Forca shkatërruese e tregjeve financiare - Leku

×
Hyrja
Profili

Forca shkatërruese e tregjeve financiare

Forca shkatërruese e tregjeve financiare

· 2 · 677

  • Postime: 26711
  • Gjinia: Mashkull

ne: 26-08-2011, 02:31:14
Forca shkatërruese e tregjeve financiare


Armiku duket miqësorë dhe pa pretendime. Me këpucët e konsumuara dhe flokët e thinjura, John Taylor ngjan si një profesor sociologjie i moshuar. Zyra e tij në Manhattan e veshur me dru, është e mbushur me libra, objektet që bien në sy janë një bust i Theodore Rusevelt dhe një teleskop i vjetër.
Taylor është drejtues i FX Concepts, një kompani investimi e specializuar në spekulimin e valutës. Kompania është me e madhja e llojit të vet në botë, gjë që e bënë Taylor pjesërisht përgjegjës për krizën e euros. Kritikët akuzojnë Taylor dhe të tjerë si ai si përgjegjës për përshpejtimin e kolapsit të Greqisë dhe Irlandës.
“Njerëzi si Taylor janë si një kope ujqërish që përpiqen të copëtojnë shtetet në shumë pjesë” – tha Andres Borg, ministri i financave të Suedisë. “Për këtë arsye ata duhen luftuar pa mëshirë” – deklaroi presidenti Nicolas Sarkozy.
E përditshmja gjermane Bild, e kritikoi ashpër Taylor duke shkruar: “Ky person po luan kundra euros.” Nëse ky është objektivi i tij, atëherë ai po korr sukses të madh. Në një kohë që Greqia po rrezikon falimentimin, Taylor listohet në 25 drejtuesit më të paguar në botë.

Nga ana tjetër Taylor përgjigjet se, politikanët kërkojnë dikë për ti hedhur fajin e pa aftësisë së tyre për të drejtuar një vend dhe gjejnë të spekulatorët fajtorin e tyre. “Ti drejtohesh me këto akuza drejtuesve të kompanive të investimit është një çmenduri” – tha Taylor. “Po punoj me kursimet e njerëzve që kanë besuar në kompaninë time dhe objektivi im i vetëm është të maksimizoj fitimet e tyre.” Taylor tregon se asnjë nga klientët gjermanë nuk e ka telefonuar ndonjëherë për ti thënë të mos luaj kundra euros.

Politikanët që kontrollojnë tregun
Taylor argumenton zërat që qarkullojnë në industrinë financiare, të cilat ngulin këmbë që fajtorët e krizës së euros nuk janë bankierët apo investitorët e mëdhenj dhe as veprimtaria e tyre që drejtohet në mënyrë racionale vetëm në interes të investitorëve të tyre.

Realiteti është se tregjet financiare kontrollohen nga politikanët. Nëse Sarkozy ndërpret pushimet e tij, tregjet e interpretojnë këtë si një përkeqësim të situatës dhe menjëherë drejtojnë interesin e tyre mbi Francën. Nëse ka një diskutim midis kryeministrit italian Silvio Berlusconi dhe ministrit të financave Giulio Tremonti, atëherë tregjet vënë nën shënjestër Italinë, sepse dyshojnë në seriozitetin e qeverisë italiane për shkurtimet e bilancit. Tregjet përfitojnë nga cdo dobësi dhe përdorin cdo thashethemë për të spekuluar mbi një shtet.
Në këtë mënyrë ata rëndojnë krizën. Kur një shtet bëhet subjekt thashethemesh dhe spekulimesh, investitorët e tjerë nervozohen. Nga frika e rënies të mëtejshme të cmimeve, kompanitë e investimeve dhe sigurimeve fillojnë të shesin titujt e tyre. Në fund frika ushqen frikën dhe paniku përhapet.

Tregjet financiare gjenden në mes trazirash të mëdha. As operatorët më të vjetër të sektorit nuk mbajnë mend një kohë tjetër kur cmimet kishin luhatje kaq të tmerrshme, luhatje të pa parashikueshme brenda një dite të vetme. Indeksi gjerman, DAX, ra 5.8 përqind të mërkurën e shkuar dhe humbi 2.2 përqind të nesërmen.
Rëniet e shpejta në tregjet financiare dhe kriza është bërë një realitet i jetës së përditshme. Kjo gjë ngre pyetjen se pse tregjet financiare janë kaq të pa parashikueshëm dhe janë kthyer në një kërcënim për ekonominë globale.
Cfarë mund të bëhet për të shmangur këtë rrezik?
Nuk mund të jetë një koincidencë që numri dhe qëllimi i luhatjeve është rritur me zgjerimin e industrisë financiare. Kriza financiare e Azisë në vitet 90 u ndoq nga shpërthimi i flluskës të internetit në fillim të mijëvjecarit. Kur Lehman Brothers falimentoi në vitin 2008, bota financiare e gjeti veten pranë kolapsit. Disa vende, përfshirë dhe Amerikën, kanë hyrë në borxhe për triliona dollarë.

