×
Hyrja
Profili

Shtresa e mesme dhe kriza ekonomike

Shtresa e mesme dhe kriza ekonomike

· 1 · 999

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull

ne: 08-05-2008, 15:42:31
Si kanë nisur të shtrëngojnë rripin ata që dikur bënin pushime dy herë në vit

Sa është varfëruar muajt e fundit evropiani i zakonshëm


Kur furra e bukës e një qyteti të vogël në jug të Francës i rriti çmimet e produkteve të saj, sidomos të prodhimeve tipike franceze, dhe kjo rritje ishte e treta brenda një periudhe kohore 6-mujore, pronarët e saj vendosën që të pushonin nga puna përgatitësit e brumit dhe të blinin një makinë që kryente të njëjtin funksion. Më pas kur benzina u shndërrua në shpenzimin e tyre të vetëm, për të përballuar shpenzimet ata shitën njërën prej dy makinave të tyre. Një tjetër çift francez, Renardët një mësuese dhe një punonjës postash me të ardhura vjetore te 40 mijë euro në vit bëjnë pjesë në shtresën e mesme të vendit. Gjatë gjithë këtyre muajve, ata kanë ndier peshën e madhe të rritjes së çmimeve, të cilat janë shtuar 4 herë më shumë se paga e tyre. Në fund të çdo muaji, ata përdorin deri në fund overdraftin e pagës së tyre në bankë për të përballuar shpenzimet, duke u zhytur thellë e më thellë në borxhe dhe në halle. "Nëse në Francë nuk mund të përballosh më blerjen e bukës karakteristike, atëherë ky është tregues se je në telash financiar", thotë zonja Renard, e cila shton se edhe Revolucioni Francez nisi me protestat për bukën. Këto kohë ëndrra evropiane është goditur keqas. Vala e inflacionit që ka përfshirë gjithë globin ndërthuret me pagat që kanë mbetur në vend numëro e nuk mjaftojnë më për të përballuar nevojat e përditshme. Familjet që dikur shijonin një cilësi jete për t‘u pasur zili po numërojnë qindarkat për të përmbushur jo më qejfet, por nevojat e përditshme. Një numër i madh syresh kanë hequr dorë nga pushimet jashtë vendit. Por ajo që shqetëson më shumë miliona vetë në mbarë kontinentin dhe që përbën një rrezik të vërtetë për rendin politik dhe social, është frika se situata mund të përkeqësohet edhe më dhe se jetesa mund të bëhet më e vështirë nga ajo e një brezi më parë. "Më duket sikur përpara nesh ndodhet një mur i madh dhe i pakapërcyeshëm. Thjesht kemi ngecur këtu dhe nuk mund të bëjmë më tutje", shprehet një mësuese 41-vjeçare që jeton jashtë Frankfurtit. Këto nuk janë aspak ndjesi e shqetësime të kota, por të mirëbazuara. Sipas një studimi të Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike në Berlin për shkak të krizës, të ardhurat e gjermanit të shtresës së mesme janë ulur në masën 10%. Zoti Marso është mësues dhe me punën e tij bazë dhe disa të tjera më të vogla ia dilte që t‘i siguronte familjes dy herë pushime në vit. Një palë pushime në verë dhe një tjetër në dimër në resortet e skive. Sot ai e ndien se ndërsa ai dhe shtresa të cilës ai i përket janë varfëruar, një tjetër shtresë bankierësh e drejtuesish kompanish janë pasuruar befas dhe jashtë çdo limiti të imagjinueshëm. "Më duket sikur prej vitesh kemi qenë në një proces të ngadalshëm në përfundim të të cilit ne njerëzit e thjeshtë ishim humbësit, ndërsa ata që ndodhen në krye të sistemit financiar ishin fitimtarët", thotë mësuesi. Gjatë viteve ‘80, askush nuk mendonte që do të vinte një ditë që standardi i fituar me aq mund në disa breza do të rrëzohej e shkërmoqej brenda disa muajsh. Shtresa e mesme e evropianëve është më e madhe në numër se shtresa që rrezikon të bjerë në varfëri dhe nga shumë aspekte është më e mbrojtur se shtresa e mesme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo çka shqetëson ekonomistët është se pak nga pak situata mund të ndryshojë për keq kur të fillojë të ndihen pasojat e ngadalësimit të ekonomisë amerikane dhe rritja e inflacionit. Sipas një ekzekutivi të lartë të një banke spanjolle, problemi është se nëse pagat rriten me ritme më të ngadalta nga rritja e çmimeve të produkteve të përditshme, njerëzit do të fillojnë të ndihen përditë e më tepër më të varfër. Ky shqetësim u shndërrua në revoltë një javë më parë në Britaninë e Madhe. Një numër i madh mësuesish dolën në grevë, duke u vënë drynin shkollave për herë të parë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Protesta e tyre ishte ndaj pagave me të cilat nuk mund të siguronin më të njëjtin standard jetese si muaj më parë, ndaj kërkesa