×

Bujqësia, tregjet dhe çmimet

· 3 · 4043

Bujqësia, tregjet dhe çmimet

· 3 · 4043

  • Postime: 27121
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 26-04-2008, 10:08:46
Jemin GJANA

Një sërë faktorësh, si ngrohja globale, përdorimi jo për ushqim i produkteve të bujqësisë, ndryshimi i kërkesës dhe strukturës konsumatore në fushën e ushqimeve etj., po analizohen dhe komentohen në dy vitet e fundit për ndikimin e ndjeshëm që kanë sjellë në prodhimet e bujqësisë dhe në tregjet e produkteve ushqimore. Çmimet e ushqimeve sipas indeksit të publikuar nga FAO kanë pësuar rritje të ndjeshme. Në vitin 2006 ato u rritën me 9 përqind krahasuar me vitin pararendës, dhe në vitin 2007 u rritën 23 përqind krahasuar me vitin 2006. Krahasimi i dhjetorit 2006 me dhjetorin 2007, ka një indeks rritje mesatare me 37 përqind në shkallë botërore, rritja më e madhe e shumë dekadave të fundit. Shqetësimi përditë e më shumë ka prekur nivelet e politikës dhe të institucioneve më relevante ekonomike dhe financiare të botës.

Edhe Shqipëria përballet me këto konjuktura. Ne nuk jemi në brezin e rajoneve dhe të vendeve me rreziqe të mëdha në rënien e produktit nga bujqësia, në nivelin e çmimeve të tyre apo në krijimin e situatave të rënda të urisë dhe varfërisë në vend. Kjo nuk do të thotë se ne kemi mbetur të pa prekur nga këto sfida. Nivelet e inflacionit të vitit të shkuar ishin rreth 4 përqind. Viti 2007 ishte një vit i vështirë bujqësor, megjithatë, krahasuar me një vit më parë, prodhimi i përgjithshëm bujqësor u rrit. Pati rënie të prodhimit të ullirit, të misrit dhe fasuleve, por ndërkohë u prodhuan më shumë se një vit më parë 20 mijë ton grurë, 10 mijë ton fruta, 20 mijë ton rrush, 20 milion kokrra vezë, 20 mijë ton mish peshë e gjallë. Investimet private në bujqësi u rritën me 10 milion dollarë dhe në agroindustri me 13 milion dollarë.

Debate të gjëra janë zhvilluar në mbyllje të vitit të kaluar lidhur me situatën e prodhimit të drithërave në vend, me importin e tyre dhe çmimin e njërit prej produkteve më sensitive si buka. Në situatën e re që u krijua, ne kemi këmbëngulur të ruajmë tendencën e profilizimit të fermës dhe specializimit të bujqësisë. Fermerët janë orientuar drejt në kushtet e tregut. Edhe pse rritën me rreth 10 përqind sipërfaqet e mbjella me drithëra, në vjeshtën e kaluar, vazhduan të ruajnë përparësinë e sektorëve të tillë si frutikultura, perimet, vreshtaria dhe minifermat blegtorale. Ky trend është i drejtë për bujqësinë tonë. Ne nuk përballemi dot me superprodhuesit e drithërave dhe konjukturat e tyre të tregut. Situatat nuk janë aq të zeza sa komentohen. Ne duhet t'i analizojmë ato me kujdes në përshtatje me kushtet tona. Në vitin 2004, prodhimi botëror i drithërave ishte 1 038 325 mijë ton dhe bota nuk pati ndonjë përballje me çmime në rritje galopante. Në vitin 2006, prodhimi botëror zbriti në 932 527 mijë ton, pra, mbi 100 milion ton më pak dhe tregu u disbalancua. Por në vitin 2007 prodhimi botëror i drithërave kapi përsëri sasinë 1 041 992 mijë ton, duke shënuar përsëri një kthesë të rëndësishme në përmirësim.

I paraqita këto tregues për të thënë se, në hartimin e politikave tona të brendshme bujqësore duhet të orientohemi jo nga çrregullimet e momentit, por nga zhvillimet dhe perspektivat afatgjata. Çdo nxitim në ndërrimin e kursit të profilizimit të bujqësisë së një vendi të vogël si ne, mund të na përballë me orientime të gabuara afatgjata.

