×

A mjaftojnë teoritë e ekonomisë në universitete në kohën e krizës?

· 1 · 307

A mjaftojnë teoritë e ekonomisë në universitete në kohën e krizës?

· 1 · 307

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 16-11-2011, 16:04:55
A mjaftojnë teoritë e ekonomisë në universitete në kohën e krizës?

Në fillim u lëkundën bankat, tani po lëkunden shtete të tëra. Prej vitesh, bota e financave ndodhet në atmosferë krize permanente. Kjo ka pasoja për shkencën.

Kush ka studiuar ekonomi dhe administrim biznesi dhjetë vjet me parë, ka dëgjuar rrallë për rregullimin e sistemeve, rreziqet e tyre apo për etikën ekonomike. Temat që kanë të bëjnë me ndërhyrjet e shtetit në tregje nëpërmjet ligjeve, me rreziqet që vijnë prej kësaj, rreziqe që mund të shpien në shkatërrimin e sistemeve të përgjithshme të financave, ose temat që kanë të bëjnë me vlerat njerëzore tek të cilat duhet të orientohen menaxherët e ekonomisë, janë tema që kanë fituar rëndësi me fillimin e krizës financiare dhe janë duke u hulumtuar tani në mënyrë intensive.

Teoritë ekonomike bazë në pikëpyetje

Studiuesit e ekonomisë kanë patur deri tani një kornizë model, pra një filozofi bazë e cila besonte se tregjet financiare duhen lënë në qetësi, thotë profesori i ekonomisë, Achim Wambach nga Universiteti i Këlnit.

"Nga kriza është bërë e qartë se modeli që kemi përdorur ka kufizimet e veta. Integrimi i tregjeve financiare në modele, integrimi i bankave qendrore, integrimi i rreziqeve të sistemeve në këto modele, këto janë hapat e tjerë, dhe në këtë drejtim është duke u punuar tani më shumë.“

Kudo, si në mikro- ashtu edhe në makroekonomi është duke u parë çfarë e shkakton kolapsin financiar dhe çfarë mund të bëjë shkenca në të ardhmen për të shmangur një gjë të tillë.

"Këtu diskutohen gjëra, që kanë qenë më parë të paimagjinueshme, sepse një ideologji e tërë kishte depërtuar në treg, pra ideologjia që tregjet i zgjidhin vetë të gjitha problemet, ne duhet vetëm të lëshojmë frenat. Ndërkohë, është parë se nevojiten rregulla, se nevojitet nxitja e kapitalit, dhe për këtë duhen njerëz të bindur që japin mbështetjen."

Kjo do të thotë se studentët duhet të mësojnë se është e rëndësishme që me anë të rregullave shteti t'i vendosë kufij tregjeve dhe që bankat kanë nevojë për më shumë kapital, në mënyrë që të kenë para në raste krizash. Edhe njeriu, me dobësitë dhe forcat e tij kthehet në fokus të studiuesve të ekonomisë. Prandaj, aktualisht është shumë në modë studimi i ekonomisë së sjelljes, e cila analizon si sillet njerëzit në situatat ekonomike.

Njeriu dhe sjellja e tij në fokus të studiuesve të ekonomisë

"Një aspekt shumë i rëndësishëm aty është besimi. Besimi në tregje. Unë duhet të ngre struktura të pushtetit, në mënyrë që palët e tregut të kenë besim reciprok. Dhe kjo është një gjë që mund të vëzhgohet në krizë. Kriza është edhe krizë besimi. Bankat nuk besohen më, këshilltarët e bankave nuk besohen më. Pra, si duhet të jenë kushtet institucionale, në mënyrë që të krijohet sërish besimi tek tregjet, ose që të ngrihen tregje të tjera."

Jo vetëm në degën e ekonomisë, edhe në degën e administrimit të biznesit besimi tek forca e tregjeve të lira ka marrë të çarë të madhe, thotë Thomas Hartmann-Wendels profesor i specialitetit "Bankë" në fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Kölnit.

"Ne kemi besuar shumë në efikasitetin e tregjeve financiare, por kjo ka treguar se nuk do të thotë se kjo bën që rreziqet të ndahen më mirë, por që nganjëherë rreziqet shpeshtohen dhe rreziqet për sistemin janë në përgjithësi më të mëdha. Prandaj ekzistojnë disa aspekte, që i mësuam nga kriza dhe që do zbatohen tani në modelet ekonomike."

Një shembull konkret, se si mund të ndihmohet politika në një model të tillë, për zbutjen e krizës është taksa bankare. Ideja është që sa më e rëndësishme të jetë një bankë për sistemin e përgjithshëm, aq më e madhe relevanca e saj në sistem, aq më shumë para duhet të verë ajo mënjanë, në mënyrë që të mos falimentojë në rast krize.

"Në mënyrë që një gjë e tillë edhe të funksionojë, kushti është që ne të kemi mundësi të masim relevancën në sistem. Këtu na mungon instrumenti. Ajo që shohim ne tani është deduktiviteti, pra një rregull i thjeshtë vlerësimi i cili gërsheton argumenta të caktuara, por që nuk është me bazë të fortë teorike. Këtu është shumë e rëndësishme, që nëse arrijmë njohuri shkencore që të themi se relevanca e sistemit varet nga ky apo ai faktor, dhe që taksa bankare të bëhet në funksion të tij.“

Sfida: hartimi i modeleve praktike shkencore

Sfida e ardhshme e shkencës, mendon doktoranti Claudio Wewel është të gjejë këshillimet konkrete për politikën dhe të ngrejë modele praktike shkencore, për të përballuar më mirë krizat. Në leksionet e tij ai diskuton shumë me studentët për krizën dhe vështirësitë me të cilat përballet dega e tij.

"Unë besoj, se problemi i shkencave ekonomike është aktualisht, se lëvizin në një nivel shumë teorik. Mbase do të kishte më shumë kuptim, që të zhvilloheshin teori që mund të zbatohen konkretisht, dhe që politikanëve t'u vendoseshin në dispozicion prognoza që të mund t'i përdorin vërtet."

Autori:  Nikolaus Steiner, Aida Cama
Burimi:  Deutsche Welle
Postuar më:  15 Nëntor 2011
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super