e tyre ishte për rritjen e pagave. Ata kërkonin që pagat të rriteshin të paktën në masën 2.5%, ndërkohë që çmimi i ushqimit është rritur në masën 7%, ndërsa ai i naftës në masën 20% brenda një periudhe 12-mujore. Kjo grevë e mësuesve britanikë është vetëm një ndër protestat e shumta në të gjithë Evropën. Punëtorët gjermanë të degëve të ndryshme të industrisë ndërmorën një muaj më parë një sërë grevash në të cilat kërkuan rritje të pagave dhe pjesëmarrje më aktive në ndarjen e fitimeve të ndërmarrjeve ku punonin. Në Francë ku rënia e fuqisë blerëse ka zëvendësuar papunësinë në krye të listës së problemeve kryesore të vendit. Sindikatat që përfaqësojnë punëtorët dhe nëpunësit ka kohë që përgatisin protesta dhe në ditët në vijim ato do të organizohen në shumë qytete të vendit. Muajin që shkoi, mijëra punëtorë evropianë u mblodhën në kryeqytetin slloven, vend i cili aktualisht mban presidencën rotative të BE-së. Të përcaktosh krizën e shtresës së mesme evropiane është e ndërlikuar. Nuk ka një përcaktim universal për këtë lloj shtrese dhe agjencitë kombëtare ndryshojnë nga njëra-tjetra për sa i përket llogaritjes së fuqisë blerëse, duke e bërë krahasimin e një vendi me një tjetër të vështirë. Matja e inflacionit është më e lehtë: që nga viti 1999 çmimet janë shtuar 22.5% në të 27 shtetet e Bashkimit Evropian dhe 18.8% në të 15 vendet që përdorin monedhën euro. Rënia e fuqisë blerëse te punëtorët evropianë mund të gjejë një shpjegim pikërisht te shifrat e mësipërme, por edhe te vendimet politike, apo zhvillimet ekonomike të dhjetëvjeçarit të fundit, kur globalizmi nisi të riformatojë Evropën dhe botën. Në Gjermani, ekonomia më e madhe e kontinentit, rënia e fuqisë blerëse nisi në vitin 2000, kur punëdhënësit nisën që të zhvatnin koncesione pagash nga sindikatat, apo thjesht duke i lëvizur bizneset e tyre nga vendi drejt tregjeve të Evropës Lindore ose Kinës. Të ardhurat u rritën nga 1% në 2% në fund të viteve ‘90, por mbi 1 milion gjermanë humbën punët e tyre me kohë të plotë gjatë dhe pas rënies ekonomike të vitit 2000 dhe 2001. Si pasojë, orët javore të punës u shtuan pa kompensime pagash dhe nga 2004 deri në 2007, inflacioni e tejkaloi rritjen e të ardhurave te familjet me të ardhura mesatare. Në Francë, java 35 orëshe e punës e mbajti rritjen vjetore mesatare nën 1% për rreth një dhjetëvjeçar. Ndërkohë, hipermarketet franceze, supermarketet gjigante që dominojnë tregun e shitjeve me pakicë i mbajtën çmimet e larta. Në Spanjë u krijuan mijëra vende pune me fryrjen e tregut të pasurive të patundshme, por që nga nisja e krizës së këtij sektori në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, situata ka ndryshuar edhe në Spanjë dhe numri i të papunëve është shtuar. "Kur nisa të punoj në moshën 23-vjeçare, fitoja thuajse të njëjtën sasi parash që fitoj edhe tani", thotë një drejtoreshë 37-vjeçare që punon në një televizion në Madrid. 14 vjet më parë, rroga e saj mujore prej rreth 1200 eurosh ishte një pasuri e tërë, ndërsa sot me diçka më shumë nuk mund të përballosh gjë. "Shtresa e mesme është shndërruar në një shtresë ngushtësisht të mesme që ndodhet mes morsave të çmimeve e inflacionit të lartë dhe pagave që nuk ndryshojnë kurrë. Çuditem si nuk ka plasur revolucioni ende", thotë drejtoresha spanjolle. Njerëzit e shtresës së mesme kanë bërë ndryshime të mëdha në jetën e tyre. Disa kanë hequr dorë nga produkte që kushtojnë shumë e të cilat ia lejonin vetes të paktën një herë në javë si në rastin e peshkut. Të tjerë kanë ndërruar supermarketet nga ata më të shtrenjtit, por më të garantuarit, tek ata që ofrojnë mallra ushqimorë më të lirë. Pastaj vijnë edhe shtrëngime të tilla si reduktimi i vizitave mjekësore, apo ndreqja e dhëmbëve te dentisti. Shumëkush ka hequr dorë nga fundjavat jashtë qytetit apo blerje të tjera të shtrenjta që futen në objektet e luksit. Për shtresën e mesme, ndryshimi është i madh e i dukshëm dhe ai reflektohet drejtpërsëdrejti në mënyrën e jetesës, e cila sa vjen e po ndryshon. Statistikat e vendeve të BE-së tregojnë për një rënie të madhe të konsumit, kryesisht për sa u përket sektorëve të zbavitjes. "Shoh njerëzit në autobus apo në rrugë dhe ata më duken si të mundur. Jemi 40-vjeçarë dhe në kulmin e forcave dhe duhet të ishim luftarakë, por në fakt ndihemi të frustruar", thotë një nëpunës italian.

