Varrezat e makinave duhet të zhduken brenda 7 tetorit - Tema Aktuale

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Varrezat e makinave duhet të zhduken brenda 7 tetorit

Varrezat e makinave duhet të zhduken brenda 7 tetorit

· 1 · 475

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 14-09-2011, 12:50:14
Emirjon Senja

Akti normativ i qeverisë për zhvendosjen e varrezave të makinave ka ardhur krejt papritur për pronarët e këtyre bizneseve jo pak fitimprurëse. Vetëm pak minuta pas fjalimit të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë së datës 7 shtator, qeveria miratoi Aktin Normativ për ndalimin e ngritjes së varrezave të makinave, si dhe zhvendosjen e atyre që ndodhen në një rreze më të vogël se 1 kilometër nga akset e rrugëve kombëtare.

“Një nga problemet e mëdha janë kodrat e ndryshkura që janë ngritur kudo nga automjetet e hedhura. Ato do të zhduken me shpejtësi të madhe. Zoti ministër i Mjedisit, unë pres sa më shpejt vendimin për heqjen e varrezave të makinave dhe ndalimin e përdorimit të qeseve plastike. Ku hedh sytë, ato të dalin si kartolina turpi”, – i kërkoi ai Ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu.

Vendimi prek thuajse të gjitha varrezat e makinave në vend pasi pjesa dërrmuese e tyre ndodhen pranë akseve nacionale. Prania në afërsi të rrugës i bën ato lehtësisht të vizitueshme nga ata që kërkojnë një pjesë këmbimi, të cilën nuk kanë mundësi financiare ta blejnë të re apo më keq akoma kur nuk e gjejnë në treg. “Ndalimin e krijimit të vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim”, – theksohet në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria.

Por, përpos ndalimit të grumbullimit të automjeteve të vjetra, qeveria detyron pronarët e varrezave ekzistuese që t’i zhvendosin ato me paratë e tyre në një vend tjetër brenda një muaji nga miratimi i Aktit Normativ. “Pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e tij, duhet t’i largojnë, me shpenzimet e veta, nga vendndodhja e tyre aktuale këto mjete. Ato mund t’i rivendosin në vende të tjera, të lejuara dhe të autorizuara për këtë qëllim, duke zbatuar edhe kërkesat e tjera ligjore për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbrojtjen e mjedisit”, – vijon Akti Normativ.

Akti mban datën 7 shtator 2011 dhe duhet që varrezat të zhvendosen brenda datës 7 tetor 2011, pasi në të kundërt ato do të konfiskohen. Zhvendosja e varrezave të makinave mbart një kosto të lartë për pronarët, por Akti Normativ nuk parashikon situatën kur pronarët të mos i zhvendosin për shkak të kostos, por ti lënë aty duke u bërë përsëri një problem për mjedisin.
Vendimi për varrezat e makinave, më i shpejti në historinë e qeverive!

Kryeministri hapi papritur temën e varrezave të makinave dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, u kap i papërgatitur. Fillimisht, ai tha se duhej parë si çështje, por Berisha kundërshtoi duke i thënë që varrezat duhet të hiqeshin menjëherë. Kjo temë u duk sikur do të kishte zhvillime në të ardhmen dhe do të sillte hartimin e projektligjit përkatës, por në Fletoren Zyrtare u publikua papritur akti normativ, i cili rezulton të jetë përpiluar gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila zgjati më pak se dy orë. Në mbledhjen e një jave më parë, Berisha foli edhe për qeset plastike, si dhe pirgjeve të plehrave që gjenden thuajse në çdo cep të vendit, ndërkohë që deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje konkrete në këtë drejtim përveç se heqjen e varrezave të makinave.

