Zërit të Amerikës” se opozita parlamentare në fillim të vitit të shkuar u përball praktikisht me një situatë ku realisht nuk mund të korrigjonte dot qeverisjen. Gjithsesi ai thotë se opozita duhet të qëndronte brenda institucioneve. Pas bojkotimit, sipas tij vazhduan një sërë përplasjesh institucionale…

“…duke filluar mes presidentit, parlamentit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më pas kemi procedurën për shkarkimin e presidentit dhe rreth fundit të vitit të shkuar, kemi edhe përplasjet mes presidentit, parlamentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. Të gjitha këto, thotë ai kontribuuan në rënien e nivelit të demokracisë.

Vurmo shton se mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, i thelloi edhe më tej problemet. Sipas tij, ka shumë aspekte të demokracisë që nuk rregullohen thjesht me fitoren e zgjedhjeve dhe sigurimin e shumicës.

Për këtë analisti Michael Smeltzer thotë se mekanizmi i kontrolleve dhe balancave në Shqipëri, nuk është efektiv për të parandaluar këto konflikte. Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75.

Këto konstatime dukshëm që kanë qenë të papranueshme për kryeministrin Edi Rama. Për raportin ai u pyet që në mëngjes nga gazetari Enkel Demi në një intervistë për Abc News, por e kaloi pyetjen me përgjigjen se “ende nuk e kishte lexuar raportin” (ndonëse ishte ora 10.00).

Por edhe 4 orë më pas kur bëri një reagim në Facebook duket se sërsih Rama nuk e ka lexuar raportin pasi flet për një tjetër raport të Freedom House që sipas tij e ka nxjerrë Shqipërinë “të parën në rajon për nivelin e demokracisë”.

“Kur e bardha bëhet e zezë dhe s’ka asgjë në mes…” , mbetet vetëm një “merr e jep” shterpë mbi lirinë e medias, që ka padiskutim të gjithë lirinë e të drejtat të thotë ç’i vjen për mbarë dhe ankohet gjithnjë për mungesë lirie, sa herë të tjerët, përfshirë edhe mua, ushtrojnë të drejtën e tyre të kundërshtimit ndaj të pavërtetave apo gjysëm të vërtetave të saj, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!” – shkruan Rama.

Ai thotë se Shqipëria ka një indeks të lirisë prej 67 pikësh!!! Që këtu kuptohet se Rama flet për raportin “Feedom in the World” (Liria në botë) të publikuar në 4 mars dhe jo për raportin “Nations in Transit 2020” (Vendet në tranzicion 2020) i publikuar të mërkurën, citon lapsi.al. Në raportin e fundit pikët janë nga 1 në 7 dhe jo nga 1 deri në 100. Raporti me të cilin mburret Rama nuk ka dalë ende i plotë, por në seksionin për Shqipërinë ka këtë përmbledhje.

“Shqipëria ka një historik të zgjedhjeve konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve udhëheqëse. Në përgjithësi respektohet liria fetare dhe liria e tubimit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze përkundër përpjekjeve të fundit të qeverisë për t’i adresuar ato dhe ndërthurja e interesave të fuqishme të biznesit, politik dhe mediatik pengon zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura” – thuhet në faqen e Freedom House.

Një reagim për këtë “ngatërresë” të kryeministrit Rama ka bërë edhe Gjergji Vurmo i cili thotë me delikatesë se “nuk dëshiron të paragjykojë shkaqet e këtij konfuzioni dhe as të komentoj keqkuptimin e stafit te Kryeministrit”, por e ndjen si detyrim të shpjegohet se bëhet fjalë për 2 raporte të ndryshme.
“Raporti “Nations in Transit 2020” vëren se demokracia ne Shqipëri ka pësuar rënie e cila vjen si pasoje e përkeqësimit te 2 dimensioneve – “Qeverisja demokratike ne nivel kombëtar” dhe te “Proceset elektorale” – e mbyll Vurmo. ©LAPSI.al
Postuar nga: M A X
« ne: 06-05-2020, 22:26:38 »

