×

Si është formuar universi?

Si është formuar universi?

· 1 · 440

  • Postime: 26403
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 01-10-2011, 23:20:41
Deri sot, Bolshoi është simulimi më i detajuar i evolucionit të strukturës së universit nga momenti i Big Bang, ashtu si sugjeron edhe vetë emri i projektit që do të thotë “i madh”. Studiuesit e High-Performace Astrocomputing Center (University of California) dhe të New Mexico State University kanë filluar para disa javësh të publikojnë të dhënat e simulimeve të tyre, duke ofruar pikëpamje të reja shumë interesante për të kuptuar se si funksionojnë galaksitë dhe për të kuptuar karakteristikat e lëndës së errët. Lënda e errët nuk është e verifikueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shfaqet përmes efekteve të saj gravitacionale.

Sasi e madhe e të dhënave, që vinë nga llogaritje komplekse kozmologjike, është përpunuar nga super-kompjuteri Pleiades i NASA-s dhe ka sjellë realizimin e disa simulimeve video. Modeli mbi të cilin po punojnë shkencëtarët nuk është i gjithë universi, por vetëm një pjesë e barabartë me kubin në të cilin brinjët kanë gjatësi një miliard vite dritë. Në një vëllim të tillë mund të përmbahen një milion galaksi. Për të pasur një metër krahasimi, rruga e qumështit (galaksia jonë) është e gjerë rreth 100 mijë vjet dritë dhe mjegulla galaktike e saj është e gjerë 1.5 milion vjet dritë. (Mjegulla galaktike është pjesa e hapsirës që rrethon galaksitë spirale dhe është e përbërë nga gaz, yje dhe besohet edhe lëndë të errët).

Simulimi video nis nga 24 milion vite pas Big Bang-ut në bazë të llogaritjeve se si do të duhej të dukej në atë kohë universi dhe vazhdon me evolucionin e 8.6 miliard grimcave, secila nga ato paraqet një sasi të lëndës së errët me një mas rreth 200 milion herë atë të diellit. Në intervale të rregullta, super-kompjuteri që bëri simulimin ka realizuar një imazh të pamjes së universit gjatë fazave të evolucionit. Në bazë të 180 imazheve tre dimensionale është realizuar më pas një animacion, që do të ndihmoj astrofizikanët të kuptojnë më mirë si është i bërë universi.

Të dhënat e publikuara deri tani janë 1% e të gjithë asaj që do prodhohet nga simulimi. Pavarësisht nga sasia e vogël e të dhënave, parashikimet e marra nga modeli po gjejnë korrespondenca të shumta me observimet e bëra nga astrofizikanët ndërmjet teleskopëve, satelitëve dhe sondave.

(a.h/BalkanWeb)