Punonjës të përkushtuar të shkencës historike-arkeologjike - Arkeologji

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Punonjës të përkushtuar të shkencës historike-arkeologjike

Punonjës të përkushtuar të shkencës historike-arkeologjike

· 1 · 864

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 22-06-2011, 01:28:55
Punonjës të përkushtuar të shkencës historike-arkeologjike

Bashkim KADIU

Të shkruajsh për çiftin Hidri është kënaqësi. Zonja Hava e zoti Sali Hidri, gjithmonë na kanë dhënë kënaqësinë e intelektualëve që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë në historishkruarjen e qytetit tonë, po aq të respektuar si një çift qytetarësh durrsakë, të cilët mbartin në personalitetin e tyre një fisnikëri për t'u admiruar.

Jeta e tyre është një pasqyrë e konceptit për jetën e punën. Aq bukur është mpleksur ky koncept saqë do të thoshim pa hezitim se janë një model i përkryer i asaj simbioze ku familja e puna bëhen një. Kanë krijuar së bashku modelin e bukur, që rallë herë ndeshet, atë të bashkëshortëve në fushën e shkencës, siç është ajo e arkeologjisë. Trualli i kësaj bashkëjetese u gjend pikërisht në qytetin e tyre me atë nëntokë të pasur të vlerave arkeologjike e historike, siç është Durrësi.

Të dy studentë të të njëjtit fakultet, atij të historisë, punonjës të emëruar në vitin 1970 në Muzeun Arkeologjik të Durrësit me drejtor arkeologun e mirënjohur, Vangjel Toçi, nga i cili përfituan sa mundën nga eksperienca e tij, u njohën dhe lidhën jetën e tyre bashkëshortore me njëri-tjetrin, në vitin 1972. Një zgjedhje e bukur, dinjitoze e frytshme.

Kur Dr.Sali Hidri publikoi në vitin 1997 librin "Durrësi… 1900-1939 (nëpërmjet shoqatave patriotike-kulturore-sportive)", e ndjeva se qytetit tonë iu rivlerësua e kaluara jo e largët, e asaj periudhe ku etërit tanë ishin përfshirë në problemet e kohës, siç qe dhe viti i madh i 1912-s. Pas leximit e quajta përgjegjësi e detyrim qytetar jo vetëm ta përgëzoja, por dhe ta falënderoja për atë botim dinjitoz si asnjëherë, që gjer më tani, nuk ishte shkruajtur për lëvizjen patriotike durrsake. I dërgova në ato ditë, pasi e përpiva si i thonë, me një frymë leximin, një kartolinë falënderimi. Parafjala që Dr.Ali Sula kish shkruar për librin dhe autorin më preku dhe më forcoi edhe më tepër përshtypjen që kisha marrë si lexues nga kjo vepër me të vërtetë me vlera. Nga ai vlerësim po shkëpus pasazhin si vijon:

"Në këtë vepër që i bën nder Durrësit dhe gjithë bashkësisë kombëtare, autori përshkruan me dashuri dhe ndjenjë ëndrrën, punën dhe luftën e figurave të nderuara, vlerën e lartë të shoqatave ku ata vepruan, shpesh të mbështetur nga mjedisi qytetar bashkëkohës. Vepra të dhuron një lexim të frytshëm dhe të këndshëm, që zgjon interes nga kapitulli në kapitull, duke ofruar njohje faktesh të reja ose pak të njohura e të mjegullta për shumëkush, deri në zbulime informative kronikale të rëndësishme".

Me lejen e autorit do të citoj nga fax.04319709954 që Dr.Michael Schmidt-Neke, Goethestr.3, D-24116 Kiel i dërgon Prof.Dr.Emil Lafe në Akademinë e Shkencave Tiranë për zotin S.Hidri, me këtë tekst:

"Fort i nderuar zoti profesor Hidri,

Profesor Emil Lafe ma dërgoi një pako me disa libra, duke përfshirë librin tuaj aq të bukur dhe të vlefshëm për historinë e Durrësit.