 

Përse ekzistojnë varrezat e makinave

Varrezat e makinave janë një fenomen që është përhapur gjerësisht në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në periferi të qyteteve ose buzë akseve kombëtare ndodhen fusha të tëra me makina të vjetra dhe të përplasura. Ato shërbejnë si një “supermarket” gjigant për ata që nuk kanë para të përballojnë koncesionarët. Kryesisht në varreza shkojnë makinat që përplasen dhe pronari i mjetit duhet të paguajë shumë para për ta riparuar. Në rast se nuk ia vlen, atëherë dërgohet në varreza ku bëhet “pazar” për çmimin me pronarin e pikës së grumbullimit. Kryesisht në makinat e vjetra vlerësohet motori, pjesët xhenerike dhe pjesë të tjera të konsumit. Kështu, një makinë e përplasur e ma më të lehtë të gjejë xhamin, fenerin ose pasqyrën e thyer në një varrezë makinash se sa në dyqan. Pjesët janë të përdorura, por vjetërsia e tyre kompensohet me origjinalitetin. Shpesh herë të leverdis më shumë të marrësh një pjesë të përdorur gjermane nga një makinë e përplasur se sa një pjesë turke nga një dyqan. Leverdia vjen edhe nga çmimi pasi në varreza pjesët kushtojnë shumë më lirë se sa në qyqan.

Një tjetër grup pjesësh që blihen në varreza janë edhe “gjërat” e vogla që ka tapiceria e makinës. Duke nisur nga fletët e kondicionerit dhe duke përfunduar tek sedilja e pasme ose tek levat e hapjes së xhamave, është më e leverdishme që të blihen në varreza. Makinat që dërgohen në varreza qëndrojnë aty për vite të tëra deri sa rripen tërësisht nga çdo pjesë e përdorshme. Në momentin që mbetet vetëm një skelet i ndryshkur, makinat e vjetra nisen për në pikat e grumbullimit të skrapit. Pasi shkrihen, makinat përfundojnë të eksportuara jashtë vendit për hekur.

 

Pikat kryesore ku ndodhen varrezat e makinave

Rruga e vjetër Tiranë-Durrës deri në Kavajë

Të dy krahët e autostradës Tiranë-Durrës

Rruga Mamurras-Laç

Rruga Elbasan-Metalurgji

Rruga Lezhë–Shkodër

Rruga Rrogozhinë-Fier

Rruga Ballsh-Tepelenë

 

 

Pronarët: Si mund të shtyhemi? Kemi blerë pronën!

Lajmi për zhvendosjen e varrezave të makinave e ka shokuar kategorinë e biznesit që merret me këtë fushë. Ka dy segmente biznesi shumë të rëndësishme kjo kategori: të parët janë ata që kanë pika, në të cilat merren vetëm me pjesë këmbimi dhe makina të vjetra, të dytët janë ata që kanë pika ku ndërthuren makinat e vjetra me grumbullimin e hekurishteve për skrap, të cilat janë edhe të licencuara nga vetë shteti. Nga bisedat që “Shekulli” zhvilloi dje me disa prej tyre dy janë shqetësimet kryesore të kësaj kategorie:

E para, zhvendosja që kërkohet nga qeveria, për ta është me kosto të mëdha ose thuajse e pamundur. Ata e kanë blerë pronën ku janë vendosur dhe spostimi do të thotë që duhet të blejnë pronë tjetër .

E dyta, këto biznese kanë një numër të punësuarish jo të vogël dhe në përgjithësi nga shtresa më e varfër e shoqërisë. Këta mund ta humbasin vendin e punës duke shkaktuar kosto sociale plus në vend. Pronarët do të kërkojnë që shteti të kompensojë kostot e zhvendosjes së tyre, e cila përfshi tokën, rrethimet dhe në tërësi investimin e bërë në ndërmarrje të tilla.

 

Nga 60 euro në 200 euro

metri katror kushton toka anës rrugës nacionale. Me këto çmime i kanë blerë tokat ku kanë ngritur biznesin e tyre, pronarët e pikave të makinave të vjetra dhe grumbullimit të skrapit. /shekulli

Temat e fundit