Të dhëna të reja për prejardhjen e Hënës
Astronomët japonezë kanë gjetur shenja të mineraleve në Hënë, të cilat mund të shpalosin një pjesë të sekretit për prejardhjen gjeologjike të satelitit të vetëm të planetit Tokë.
Në një studim të publikuar të dielën në revistën shkencore “Nature Geoscience” thuhet se duke iu falënderuar sondës “Kaguja”, e cila është dërguar në orbitën rreth Hënës në vitin 2007, ekipi i shkencëtarëve japonezë ka gjetur shumë gjurmë të mineralit “olivin”, në unazat e koncentruara në tri rajone të kraterit në Hënë.
Struktura dhe prejardhja e Hënës nuk janë konfirmuar dhe shkencëtarët po diskutojnë në lidhje me këtë për dekada me radhë. Sipas njërës nga teoritë, Hëna është krijuar para 4,5 miliardë vjetësh, ashtu që një pjesë e Tokës është shkëputur me rastin e ndeshjes së saj me ndonjë trup kozmik.
Derisa masa është formuar në formën e topit, sipërfaqja e saj gradualisht është ftohur dhe ka krijuar një mineral të quajtur feldspat.
Të dhënat e sondës “Kaguj” paraqesin hapjen e një kapitulli të ri të hipotezës së quajtur “Oqeani i masës së pa formësuar të Hënës”.
Këto të dhëna sugjerojnë se pas formimit të shtresës së epërme, kanë vazhduar aktivitetet në brendinë e lëngshme të Hënës – mbështjellësi i pasur me “olivin” ka ardhur nga thellësia e Hënës deri në sipërfaqe, përkatësisht deri te shtresa e epërme.
Pasi që kjo shtresë ishte shumë e hollë në kratere, të dhënat e sondës tregojnë se “olivini” ka rrjedhur në sipërfaqe me rastin e goditjes së Hënës nga meteorët.
Gjurmët e ekzistimit të “mbështjellësit hënor” ishin shumë të vogla dhe deri më tash ishin të pakonfirmuara. Misioni amerikan “Apollo” ka arritur të sjellë pjesë të gurëve nga Hëna, por një gjë e tillë nuk mundi të ndriçojë strukturën e Hënës.