Zhvillimet më të fundit në tregjet e ushqimeve, dyfishimi i çmimit të tyre në shumë rajone të botës dhe një sërë faktorësh të tjerë, na obligojnë të ndërtojmë një këndvështrim më të plotë lidhur me bujqësinë. Ne nuk na mungojnë politikat lidhur me zhvillimin e bujqësisë, por konceptimi më i ri ndaj saj në kushtet e krijuara, duhet të na sjellë në disa përcaktime të plota lidhur me këtë sektor.

1. Bujqësia qartësisht mbetet sektor prioritar në ekonomi. Ajo jep më shumë se një të pestën e GDP, angazhon me punë më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit dhe i siguron asaj pjesën dërrmuese të artikujve të të ushqyerit. Bujqësia ka rritur në dy vitet e fundit me rreth 25 përqind për secilin vit produktin e eksportuar. Kjo e bën të domosdoshme përcaktimin e saj si prioritare. Kjo kërkon një kapërcim të madh në programimet tona buxhetore afatmesme dhe afatgjata.

2. Me zhvillimet më të fundit botërore, bujqësia duhet të konsiderohet një sektor strategjik. Strategjik, sepse vetëm ajo mund të presë rrugën e krizave të urisë, krizat më vdekjeprurëse të popullsisë në botë. Por sektor strategjik edhe sepse siguria ushqimore është tashmë një prej komponentëve më të rëndësishëm të niveleve të sigurisë në çdo vend.

3. Bujqësia mbetet aktiviteti kryesor ekonomik që siguron më së shumti zhvillimin e harmonizuar të rajoneve. Bota e sotme, por edhe Shqipëria, po karakterizohet nga zhvendosje të mëdha të popullsisë drejt zonave urbane. Për herë të parë në vitin 2007 në shkallë botërore, popullsia që jeton në zona urbane dhe rurale ka arritur në barazimin 50 me 50 përqind, me tendencë shpopullimin masiv dhe rrënimin ekonomik të rajoneve të mëdha. Ne jemi tashmë në këto kufinj, dhe rruga më e mundshme për të mos lejuar përkeqësimin e këtyre parametrave është zhvillimi i bujqësisë, mjeti kryesor për zhvillimin e harmonizuar të rajoneve.

4. Bujqësia është sektori kryesor, përmes të cilit ne mund të shfrytëzojmë potenciale dhe resurse të mëdha dhe të paangazhuara si duhet. Fuqia punëtore në zona rurale, toka, kjo pasuri kolosale e njerëzimit, pyjet dhe kullotat e shumta që kemi, mikrozonat klimatike, ujërat dhe agroturizmi, janë potenciale që më mirë se kushdo i zgjon dhe energjizon zhvillimi i bujqësisë.

5. Bujqësia është sektori me avantazhet dhe disavantazhet më të mëdha në proceset integruese të vendit. Me Traktatin e Romës, 50 vjet më parë, Europa nisi CAP, Politikat e Përbashkëta Bujqësore. Më 1968, me Planin Mansholt dhe me 1992 me Reformën MacSharry, u nxitën zhvillime të rëndësishme në bujqësinë komunitare për ta bërë atë kompetitive, të qëndrueshme, me akses rural dhe ambjental, me akses të madh në shëndetin e njerëzve. Ne na duhet të lëvizim me shpejtësi në kuadrin e këtyre reformave dhe politikave të bujqësisë komunitare, për të fituar kohën e humbur, dhe për t'u përgjigjur ndaj sfidave të reja.

