Shala e Bajgorës dashuria dhe dhembja ime - Arkeologji

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Shala e Bajgorës dashuria dhe dhembja ime

Shala e Bajgorës dashuria dhe dhembja ime

· 3 · 3433

  • Postime: 1631
  • Karma: +2/-6
  • Gjinia: Mashkull

ne: 05-12-2006, 23:17:28


Shala e Bajgorës dashuria dhe dhembja ime

       Ka kohë, janë mbushur më shumë se dhjetë vjet, qëkur Shala e Bajgorës vazhdon të më preokupojë, të më pushtojë... Më tërheq peizazhi i mrekullueshëm i saj, më mahnit historia e lavdishme e saj, më entuziazmon e më bën krenar pasuria materiale dhe shpirtërore e saj... Megjithatë, më shqetëson edhe gjendja e tanishme e saj. Shumë fshatra sot janë shterur, kanë mbetur, të thuash, shkret. 

   
Banorët ua kanë kthyer shpinën si për inat Boletinit, Batahirit, Cerajës, Zijaçës, Ofçarit Zabërgjës, Rrzhanës, Dedisë... Nesër?! Mos, o Zot! Atje ku s'ka zëra njerëzish, fëmijësh, atje ku s'ka blegërima delesh, qengjash..., atje dëgjohen vetëm bubullima, atje korbojnë korbat, atje kullosin vetëm rrufetë...
    Në çdo stinë, besa, nganjëherë edhe çdo muaj, më është bërë shprehi të ngjitem në Shalë të Bajgorës dhe të bëj pelegrinazh në ndonjërin prej fshatrave të saj. Shkoj për t'u ngazëllyer e për të vuajtur njëkohësisht. Nuk ka vend në Shalë ku nuk ka shkelur këmba ime!   

   
Këtë funddhjetor (29 dhjetor 2002) kam vendosur ta vizitoj sërish Gjytetin dhe, nëse më del kohë, do të ngjitem, s'e di për të satën herë, edhe te Kulla e Isës në Boletin. Shala, ah Shala e Bajgorës!... Për të hyrë në gjirin e saj gjithmonë kam kapërcyer nëpër derën e Trepçës. Sot u nisa për të hyrë nëpër një shteg tjetër. Hyra nëpër portën e Qytezës (Smrekonicë) në jug. Udha Tërthore nëpër Llanak, Çajr e Shorte më nxjerr majë Qafës, Te Birat e Kishës së Gjytetit të Rashanit. Aty ndalem dhe vështroj përreth Shalën e Bajgorës. Gjithçka ma thith shikimin. Më bëhet sikur kam hipur në tempullin kombëtar...
   
   
- Në këtë dekor madhështor janë zhvilluar ngjarje të mëdha historike
   
Shala e Bajgorës, disa parapëlqejnë ta quajnë Shala e Mitrovicës, shtrihet në lindje të Angrit të lashtë (Lumit të Bardhë - Ibrit) deri te Murgulla e Lumi i Kaçanollit. Nis nga Bardhana e Albanikut, në veri, dhe përfundon te lumthi i Qytezës, në jug, duke përfshirë një sipërfaqe prej afro 300 km², Relievi malor formon fizionominë kryesore të kësaj hapësire të rëndësishme gjeografike. Lëvizjet tektonike që kanë ndodhur në kohën e tercierit, kanë bërë që mbi shtresat gëlqerore të formohen shtresa të trasha të shkëmbinjve vullkanikë, të cilët, si rezultat i proceseve postvullkanike, janë bartës së xehes së plumbit dhe zinkut. Meqë kjo hapësirë është shumë e pasur, prej kohës antike e deri në Mesjetë këtu ka ekzistuar një organizim i jetës politike e shoqërore.
        Banorët e parë që mund të identifikohen si një grup etnik, i kanë takuar fisit ilir të quajtur Dardan. Shala e Bajgorës, duke filluar nga shpirti i popullit e deri te rrënojat e kështjellave, si kjo e Gjytetit të Rashanit, është plot me prehistori. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një jetë të organizuar dhe kulturë të lartë të paraardhësve tanë. Trashëgimia materiale është një tregues i mirë që dëshmon qartazi se pasuria xeherore është eksploatuar në masë të madhe nga ilirët. Kështu romakët, pas ardhjes në këto treva, kanë shfrytëzuar njohuritë xehetare të popullsisë autoktone. Pasuritë xehetare të Trepçës mundësuan zhvillimin e mëtutjeshëm të vendbanimeve të vogla e të mëdha, të cilat lidheshin përmes rrugëve tradicionale, të vogla e anësore, me ato magjistrale në drejtim të pjesëve kryesore të Dardanisë e më gjerë.
 
