×

Sindikatat ne Shqiperi mbrojne interesat e punedhenesve dhe jo te punetoreve

Sindikatat ne Shqiperi mbrojne interesat e punedhenesve dhe jo te punetoreve

· 1 · 207

  • Postime: 26499
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 29-01-2020, 11:35:00
Lidhje të shkurtra: Sindikatat vjelin miliona nga ‘kontratat kolektive’ me shtetin
Sindikatat shqiptare i kanë kthyer kontratat kolektive në një mjet për të mbledhur kuotat e anëtarësisë direkt nga institucionet buxhetore dhe kompanitë publike, duke u kthyer në organizata formale që promovojnë interesat e punëdhënësve më shumë se të drejtat e punëtorëve.
Në vitin 2018, Elson Jaçaj, infermier pavioni në Spitalit Polivalent në Tiranë u shkarkua nga detyra për shkak të një interviste në media ku ankohej për kushtet e punës. Urdhri i shkarkimit i erdhi nga drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me argumentin se ai kishte thyer Kodin e Etikës dhe kishte bërë komente të papërshtatshme për institucionin.

Infermieri 36-vjeçar iu drejtua për ndihmë sindikatës ku ishte anëtarësuar vite më parë, por kjo e fundit iu përgjigj se nuk mund të përballej me shtetin.

Jaçaj, i cili është njëherazi kryetar i Shoqatës së Infermierëve i tha BIRN se sindikata nuk i përfaqësonte shqetësimet e tyre, pavarësisht se mblidhte çdo muaj kuotat dhe u mbante infermierëve 100 lekë nga paga direkt nga borderotë e QSUT-së.

“Pjesa më e madhe e infermierëve në QSUT nuk dinë që u mbahen kuota, pasi nga rroga mbahen edhe kuotat për Urdhrin e Infermierit edhe kuotat për sindikatën, pastaj janë komisionet që mban banka edhe nuk shkon njeri të interesohet pse i mungojnë 100 lekë,” tha ai.

Marrëdhënia e infermierëve të QSUT-së me sindikatën e tyre nuk është e pazakontë. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se një listë e gjatë institucionesh shtetërore dhe kompanish publike u mbajnë çdo muaj punonjësve të tyre nga paga kuota anëtarësimi në sindikata, për të cilat punonjësit nuk kanë dhënë miratimin dhe shpeshherë as që kanë dijeni.

Vetëm nga institucionet buxhetore të arsimit, shëndetësisë, policisë dhe burgjeve, sindikatat kanë mbledhur gjatë 4 viteve të fundit dhjetra miliona lekë në kontribute; ndërkohë që pagesa të majme të bazuara në kontratat kolektive bëhen edhe nga kompanitë publike, si OSHEE, KESH dhe Posta Shqiptare.

Këto lloj kontratash, sipas ekspertëve kanë krijuar një rrjet interesash financiare midis punëdhënësve të sektorit publik dhe sindikatave, duke e bërë të pamundur përfaqësimin e interesave të punëmarrësve në rastet e shkarkimeve arbitrare nga puna.

“Këtu ndodh që punëdhënësi mban kuotat nga paga dhe ia kalon sindikatës, duke u kthyer në një agjent të sindikatës për mbledhjen e kuotave,” tha Edison Hoxha, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejta në Punë.

“Duke u lidhur me punëdhënësin, sindikata merr kuotat për të gjithë të punësuarit pavarësisht se punonjësi nuk ka shprehur pëlqimin për të qenë pjesë e sindikatës dhe i merr kuotat edhe pa dijeninë e punëmarrësit. Madje ka edhe raste kur kuota mbahet me detyrim, sepse i kërcënojnë me vendin e punës,” shtoi ai.

Pyetjeve të BIRN në lidhje me kontratat kolektive dhe mbledhjen e kuotizacioneve iu përgjigjën vetëm Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, të cilët thanë se kuotizacionet mblidhen me miratimin me shkrim të punonjësve.

“Polica e Shtetit ka 12,000 punonjës, të cilët  mund të bëhen anëtarë të sindikatës pasi të kenë deklaruar me shkrim pëlqimin dhe të kenë pranuar derdhjen e kuotave, të cilat mbahen në bazë të nenit 117 të kodit të punës, ku parashikohet që kuotat të mbahen çdo muaj nga paga,” tha kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Satedin Fishta, duke shtuar se drejtuesit e policisë “kanë vendosur në bazë të kodit civil që të mos mbajnë kuotat nga paga dhe t’i kalojnë për llogari të sindikatës”.

“Ne kemi bërë një ankimim në gjykatë [dhe] kemi fituar shkallën e parë dhe tani po presim vendimin e apelit. Pra prej dy vitesh ne nuk marrim asnjë kuotë nga anëtarët tanë,” shpjegoi Fishta.

Edhe kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi pohoi se rreth 400 anëtarë të saj e kishin miratuar me shkrim mbledhjen e kuotave sindikale.

“Kuotat mblidhen në bazë të nenit 117 pika 2 të kodit të punës dhe shpenzohen për aktivitete të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të artistëve,” tha ai.  “Kuotacioni është 100 lekë në muaj, edhe vetë anëtarët e shoqatës shprehen se është një vlerë shumë e vogël, por me ketë vlerë do vijojmë të mbrojmë të drejtat e artistëve,” shtoi Ibrahimi. Me shume ketu https://www.reporter.al/lidhje-te-shkurtra-sindikatat-vjelin-miliona-nga-kontratat-kolektive-me-shtetin/