Projekti juaj ka rëndësi të veçantë, sepse në historiografinë shqiptare deri tani mungojnë shumë studime për qytete e krahina dhe pikërisht për epokën e neglizhuar nga historianët e epokës së kaluar.

Ju uroj shumë se, libri juaj u botua me cilësi të lartë nga shtëpia botuese italiane "Acustica"; kështu është edhe një libër i mirë edhe një libër i bukur.

Kur të vij herën tjetër në Shqipëri, do t'isha i gëzuar kur mund të takohemi.

Ju përshëndes dhe ju falënderoj.

Huaji (firma)".

Nga viti 1997 e gjer më tani familja Hidri i ka dhuruar qytetit tonë një kolanë të larmishme botimesh. Kur shfleton librin e zotit Sali Hidri, titulluar "Bibliografi e autorëve Hava e Sali Hidri (Katalog i arsyetuar)", në shqip e anglisht, botuar në vitin 2010, aty njihesh me të njëzet librat monografikë të tyre me temë nga historia, arkeologjia, monografi personalitetesh durrsakë (në fushën e jurisprudencës, së letrave, përkthimeve dhe folkloristike), pa numëruar kolanën e guidave turistike. Ata janë po kaq prodhimtarë e dinjitozë në kumtesat e mbajtura si brenda vendit dhe jashtë në konferencat e simpoziumet shkencore. Duke e njohur nga afër veprimtarinë e tyre, jam në dijeni dhe të tre botimeve të reja në proces botimi, të cilat nuk janë përfshirë në atë "Bibliografi" që përmenda më sipër. Ajo që spikat është dashuria e tyre për vlerat e pashtershme historike-arkeologjike të qytetit tonë.

Prof.ass.dr.Hava e Dr.Sali Hidri janë ndër personalitetet më në zë të Durrësit. Ata kanë një jetë të tërë që kanë punuar, kontribuar në fushën e muzeologjisë, qoftë si punonjës shkencorë ashtu dhe drejtues të këtyre institucioneve të kujtesës historike. Zonja Hava si punonjëse shkencore e këtij institucioni dhe zoti Sali Hidri për 26 vjet drejtor i muzeve të qytetit tonë.

Vargu i botimeve të tyre ka qenë i pandërprerë. Shkruajnë me kompetencë, duke na dhënë jo vetëm informacionin e pasur shkencor, por dhe zhdërvjelltësi stili në të shkruajtur, me aq elegancë, saqë nuk të bëhet t'i largosh nga duart librat e tyre. Janë të thjeshtë, të sinqertë, të besueshëm në librat e tyre sepse mbizotëron në ato dokumentacioni autentik, shkencor që na e japin me thjeshtësi, besueshmëri e kompetencë, me fakte dhe konkluzione të besueshme. Punimet e tyre karakterizohen nga dokumentacioni i pasur, larmishmëria e fakteve, sipas temës arkeologjike a historike, monografi personalitetesh durrsake, bazuar në burime arkivore.

Në bibliografinë e botuar mbi punimet e tyre, lexuesi e ka si në paqyrë krijimtarinë e tyre. Ato prekin tema fondamentale të zhvillimit historik të Durrësit. Kështu punimet e tyre ndahen apo grupohen: Në libra monografikë, në libra pedagogjikë (shkollorë) dhe botime të karakterit turistik (guida, albume, etj.). Botimet e tyre kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, si dhe të kritikës shkencore. Punimet e tyre japin një tablo të plotë të ecurisë së qytetit tonë që nga prehistoria e deri në ditët e sotme. Kështu lexuesi i vëmendshëm sheh te librat e Prof.Hava Hidrit tematikën e prehistorisë e të zhvillimit të qytetit në shekujt e hershëm të tij me hapësirë kohore që nga prehistoria e deri në Antikitetin e vonë. Në punimet e përbashkëta të bashkëshortëve Hidri, lexuesi merr njohuri të plota për një nga monumentet më madhore të qytetit tonë e në shkallë kombëtare siç është zbulimi e studimi fondamental i tyre mbi Bazilikën e Arapajt kushtuar Shën Mëhillit (shek VI e.sonë). Gjithashtu larmishmëria e guidave, e albumeve turistike, dalë nga dora e tyre, janë perla të bukurisë që u fal lexuesve dashuri e respekt për qytetin e Durrësit, kurdoherë perlë në brigjet e Adriatikut, për të cilin udhëtarë e historianë të Antikitetit e kanë vlerësuar së tepërmi.

