×

"Dikush kishte guxuar të sulmonte Amerikën. Ata do ta paguanin"

"Dikush kishte guxuar të sulmonte Amerikën. Ata do ta paguanin"

· 1 · 197

  • Postime: 23736
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 15-11-2010, 00:43:08
"Dikush kishte guxuar të sulmonte Amerikën. Ata do ta paguanin"

Të martën, në 11 shtator 2001, u zgjova para agimit në suitën time në Colony Beach pranë Sarasota, Florida. Nisa mëngjesin duke lexuar Biblën dhe më pas zbrita për një vrap. Ishte errësirë teksa nisa të vrapoja përreth fushës së golfit. Agjentët e shërbimit të fshehtë ishin mësuar me rutinën time të ushtrimeve; vendësve mund t'u jetë dukur disi i çuditshëm ky vrapim në errësirë.

U riktheva në hotel, bëra një dush të lehtë, hëngra mëngjes dhe u hodha një sy gazetave të mëngjesit. Lajmi më i madh ishte që Michael Jordan po rikthehej në NBA. Lajmet e tjerë fokusoheshin në zgjedhjet primare për kryebashkiakun e Nju Jorkut, si dhe një rast të dyshuar për sëmundjen e lopës së çmendur në Japoni. Rreth orës 8 të mëngjesit, mora informacinin e përditshëm. Ky raport i përditshëm bashkë me informacione të klasifikuar të shërbimit të fshehtë, me analizë të thellë mbi gjeopolitikën, ishin një prej pjesëve më të mrekullueshme të ditës sime. Raportimi i 11 shtatorit, i dërguar nga një analist shumë i mprehtë i CIA që quhej Mike Morell mbulonte Rusinë, Kinën dhe kryengritjen palestineze në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Menjëherë pasi lexova raportin, u nisëm për një vizitë në shkollën fillore "Emma E. Booker" për të folur për reformën në arsim.

Rrugës nga makina deri në klasën e shkollës, Karl Rove përmendi që një avion ishte përplasur në Qendrën Botërore të Tregtisë. Tingëlloi e çuditshme...

...Më pas, më telefonoi Condi. I fola nga një linjë e sigurtë në një klasë që ishte shndërruar në një qendër komunikimi për stafin udhëtues të Shtëpisë së Bardhë. Më tha që avioni që sapo kishte goditur QBT nuk ishte një avion i lehtë. Ishte një avion udhëtarësh. U befasova. Ai avion duhej të kish patur pilotin më të keq në botë. I kërkova Condit të qëndronte në krye të situatës dhe i kërkova drejtorit të komunikimit, Dan Bartlett, që të përgatiste një deklaratë ku premtohej mbështetje e plotë e Shërbimeve Federale të Emergjencës.

Përshëndeta drejtoreshën e "Booker", një grua miqësore që quhej Gwen Rigell. Ajo më prezantoi me mësuesen, Sandra Kay Daniels, si dhe klasën plot me nxënës të klasës së dytë. Zonjusha Daniels po kryente një orë mësimi leximi me klasën. Pas pak çastesh, u kërkoi studentëve të merrnin librat. Ndjeva praninë e dikujt pranë. Andy Card afroi kokën tek koka ime dhe më pëshpëriti në vesh: "Një avion i dytë goditi kullën e dytë", më tha duke e shqiptuar çdo fjalë me një aksent të Massachusetts. "Amerika është sulmuar".

Reagimi im i parë ishte zemërim. Dikush kishte guxuar të sulmonte Amerikën. Do ta paguanin. Më pas, pashë fytyrat e fëmijëve përpara meje. Mendova për kontrastin mes brutalitetit të atyre që kishin sulmuar dhe pafajësisë së atyre fëmijëve. Miliona si atë shumë shpejt do të mbështeteshin tek unë për t'i mbrojtur. Isha i vendosur të mos i lija në baltë. Pashë gazetarë në pjesën e pasme të klasës, që mësonin për lajmin në celularë. E dija që reagimi im do të regjistrohet dhe shfaqej në të katër anët e botës. Vendi do të ishte i tronditur; Presidenti nuk mund të ishte. Nëse largohesha me nxitim, do të frikësoja fëmijët dhe do të shkaktoja valë paniku në të gjithë vendin. Mësimi i leximit vazhdoi, por mendja ime ishte shumë larg asaj klase. Kush mund ta kishte bërë? Sa i madh ishte dënmi? Çfarë duhej të bënte qeveria?

