Lekë të reja vs. lekë të vjetra - Leku

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Lekë të reja vs. lekë të vjetra

Lekë të reja vs. lekë të vjetra

· 16 · 3898

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 08-11-2011, 11:43:01
 

Emirjon Senja
Lekë të reja apo lek të vjetra? Nuk ka “lekë të reja” apo “lekë të vjetra”, ka vetëm “lekë” me një parashtesë që tregon vlerën e monedhës apo kartëmonedhës që kemi në dorë, prapashtesat ia kemi vendosur ne duke na bërë të kuptohemi me vështirësi edhe kur flasim shqip. 100 lekë (po flasim për monedhën që ka të stampuar Mbretëreshën Teuta) e barazvlefshme me 0.8 euro apo mesatarisht me 1 dollar, janë 100 lekë dhe kurrsesi 1 mijë lekë. Në fakt, kjo dilemë na shoqëron që prej 46 vjetësh, periudhë në të cilin Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi të rivlerësoje monedhën kombëtare duke hedhur në treg monedha të reja në raportin 10 me 1. Pra, të gjitha prerjet që ishin 100 lekëshe do të zëvendësoheshin me ato 10 lekëshe, monedha 500 lekëshe me të tjera 50 lekëshe e kështu me radhë. E megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar 46 vjet nga ai vendim, shqiptarët vijojnë t’i thërrasin 10 lekëshit 100 lekësh dhe 1 000 lekëshit 10 000 lekësh.

Një bukë kushton mesatarisht 90 lekë por mund të kushtojë edhe 900 lekë! I gjithë dallimi është tek shifra që shprehim, në të dyja rastet shitësi dhe blerësi kuptohen me njëri-tjetrin, problemi lind tek turistët që vizitojnë Shqipërinë dhe më shumë tek të folurit në publik, ku shumëkush, zgjedh dhënien e shifrave kryesisht në euro apo në dollar për t’i shpëtuar këtij “kurthi”.

Por cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Koleksionistët shpjegojnë se një problem i tillë u trashëgua sepse pavarësisht ndryshimit që u bë, institucionet shtetërore vijuan t’iu emërtonin monedhat dhe kartëmonedhat me vlerën e vjetër duke shkaktuar konfuzion në popull. Por ka edhe një shkak tjetër, i cili më shumë është psikologjik sipas tyre. Thuash 1 000 lekë të bën të ndjehesh dikur ke më shuma para se sa kur thua 100 lekë, sipas tyre.

Sa gjasa ka që kjo anomali të rregullohet dhe të gjithë të kuptojnë të njëjtën vlerë? Gjithandej vërehet një sensibilizim në lidhje me këtë fakt. Restorantet, lokalet, njësitë tregtare apo të shërbimeve i pasqyrojnë çmimet e tyre në formën e rregullt. Pra, nëse një palë këpucë kushtojnë 50 dollarë, çmimi në etiketë është 5 000 lekë, por nga blerësit në pjesën më të madhe të rasteve lexohet si 50 mijë lekë!

 

 

Si u rivlerësua monedha

Ndryshimet do të fillonin më 16 gusht të vitit 1965 kur Presidiumi i Kuvendit Popullor do të vendoste të rivlerësonte monedhën kombëtare në raportin 10 me një. Deri në atë moment, në treg ekzistonin prerje 1 000, 500, 100 , 50 dhe 10 lekë të viteve 1947, 1949 dhe 1957, të cilat më pas u zëvendësuan me prerje 100, 50, 10, dhe pesë lekëshe, të gjitha emetime të vitit 1964. Prerja 10 lekë doli nga qarkullimi (u bë monedhë) dhe u zëvendësua me prerjen 3 lekë. I njëjti ndryshim u bë edhe për monedhat. Të gjitha monedha me prerje 5, 2,1 dhe 0.50 lekë u zëvendësuan me monedha metalike prej 1 lek, 50, 20, 10 dhe 5 qindarka të vitit 1964.