Shqipëria shënoi një përkeqësim të standardeve demokratike gjatë vitit të kaluar, kryesisht për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve njëpartiake për pushtetin vendor, vëren organizata Freedom House në raportin e vet vjetor, Kombet në tranzit. Shqipëria ra nga 3.89 pikë në vitin 2018 në 3.82 pikë në raportin e vitit 2019 në një shkallë nga 1 në 7 ku 1 përfaqëson nivelin më të ulët dhe 7 nivelin më të lartë. Raporti i vlerëson vendet nga “demokraci të konsoliduara” kur kanë mbi 5 pikë, dhe më pas, në “demokraci gjysmë të konsoliduara” kur kanë 4 deri në 5 pikë, te “regjime hibride apo në tranzicion” 3 deri në 4 pikë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kategoritë më poshtë vijojnë me “regjimet autoritare gjysmë të konsoliduara” 2 deri në 3 dhe “regjime autoritare” me më pak se 2. Raporti vlerëson proceset demokratike në nivel kombëtar apo vendor, si zgjedhjet apo jetën parlamentare, funksionimin e sistemit të balancave dhe kufizimeve në ushtrimin e pushteti e të tjera si dhe tregues të tjerë të lidhur me lirinë e shtypit, pavarësinë e sistemit gjyqësor, nivelin e korrupsionit apo ekzistencën e një shoqërie civile aktive.

Në Europën Lindore dhe botën post-sovjetike, vende si Uzbekistani, Azerbajxhani apo Rusia klasifikohen si regjime autoritare ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia apo Hungaria klasifikohen si regjime hibride.

Ndërsa Shqipëria në treguesin e përgjithshëm klasifikohet si regjim hibrid, vlerësimi për korrupsionin është 2.75, që bie në kategorinë e regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara ndërsa treguesit e tjerë janë në kategorinë e regjimeve hibride. Pavarësia e gjyqësorit është vlerësuar 3.25, gjë që është vetëm një shkallë më sipër se sa niveli i regjimeve autoritare të pakonsoliduara. Reforma në drejtësi, e cila një nga synimet kryesore kishte rritjen e pavarësisë politike të gjyqësorit, duket se nuk ka sjellë përmirësim në këtë tregues, së paku jo për vitin 2019.

Rënia me 0.07 pikë në indeksin e përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 2019 është më e madhja e shënuar në Ballkanin Perëndimor.

Gjergji Vurmo, eksperti i angazhuar nga Freedom House për raportin e Shqipërisë, thotë se në fakt rëshqitja në Shqipëri nuk ka nisur vitin 2019 por është vërejtur edhe në raportet e viteve të mëparshme. Por duket se ishin zgjedhjet e zhvilluara me vetëm një palë pas vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në to, të cilat sollën përkeqësim.

Raporti [Link] publikohet çdo vit nga organizata që vepron që nga viti 1941 për të mbrojtur demokracinë nëpër botë dhe që raporton për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Europës Lindore që nga koha e rënies së komunizmit duke krijuar një barometër për ecurinë e demokracisë.

Shqipëria mbylli në këtë mënyrë më shumë se një dekadë të tërë rënieje graduale por të vazhdueshme të standardeve demokratike. Vendi ynë kishte 4.07 pikë në vitin 2010, ndërsa një seri ngjarjesh antidemokratike që përfshijnë tre maxhoranca të ndryshme qeverisjeje dhe pesë palë zgjedhje për parlamentare dhe lokale kanë sjellë gërryerjen e shtetit të së drejtës.