Fushatat e gërmimeve të tyre kanë qenë një shkollë e arkeologjisë durrsake. Prof.Hava Hidri të gjitha fushatat e gërmimeve të saja në terren i ka bërë në zonën kodrinore të qytetit, në "Kodrat Daute" etj., ku shtrihej nekropoli antik i Dyrrahut. Kanë qenë fushata gërmimi sa interesante aq dhe modele të hulumtimit në terren, me rezultate të pritshme. Materialet e fushatave të gërmimeve në këtë nekropol kanë sjellë shumë objekte me interes si për vetë studiuesen, si material bazë i studimeve të saja të ardhshme (që pasqyrohen në një sërë botimesh të kësaj autoreje), ashtu dhe në pasurimin e fondeve e të sallave të ekspozimit në Muzeun Arkeologjik të qytetit. Gjithashtu fushatat e mëdha prej shtatë vjetësh në Kodrat e Shën Mëhillit, përballë Plazhit "Iliria", 6 km, larg qytetit tonë, të ndërmarra nga Prof.H.Hidri e Dr.S.Hidri i dhanë qytetit tonë, shkencës arkeologjike shqiptare monumentin madhor, Bazilikën e Shën Mehillit në Arapaj, shek VI e.re, një nga monumentet madhore të kësaj epoke, epoka e Justinianit, për vendin tonë.

Ata kanë një jetë intensive hulumtimi, studimi e botimesh. Kanë parë gjithmonë me optimizëm jetën, nuk u janë "afruar" kotësisë së saj. Qytetarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Të qetë, pa fjalë, larg "bujës" e fryrjes mediokre. I kanë dhënë kësaj shoqërie, këtij qyteti, pa pretenduar të pamerituarën. Qytetarët durrsakë për punën e tyre kanë shprehur me kohë admirimin e tyre. I nderojnë ata, dinë t'i përshëndesin, t'i vlerësojnë, e t'u shprehin mirënjohjen e tyre për atë kontribut të vyer që i kanë dhënë qytetit e qytetarisë durrsake.

Më ka ardhur mirë kur kam lexuar vlerësimin e shkrimtari Shpendi Topollaj për punën e tyre: "Më shumë se një rastësi, do ta quaja fat për qytetin e Durrësit që bashkëshortët Hava dhe Sali Hidri me përkushtimin e shkencëtarëve të vërtetë, hulumtojnë, shkruajnë, inkurajojnë njëri-tjetrin, bashkëpunojnë dhe botojnë libra me vlera të mëdha arkeologjike dhe historike, duke na detyruar të nderojmë dhe vlerësojmë kontributin e tyre të çmuar.

Temat dhe figurat që ata trajtojnë me kompetencë profesionale, kulturë, ngrohtësi njerëzore, por dhe dashuri për atdheun, janë një kontribut i padiskutueshëm në fushat përkatëse. Kushdo që e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e tyre, ka konstatuar se intuita e pagabueshme i ka orientuar ata, që të dinë ku të drejtohen e çfarë të zgjedhin".