Sekretari i Shtypit, Ari Fleischer, u pozicionua mes gazetarëve dhe meje. Ai ngriti një tabelë ku shkruante: "Mos thuaj asgjë". Nuk kisha në plan. Kisha një plan veprimi në mendje: kur të përfundonte mësimi, do të largohesha nga klasa i qetë, do të mblidhja fakte dhe pastaj do t'i flisja kombit. Rreth shtatë minuta pasi Andy hyri në klasë, u riktheva në dhomën e komunikimit ku dikush kish vendosur një televizor. Pashë i tmerruar transmetimin me ngadalësi të pamjeve ku avioni i dytë godiste kullën e dytë. Lëmshi i madh i zjarrit dhe shpërthimi i tymit ishin më keq nga sa e kisha imagjinuar. Vendi duhej të ishte i tronditur dhe unë duhej të dilja menjëherë në televizion. Përgatita shpejt e shpejt një deklaratë.

"Zonja dhe zotërinj, ky është një moment i vështirë për Amerikën", e fillova. "...Dy avionë janë përplasur me Qendrën Botërore të Tregtisë në atë që duket si një sulm terrorist kundër vendit tonë". Pati një psherëtimë nga audienca e prindërve dhe komunitetit që prisnin një fjalim mbi arsimin. "Terrorizmi kundër kombit tonë nuk do të qëndrojë", thashë. E mbylla duke kërkuar një moment heshtje për viktimat.

Më vonë mësova se fjalët e mia ishin një jehonë e premtimit të tim eti që, "ky agresion nuk do të qëndrojë", pasi Sadam Huseini pushtoi Kuvaitin. Në shënimet e mia kisha shkruajtur, "Terrorizmi kundër Amerikës nuk do të qëndrojë". Fjalët e tim eti duhej të ishin ngulitur në nënvetëdijen time, në pritje për të ridalë në sipërfaqe në një tjetër moment krize. Shërbimi i fshehtë donte që të shkoja me shpejtësi në Air Force One. Teksa eskorta ecte me shpejtësi përgjarë Florida Route 41, i telefonova Condit nga linja e sigurtë në limuzinë. Ajo më tha se kish patur një avion të tretë të rrëzuar, ky i fundit në Pentagon. U mbështeta në sedilje dhe po absorboja fjalët e saj. Mendimet m'u qartësuan: Avioni i parë mund të kish qenë aksident. I dyti ishte një sulm. I treti ishte një shpallje lufte. Gjaku më ziente. Ne do ta gjenim kush e kish bërë këtë dhe do i ndëshkonim.

Ndryshimi drejt kohës së luftës qe i dukshëm në aeroport. Agjentë me pushkë rrethonin Air Force One. Dy prej stjuardesave qëndronin në krye të shkallëve. Fytyrat e tyre tradhtonin frikën dhe trishtimin. E dija që miliona amerikanë ndiheshin po kështu. I përqafova dhe u thashë se çdo gjë do të rregullohej. Hyra në kabinën presidenciale dhe kërkova të rrija vetëm. Mendova për frikën që do të kish mbështjellë pasagjerët e atyre avionëve si dhe dhimbjen që do të mbështillte familjet e të vdekurve. U luta që Perëndia të zbuste vuajtjen dhe të udhëhiqte vendin për të dalë nga kjo gjendje. Mendova fjalët e një prej himneve të preferuar: "god of Grace, god of glory: Grant us wisdom, grant us courage, for the facing of this hour".