Raportet kërkesë ofertë dhe çmimet në rritje, japin më shumë mundësi për bujqësinë. Është rasti të ndërmarrim një sërë masash të reja për të përdorur çdo metër katror të tokës bujqësore për funksionin themelor të saj, prodhimin e produkteve bujqësore. Këtu ne kemi rezerva të mëdha. Sipas të dhënave të përafërta, ne lëmë pa mbjellë 10 deri 15 përqind të sipërfaqës së tokës bujqësore. Lëmë kështu jashtë qarkullimit ekonomik produktin e së paku 50 mijë ha toka të pa mbjella. Po ta llogarisim me çmimet me të cilat kemi llogaritur GDP e bujqësisë për vitin 2007, kjo sipërfaqe e pambjellë na sjell rreth 200 milion dollarë më pak në prodhimin e përgjithshëm të bujqësisë. Kësaj situate ne duhet t'i japim fund. Ka vend për të bërë kujdes maksimal në përdorimin e tokës bujqësore. Pas vitit 1990, siç rezulton sot, së paku 30 mijë ha tokë janë shndërruar në zona informale mbuluar me ndërtime. Këtu nuk përfshihen dhe mijëra ndërtime të veçuara të paligjshme në mes të tokave në fushë. Disa mijëra hektarë të tjera janë përdorur e po përdoren për ndërtimet në infrastrukturë, në industri dhe qëllime të tjera që e kthejnë tokën e destinuar për qëllime bujqësore në truall. Për fat të keq, interesa të mëdha, jo pa vlerë, por gjithmonë në kurriz të pakësimit të tokës bujqësore kanë mbisunduar dhe po mbisundojnë. Të gjithë duhet të bëhemi dorë shtrënguar, jo për të penguar industrializimin e vendit, por për të menduar para se të marrim vendime qoftë dhe për disa metra katrorë tokë bujqësore, sepse jemi vendi me më pak tokë bujqësore për frymë në të gjithë kontinentin. Alarmi ka rënë dhe strukturat shtetërore dhe ato të pushtetit vendor për mbrojtjen e tokës duhet të zhvillojnë të gjitha përgjegjësitë për të mbrojtur nga abuzimi çdo pëllëmbë të tokës bujqësore.

Dy projekt ligje të rëndësishme, të paraqitura nga qeveria, pasi kanë marrë dhe miratimin e komisioneve parlamentare, presin këto ditë të miratohen nga Kuvendi. Me zbatimin e tyre synohet të saktësohen përfundimisht titujt ligjorë të pronësisë dhe të penalizohet çdo abuzim me ligjin e ndarjes së tokës. Me mbylljen e këtij procesi të konsolidimit të titujve të pronësisë, çdo pronar i ligjshëm i tokës bujqësore nuk do të mund të lihet më i pa obliguar në përdorimin e tokës. Ka ardhur koha, veçanërisht në situatat e reja që janë krijuar, të vendosen penalitete mbi të gjithë ata që kanë pronësi legjitime mbi tokën. Ka ardhur koha për të mos lejuar përdorime të tokës në kundërshtim me ligjin për qëllime jo bujqësore apo për ta lënë atë djerrë për vite të tëra.

Jemi në vitin e dytë të përdorimit të një politike të re qeveritare për bujqësinë, skemat e mbështetjes financiare. Një fond buxhetor dy herë më i madh se vitin e kaluar, prej afro 10 milion dollarë do të përdoret në një skemë shumë më të diversifikuar se një vit më parë për të mbështetur me pagesa direkte zhvillimin e fermës. Në të gjithë vendin vazhdon faza e aplikimeve dhe pastaj konkurimi i projekteve të paraqitura. Veç pemëtarisë, vreshtarisë dhe ullirit, gjatë këtij viti mbështetja do të adresohet edhe tek çertifikimi i produkteve bio, fidanishtet me lloje autoktone në vreshtari, mbrojtja e ullirit nga dëmtuesit, fermat e lopëve mbi 10 krerë, ujitja me pika në pemëtoret intensive, ndryshimi i pajisjeve në serat me ngrohje për kalim nga nafta tek mazuti. Gjithashtu, mundësi kreditimi me interesa të reduktuara sigurohen për bizneset që merren me grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore. Kjo politikë e re është një parapërgatitje serioze e strukturave të bujqësisë dhe e fermerëve për të aplikuar në momentet kur ne do të marrim statusin e vendit kandidat në BE, për të përfituar nga programet IPA dhe IPARD. Gjatë këtij viti, ne po përgatisim me konsulencë ndërkombëtare gjithë bazën ligjore për të filluar në vitin 2009 ngritjen e Agjensisë së Pagesave për bujqësinë, e cila brenda 2-3 viteve duhet të akreditohet nga BE.

