×

Amerikania “Sky Petroleum” “merr” naftën e Shqipërisë

Amerikania “Sky Petroleum” “merr” naftën e Shqipërisë

· 2 · 621

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 24-06-2010, 23:25:17
Tiranë – Në jug të Shqipërisë do të kërkohet për gaz dhe naftë dhe për këtë tashmë është nënshkruar marrëveshja.
Kërkimi për lëndët djegëse tejet të rëndësishme në kohën tonë, i është besuar kompanisë amerikane "Sky Petroleum".

Investimi i kompanisë Sky Petroleum për kërkimin e naftës dhe të gazit në Bllokun 4 dhe 5 dhe në zonën e Dumresë është rreth 7-8 milionë dollarë, ndërsa parashikimet flasin për një potencial naftë mbajtës deri në 900 milionë barrela.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka sqaruar se kërkimet do të bëhen në disa zona të vendit. "Sapo kam firmosur një marrëveshje të re hidrokarburesh për kërkime në tre Blloqe të Shqipërisë, në Bllokun 4 dhe 5, si dhe në bllokun e Dumresë, me kompaninë amerikane "Sky Petroleum", tha Prifti.

"Me zotin Karim Jabanputra kemi marrë angazhimin që të kërkojmë në blloqet e Jugut të Shqipërisë në bllokun 4 dhe 5, që përfshin Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, deri Tepelenë dhe në bllokun e zonës Dumresë për t’u investuar 7-8 milionë dollarë për kërkimin e naftës dhe të gazit në këtë zonë, e cila ka një potencial naftë mbajtës deri në 900 milion barrela, të paktën nga parashikimet", tha kreu i METE-s.

Duke besuar tek konfirmimi i shifrave nga kërkimet, përpunimi i të dhënave sizmike dy dimensionale, si dhe nga shpimet e reja, që sipas marrëveshjes do të bëhen nga kompania amerikane "Sky Petroleum", ministri Prifti u shpreh shumë i kënaqur, që kompania ka treguar interes për të kërkuar në këtë zonë të Shqipërisë. "Kjo zonë më parë ka qenë shumë e vështirë për të tërhqeur investitorë për të bërë investime për kërkime", u shpreh Prifti.

Duke çmuar kompaninë Sky Petroleum për angazhimin e saj për të investuar në Shqipëri, ministri Prifti bëri të ditur se me këtë marrëveshje mbyllet eksplorimi i një zone shumë të rëndësishme të vendit.  Sipas kreut të Ekonomisë, "me këtë marrëveshje mbyllet një zonë shumë e rëndësishme, që e mendojmë me  potencial të madh naftëmbajtës dhe gazmbajtës për t’u eksploruar plotësisht dhe deri në fund, të paktën për një hark kohor disa vjeçar, sipas marrëveshjes.

Në vitin e parë kompania do të bëjë përpunimin e të dhënave sizmike dydimensionale, të cilat janë sot në arkivat tona, rishikimin dhe përpunimin e tyre. Më pas, në vitet e tjera ka një grafikë të detajuar të investime dhe kërkimeve në këto zona. "Shpreh kënaqësinë dhe falënderoj përfaqësuesit e kompanisë Sky Petroleum për angazhimin që kanë marrë, bashkë me qeverinë shqiptare, për të investuar për kërkimin e naftës dhe gazit në këto zona", theksoi Prifti. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë Sky Petroleum, Karim Jabanputra vlerësoi shpejtësinë dhe lehtësinë e procesit për nënshkrimit e marrëveshjes me ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
     
Jabanputra tha se "eksperiencat e mëparshme të kompanisë kanë treguar që procese të tilla kanë qenë shumë të gjata, ndërsa në rastin e marrëveshjes me ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në Shqipëri ky proces ka qenë shumë i shpejtë".