Ndërkohë që emocionet e mi duhet të kenë qenë të ngjashëm me ata të shumë amerikanëve, detyrat e mia nuk ishin. Nuk do të kishte kohë për të vajtuar. Do të kish një shans për të kërkuar drejtësi. Por në fillim duhej të menaxhoja krizën. Na kish ndodhur sulmi më shkatërrues që nga koha e Pearl Harbour. Një armik kishte goditur kryeqytetin tonë për herë të parë që nga viti 1812. Në një mëngjes të vetëm, qëllimi i presidencës sime qe bërë i qartë: të mbroja popullin tonë dhe lirinë tonë që ishin sulmuar. Hapi i parë i një reagimi të suksesshëm në kohë krize është të projektosh qetësi. Këtë isha përpjekur të bëja në Florida. Më pas, duhej të rendisnim faktet, të ndërmerrnim veprime për të siguruar kombin dhe të ndihmonim në rimëkëmbjen e zonave të dëmtuara. Me kalimin e kohës ne duhej të hartonim një strategji për të sjellë terroristët para drejtësisë, që ata të mos sulmonin më.

I telefonova Dick Cheney-t teksa Air Force One ngjitej me shpejtësi, shumë më lart se lartësia jonë e zakonshme. Ai kishte zbritur në Qendrën Nëntokësore të Operacioneve të Emergjencës, kur Shërbimi i Fshehtë kishte menduar që një avion mund të ishte duke ardhur për të goditur Shtëpinë e Bardhë. I thashë që do të merrja vendime nga ajri dhe prisja që ai t'i zbatonte në tokë.

...Dick më telefonoi pak momente më vonë. Condi, Josh Bolten dhe zyrtarë të lartë të ekipit të Sigurisë Kombëtare ishin bashkuar me të në qendrën operative. Ishin informuar që një avion që nuk përgjigjej qe nisur drejt Uashingtonit. Dick më kërkoi të konfirmoja urdhërin që kisha dhënë për goditjen e tij. Konfirmova. Më vonë mësova që Josh Bolten kish kërkuar qartësimin për të siguruar që po respektohej zinxhiri i komandës. Mendova për kohën kur kisha qenë pilot. "Nuk e imagjinoj dot si është të marrësh një urdhër si ky", i thashë Andy Card. Sigurisht që shpresoja që askush të mos e ekzekutonte.

Një tjetër vendim ishte ku të ulej Air Force One. Mendoja që duhej të riktheheshim në Uashington. Doja të isha në Shtëpinë e Bardhë për të udhëhequr reagimin. Do të ishte një siguri për kombin të shihte presidentin në kryeqytetin që ishte sulmuar. Pak pasi u ngritëm nga Sarasota, Andy dhe Eddie marinzel i Shërbimit të Fshehtë, më thanë që Uashingtoni ishte shumë i paqëndrueshëm dhe kishte rrezik të lartë për sulm. Agjencia Federale e Transportit Ajror besonte se ishin rrëmbyer gjashtë avionë që do të thoshte se tre të tjerë mund të ishin në ajër. U thashë që nuk do të lejoja që të më trembnin terroristët. "Unë jam Presidenti", thashë i vendosur. "Dhe ne do të shkojmë në Uashington".

Ata qëndruan në të tyren. Urreja imazhin e terroristëve që më bënin të merrja arratinë. Por po aq sa doja të rikthehesha, mendova që një pjesë e përgjegjësisë sime ishte që të siguroja vazhdimësinë e qeverisë. Do të ishte një fitore e madhe propagandistike për armikun nëse eleminonin Presidentin. Ndihmësi ushtarak dhe Shërbimi i Fshehtë rekomanduan që avionin ta ulnim në bazën ajrore "Barksdale" në Louisiana, ku mund të rifurnizoheshim. Unë u zbuta. Pak minuta më vonë, ndjeva Air Force One të merrte një kthesë të fortë drejt perëndimit. Një prej irritimeve më të mëdhenj që pata në 11 shtator ishte teknologjia pikëlluese e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë. Avioni nuk kish televizion satelitor. Vareshim nga çfarëdo lloj sinjali lokal që kapnim. Pas disa minutash transmetim, ekrani ngecte. Por pashë aq pamje sa të kuptoja se çfarë tmerri po shihte me sy populli amerikan.