Sipas vendimit, monedhat dhe kartëmonedhat e vjetra do të mund të qarkullonin deri më datë 15 tetor 1965 njëkohëisht me monedhat dhe kartëmonedhat e reja. “Këmbimi i monedhës së vjetër me monedhën e re do të bëhet në të gjitha degët e bankës së shtetit. Gjatë periudhës së këmbimit do të jenë në qarkullim njëkohësisht të dyja monedhat. Ndërmarrjet, institucionet dhe organizatat shtetërore, kooperativiste dhe shoqërore si dhe shtetasit, nga data 16 gusht gjer më 15 tetor 1965, detyrohen të pranojnë si monedha të emisionit të ri ashtu dhe të emisionit të vjetër, sipas përpjesëtimit të caktuar më sipër. Degët e Bankës së Shtetit dhe arkat e kursimit, gjatë periudhës së këmbimit të monedhës, detyrohen të pranojnë monedhë të vjetër dhe të re, kurse do të paguajnë vetëm me monedhë të re”, – përcaktohej në nenin 5 të dekretit nr.4028, datë 14.7.1965 “Mbi këmbimin e monedhës”.

Ndërrimi i prerjeve të reja të monedhave dhe kartëmonedhave në atë kohë u bë e përshkallëzuar. Procesi zgjati rreth një muaj e gjysmë, ndërkohë që popullit iu la kohë që të bënin ndërrimin e monedhave dhe kartëmonedhave në Bankës së Shqipërisë.

 

 

 Turistët, preja më e lehtë e paradoksit shqiptar

Janë të shumta rastet kur vizitorë të ndryshëm kanë dashur të blejnë një produkt me 10 fishin e vlerës reale të tij. Kjo, për faktin se shitësi u ka folur me “lekë të vjetra” ndërkohë që ata e kanë kuptuar me “lekë të reja” duke bërë që nga portofoli i tyre të nxjerrin në kartëmonedhë me një zero më shumë. Një gjë e tillë është kthyer në problem, sa ka detyruar agjencia të ndryshme udhëtimesh që frekuentojnë zakonisht Ballkanin që ta bëjnë pjesë të guidave turistike në lidhje me Shqipërinë edhe një shjpegim të vogël në lidhje me mënyrën se si duhet të kuptojnë monedhat. Kështu përshembull, një agjencia turistike e huaj i këshillon klientët e saj që kur të paguajnë në Shqipëri në monedhën tonë, të sigurohen që shuma në faturë të korrespondojë me atë që shënohet në monedhë apo kartëmonedhë. Këshilla vlen edhe për rastet kur blerja bëhet pa faturë, të cilëve iu thonë se duhet të sigurohen nëse bëhet fjalë për “lek të reja” apo “lek të vjetra”.

Një çështje të tillë e ka marrë shumë seriozisht edhe Agjencia e Kombëtare e Turizmit, e cila në seksionin e saj “si të blej” u shpjegon turistëve se si të orientohen me monedhën shqiptare. Në shpjegimin që ajo bën, thekson faktin se vendasit janë të mësuar tashmë me këtë situatë dhe e bëjnë shumë mirë dallimin, ndërkohë turistët janë më të predispozuarit që të ngatërrohen. “Edhe në ditët e sotme leku komentohet në vlera të ndryshme. Dhe në rast se blini, mos u çudisni kur të dëgjoni: “lekë të reja”, “lekë të vjetra”. 100 lekë të reja janë të barabarta me 1 mijë lekë të vjetra. Në dokumente zyrtare, në sferën e ekonomisë, si dhe në media është e detyruar të flitet me lekë të reja. Ndërkohë që në pazare, dyqane apo edhe në tregjet informale flitet dhe kryhen këmbime mallrash, duke folur si me lekë të vjetra ashtu edhe me të reja. Bëni kujdes nëse nuk doni të ngatërroheni me vlerësimet e lekut në kohët e vjetra dhe në ato që jetojmë. Vendasit mund ta menaxhojnë shumë mirë këtë informacion por nëse jeni turistë, kontrolloni shifrat që shikoni në kartëmonedhë dhe kërkoni të blini me lekë të reja në mënyrë që të mos ngatërroheni me vlerat reale që kushton produkti, për të cilën jeni të interesuar”, – shpjegon AKT-ja. /shekulli
 