Kur autorja Prof.Hava Hidri botoi librin "Shtatë mbretërit taulantë", bëra një shkrim në gazetën lokale "Durrësi Bulevard", në shenjë respekti e mirënjohjeje për këtë zonjë të nderuar e të palodhshme për shkencën e arkeologjisë. E quaj të arsyeshme të jap një pasazh nga ky shkrim për ta nderuar përkushtimin e kësaj gruaje arkeologe të nderuar:

"Prof.Hava Hidri nuk rresht së trajtuari tema me vlera shkencore për lashtësinë e qytetit të Durrësit. Botimet e saj janë të shumta, ku spikat dashuria prej një arkeologeje që ia ka kushtuar gjithçka trashëgimisë së vendlindjes… Në tërësi veprat e Prof.Hava Hidri, studimet e saj shkencore janë një thesar i dijes historike kombëtare. Prirja e autores për të shpalosur të vërtetën historike e ka zanafillën gjatë studimeve, hulumtimeve e gërmimeve në terren. Veprat e saj kanë rrjedhshmëri, janë të kristalta, plot nuanca historike që të ngjallin kureshtje, respekt dhe krenari për historinë e të parëve tanë".

Një jetë përkushtuar arkeologjisë e vlerave historike, traditës, institucioneve muzeale. Jo pak, por 26 vjet punë intensive e të frytshme në fushën e shkencës. Punë, sakrificë, devotshmëri, dashuri, përkushtim, kuptohet duke u privuar nga jeta e tyre shumë gjëra. Sidomos fushatat e gërmimit në nekropol e ato në Arapaj për zbulimin e atij thesari arkeologjik siç është bazilika dhe mozaiku i saj ndër më të rallët në arealin ballkanik, që njohin jo vetëm bashkautorësinë e këtij çifti, por dhe të studiuesve seriozë. Puna e sakrifica e tyre u kurorëzua tani së fundi me botimin e veprës "Bazilika e Shën Mëhillit-Arapaj-Durrës" nga Akademia e Shkencave austriake, Vjenë. Ky është një vlerësim jo vetëm për meritat shkencore të këtyre dy autorëve tanë durrsakë, por dhe për vetë shkencën shqiptare, e cila ka pjesën e saj në përgatitjen e këtyre kuadrove shkencorë siç janë çifti i arkeologëve Hava e Sali Hidri. Kemi pse të krenohemi dhe ne bashkëqytetarët durrsakë, miq, shokë e dashamirës të tyre. Kur studiuesi i qytetit tonë, zoti Hasan Ulqini, e pa në dorëshkrim këtë vepër madhore të arkeologëve Hidri shkruajti:

"Ky libër është fryt i një pune dhjetëravjeçare përsa i përket gërmimit dhe hulumtimit të fakteve, që lidhen me këtë bazilikë dhe që pazgjidhshmërisht bën pjesë (duke zënë një vend të rëndësishëm), në historinë e qytetit të Durrësit…

Libri është një vepër shkencore dinjitoze që mund të radhitet (për nga vlerat), ndër librat më të mirë për sa i përket fushës së arkeologjisë dhe historisë së botuar në vendin tonë. Kjo është arsyeja që ai ka tërhequr vëmendjen e institucioneve dhe akademive më prestigjioze në Europë, të cilët kanë shfaqur një interesim të madh".

Për mbyllje të këtij shkrimi do të huazoj shënimin e redaksisë së Shoqatës së Studimeve "Pal Engjëlli" - Durrës, mbi kontributin e të dy autorëve tanë:

"Një jetë me kontribute në arkeologji-histori në qytetin e Durrësit, punonjës të kësaj fushe. Durrësi u dha pjesë nga vlerat e tij shumëshekullore. U dha kënaqësinë e të jetuarit të jetës, të bëjnë emër me studimet e tyre mbi lashtësinë e këtij qyteti, të ngazëllehen me historinë e tij të pandërprerë. Kaluan jetën në muzetë e qytetit, atij Arkeologjik e Historik dhe të Kulturës Popullore. Dhanë kontribut në revista shkencore, në referime e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, si dhe në monografi të shumta. Ndihmesa e tyre është e ndjeshme në zbulimet arkeologjike. Veçojmë zbulimin e Bazilikës së Arapajt, kushtuar Shën Mëhillit, me mozaikun e tij shumë të bukur, e ndër të rrallët në trevën ballkanike. Po aq të suksesshëm kanë qenë në zbulimet në nekropolin antik të Dyrrahut, duke sjellë vlera të paçmuara në muzeun e qytetit". RD

Temat e fundit