...Shembja e kullave e zmadhoi katastrofën. Pesëdhjetë mijë vetë punonin në ndërtesa në një ditë normale pune. Disa ishin evakuuar, por pyesja veten se sa kishin mbetur pas? Mijëra? Dhjetra, mijëra? S'e kisha idenë. Por isha i sigurtë se sapo kisha parë më shumë amerikanë të vdisnin sesa çdo president tjetër në histori.

... Kur merrnim informacion, ai ishte shpesh kontradiktor dhe ndonjëherë i gabuar. Po përjetoja mjegullën e luftës. Kishte lajme për një bombë në Departamentin e Shtetit, zjarr në National Mall, një avion korean i rrëmbyer i nisur për në SHBA, si dhe një telefonatë për rrezik ndaj Air Force One. Telefonuesi kish përdorur emrin e koduar të avionit, Angel, që shumë pak njerëz e dinin. Lajmi më i çuditshëm erdhi kur më informuan për një objekt me shpejtësi të lartë që fluturonte drejt fermës sonë në Crawford. Më vonë, të gjithë këto informacione rezultuan falsë. Por duke patur parasysh rrethanat, ne duhej ta merrnim seriozisht secilin prej tyre.

Një lajm që mora rezultoi i vërtetë. Një avion i katërt ishte rrëzuar diku në Pennsylvania. "E goditëm ne apo u rrëzua"?, pyeta Dick Cheneyn. Askush nuk e dinte. Ndjeva një zbrazëtirë në stomak. A mos kisha urdhëruar unë vdekjen e atyre amerikanëve të pafajshëm?

Kur mjegulla u shpërnda, mësova për heroizmin e pasagjerëve të Flight 93. Pasi kishin dëgjuar për sulmet e tjerë nga telefonatat e të afërmve të tyre, pasagjerët kishin vendosur të sulmonin kabinën e pilotit. Në një prej fjalëve të fundit të regjistruara nga fluturimi, një njeri me emrin Todd Beamer dëgjohet tek mbledh pasagjerët e tjerë dhe thotë: "Shkojmë!" më vonë, Komisioni i 11 shtatorit konkludoi se revolta e pasagjerëve në Flight 93 mund të ketë shpëtuar ose Capitol Hill ose Shtëpinë e Bardhë nga shkatërrimi. Akti i tyre i kurajës renditet ndër më madhështorët në historinë e Amerikës.

Isha përpjekur të lidhesha me Laurën gjithë mëngjesin. Ajo ishte programuar të dëshmonte para një Komisioni të Senatit për nismën tonë në arsim, në pothuaj të njëjtën kohë kur avionët kishin goditur kullat e QBT. Kërkova të telefonoj disa herë po linja binte. Nuk mund ta besoja që Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk lidhej dot me të shoqen që ndodhej në ndërtesën e Kongresit. "Çfarë dreqin po ndodh?", i ulërita Andy Card.

Më në fund u lidha me Laurën teksa Air Force One zbriti në "Barksdale". Zëri i Laurës është gjithmonë qetësues, por atë ditë ishte veçanërisht rehatues. Më tha se Shërbimi i Fshehtë e kish dërguar në një vend të sigurtë. U qetësova shumë kur më tha që kish folur me Barbaran dhe Jennan dhe që të dyja ishin mirë. Laura më pyeti se kur do të kthehesha në Uashington. I thashë që të gjithë më kërkonin të mos kthehesha, por që do të kthehesha atje shumë shpejt. Nuk e kisha idenë nëse kjo qe e vërtetë, por shpresoja shumë.