« Editimi i fundit: 11-11-2020, 23:31:54 nga M A X »

  • Postime: 3239
  • Karma: +12/-1
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 28-06-2019, 11:35:04
Kjo shprehja Lek te reja, Lek te vjetra duhet ndaluar me ligje dhe sduhet perdorur si shprehje. Pasi vetem ne Shqiperi ke kete lloje shprehje e vjeter e re.

  • Postime: 718
  • Karma: +1/-0
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 28-06-2019, 13:27:42
Si mund te ndalosh njerezit te shprehen si te duan, qofte dhe gabim?! Zgjidhje e vetme do ishte qe qeveria te nxirrte nje monedhe te re qe nuk do te kishte vler te barasvlefshme me monedhen aktuale dhe as te ishte ne proporcion te drejte me te. Psh monedha e re te mos jete me vlere 1/10 te monedhes aktuale, por dicka si 1/15. ( 1 lek i ri fare 😁 baraz jo me 10 leke aktuale por me 15). Vetem keshtu njerezit e thjeshte sdo munden te flasin me re reja e te vjetra sepse proporcioni i kembimit te zhdrejte e ben te veshtire dicka te tille.

  • Postime: 4264
  • Karma: +73/-57

#3 ne: 28-06-2019, 14:24:11
Kjo shprehje Lek te vjetra dhe Lek te reja, me shume ju pershtatet kur vijne shqiptetaret nga Kosova per pushime. Ketu hyn ne fuqi stili "sopate" nga disa persona te pandergjegjshem. Shtetit duhet ta fut ne funksion Euron sa me pare te jete e mundur.

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#4 ne: 28-06-2019, 15:19:35
Fatkeqsisht ke te drejte dhe ta kuptoj hallin. Dicka te ngjashme bejne dhe kroatet kur paguan me Euro 💶 dhe kusurin ta kthejne ne Kuna dhe jo sipas kursit te kembimit, por sipas qejfit.

  • Postime: 7514
  • Karma: +88/-62
  • Gjinia: Mashkull

#5 ne: 28-06-2019, 19:38:58
Fatkeqsisht ke te drejte dhe ta kuptoj hallin. Dicka te ngjashme bejne dhe kroatet kur paguan me Euro 💶 dhe kusurin ta kthejne ne Kuna dhe jo sipas kursit te kembimit, por sipas qejfit.
kjo quhet rrjepje or taj..😁🤪🤪

  • Postime: 7084
  • Karma: +35/-6
  • Gjinia: Femer

#6 ne: 29-06-2019, 04:47:19
Po cfare re rjepuri thuaj
E nje udhetim tre ditor ne Usa, është me i lirë se nje u tille ne Dubrovnik 😂.
Por edhe leku yne i dashur, qoftë me te reja apo me te vjetra, shumë shpejt ikën i uruari😛

  • Postime: 4264
  • Karma: +73/-57

#7 ne: 29-06-2019, 15:46:39
Ehh, eshte e vertete qe ne Kroaci turistet i rrjepin :D Me ka ndodh edhe mua ne Split :D aq shume ma peshtjelli ne gjuhen kroate sa qe me beri t'i besoja se ashtu eshte :D  Kurse ne Shqiperi keto 10 vitet e fundit nuk me ndodh asgje se i njoh si parane e kuqe :D

  • Postime: 7084
  • Karma: +35/-6
  • Gjinia: Femer

#8 ne: 01-07-2019, 02:27:32
Ehh, eshte e vertete qe ne Kroaci turistet i rrjepin :D Me ka ndodh edhe mua ne Split :D aq shume ma peshtjelli ne gjuhen kroate sa qe me beri t'i besoja se ashtu eshte :D  Kurse ne Shqiperi keto 10 vitet e fundit nuk me ndodh asgje se i njoh si parane e kuqe :D

Kujdes me ate Farbe lila 😂

Ne e kena gjetur zgjidhjen te Kroati, blejme vetem me kartë. Bankat i bejne vete këmbimet.