Dikur, siç na tregojnë burimet historike, siç dëshmojnë gjetjet arkeologjike, siç na flasin gojëdhënat e moçme, rrëfimet e pleqve etj., Shala e Bajgorës dhe hapësira e saj me vargmale të larta, me gryka të thella, ishte njëra ndër sheshet e moçme të ndeshjeve të mëdha e të përgjakshme... Përleshjet titanike në mes të ushtrive të huaja pushtuese dhe luftëtarëve iliro-shqiptarë, beteja me jehonë të madhe historike janë zhvilluar në këtë dekor madhështor të këtyre maleve. Shala e Bajgorës shpeshherë gjatë historisë u bë faktori më determinues i qëndresës kombëtare. Shumë ngjarje të mëdha me dimensione kombëtare kanë pasur si prolog kryengritjet e shaljanëve, qëndresën titanike të tyre. Kështu shaljanët hynë në skenën famëmadhe edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare, edhe në kohën më të re...   
 
 

   
- Gjyteti i Rashanit vazhdon të sfidojë historinë e pashkruar dhe pret kazmën e arkeologut
 
Gjyteti i Rashanit (toponimi i tij nuk është aq memec sa duket në vështrim të parë - nganjëherë më bëhet se ai do të më shpie atje ku as vetë nuk e besoj se mund të arrij) është një gravurë madhështore e ekspozuar në cepin jugor të Shalës së Bajgorës. Në brendinë dhe mbretërinë e heshtjes së tij provoj të marr vesh diçka, të kuptoj prej saj ndonjë gjë... Këtu, në kohë të lashta ka vluar jeta. Sot nuk ka njerëz këtu. Ata kanë ikur. Kanë ikur edhe shekujt. 
   
Por Gjyteti dhe muret e tij kanë mbetur këtu. Këtu, me siguri, dikur është luajtur një tragjedi e madhe. Pas ndonjë lufte të tmerrshme, të ndonjë termeti a lëngate, njerëzit nuk e morën me vete Gjytetin e tyre. E ruajtën në kujtesë. Vendi i tyre i dashur ka mbetur gjithmonë pas, si një qiell i ngrirë, si një pikëllim i tyre... Aty afër në rrah kanë mbetur edhe varret. Prandaj pikëllimi, sigurisht, duhet të ketë qenë dyfish më i madh. Ka mundësi që në fillim të epokës sonë banorët e braktisën Gjytetin dhe zbritën në fushë. Atje ata lanë gjurmët e veta të padiktueshme në varrezat e moçme, kanë lënë emrin e moçëm...
 
Megjithatë, Gjyteti vazhdon të qëndrojë në dekorin e lashtë të rrënimeve, vazhdon të jetojë në kujtesën e rashanasve që është më e fortë se muret çiklopike të kështjellës! Bota shpirtërore e këtyre njerëzve ende qëndron më lart se memecëria e arkivave dhe bibliotekave, ende thotë me zë të lartë gjëra të harruara nga ato... Njerëzit, për të mos e harruar vendin e të parëve, në shenjë dashurie e kujtimi, morën për mbiemër emrin e vendbanimit të tyre...
 
Sot Gjyteti ka mbetur një grumbull i madh gurësh. Popullata që gjithë jetën ka vuajtur për grurë, më shumë se për gurë, nuk është interesuar shumë për këta grumbuj gurësh. Kështu, thana, murriza, kaça, lajthi, shkoza..., pas përpjekjesh shekullore, kanë arritur të triumfojnë mbi gurët edhe me ato pak lëndë organike që kanë mundur të thithin përmes gurëve...
 
 
- Të bëjmë diçka sa s'është zbehur kujtesa
 
Disa pleq, enciklopedi të vjetra lëvizëse, edhe sot vazhdojnë të rrëfejnë për Gjytetin, i cili dikur në kohë të moçme, shtrihej deri në Vushtrri; për Kroin e Nuseve në Mazhiq, ku për një natë janë bërë 77 dasma e kanë ardhur 77 nuse; për... Sot, në kohën e kompjuterizmit, këto "enciklopedi" dita - ditës po i mbyllin kapakët pa e ditur askush se ç'visare të lashta përmbajnë "pergamenet" e tyre!... Gjyteti i Rashanit që e nxirrte kujtesën e pleqve nga gjendja opake me të cilën ishin mbuluar qytete të tjera në kujtimet e brezave, nesër s'do të jetë më as në... Prandaj...
 