Rrezik i pallogaritshëm
Natyrisht industria financiare – të gjithë ata që tregtojnë tituj, valuta, para dhe produkte që derivojnë nga ato, të njohur si derivate – është përgjegjëse për krizën në ekonominë globale. Politikanët kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë gjithashtu, për faktin se kanë akumuluar tepër borxhe dhe i lanë bankave tepër liri veprimi. Por pa fuqinë shkatërruese të bankave dhe kompanive të investimit bota nuk do të gjendej në buzë të greminës sot.
Industria financiare u rrit me një shpejtësi të madhe, në të njëjtën mënyrë edhe sasia e parave me të cilën u mundësua spekulimi në cmimet e titujve. Produktet që spekulatorët zhvilluan për të kthyer paranë në më shumë para u bënë më kompleks. Në të njëjtën kohë rreziku që ata pranonin u bë i pallogaritshëm.
Pagat e larta të sektorit tërhoqën të diplomuarit më brilant. Pjestarët e kësaj elite të re nuk filluan të zhvillojnë produkte për të përmirësuar jetën e njerëzve, as për të zhvilluar progresin e racës. Por këta magjistar të financës investuan shuma të mëdha dhe punën e tyre për të zhvilluar produkte financiare të sofistikuara, objektivi i vetëm i të cilëve ishte të gjeneronin më tepër përfitim. Përfitim ky që “peshoi” mbi supet e tregut dhe më pas në ato të taksapaguesve.

Shumë nga gjërat që ndodhën në Wall Street dhe Londër, ishin të padobishme nga ana sociale. Vlera e krijuar nga ata nuk është reale dhe nuk përbën asnjë të mirë për shoqërinë. Qëllimi i bankave ishte të furnizonin ekonominë me para. Ishin një burim energjie për ekonominë dhe asgjë më tepër. Por tani, industria financiare është kthyer nga shërbyes në dominues në procesin ekonomik.
Ky ndryshim u bë evident tre vjet më parë. Kur bankat amerikane duke mos pasur kujdes për zgjedhjen e klientelës, e gjetën veten në një det kredish mbi pronën, të cilat ishin të pashlyeshme. Ato e paketuan rrezikun në produktet të reja financiare dhe i shitën ato për produkte të sigurta. Fatkeqësisht vetëm pak njerëz e kuptonin se si funksionin këto produkte. Kur flluska e kredive “subprime” u ca, e gjithë industria financiare u fundos me të.

Mundësia e humbur
Asistenca u dha, por mundësia u konsumua gjatë procesit. Asnjë nga bankat e fuqishme nuk u shkatërrua dhe vetëm pak produkte financiar të rrezikshëm u larguan. Me bankën qendrore që jep hua me interesa të ulta, spekulimi do të vazhdoj.
Industria financiare e mori veten shpejt dhe tani është po aq e fuqishme sa ishte në fillim të krizës – dhe po aq e rrezikshme për ekonominë dhe shoqërinë.

Edhe mbrojtësit më të pasionuar të ekonomisë së tregut janë duke pyetur veten se si një sistem ekonomik, që funksionoi kaq mirë për një kohë kaq të gjatë, të dalë nga kontrolli në mënyrë kaq të rrezikshme. Në një artikull të Daily Telegraph, gazetari Charles Moore kritikoi ashpër bankat për faktin se mbajnë përfitimet për vete ndërkohë që i kalojnë humbjet taksapaguesve. “Bankat kthehen në shtëpi vetëm kur u duhet para” – shkroi ai. “Dhe qeveritë tona u japin atyre gjithmonë e më tepër.”
Shoqëritë perëndimore nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të ndara dhe pabarazitë nuk kanë qenë kurrë në kto nivele. Asnjë industri tjetër nuk mund të bëjë dikë kaq të pasur dhe kaq shpejt, se sa industria financiare. Ku banka dhe kompani investimi shpërndajnë njeri-tjetrit dhe punonjësve të tyre paga prej milion dollarësh.

Në të njëjtën kohë, tregjet kërkojnë vazhdimisht përfitime më të larta. Ata që nuk arrin të përmbushin kërkesat e tyre, ndëshkohen me uljen e cmimeve në titujt e tyre dhe në koston më të lartë të huamarrjes. Kompanitë detyrohen, për të arritur kërkesat e tyre, të mbajnë rrogat e ulta dhe forcën punëtore në minimumin e mundshëm.
Këto pabarazi duken qartë në Londër, kryeqyteti më i rëndësishëm i Europës. Bankierët jetojnë në një luks të paimagjinueshëm ndërsa njerëzit e thjesht, që kanë humbur cdo shpresë, jetojnë në varfëri. Shumë sugjerojnë se kjo pabarazi ka sjell edhe rrëmujat e kohëve të fundit.

(a.h/BalkanWeb)

  • Postime: 611
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 10-02-2020, 01:09:19
Tregjet financiare jane gjithmone e me shume ne dore te kompjuterave dhe algoritmeve se sa te njerezve prej mishi e kocka.
 

Temat e fundit