  • Postime: 4264
  • Karma: +73/-57

#9 ne: 01-07-2019, 13:45:20
Kujdes me ate Farbe lila 😂

Ne e kena gjetur zgjidhjen te Kroati, blejme vetem me kartë. Bankat i bejne vete këmbimet.


Jo jo, nuk kam pasur rastin shyqyr t'i fus ne funksion ato me Farbe lila :D :D ishte kohe e shkurter. Epo ja qe ju i paskeni bere zgjidhje, gabimi im ishte qe fillova ta flas gjuhen e tyre dhe menjehere e kuptoi qe jam ballkanas :D :D

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#10 ne: 09-06-2020, 09:29:59
Kartëmonedha e re 10 mijë lekë, preja më e madhe parasë e nxjerrë në emetim deri më tani do të dalë në qarkullim në tremujorin e fundit të këtij viti, njoftuan burimet në Bankën e Shqipërisë.


Vitin e kaluar banka e Shqipërisë nisi prezantimin e serisë së të kartëmonedhave. Seria e re e ka 6 prerje, 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe prerjen e re 10000 Lekë.

Kartëmonedhat 200 lekë dhe 5000 lekë u hodhën në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019, ndërsa këtë vit do të hidhen në qarkullim kartëmonedhat 10,000 lekë dhe 1,000 lekë duke filluar tremujori i fundit i vitit.

Kartëmonedha 2,000 lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga fundi i vitit 2021 dhe  kartëmonedha 500 lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.

Kartëmonedha 10,000 lekë që del për herë të parë në treg ende nuk është prezantuar si imazh nga Banka e Shqipërisë, por sipas vendimit të Këshillit të Mbikëqyrjes, Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të ‘Flamurit Kombëtar’, si dhe një varg të zgjedhur nga ‘Himni Kombëtar’, ‘Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim’.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kartëmonedhat përmbajnë një sërë elementesh sigurie që i mbrojnë nga falsifikimi dhe ruajnë besueshmërinë e publikut tek paraja.

Përmirësimi i serive të kartëmonedhave me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe njëkohësisht përmirësimin e dizajnit është një praktikë e njohur në bankat qendrore, që përgjithësisht zbatohet çdo 15-20 vjet.

Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 Lekë janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2000 Lekë dhe në fund të vitit 2011 përfundoi kursi ligjor për kartëmonedhën 100 Lekë.

Gjithashtu, në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme në teknologji, si për sa i përket elementeve të sigurisë që mund të dallohen nga publiku i gjerë pa përdorimin e makinerive të posaçme, ashtu edhe për sa i përket atyre që njihen nga makineritë e përpunimit dhe numërimit të kartëmonedhave.

Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vijojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.

Banka e Shqipërisë do të njoftojë publikun në kohën e duhur mbi datat kur secila nga prerjet ekzistuese prej 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekësh nuk do të ketë më kurs ligjor. Gjithsesi, edhe pas humbjes së kursit ligjor, kartëmonedhat ekzistuese do të ruajnë vlerën e tyre dhe do të mund të shkëmbehen me të rejat për të njëjtën vlerë./lapsi.al

  • Postime: 7514
  • Karma: +88/-62
  • Gjinia: Mashkull

#11 ne: 09-06-2020, 13:50:44
Kesaj I thuhet inflacion or taj...:P

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#12 ne: 09-06-2020, 14:51:34
Kur po pret Feds amerikane pare me 🖨️ imagjino ca bejne tanet.