Zbritja në Barksdale m'u duk si futja në një shesh xhirimi. Avionë f-16 nga njësia ime e dikurshme në bazën ajrore "Ellington" në Houston na kishin shoqëruar gjithë rrugës. Linja e taksive qe mbushur me avionë bombardues. Ishte një skenë mbresëlënëse, fuqia e forcës sonë ajrore. E dija që ishte vetëm çështje kohe përpara se ta vija në përdorim atë forcë kundër kujtdo që kish urdhëruar sulmin.

Nuk kishte eskortë presidenciale në "Barksdale", kështu që komandanti, gjenerali Tom Keck kish improvizuar. Agjentët më shoqëruan me shpejtësi poshtë shkallëve të avionit dhe më futën në një makinë, e cila u nis menjëherë me shpejtësi shumë të madhe. I thirra shoferit: "Ngadalëso, bir, nuk ka terroristë në këtë bazë!" Ndoshta në ato momente isha më pranë vdekjes se kurrë në atë ditë.

U lidha me Don Rumsfeld në një linjë të sigurtë në zyrën e gjeneralit Keck në "Barksdale". Kish qenë e vështirë të lidhesha me të sepse sapo kish goditur avioni në Pentagon, Don kish dalë të ndihmonte punëtorët e emergjencës që fusnin viktimat në barrela. I thashë që e konsideroja sulmin një akt lufte dhe miratova vendimin e tij për të rritur gatishmërinë e ushtrisë në Def Con Three, për herë të parë që nga koha e luftës arabo-izraelite në 1973.

... I thashë Don që prioriteti ynë kryesor ishte të kaloni krizën e menjëhershme. Pas kësaj, kisha në plan një reagim serioz ushtarak. "Topi do të jetë në fushën tënde dhe të Dick Myersit", i thashë.

Në 11:30 me orën e Louisianës kishin kaluar tri orë qëkur i kisha folur kombit. Isha i shqetësuar që njerëzit do të krijonin përshtypjen që qeveria qe shpërbërë. Laura kish shprehur të njëjtin shqetësim. Regjistrova një mesazh të shkurtër ku shpjegoja që qeveria po përgjigjej dhe që kombi do ta përballonte këtë provë. Ndjenja ishte e duhura, por vendi, një sallë konferencash në një bazë ushtarake në Louisiana, nuk frymëzonin shumë besim. Populli amerikan kish nevojë ta shihte Presidentin në Uashington.

I kërkova Andy-t të më thoshte se kur mund të ktheheshim në Shtëpinë e Bardhë. Agjentët e Shërbimit të Fshehtë thanë se ishte ende e pasigurtë. Kështu mendonin edhe Dick e Condi. Ata rekomanduan që të shkoja në Komandën Strategjike në bazën ajrore të Nebraskas. Kishte hapësirë të sigurtë strehimi dhe komunikim të besueshëm. U tërhoqa përsëri. Teksa hipnim në avion në "Barksdale, Air Force po mbushej me ushqim dhe ujë shtesë. Duhej të ishim gati për çdo mundësi. Pasi mbërritëm në Nebraska, më shoqëruan në qendrën e komandës, e cila qe e mbushur me oficerë që kishin marrë pjesë në stërvitje ushtarake. Papritur, një zë u dëgjua në sistemin e zërit. "Z. President, një avion që nuk përgjigjet po vjen nga Madridi. A kemi urdhër që ta godasim?"

Reagimi im i parë ishte: Kur do të marrë fund e gjithë kjo? Më pas theksova rregullat e angazhimit që kisha miratuar më herët. Mendja më shkonte në skenarët më të këqinj. Cilat ishin pasojat diplomatike të rrëzimit të një avioni të huaj? Ose, po sikur të vonoheshim dhe terroristët të godisnin shënjestrën e tyre? Zëri në sistemin e speaker-ave u rikthye: "Avioni nga Madridi është ulur në Lisbonë, Portugali."