Serat me ngrohje dhe stabilimentet e agroindustrisë që përdorin lëndë djegëse mazut, do të kenë mundësi ta marrin atë pa akcizë sipas kushteve ligjore të përcaktuara për vitin në vazhdim. Ky vit gjithashtu shënon vitin e parë të pagesës për fermerët të 6 përqind TVSH, me kusht që produktet të shiten tek subjekte me fatura tatimore. Ministria ka prodhuar dhe shpërndarë KARTËN E FERMERIT, dhe secili prej tyre do të ketë numrin personal të KODIT, me të cilin do të hyjë në marrëdhëniet e një shitblerje të formalizuar. Procesi i paisjes me këtë dokument vazhdon në Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë.

Matrikullimi në blegtori, gjithashtu është një investim shumë i rëndësishëm që fillon këtë vit me fondet tona buxhetore. Ky është hapi më i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të blegtorisë. Pa identifikim të saj nuk është e mundur të mbahen nën kontroll problemet e shumta të sëmundshmërisë në blegtori dhe ndjekja e gjurmueshmërisë në produktet finale blegtorale. Standarde këto që janë të detyrueshme për t'i bërë këto produkte të sigurta për konsumatorin dhe pjesë e tregjeve të kontrolluara.

Të gjitha këto janë një nisje dhe rrugë e mbarë për bujqësinë, por problemet për zgjidhje dhe nevojat e saj për mbështetje janë ende shumë të mëdha.

Rilindja Demokratike
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 28-01-2012, 09:27:35
Pothuajse të gjitha familjet shqiptare që jetojnë në zonat rurale e kanë  të domosdoshme një apo më shumë fëmijë  emigrantë, për shkak se të ardhurat bruto për familje në rang kombëtar janë vetëm 240 mijë lekë në vit dhe po rriten shumë ngadalë.

Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për vitin 2010.

Sipas vlerësimeve të MBUMK, në Shqipëri ka 360 mijë familje/ferma, të cilat nga shitja e produkteve në treg kanë të ardhura mesatare bruto prej 240 mijë lekësh, por familjet fermere të Vlorës kanë të ardhura mesatare prej 319 mijë lekësh në vit, ndërsa të ardhurat e fermave të Lezhës janë mesatarisht vetëm 115 mijë lekë në vit. Shqipëria ka aktualisht PBB për frymë prej 4700 dollarësh në vit dhe puna në bujqësi u ofron familjeve shqiptare vetëm një jetë të varfër.

Kjo është edhe arsyeja se pse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë rurale ka emigruar në mënyrë të përkohshme apo të përhershme jashtë vendit, ndërsa të ardhurat nga emigrimi janë linja e mbijetesës për shumë familje.

Fragmentarizimi i thellë  i tokës bujqësore ka bërë që fermerët në të  gjithë vendin të përqendrohen te blegtoria, nga ku nxjerrin 57 për qind të të ardhurave.

Zonat ku ka më pak tokë  të punueshme ka edhe përqendrim te blegtoria. Kështu, në Kukës mbi 90 për qind të të ardhurave janë nga blegtoria dhe vetëm 10 për qind nga bimët e arave.

Në Korçë, Berat dhe Fier, ku toka është më miqësore me fermerin, të ardhurat krijohen më pak se gjysma nga blegtoria dhe pjesa tjetër nga bujqësia.

Bagëtia e imët e kombinuar me ullinjtë duket se i jep fermerëve të Vlorës një mirëqenie më të lartë se sa mesatarja e vendit. Blegtoria dhe prodhimi i djathit i jep gjithashtu të ardhura të kënaqshme fermerëve të Gjirokastrës.

Qarqet në Shqipëri në  shumë raste përmbledhin zona fushore pjellore ashtu si edhe zona malore. Të tillë janë Qarqet e Shkodrës, Lezhës apo Elbasanit. 