  • Postime: 7514
  • Karma: +88/-62
  • Gjinia: Mashkull

#13 ne: 09-06-2020, 15:38:36
Epo fed reserve pret per tere boten dhe vlera eshte po ajo gati kurse keta tanet I presin kot.:P

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#14 ne: 11-11-2020, 23:27:13
Më 16 gusht 1965, në bazë të dekretit nr. 4028, datë 14.07.1965, filloi këmbimi i monedhës së vjetër në LEK me monedhën e re në LEK. Këmbimi u bë në raportin 10 lekë të vjetra me 1 lek të ri, pa asnjë kufizim, nga data 16 gusht deri më 15 tetor të 1965-ës.

Banka e Shtetit Shqiptar u autorizua të hiqte gradualisht nga qarkullimi monedhat dhe kartëmonedhat e viteve 1947, 1949 dhe 1957, dhe të vinte në qarkullim monedhën e re LEK, në kartëmonedhat me prerje prej 100, 50, 25, 10, 5, 3 dhe 1 lek dhe monedhën metalike prej 1 lek, 50, 20, 10 dhe 5 qindarka të vitit 1964. Kartëmonedhat me të njëjtat pamje u rishtypën edhe në vitin 1976, duke ndryshuar vetëm vitin e emetimit nga 1964 në 1976.

Nga 16 gushti 1965, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, pagat e punës, pensionet, bursat, tatimet e taksat dhe çdo veprim tjetër financiar midis ndërmarrjeve, institucioneve e organizatave shtetërore, kooperativiste e shoqërore ose i shtetasve llogariteshin me monedhën e re, sipas raportit 10 me 1.

Publiku hasi vështirësi të mëdha në emërtimin e lekut të ri me vlerën e tij të vërtetë. Për shembull, kartëmonedhën e re 100 lekëshe vazhdoi ta quante 1000 lekëshe. Megjithëse kanë kaluar mbi 50 vjet, kjo anomali vazhdon në treg në shumë raste edhe sot.

Burimi: Banka e Shqipërisë
 

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#15 ne: 11-11-2020, 23:28:32
“Ngatërresa” e shqiptarëve me shprehjen e vlerës reale të parave duket se daton edhe më herët se në vitet 1964-’65, kohë kur  u zëvendësua leku i vjetër me lekun e ri. Përcaktimi i një kursi të ri për monedhën shqiptare ka qenë një praktikë e ndjekur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ne Shqipëri. Në këtë periudhë, me argumentin e luftës kundër inflacionit, u ndërmorën operacione monetare që pakësuan me më shumë se 5 herë sasinë e kartëmonedhave në qarkullim. Brenda 3 vitesh, të paktën 3 herë shqiptarët janë përballur me ndryshimin e kursit të parasë, duke u marrë paratë që zotëronin e duke u dhënë para të tjera, me kurs të ri.

Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi kanë analizuar në studimet e tyre me imtësi operacionet monetare të ndërmarra në vitet e para të pas çlirimit në Shqipëri. Pas çlirimit, në qarkullim në Shqipëri rezultojnë se kanë ishin 379 milion e 808 mijë e 895 franga shqiptare në qarkullim në formën e bankënotave. Regjimi dyshonte se një shumë e madhe kartëmonedhash ishin nxjerrë jashtë vendit e që mund të përdoreshin për qëllime të ndryshme, mes të cilave edhe për të financuar rrëzimin e pushtetit.

Operacioni i parë, vulosja e parave

Në qershor të vitit 1945 do të dilte urdhëresa e posaçme mbi vulosjen e bankënotave dhe çek-monedhave të ish Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në bazë të kësaj urdhërese vuloseshin bankënotat prej 20 e 100 franga shqiptare si dhe çek-monedhat e emetuara nga Banka Kombëtare.

