×

Sipërmarrjet e Vogla e të Mesme dhe lufta ndaj monopoleve

Sipërmarrjet e Vogla e të Mesme dhe lufta ndaj monopoleve

· 1 · 419

  • Postime: 22687
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 07-02-2012, 23:48:20
Ekonomia e lirë e tregut ka në thelb të idesë së saj themelore mekanizmin e tregut të lirë. Me pak fjalë, kjo do të thotë jo vetëm që tregu vendos se çfarë, në ç’masë dhe me ç’çmim e kush do ta shesë të mirën dhe shërbimin, por edhe që ai është i lirë ta bëjë këtë, pa asnjë shtrëngim dhe kufizim të padrejtë. Dora e padukshme është simboli më kuptimplotë për të hedhur poshtë çdo mundësi apo propozim për praninë e një institucioni apo instrumenti ndikues mbi mekanizmin. Qoftë institucionet e ashtuquajtura rregullatore, qoftë aktorët konkurrues me peshë të rëndësishme, përfaqësojnë dy rastet ekstreme të ndërhyrjes në ekonomi. Ndonëse, ndërhyrja në ekonomi është një togfjalësh terminologjik që i shoqërohet gjithmonë shtetit si agjent veprues në sistem, ajo është poaq e mundur edhe për sipërmarrjet apo sipërmarrësit privatë, që duke gëzuar peshë përcaktuese në ofertë, mund të ndikojnë sezonalisht apo lokalisht (globalisht në rastin e transnacionalëve) funksionimin e mekanizmit të tregut.

Por si arrihet mosndërhyrja e plotë? Teoricienët e kapitalizmit i kanë dhënë një përgjigje dykrerëshe këtij problemi gjithaq dykrerësh: shteti duhet të jetë i vogël, pra të kryejë vetëm rolet bazë të mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë; biznesi duhet të jetë i vogël, pra të mos jetë në gjendje të ndikojë në ekuilibrin e tregut dhe të përfitojë në dëm të konsumatorëve. Madhësia nuk është vetëm tregues i suksesit, por edhe burim i fuqisë, pushtetit dhe ndikimit. Një shtet i madh ngrihet në kurriz të pronës dhe aktivitetit privat, si një kancer ndaj organeve të shëndosha. Një biznes i madh, i fuqishëm, i pushtetshëm dhe ndikues shkatërron përpjekjet e sipërmarrjeve të vogla e të mesme, ashtu si një kancer malinj shndërron organet në kalbësirë.

Megjithatë, e vogla synon të bëhet e madhe dhe kjo është krejt e natyrshme. Çdo gjë e gjallë, rritet. Por mbi të gjitha ajo maturohet. E tillë duhet të jetë edhe sipërmarrja: e maturueshme. Por organizmat plaken dhe vdesin, a duhet të plaken dhe të vdesin edhe iniciativat fitimprurëse private? Sipas ligjit, ato nuk përfundojnë me vdekjen e pronarit, por trashëgohen te pasardhësit. Ashtu siç nuk merr fund jeta me kalimin e brezave, ashtu nuk merr fund as iniciativa me kalimin e kohës. Jeta ruhet përmes riprodhimit. Pasuria dhe biznesi ruhen duke u trashëguar dhe duke u menaxhuar mirë. Por ndërsa një pjesë e sipërmarrjeve rriten për shkak të menaxhimit të mirë, disa të tjera tkurren dhe shuhen për shkak të mungesës së tij. Në këtë rast është supozuar se secila prej tyre ofron produkte dhe shërbime të ngjashme dhe konkurruese. Kështu më të suksesshmit marrin edhe pjesën e lëshuar nga të dështuarit. Kështu ato shëndoshen dhe ndërsa rriten, fitojnë fuqi dhe pushtet, ndikojnë në dorën e padukshme dhe këtu fillon plakja dhe vdekja e vetë mekanizmit të tregut. Tregu shndërrohet vetëm në një pikëtakim real apo virtual, ku blerësit duhet të paraqiten për t’u furnizuar, pa mundësinë për të zgjedhur ndërmjet dy vendimeve: të blejnë apo të refuzojnë të bëjnë kështu.