Gjyteti është zhdukur, po kanë lindur shumë gojëdhëna si kujtim i qenies së tij të dikurshme. Me zhdukjen e tij edhe sot e kësaj dite nuk është ndërprerë kujtesa e tij e moçme, sepse fisi ka lënë aty afër (në Rashan, në Qytezë, në Sumë...) një degë të tij... Është rrënuar Gjyteti i Rashanit, është shkretuar, por shpirti i popullit nuk ka pësuar rrënim të plotë. Ai mezi u qëndroi kataklizmave në mënyrë të pashembullt. 
   
Megjithatë, sa s'është zhdukur e shuar gjithçka nga rrënjët, sa s'është zhveshur plotësisht nga kujtimet historike, sa s'është zbehur plotësisht kujtesa, sa s'ka rënë ajo në gjendje të plotë terri, duhet të bëjmë diçka në këtë drejtim. Toponimi i Gjytetit, si pjesa më inerte e këtij vendbanimi të lashtë, është aty. Toka me emrin e lashtë e me Gjytetin brenda në gjirin e saj është aty. Në hapësirat e legjendave e të dokumenteve të lashta unë shoh qartë rrënojat e Gjytetit, të cilat janë ende aty. Ato sikur vazhdojnë edhe më tej të sfidojnë historinë e pashkruar. Gërmadha e vjetër plotëson me një detaj gojëdhënën e moçme dhe, me dritën e zbehtë, përpiqet të ndriçojë, si një kometë që vie nga qiejt e largët e të errët...
 
Gjyteti i Rashanit dikur ka qenë një qendërbanim i fortifikuar ilir që i përkiste periudhës së parë të hekurit. Ai siguronte lëvizje të qetë në rrugën që përbënte arterien më të rëndësishme të Dardanisë...
        Ngjitem ngadalë e me kujdes mbi faqen e shkëmbit ku gjenden disa vrima. Banorët këtë vend e quajnë "Te Birat e Kishës". Kam idenë se pikërisht tek to ndodhet çelësi i etimologjisë së emrit Gjytet. Brenda shoh gjurmë asketike. Deri vonë, thonë, janë dalluar fragmente muresh të kishës së vjetër. Edhe unë, si të parët tanë dikur, mund të komunikoj lirshëm me sy edhe me qytezat përreth. Në një territor të vogël, thonë, kanë qenë shtatë kisha... 
  Dhe prapë bie në mendime. Bota prehistorike ilire dhe bota aktuale e kohërave moderne, megjithatë, janë dy botë të pandara. Ato janë dy paralele që çuditërisht priten mu para syve të mi. Edhe këtu në Gjytet, edhe në Xhaminë e vjetër të Mazhiqit, edhe në Kishën katolike të Shën Pjetrit në Stanterg (Trepçë), po të trokiste kazma e arkeologut, nga gjiri i tokës do të dilnin profilime të kulturave të lashta prehistorike... 

       
Gjyteti i Rashanit ende nuk është bërë objekt gërmimi, hulumtimi arkeologjik. Pos arkeologut të ndjerë, Bajram Koshutanit, me sa di unë, askush tjetër nuk ka hulumtuar as nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Jam i bindur se aty ndodhen edhe tuma të lashta. Tumat e mëdha, për të cilat flasin pleqtë, me siguri, përbëjnë një nekropol të moçëm. Në Rashan dhe në fshatrat përreth janë ngritur shtëpi dhe gjurmët e mureve të kalasë, të kishave dhe të tumave gati janë zhdukur. 
   
Arkeologët tanë, për momentin, meqë nuk kanë mundësi materiale të bëjnë hulumtime shkencore, do të duhej t'u linin brezave të ardhshëm, të paktën, një hartë të saktë arkeologjike, duke i shpallur objektet e saj monumente të paprekshme kulturore, pavarësisht se në pronën e kujt ndodhen. Ashtu si e kanë ruajtur njerëzit mbi tokë kulturën e tyre shpirtërore, me siguri, me po atë fanatizëm e ruan edhe nëntoka kulturën e vjetër materiale në thellësitë e saj. Prehistoria e Shalës së Bajgorës duhet të dalë nga nëntoka ku është duke u prehur me shekuj...
 
 
- Në dekorin madhështor të Boletinit gurët e Kullës së Isës po troshiten...
 
Në mesditë u ndava nga Gjyteti i Rashanit. Nuk më bëjnë këmbët të kthehem në shtëpi pa e vizituar edhe Kullën e Isës në Boletin. Pasi vizitova Xhaminë e Mazhiqit (shek. XVI), Kishën e Shën Pjetrit në Trepçë (shek. XV), udhëtova nëpër kurrizin e vargmaleve që kanë vënë supin njëri-tjetrit.
 