Vula që u përdor kishte trajtë drejtkëndëshi e përmbante në brendësi të saj n jë shqipnjë me yll dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar”. Nga vulosja, përjashtoheshin vetëm bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Vulosja e parave do të kryhej brenda një kohë të shkurtër, 10 ditë, nga data 29 qershor deri më 8 korrik 1945. Kjo ishte kohëzgjatja e vulosjes së monedhës për të gjithë vendin.

Në bazë të urdhëresës, qendrat e këmbimit të monedhave u përfshinë në tri zona me afate të caktuara.

Një zonë me vete përfshiu qendrat  kryesore. Këtu bënin pjesë rrethet e qendrës së Durrësit, Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Tiranës e Vlorës. Për këto rrethe, këmbimi u parashikua të kryhej nga data 4 deri me 8 korrik 1946.

Rrethet kufitare përbënin një zonë tjetër e cila përfshinte Bilishtin, Ersekën, Vithkuqin, Konispolin, Kukësin, Libohovën, Librazhdin, Lumën, Peshkopinë, Pogradecin, Thethin, Përmetin, Sarandën, Pukën, Zerqanin dhe Delvinën.

Një zonë e tretë përfshiu rrethet Ballsh, Burrel, Fier, Gramsh, Himarë, Kavajë, Kotë, Krujë, Lezhë, Lushnje, Peqin, Shijak, Mirditë, Tepelenë dhe Këlcyrë.

Këmbimi i monedhave për këto rrethe u parashikua të kryhej nga data 4 deri 8 korrik.

Ndarja e mësipërme u jepte përparësi zonave kufitare për këmbimin e monedhave të vulosura. Për këto zona u parashikua që këmbimi të fillonte më përpara e të kryhej në një afat më të shkurtër.

“Kjo kishte si synim që t’i priste rrugën hyrjes kontrabandë të  bankënotave nga jashtë. Në të njëjtën kohë ndarja në zona dhe krijimi i shumë qendrave për këmbimin  e bankënotave pati për qëllim që veprimi të kryhej sa më shpejt e pa pengesa të karakterit teknik e organizativ” shkruhet në studimin ekonomik të Fishtës dhe Toçit.

E në fakt, praktika e vulosjes nuk ishte ajo e vendosjes së parave para një vule por shkëmbimi i tyre me para të vulosura që kishin një kurs të ri. Vulosja e monedhave u bë në shtypshkronjën e Bankës së Shtetit dhe në 14 shtypshkronja të tjera të vendit që u mobilizuan për këtë çështje.

Më mbarimin e afatit të parashikuar, bankënotat dhe çek-monedhat që nuk do të paraqiteshin për vulosje konsideroheshin pa vlerë dhe për pasojë do të dilnin jashtë qarkullimit monetar.

Jashtë vulosjes mbeti më shumë prej 20 % të monedhës në qarkullim, e këtu bëhej fjalë edhe për bankënotat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Tentativat për shmangie

E në fakt, kjo do të krijonte hapësira për fshehje. Në këtë periudhë nuk mungojnë përpjekjet për të shmangur deklarimin e sasisë së parave që zotëronin njerëzit e si rrjedhojë u ndoq praktika e shpërndarjes së parave ndër familjarë e të njohur.

Po ashtu, u konstatua fenomeni i blerjeve si një mënyrë për të konvertuar paratë në mall, madje në shumë raste duke e penguar mallin më shtrenjtë (e në këtë rast, kostoja do të ishte sërish më e ulët se masa e tatimit që do të ushtrohej mbi ta).

Një praktikë tjetër ishte edhe ajo e “thyerjes” së parave; këmbimit me bankënota me prerje të vogël që nuk i nënshtroheshin këmbimit.