Të themeluar si nisma individuale apo si ndërmarrje shtetërore, monopolet, bashkë me pjesën e tregut të dështakëve, gllabërojnë edhe fuqinë vendimmarrëse të konsumatorëve, pra tërthorazi edhe mirëqenien e tyre. Ndonëse në emër të eficencës është rrahur mjaft se bizneset e mëdha janë në gjendje të ulin kostot përmes përfitimeve nga ekonomitë e shkallës, për shkak të mundësisë së tyre për të dëmtuar dhe asgjësuar konkurrencën, kjo eficencë nuk kthehet në përfitim të matshëm për publikun blerës, por bëhet një normë e shtuar fitimi për vetë aksionerët/pronarët. Në fakt korporatat do të ishin të pamenaxhueshme nëse do të kompozoheshin si një bashkim i ngurtë i disa/shumë sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. As një shumatore e mikrofunksioneve të tyre nuk është eficente. Kësisoj, ato priren të zëvendësojnë njerëzit me teknologji të automatizuar. E thënë thjesht, një korporatë që realizon një vëllim ekonomik të barabartë me shumatoren e vëllimeve ekonomike të një numri të caktuar sipërmarrjesh të vogla dhe të mesme, punëson më pak njerëz se ç’punësojnë të gjitha këto sipërmarrje të marra së bashku. Duke qenë se normat e fitimit të korporatave, për shkak të aftësisë së tyre për të përcaktuar çmimin, priren të jenë më të larta, atëherë jo vetëm që të ardhurat do të shpërndahen në më pak duar, por edhe totali i të ardhurave të shpërndara në këto pak duar është më i madh se totali i të ardhurave të fituara nga sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Kësisoj, sipas një progresioni gjeometrik, thellohen zhbalancimet.

SME-të (sipërmarrjet e vogla dhe të mesme), në dallim nga korporatat, priren të punësojnë më shumë njerëz, duke shpërndarë, me gjasë, më shumë të ardhura për të punësuarit. Duke qenë më të konkurrueshme, ato janë më të bindura ndaj çmimit ekuilibër dhe arrijnë të realizojnë fitime më të moderuara. Fitime më të moderuara për SME-të do të thotë më pak tërheqje të parasë nga publiku në drejtim të sipërmarrësve, duke ndikuar sakaq në mënyrë të tërthortë në shpërndarjen e drejtë të pasurisë. Ky lloj i biznesit është përgjithësisht pronë e një ose disa familjeve dhe i shërben tregut lokal, që, duke lënë terren të favorshëm për zhvillimin e bizneseve të ngjashme në çdo rajon, e rrit me progresion gjeometrik shkallën e shpërndarjes së drejtë të pasurisë.

Një tjetër argument që përdoret për të justifikuar nevojën për korporatat është se ato janë në gjendje të realizojnë projekte të mëdha, që shpeshherë shtrihen në një plan ndërshtetëror ose global. Projekte të tilla si ndërtimi i korridoreve të transportit, përparimi teknologjik etj., që kërkojnë ndërthurjen e burimeve dhe njohurive të shumëllojta, janë komplekse dhe vetëm korporatat e mëdha dhe me përvojë janë në gjendje t’i implementojnë ato. Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e korporatave funksionojnë si njësi për menaxhimin e projekteve, që nënkotraktojnë pjesën më të madhe të proceseve që përbëjnë projektin. Si të tilla, ato do të ishin lehtësisht të zëvendësueshme nga organizma të vetë bizneseve lokale, për të marrë përsipër vetë realizimin e projekteve të tilla. Ato mund të funksiononin si organizma jofitimprurës dhe të shmangnin kësisoj jo vetëm marzhet overhead të monopoleve, por edhe dëmin që këto të fundit i bëjnë garës në treg.

Ndonëse tingëllojnë të djathta, monopolet përfaqësojnë një mutacion të rëndë të idesë së liberale mbi tregun. Duke shfrytëzuar dobësitë dhe mosveprimin e skeptrit të rregullacionit shtetëror, disa prej agjentëve ekonomikë fitojnë epërsi ndaj të tjerëve dhe krijojnë një mosbaraspeshim ndikues mbi ekuilibrin. Një dështim i shtetit të djathtë sjell një dështim të idesë së djathtë mbi tregun. Në thelb të idesë liberale është konkurrenca e plotë, që mund të garantohet vetëm nga SME-të. Asnjë instrument i drejtpërdrejtë nuk mund ta rregullojë mekanizmin e tregut të lirë më mirë se vetë gara e ndershme mes aktorëve. Lufta më e mundur ndaj monopoleve është zhvillimi i SME-ve. Të karakterizuara nga një tipar lokal, me pronësi familjare dhe me rol më madh të burimeve njerëzore, SME-të sjellin një zhvillim të balancuar, shpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe qeverisje më të decentralizuar.

*Vehap Kola është Auditor i Teknologjisë dhe Inovacionit për SME-të.