Sipas Vurmos, shumë nga këto probleme kanë lindur nga marrëveshja politike mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në vitin 2008, të cilat krijuan sistemin aktual zgjedhor, ku parlamenti përbëhet më së shumti nga persona të emëruar nga kryetarët e partive dhe për rrjedhojë, ka humbur funksionin e vet demokratik si kontrollues i ekzekutivit duke u kthyer në një aneks personal të kryeministrit.

Ndonëse në treguesin e përgjithshëm Shqipëria klasifikohet si regjim hibrid, për disa nga treguesit, të

Por rënia e standardeve demokratike në Shqipëri është pjesë e një tendence më të gjerë e vërejtur përgjatë viteve të fundit në të gjithë Europën Lindore dhe Juglindore, përfshirë edhe Hungarinë e Poloninë, dy vende anëtare të Bashkimit Europian.

Raporti i këtij viti titullohet: Humbja e fasadës demokratike dhe thekson se udhëheqësit politikë në Europën Lindore tashmë kanë hequr dorë nga të shtirurit si demokratë.

Sipas Vurmos, përkeqësimi në rajonin e Ballkanit ka ardhur nga një farëlloj trimërimi i udhëheqësve politikë të këtyre vendeve sii Aleksandar Vucic në Serbi, Edi Rama në Shqipëri apo Viktor Orban në Hungari për shkak se deri tani ka pasur pak rezistencë.

“Ajo çfarë i bashkon [këta të tre] është një tolerim i tejskajshëm së brendshmi, por edhe nga ana e Bashkimit Europian. Kjo i ka trimëruar si shumë,” thotë Vurmo.

Hungaria ishte vendi që këtë vit shënoi rënien më të madhe në standardet demokratike, dhe vendi ra nga grupi i vendeve demokratike. Po kështu, Polonia humbi statusin e vendit me demokraci të konsoliduar, duke u bërë anëtari i dytë i BE-së pas Hungarisë që bie nga kjo kategori.

Serbia, e cila deri në vitin 2017 ka qenë vend me demokraci të pakonsoliduar, pësoi përkeqësim të mëtejshëm më 2019 pasi ra te kategoria e regjimeve hibride në raportin e mëparshëm.

Në të gjithë rajonin e Ballkanit, vetëm Kosova dhe Maqedonia e Veriut njohën përmirësime të lehta në standardet demokratike, por këto përmirësime vijnë nga një nivel i ulët.

Korrupsioni udhëheq rikthimin në autoritarizëm

E përbashkëta e shumë prej vendeve që kanë pësuar përkeqësim në standardet demokratike gjatë viteve të fundit është se fillimisht kanë pësuar rritje të korrupsionit, e cila është përkthyer në rënie të cilësisë së medias dhe sulmeve të hapura të politikanëve ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria e korrupsionit duket se i kanë mundësuar qeverive që në mandatet e tyre të dyta të punojnë për të manipuluar rregullat e garave zgjedhore në përfitim të pushtetit të vet ndërkohë që media degradon nën kontrollin gjithnjë e më të madh të interesave korruptivë dhe shoqëritë humbasin fuqinë për të reaguar ndaj degradimit të demokracisë.

Por Freedom House vëren gjithashtu se në vitin 2019 gjërat mund të kenë filluar të ndryshojnë për mirë sa i përket reagimit popullor. Protestat kanë qenë të fuqishme në shumë vende ndërsa aktivizmi në mbrojtje të mjedisit vërehet se i ka dhënë hov fuqizimit të shoqërive, duke goditur në këtë mënyrë thelbin e keqqeverisjes, korrupsionin dhe klientelizmin që ushqehet mbi shkatërrimin e mjedisit.

“Si në shoqëritë e lira ashtu edhe në ato jo të lira, protestat mjedisore janë bërë çelësat përmes të cilave qytetarët mund të luftojnë kundër korrupsionit dhe për qeverisje të mirë si dhe të presin rezultate konkrete,” shkruhet në raport. https://www.reporter.al/shqiperia-udheheq-renien-nga-standardet-demokratike-ne-ballkan/