Bilanci i kësaj mase tregon se nuk u paraqitën për vulosje 101 milion e 54 mijë e 754 franga shqiptare, të cilat si pasojë e mosvulosjes dolën jashtë qarkullimit monetar. Kjo shumë ishte e barabartë me 1/4 e bankënotave e çek-monedhave në qarkullim.

Nga 384 milion e 396 mijë franga që ishin në dhjetor të 1944 në qarkullim, si pasojë e efektit që pati vulosja, sasia e monedhës në qarkullim zbriti në 286 milion e 100 mijë franga shqiptare.

Në qendat e këmbimit u paraqitën 73 mijë e 87 persona!  15 mijë e 818 persona ishin nga ajo që konsiderohej si klasa e pasur, 9950 ishin punëtorë, 5 mijë e 26 prej tyre ishin zejtarë dhe 26 mijë e 574 ishin fshatarë.

Veç efekteve që do të kishte kjo masë në goditjen e tregtarëve e atyre që konsideroheshin si armiq të regjimit të ri, pakësimi i sasisë së monedhës në qarkullim përmes sistemit të këmbimit me para të vulosura e me kurs të ri, sipas studiuesve, solli si ndikim të drejtëpërdrejtë zbutjen e inflacionit dhe stabilizoi pjesërisht gjendjen në tregun e vendit. Po kjo masë e parë, do të ishte vetëm një masë parapërgatitore për operacionin e dytë, që do të ishte edhe më i rreptë.



Operacioni i dytë, zëvëndësimi i parave të vjetra me para të reja

Pothuajse fiks një vit nga operacioni i parë monetar, regjimi komunist do të niste një operacion të dytë, që këtë herë do të ulte edhe më tej sasinë e parave në qarkullim; pakësim me më shumë se 5 herë të sasisë.

Me 11 korrik të 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretligjin “mbi këmbimin e bankënotave e të çek-monedhave të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë” dhe të vulosura nga Banka e Shtetit Shqiptar si dhe të çekmonedhave të emetuara nga po kjo bankë. Në këtë mënyrë, po hiqeshin nga qarkullimi edhe paratë e vulosura, por këtë herë në këmbim jepej kartëmonedha e re, me një kurs të ri.

Në bazë të ligjit, hiqeshin nga qarkullimi bankënotat prej 20 dhe 100 franga shqiptare që ishin vulosur , çek-monedhat prej 20, 10, 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 franga të emetuara nga ish Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe të vulosura nga Banka e Shtetit Shqiptar, çek-monedhat prej 100, 200 dhe 500 franga të emetuara nga Banka e Shtetit Shqiptar mbi formularët e ish Bankës Kombëtare. Këto monedha zëvëndësohehsin me monedha të reja të Bankës së Shtetit Shqiptar me prerje 5, 20, 100 dhe 500 franga.

U parashikua që të mbeteshin në qarkullim përkohësisht bankënotat dhe monedhat metalike prej 5, 2, 1, 0.40, 0.20 dhe 0.10 franga shqiptare të emëtuara nga ish Banka Kombëtare. Monedhat e tjera metalike thyese e humbisnin vlerën ligjore të qarkullimit, pra u shpallën të pavlefshme e nuk mund të përdoreshin për blerje apo këmbime.

Me ligj u caktua që raporti i këmbimit të monedhave të vjetra me monedha të reja të ishte 5 franga shqiptare të vjetra baraz me 1 frang të ri. Me këtë raport vlerësoheshin edhe monedhat e tjera që nuk hiqeshin nga qarkullimi. Çmimet e mallrave, tarifat e shërbimeve, qiratë e ndërtesave, pagat e punës, debitë dhe kreditë etj. uleshin me të njëjtin raport.

“Depozita për vepra rindërtimi” dhe “anti-informaliteti” përmes triskës së sheqerit

Sasia e parave që lejohej të këmbente çdo familje ishte deri në 5 000 franga shqiptare. Këmbimi bëhej prej një pjestari të familjes për të gjithë familjen, duke paraqitur për vërtetim triskën e furnizimit me sheqer.  Kjo masë kishte për qëllim që të mënjanonte paraqitjen për këmbim për qëllime evazioni të më shumë se një pjesëtari të një familje.