Rruga që përbiron nëpër fytin e luginës, më nxori te Guri i Kushtrimit. Përballë me del Kulla e Isës. U gjenda ballë për ballë me një mall të madh. Nuk munda të mbaj më peshën kozmike të këtij malli. Ai doli nga vetja ime, mbushi gjithë hapësirën që më rrethonte, dhe shkoi larg, përtej viteve e shekujve... 
   
Kulla e Isës! Sa herë e kam përfytyruar mbi re të bardha, ashtu siç rrëfejnë për të vargjet e këngës popullore!... Nisem drejt saj. Shkel mbi gurët e ngrënë nga rrufetë e erërat... Gjatë rrugës nuk takoj njeri... Dikur në këtë qiell të kaltër çanin ajrin krahët e fortë të shqiponjës, ndërsa mbi kreshtat e këtyre bjeshkëve shihja njerëz tek ecnin a fluturonin me nga një palë flatra në ije...
 
Ndalem në kikol. Shikimi më derdhet te kisha serbe. Në oborrin e saj dalloj një selvi. Atë nis ta tundë era. O Zot, se si më duket si bisht dhelpre. Po, po kjo kishë ka qenë gjithmonë strofull e dhelprave!...Sakaq në derën e konakut shfaqet një murgeshë. Pas saj dalin disa ushtarë të KFOR-it.
   
Sa herë jam ngjitur këtu pranë Kullës së Isës, kam ndier një krenari të ligjshme. Ashtu siç ndihet çdo njeri kur gjendet në tempullin kombëtar! E sot, si ndihem sot, o Zot? Kurrë më të dëshpëruar, kurrë më të shkapërderdhur, kurrë më të troshitur shpirtërisht!...Kulla e Isës që me shekuj ka lëshuar rrënjë në këtë kështjellë gjigante natyrore, ku shaljanët u rezistuan me heroizëm rrebesheve të ushtrive të ndryshme, sot më duket si një gjyshe e thinjur, me fytyrë të rrudhur sa s'ka mbetur vend as edhe për një rrudhë të vetme, me duar në gji, e gërmuçur, si hënë e ngrirë e e ngrënë...
 
Përpiqem të kap përmasat e trimërive të mëdha të harmonizuara në relievin e veçantë, por s'më lënë krrokamat e sorrëshkinave, kori i korbave që korbojnë kob, s'më lënë tingujt e çjerrë të këmbanës  së kishës serbe që ka lëshuar rrënjë dhe shkëlqen si nuse e llastuar pranë kullës së Isës, s'më lë kryqi i madh i gdhendur lart në shkëmbin përballë që më bëhet sikur tallet me këtë muranë të mjerë, s'më lënë gurët gjigantë të kullës që kanë filluar të thinjen nga heshtja e të troshiten nga dhembja e pikëllimi, s'më lënë frengjitë e saj që më duken si sy të zbrazët, s'më lënë Kroi i Isës dhe uji i përrockës që dënesin në gjuhën e valëve, s'më lënë shtëpitë bosh e të braktisura si me inat nga njerëzit e lozës së Isës, s'më lënë trungjet e pemëve, ai i qershisë, i mënit e i një skamne që kanë kaluar kufijtë maksimalë të moshës biologjike dhe duken sikur u është mërzitur jeta, s'më lënë...
 
Kjo kullë e Isës e ngritur si një kështjellë gjigante (tamam për tragjedi gjigante), e cila i nxori shaljanët dhe gjithë shqiptarët në skenën e trazuar historike të Evropës, si edhe 77 shtëpitë e tjera të braktisura, mërdhijnë në këtë dimër të "butë", dënesin në heshtje në këtë dekor madhështor. U mbushën tri vjet qëkur ka përfunduar lufta. As nuk u kthyen banorët e Boletinit këtu (si duket i ka lënë vullneti për të jetuar në këtë djep të lavdisë), as nuk u renovua kulla, as nuk u rivarrosën eshtrat e Isës e të bashkëluftëtarëve të tij që u sollën në Mitrovicë më 15 nëntor 1998, as...
 