Duke shprehur kënaqësinë "që kemi firmosur marrëveshjen sot me ministrinë e Ekonomisë së Tregtisë dhe Energjetikës", ai vlerësoi se "hasëm një proces inteligjent, të pastër dhe të shpejtë. Eksperienca tona të mëparshme kanë treguar se këto procese kanë qenë shumë të gjata, por me ndihmën e institucioneve dhe të ministrive procesi ka qenë shumë i shpejtë. Së shpejti do të stabilizojmë zyrat tona lokale dhe do të nisim nga puna për eksplorimin e blloqeve të sipërcituar". Puna për këto kërkime do të nisë brenda tre muajsh, ndërsa në fillim të vitit tjetër do të fillojë puna konkrete në Blloqe"

Start

  • Postime: 22599
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 26-12-2011, 23:27:10
Qeveria shqiptare ka anuluar pa shumë zhurmë muajin e kaluar një kontratë koncesionare për kërkimin e naftës dhe gazit, ndërsa kompania ‘Sky Petroleum’, kontrata e së cilës u anulua nga AKBN, e konsideron vendimin e padrejtë dhe kërkon nga qeveria dëmshpërblime që sipas saj, arrijnë në më shumë se 1 miliard dollarë, bën të ditur gazeta 'Shqip'.

Lajmi bëhet i ditur nga një deklaratë e kompanisë si dhe një deklaratë e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
 
Kompania ‘Sky Petroleum’, nga Teksasi, është një “penny company”, aksionet e saj tregtohen në bursë për 12 cent. Ajo ka emetuar rreth 60 milionë aksione dhe me çmimin aktual të aksioneve, vlera tregtare e të gjithë kompanisë, është vetëm pak milionë dollarë.

Kontrata

Ish-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti nënshkroi kontratën me kompaninë nga Teksasi në vitin 2010, dhe kjo marrëveshje u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe u publikua në Fletoren Zyrtare. Kjo është një nga shumë kontratat që qeveria ka nënshkruar me kompani fantazmë, të cilat shpesh zhduken nga harta e koncesioneve pa zhurmë. Këto lloj kompanish më së shumti funksionojnë si spekulime afatshkurtra, pasi kërkojnë të shfrytëzojnë miliardat e dollarëve që investitorët ndërkombëtarë i hedhin në kërkim të burimeve të reja të naftës.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njoftoi kompaninë shtatorin e kaluar se, nuk kishte plotësuar kushtet kontraktuale dhe për rrjedhojë kontrata e saj ndërpritet.

“Kompania duhej të krijohej dhe të kryente programin minimal të punës brenda tre muajve pas datës së miratimit, duhej të regjistronte një zyrë në Shqipëri si dhe duhej të dorëzonte te AKBN një garanci bankare”, – thuhet në njoftimin e AKBN-së.

Kompania iu përgjigj se, sipas mendimit të saj, kontrata nuk qe shkelur. Në nëntor, AKBN publikoi në faqen e vet në internet një njoftim ku saktësohej se kontrata me ‘Sky Petroleum’ qe ndërprerë dhe se blloqet e disponuara prej saj janë të lira për palët e interesuara. Mjaftoi njoftimi i AKBN-së në faqen e saj të internetit, që ‘Sky Petroleum’ të konsiderojë kontratën me qeverinë shqiptare të ndërprerë në mënyrë të njëanshme.

“Konsulenti ligjor i ‘Sky Petroleum’ i ka dorëzuar njoftimin AKBN-së se, ndërprerja e kontratës së koncesionit është kryer në kundërshtim me kontratën dhe për këtë arsye, kompania do t’i drejtohet shërbimit të arbitrazhit”, – thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Seksioni 24.2 (a) i kontratës së koncesionit, kërkon që AKBN të njoftojë ndërprerjen e kontratës 120 ditë para dhe se kontrata mund të quhet e përfunduar vetëm në rast se kompania nuk arrin të plotësojë kushtet e shkelura përgjatë një kohe të arsyeshme. ‘Sky Petroleum’ nuk është në shkelje të këtyre kushteve. Menaxhmenti beson se akuzat janë pabazuara dhe se njoftimi i përfundimit të kontratës nuk ka shkak të arsyeshëm”, – thotë kompania.

Kontrata e koncesionit sanksionon që mosmarrëveshjet mund të diskutohen nga një gjykatë arbitrimi. Shqipëria nuk ka eksperiencë të mirë në diskutime të tilla, pasi shpesh kompani të huaja i kanë fituar gjykimet, gjë që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë dhjetëra milionë dollarë. Gjykimi do të menaxhohet nga Shërbimi i Arbitrazhit i Zyrës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, ndërsa gjykimi do të ndodhë në Zyrih të Zvicrës.

“’Sky Petroleum’ kërkon dëmshpërblim financiar që përfshin fitimet e humbura të kompanisë nga kontrata e koncesionit, të cilat vlerësohet se janë më të larta se sa 1 miliard dollarë”, – thuhet në njoftimin e kompanisë. /top channel