×

Bankat transferuan 1 mld euro jashtë kufijve

· 1 · 309

Bankat transferuan 1 mld euro jashtë kufijve

· 1 · 309

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 25-11-2011, 23:50:46
Bankat transferuan 1 mld euro jashtë kufijve

SHKRUAN: Sabina Veizaj  25-11-2011 12:45

Të dhënat e Bankës Qendrore raportojnë për rreth 125 miliardë lekë, që bankat që operojnë në vendin tonë i kanë investuar jashtë. Kjo ka si shkak krizën, ku bankat bija në Shqipëri u kanë shërbyer mbi të gjitha borxheve të bankave mëma në shtetet fqinje.

Shuma monetare që është larguar nga vendi jashtë kufijve si kapital ka arritur shifrën e 1 mld eurove ose 129 mld lekë për pjesën e parë të 2011-ës. Ky kapital përkthehet në investime të sistemit tonë bankar në mjete të subjekteve të huaja, për shkak të likuiditetit të lartë në treg. Duke qenë se kredidhënia në vend është ulur ndjeshëm dhe depozitat nga ana tjetër janë rritur po ashtu, bankat kanë pasur këtë vit fonde të lira. Disa prej të cilave i kanë investuar në blerjen e financimin e borxhit të qeverisë shqiptare dhe pjesën tjetër i kanë investuar jashtë vendit, në bankat mëma ose duke blerë borxhet e vendeve të tjera të eurozonës. Sipas statistikave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, kjo shifër është rritur me 6% ndaj fundit të vitit 2010 dhe me 23.5% ndaj një viti më parë. Ndërkohë që vetëm vendosjet e sektorit bankar pranë institucioneve të huaja janë vlerësuar në masën 69.4 miliardë lekë, prej të cilave 59 miliardë lekë ishin në formën e llogarive rrjedhëse e të depozitave dhe 10.4 miliardë lekë ishin në formën e kredive. Për sa i përket formave të ndryshme të kreditimit, vlera e tyre të përfituara nga grupet bankare zotëruese dhe të përdorura rezulton rreth 19.5 miliardë lekë. Ndërsa, pjesa papërdorur e tyre nga grupet bankare zotëruese vlerësohet në rreth 46.1 miliardë lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë 2011, detyrimet ndaj të huajve në raport me totalin e detyrimeve shënuan vlerën 6.3%, nga 4.9% që shënuan në fund të vitit 2010. Në këtë mënyrë, citon raporti, rritja e ndjeshme e detyrimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 reflektoi mbështetjen në rritje nga ana e grupeve bankare vendase. Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2011 u shënua rënie e lehtë e kredive të huaja në raport me totalin e tyre, në nivelin 12.4%, nga 12.3% që ishte në fund të vitit 2010. BSH gjykon se ndonëse vërehet rritje e raportit gjatë gjashtëmujorit të parë 2011, situata shfaqet e normalizuar, duke pasqyruar qëndrueshmërinë e gjendjes financiare. Huamarrja nga grupet bankare vendase është aktualisht e pothuaj gjithmonë në valutë të huaj. Këto fonde konkurrojnë burimet e tjera të financimit të bankave në valutë, kryesisht depozitat në valutë nga klientët. Në fund të gjashtëmujorit të parë 2011, pesha e “Detyrimeve ndaj të huajve” në raport me “Totalin e detyrimeve në valutë” ishte në nivelin 12.6%, krahasuar me 9.6% që ishte në fund të vitit 2010 dhe 13.3% në fund të gjashtëmujorit të parë 2010. Kjo rritje pasqyron, thekson raporti, nevojën e bankave të veçanta për të siguruar fonde në valutë nga subjekte të huaja, kur mungon mundësia për t’i siguruar nga subjektet e huaja, konkretisht nëpërmjet depozitave në valutë të klientëve. Mbi të gjitha, për të parandaluar infektimin nga kriza në sektorin bankar nga vendet fqinje dhe gjithashtu për të ndaluar kapitalin të largohet drejt vendeve të huaja, Kuvendi miratoi ndryshimet për ligjin e bankave. Ligji në fjalë parashikon si një instrument të parandalimit të këtij rreziku dhe mundësinë e shndërrimit të degëve të bankave të huaja në filiale shqiptare, të organizuara si shoqëri tregtare dhe filiale të bankave të huaja. Kjo mënyrë e veçantë e krijimit të një banke ose filiali shqiptar nga një bankë e huaj parashikohet në projektligj si e detyrueshme për zbatim, kur gjykohet e nevojshme nga Banka e Shqipërisë për arsye të administrimit të riskut sistemik. Kjo do të thotë që bankat e huaja që operojnë në vend, si degë të bankave mëmë të funksionojnë si filiale shqiptare, pra t’i nënshtrohen ligjit shqiptar si banka të licencuara në vendin tonë dhe të vendosen nën mbikëqyrjen e plotë të Bankës së Shqipërisë, në rast se kjo e fundit e gjykon të nevojshme. Kjo masë vjen pas thellimit të krizës në Greqi dhe pasi artikuj të shumtë të sajteve të huaja kanë cituar ditët e fundit se një numër i konsiderueshëm bankash të huaja me një prezencë të madhe në Europën Juglindore janë nën një rrezik serioz në vendet e tyre, veçanërisht institucionet bankare greke. /mapo.al
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super