Para një decenie, pikërisht më 28 dhjetor 1992, pas vizitës që i pata bërë kullës së Isës, në një reportazh timin, ndër të tjera, pata thënë: “Boletini është portreti më i qartë i gdhendur në Shalën e Bajgorës dhe në gjithë relievin madhështor kombëtar. Është portreti i virtyteve më të mëdha. Në Boletin përmasat e tokës janë tepër të vogla në krahasim me përmasat e trimërisë së shaljanëve; dimensionet e maleve: Majdanit, Majës së Zezë e Kreshbardhës as që mund të maten me dimensionet e besës; madhësia e bjeshkëve nuk mund t’i afrohet madhësisë së bujarisë; hapësira e pyjeve të larta është tepër e ngushtë para hapësirës së fjalës së dhënë; thellësia e luginave është mjaft e cekët para thellësisë së burrërisë shaljane; luginat me bar e lule të livadheve të Barelit e Samatit nuk janë kurrë krahëhapur në shpatet e maleve sa ç’është mikpritja në pragun e kullës së shaljanëve!...”
 
Po sot, ç’mund të them sot? Nuk kam çfarë të them, më besoni! Këtu s’ka njerëz, domethënë s’ka më dashuri, mall për Boletinin, kullën, historinë, të kaluarën e lavdishme, s’ka më!... Prandaj nuk kam forcë më të shkruaj. Prandaj nuk di çka të them! Të them se?!...
 
Terri lëshohet ngadalë. Megjithatë s’ma thotë zemra t’ia kthej shpinën kullës, e cila më bëhet sikur në çdo çast tkurret. Bëhet sa një gogël! Një mjegull, si qefin, e mbështjell shpejt. Një lot më përvidhet nga sytë, zhdirgjet nëpër faqet që më djegun. Mbështes kokën në qemerin hark të portës së madhe dhe ia nis vajit gati me zë. Po, po qaj. S’më vjen turp pse qaj! Qaj se s’mund të bëj asgjë për kullën. Largohem vetëm disa hapa. “Po shkon? – m’u bë sikur dëgjova zërin që doli nga njëra frengji e kullës. Ai zë m’u duk sikur m’i puthi sytë e brymtë. “Zhdirgju dhe, kur të kthehesh në qytet, përshëndeti bashkëfshatarët e Isës. Sa herë kanë ngrënë bukë në këtë kullë.
 
S’di pse e braktisën Boletinin. S’di pse u është zverdhur dashuria, kujtimi për vendlindjen e kullën. Unë megjithatë i dua! Ua thuaj këtë, të lutem! U thuaj se unë, megjithatë, nuk kam mbetur vetëm këtu. Kam njerëzit e mi në varre dhe çdo dimër, edhe bora e sivjeme i thinji, po... E ndjej aromën, avullin e shpirtit të tyre. Kam kujtimet... As mali nuk është vetëm. Ai ka shushurimën e degëve e gjetheve. As fushat e arat, ndonëse kanë mbetur djerrë, nuk janë vetëm. Në to kullosin rrufetë!... Oh!... Më fal, u ligshtova pak, po...
   
Ndalem dhe mbështetem në trupin e skamnës. Shikoj degët e saj që duken si duar. Sakaq në njërën degë të saj shoh tek var kafkën hëna e zbehtë. Në tjetrën ulet ngadalë e pikëllueshëm trishtimi im!...

  • Postime: 1210
  • Karma: +0/-0
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 06-12-2006, 01:48:17
Shalen e Bajgores te Baces Ise,ia kemi fale integrimeve euroatlantike.Nuk do të hidhërohet as Baca Ise!Kemi bërë aty një Kishe serbe dhe ...meqë kisha është shpi e Zotit,s`është me rëndësi se ne cilën gjuhe folet dhe shahet...

Dhe,meqenëse sot asnjë dashuri ke populli shqiptar nuk ekziston,as për emër,familje=grua, femi, gjuhe, komb, kulturë, fe, tradite, atedhe, histori, libër, dituri, pune, ndertim...po çka na duhet ne Shala kur turperohemi apo s`guxojme me ti themi  dikujt nga te huajt qe jemi dhe duam te jemi shqiptatare!
Guxojme të themi vetëm qe jemi demokrate dhe qe duam te ikim nga këtu...sa me pare dhe t`mos degjojme me asnjëherë për këtë vend te mallkuar qe dikur  guxuam ta quajmë Shqipëri!
Dhimbjen mbaje,kete s`ta denon demokracia euroatlantike vetem dashurine(perIsen) s`ta lejon!

#2 ne: 09-04-2009, 23:09:50
qka je ka thue bre shala shala nuk je kerkund hiq ka kushe flet dhe e thote se ne se kemi ndermende ti bejmi amin askujt per trojet tona e shalen se kemi fale e ase qe do e falim keto jane fjale enderra te atyre qe nuk e njohin ase vehten e tyre

Temat e fundit