Disa qeveri evropiane kanë premtuar ndihma në sektorë dhe shtresa të ndryshme të popullsisë, por mundësia e tyre për të ndikuar te inflacioni është e kufizuar. Në Itali, gjatë fushatës së fundit elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të dyja anët e spektrit politik premtuan pakësim të barrës së rëndë financiare mbi shpatullat e italianit të shtresës së varfër dhe asaj të mesme. Propozimet e politikanëve varionin nga eliminimi i taksave të tepërta mbi pasuritë e patundshme te subvencionimi i shërbimit dentar. Në Francë, administrata e Presidentit Nikolas Sarkozi, ndër të tjera po sheh mundësinë e penalizimit të tregtarëve të ushqimeve që abuzojnë me rritjen jo natyrale të çmimeve. Politikanët gjermanë po marrin në konsideratë uljen e disa taksave që konsiderohen si shumë të rënda për xhepat e shtresës së mesme në situatën e re të krijuar. Por të gjitha këto masa edhe nëse realizohen mund të mos jenë mjaftueshëm. Sindikatat e frustruara po marrin qëndrime gjithnjë e më të ashpra e më të prera në lidhje me çështjen e shtimit të pagave të punonjësve, kryesisht atyre që operojnë në industrinë e çelikut dhe industrinë kimike. "Ideja që duhet të sakrifikojmë në maksimum për të mbajtur vendin e punës ka filluar t‘i lodhë të gjithë. Njerëzit janë gati të luftojnë tani", thotë një punonjës gjerman që në njëfarë mënyre tregon edhe frymën dominuese te shtresa e mesme pas krizës që ia ka ndryshuar plotësisht jetën.

G.Shqip

Temat e fundit