Një vend blegtoral

Shqipëria ka qenë një  vend përgjithësisht blegtoral deri në Luftën e Dytë Botërore, kur mungesa e mekanikës bujqësore si dhe e infrastrukturës ujitëse e bënte të vështirë prodhimin e arave.

Gjatë kohës së komunizmit vendi u bë më shumë bujqësor se sa blegtoral, por pas viteve ’90 duket se ka kaluar sërish në statusin e vendit blegtoral. Më shumë se sa zgjedhje tregu, dominimi i blegtorisë ka ardhur si e vetmja zgjidhje e disponueshme për fermerët.

Fragmentarizimi i tokës bujqësore vlerësohet si shkaku kryesor i mungesës së prodhimit të  bujqësisë. Familjet shqiptare që merren me bujqësi kanë nën pronësi mesatarisht 1.2 hektarë tokë të punueshme, por e kanë zakonisht të ndarë në 4.6 ngastra të vogla, madhësia mesatare e të cilave është vetëm 2.6 dynym.

Me sipërfaqe të tilla të vogla toke, është pothuajse e pamundur të përdoret mekanika bujqësore apo të investohet për rrjet vaditjeje. Në Kukës, familja mesatare ka vetëm 0.6 hektarë tokë të punueshme, ndërsa në Dibër ka vetëm 0.75 ha.

Në Fier, fermat kanë mesatarisht 1.6 ha, ndërsa në Berat, 1.37 ha. Fragmentarizimi është një fenomen që ka bllokuar bujqësinë në të gjithë vendin.

Ajo është trashëgimi e ligjit 7501 për tokën, i cili synonte të bënte shpërndarje të barabartë të burimeve natyrore dhe që praktikisht solli shumë më tepër barazi, aq sa shumica dërrmuese e tokës u bë e papërdorshme.

Megjithëse fragmentarizimi i tokës  është një problem i njohur prej vitesh, ajo është  pranuar si një realitet i pandryshueshëm. Asnjë politikë  publike nuk është ndërmarrë për të konsoliduar pronësinë mbi tokën bujqësore dhe për të krijuar parcela më të mëdha e më funksionale.

Problemi i dytë i krijuar nga fragmentarizimi është distanca. Kur u bë ndarja e tokave, fillimisht toka u klasifikua sipas cilësisë dhe pastaj sipas distancës.

Një familjeje iu dha një copë tokë  afër fshatit dhe një tjetër larg fshatit. Shpesh, distanca nga shtëpia te toka shkon deri në një orë në këmbë. Për rrjedhojë, toka larg shtëpisë u bë e papërdorshme.

Disa herë qeveritë kanë akuzuar fshatarët se janë dembelë dhe që nuk duan ta punojnë tokën. Në një rast qeveria bëri një ligj dhe kërcënoi se do t’ua merrte tokën në rast se nuk e punonin. Siç ndodh rëndom me ligjet në Shqipëri, edhe ky mbeti në letër.

Vlorë

Në Vlorë gjenden fermerët më të “pasur” me të ardhura bruto vjetore prej 319 mijë lekësh, fitime të nxjerra nga bagëtitë e imta dhe ullinjtë.

Gjirokastër

Bagëtia e imët dhe prodhimi i djathit u jep familjeve gjirokastrite të ardhura mesatare prej 242 mijë lekësh për frymë në vit.

Lezha

Toka e paktë dhe e papërshtatshme u jep familjeve të Mirditës të ardhura minimale prej vetëm 115 mijë lekësh në vit. Shumica vjen nga blegtoria.

Kukës

Kukësi është një  zonë tjetër e varfër, ku 90 për qind e të ardhurave janë nga blegtoria dhe të ardhurat mesatare arrijnë në vetëm 194 mijë lekë.

Dibra

Distanca e madhe nga tregu dhe norma e ulët e urbanizimit e bën të vështirë shitjen e produkteve për fermerët e Dibrës. Të ardhurat: 144 mijë lekë. /top channel
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super