Teprica mbi shumën e caktuar prej 5000 franga shqiptare, duhej të depozitohej në Bankën e Shtetit në llogarinë “Depozitë për vepra rindërtimi”

Këmbimi i monedhës së vjetër me monedhën e re u bë nga data 15 deri më 24 korrik 1946 në të njëjtën kohë në të gjithë vendin.

Ndëshkimi i shkelësve

Ata që shkelnin urdhëresën apo që tentonin të bënin manovrime për ta shmangur depozitimin e pavullnetshëm,  i konfiskoheshin paratë dhe nxirrej para gjykatës ushtarake.

Madje me 17 korrik do të kishte edhe një dënim me vdekje në Tiranë me akuzën e shpërndarjes së monedhës për këmbim te persona të tjerë. Ndërkohë, po në këtë ditë, 6 persona do të dënoheshin me burgim nga 2 deri në 30 vite me akuzën se po tentonin të shmangnin urdhëresën. Vendime të ngjashme u dhanë edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë etj.

Me këmbimin që u bë në raportin 5 franga = 1 frang,  sasia e monedhës në qarkullim pakësohej me 5 herë. Në të vërtetë me skemën që u ndoq, pakësimi i monedhës në qarkullim ishte edhe më i madh.

Në këtë “operacion” nuk u paraqitën për këmbim 9.5 milion franga që me kursin e ri të këmbimit ishin 1.9 milion. Më shumë se 11 milion franga ose 3.4 milion me kursin e ri kaloi si “Depozitë për Vepra Rindërtimi”. Kjo shumë përbënte ato që urdhëresa i cilësonte si “teprica” mbi 5000 franga që i këmbeheshin çdo kryefamiljari. Gjithsej mbetën jashtë qarkullimit 26.6 milion franga ose 5.3 milion me kursin e ri.



Nxjerrja e frangut nga qarkullimi

Ende pa u “mësuar” me vlerën e re të parave që kishin, një vit më vonë nga operacioni i dytë monetar, shqiptarët do të përballeshin sërish me një kërkesë për zëvëndësimin e parave që kishin.

Në vitin 1947 do të miratohej dekretligji që do të hiqte nga qarkullimi kartëmonedhat e quajtura Frang. Dekretligji i vitit 1947 parashikonte edhe emetimin e një emisioni të ri. Në këtë mënyrë, njësia bazë e monedhës në vend do të caktohej Leku e si rrjedhojë frangu nuk do të përdorej më. Raporti i ri i këmbimit që i përcaktuar në vitin 1947 do të ishte 1 frang i vitit 1945= me 9 lekë të vitit 1947.  Përmes kësaj lëvizje, në qarkullim do të mbeteshin vetëm kartëmonedhat Lek. Kartëmonedhat 10, 50, 100, 500 dhe 1000 lekë të emetuara në 1947 kishin të njëjtën simbolikë (stemën e re të shtetit shqiptar dhe një ushtar) me përjashtim të shifrës dhe ngjyrës.

Reforma  që solli ngatërresën “leku i ri-leku i vjetër”

Pas një periudhe “stabiliteti” në vitin 1964 do të ndërmerrej sërish një lëvizje tjetër ligjore  ku do të emëtohej ai që u emërtua si “leku i ri”. Në vitin 1965 do të emetohej leku i ri, që në thelb monedhave u hiqte një zero. Për shkak të ngjashmërisë, në pamje, shqiptarët nuk do të ambientoheshin me ndryshimin e vlerës së kartëmonedhës e do të vijonin t’i emërtonin ato me vlerën e mëparshme, fenomen që vijon ende në ditët e sotme.

Kreshnik KUÇAJ/Portali ekonomik SCAN-tv.com

Temat e fundit