UÇK, pavarësia që e bekuan luftëtarët
Bilanci i luftës. U vranë 15 mijë shqiptarë, 90% të paarmatosur 
Heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat e tyre bëhen të pavdekshëm. Kosova fitoi dje pavarësinë, e cila u kërkua dhe u luftua për vite me radhë nga populli kosovar, një pjesë e të cilëve humbën jetën në luftën kundër serbëve. Ish-ushtarët e UÇK-së sot janë në administratën e lartë të Kosovës, ndërkohë që vlen të përmenden edhe ata që dhanë jetën për të krijuar këtë administratë të pavarur. Vetëm në këtë mënyrë mund t‘i kujtojmë emrat e qindra shqiptarëve që luftuan për një shtet të pavarur, të cilët kanë dhënë jetën e tyre për ta parë Kosovën të shkëputur nga Serbia. "Pranvera" e pavarësisë në Kosovë ka ardhur pa të rënët e luftës për mbrojtje të zhvilluar nga UÇK-ja në vitin 1999. Fotografitë dhe emrat e tyre janë në duart dhe në kujtimin e atyre mijërave kosovarëve të cilët kishin dalë në rrugët e Prishtinës për të festuar pavarësinë. Lista e dëshmorëve, të cilët ishin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e gjatë, njësoj si vitet që Kosova ka qenë nën tutelën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Mijëra kosovarë përjetuan regjimin më të egër kolonial, duke u hedhur në kryengritje të kësaj padrejtësie që mban emrin Serbi. Adem Jashari ishte bërthama e UÇK-së, i cili vra në moshën 43-vjeçare, në vitin 1998 në Prekaz. Jashari humbi jetën si një hero dhe trim legjendar i Luftës së Kosovës.
UÇK Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e njohur me shkurtesën UÇK dhe është krijuar nga shqiptarët në Kosovë. Kjo ushtri kishte për qëllim çlirimin e territorit të Kosovës nga serbët që kishin pushtuar këtë rajon të banuar plotësisht nga shqiptarë që nga viti 1912. Pas masakrave të shumta të serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë, UÇK-ja filloi aktivitetet e saj ushtarake duke formuar zonat komanduese në krye me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, ku drejtues politik u zgjodh Hashim Thaçi dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh gjeneral lejtnant Agim Çeku. Komandanti dhe luftëtari më i njohur i kësaj ushtrie ishte komandanti Adem Jashari, i cili ra heroikisht në mbrojtje të atdheut në vitin 1998. Jashari mbetet figura më e shquar e rezistencës heroike të popullit shqiptar në Kosovë dhe u shpall Hero Kombëtar nga Presidenti Ibrahim Rugova. Varri i heroit Jashari u vizitua dy ditë para shpalljes së pavarësisë nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Por si mori fund kryengritja e kosovarëve ndaj serbëve dhe rruga që u ndoq në bashkëpunim me ndërkombëtarët deri më 17 shkurt të 2008 për të fituar pavarësinë? Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, në pajtim me marrëveshjet e dala nga bisedimet e Rambujesë mes delegacionit kosovar dhe përfaqësuesve të OKB-së, UÇK-ja transformohet pas një procesi çarmatosjeje në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
Masakrat Më 15 janar 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të gjuajnë me granata fshatin, prej vendeve të quajtura "Pishat", "Gështenjat", "Rrasa e Çallakut" dhe nga "Çesta" përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve, forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.
Në këtë betejë u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. Ky ka qenë një nga shkaqet që ka bërë të mundur krijimin e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, e cila me forcat e saj luftonte kundër forcave policore serbe.
Dëshmorët Gjatë luftës në Kosovë u dëbuan 600000 shqiptarë, u vranë 15000 njerëz dhe janë zhdukur 5000 njerëz. Nga data 15 deri më 19 janar 1999, në Reçak dhe në rrethinë është zhvilluar një luftë e përgjakshme. Njësitë e UÇK-së gjatë këtyre ditëve zhvilluan disa beteja të përgjakshme me forcat kriminale serbe për ta mbrojtur popullatën e gjithë rajonit nga operacionet shfarosëse. Ndër të vrarët në radhët e UÇK-së në këtë betejë përmendim emrat e heronjve: Ahmet Kaçiku, Ali Beqa, Ismail Luma,
Mehmet Mustafa, Sadik Mujota dhe shumë emra të tjerë. Nga kjo betejë në Reçak mbetën të vrarë rreth 20 ushtarë të UÇK-së.
Në betejat kundër serbëve, krahas emrave si Adem Jashari, Adrian Krasniqi, Bedri Ahmeti, Bekim Berisha e shumë të tjerë, renditet edhe një hero nga Shqipëria, që luftoi në krah të UÇK-së. Trimëria në betejat e përgjakshme të Preshevës në Kosovë dhe më pas në Maqedoni do të mbetet gjatë në mendjen e bashkëluftëtarëve të Skerdilajd Llagamit. I njohur në radhët e UÇK-së me epitetin "Komandant Shpendi". Skerdilajd Llagami, ish-pjesëtar i repartit të forcave speciale të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, gjatë trazirave që përfshinë vendin tonë në periudhën mars-qershor 1997. Pas kësaj periudhe, ai si shumë djem të tjerë iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qëkur ai iu bashkua këtij formacioni luftarak në Kosovë, iu besua detyra e komandantit të batalionit të dytë të brigadës 124, që mbrojti popullsinë e zonës së Koshares gjatë bombardimeve që bëri ushtria serbe. Pas përfundimit të kësaj lufte, Skerdilajd Llagami udhëhoqi ushtrinë drejt suksesit të radhës në Preshevë dhe pas përfundimit të luftës së Kosovës, me kërkesë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ai kaloi malin e Sharrit dhe u fut në Maqedoninë e përfshirë edhe ajo nga lufta. Fatkeqësisht, në një betejë të përgjakshme në vitin 2001, Komandant "Shpendi" humbi jetën dhe pak vite më vonë shteti shqiptar e shpalli atë "Dëshmor të Kombit".
Kur Millosheviçi firmosi kapitullimin në Kumanovë
Si lindi UÇK-ja Lufta e Kosovës filloi "zyrtarisht" më 5 mars të vitit 1998, në luftën legjendare të familjes Jasharaj kundër forcave paramilitare serbe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të parën herë u shfaq në varrimin e mësuesit Geci, në Drenicë, më 28 nëntor 1997. Çlirimi i Kosovës filloi më 24 mars 1999 dhe zgjati deri më 10 qershor 1999, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës, së bashku me Aleancën Veriatlantike NATO, detyruan forcat serbe dhe kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviçin, të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë. Në këtë luftë u dëbuan 600000 shqiptarë, u vranë 15000 njerëz. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë, ku 90% prej tyre qenë civilë të paarmatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Gjithashtu mësohet për rrëmbimin e mbi 3 mijë shqiptarëve, ku pas luftës një pjesë e tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi, ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 2087 të tjerëve. Sipas një përllogaritjeje, gjatë periudhës kohore mars 1998-qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore e fetare.
Betejat e përgjakshme të UÇK-së
Heronjtë e UÇK-së Adem Jashari 1955-1998
Skerdilajd Llagamin 1999
Adrian Krasniqi 1972-1997
Bedri Ahmeti 1999
Bekim Berisha 1966-1998
Edmond Hoxha 1997
Indrit Cara 1971-1999
Lutfi Musiqi 1968-1999
Mehmet Visoka 1999
Zahir Pajaziti 1962-1997
Hakif Zejnullahu 1997
Ismet Jashari 1967-1998
Sali Cekaj
Tahir Zemahj
Ushtarët e vrarë më 15-19 janar 1999 Ahmet Kaçiku 1964 - 1999
Ali Beqa 1973 - 1999
Ismail Luma 1975 - 1999
Mehmet Mustafa 1938 - 1999
Sadik Mujota 1939 - 1999
Shaqir Berisha 1969 - 1999
Kadri Syla 1967 - 1999
Nazim Kokollari 1974 - 1999
Vezir Jashari 1975 - 1999
Skënder Qarri 1975 - 1999
Enver Rashiti 1974 - 1999
Lutfi Bilalli 1957 - 1999
Sadik Osmani 1957 - 1999
Nexhat Ramadani 1978 - 1999
Ragip Bajrami 1978 - 1999
G.Shqip