Falë Zotit, mendova. Ishte një tjetër shembull i mjegullës së luftës. U zhvendosëm në qendrën e komunikimit, ku kisha kërkuar një mbledhje të Sigurisë Kombëtare me videokonferencë. Kisha menduar me kujdes atë që doja të thoja. E nisa me një deklaratë të qartë: "Jemi në luftë kundër terrorizmit. Nga kjo ditë, ky është prioriteti i ri i administratës sonë". Mora një raportim për reagimin e emergjencës. Më pas u ktheva nga George Tenet. "Kush e bëri këtë?" e pyeta. George u përgjigj me dy fjalë: al-Kaeda.

Para 11 shtatorit, shumica e amerikanëve nuk kishin dëgjuar për al-Kaedën. Kisha marrë informacionin e parë për këtë rrjet terrorist kur isha kandidat për president. Arabisht për "bazë", al-Kaeda ishte një rrjet terrorist fondamentalist që strehohej dhe mbështetej nga qeveria talebane në Afganistan. Udhëheqësi i saj ishte Osama bin Laden, një radikal saudit nga një familje e pasur që ishte dëbuar nga mbretëria kur iu kundërvu vendimit të qeverisë që të lejonte trupat amerikane të qëndronin aty gjatë Luftës së Gjirit. Grupi kishte pikëpamje ekstremiste dhe e konsideronte detyrë të vriste këdo që u pengonte rrugën.

Al-Kaeda kishte një prirje për sulme të mëdhenj. Tre vite më herët, terroristët kishin vendosur bomba në dy ambasada amerikane në Afrikën lindore që shkaktuan vdekjen e më shumë se 200 vetëve dhe plagosën më shumë se pesë mijë. Ata ishin gjithashtu organizatorë të sulmit kundër USS Cole që mori jetën e shtatë marinarëve amerikanë në brigjet e Jemenit në tetor 2000. Deri në pasditen e 11 shtatorit, Komuniteti i Zbulimit kishte zbuluar operativë të njohur të al-Kaedës në listat e udhëtimit të avionëve të rrëmbyer.

CIA kish qenë e shqetësuar për al-Kaedën që përpara 11 shtatorit, por informacionet e tyre flisnin për një sulm jashtë vendit. Gjatë fundit të pranverës dhe fillimit të verës 2001, ne kishim forcuar sigurinë në ambasada jashtë vendit, kishim rritur bashkëpunimin me shërbimet e huaj të zbulimit, si dhe kishim bërë lajmërime për rrëmbime të mundshëm avionësh në fluturimet ndërkombëtarë. Në nëntë muajt e parë të presidencës sime, kishim ndihmuar në eleminimin e rreziqeve terroristë në Paris, Romë, Turqi, Izrael, Arabinë Saudite, Jemen dhe vende të tjerë.

Gjatë verës, i kisha kërkuar CIA-s të riekzaminonte aftësitë e al-Kaedës për të sulmuar në brendësi të SHBA-së. Në fillim të gushtit, Agjencia më solli një raport të përditshëm presidencial ku përsëritej qëllimi i kahershëm i Bin Ladenit për të sulmuar Amerikën, por nuk konfirmonte plane konkretë.

Në 11 shtator u bë e qartë që Komunitetit të Inteligjencës i kish shpëtuar diçka e madhe. Isha i alarmuar nga gabimi dhe prisja një shpjegim. Por nuk mendova që ishte e përshtatshme të drejtoja gishtin apo fajësoja dikë në mes të krizës. Shqetësimi im i menjëhershëm ishte që mund të kish pjesëtarë të tjerë të al-Kaedës në Amerikë.

Pashë ekranin në qendrën e ushtrisë në Nebraska dhe i kërkova George Tenet të mbante veshët ngrehur, një term që nënkuptonte të dëgjonte të gjithë informacionet e zbulimit dhe të ndiqte çdo pistë të mundshme. Bëra gjithashtu të qartë se kisha ndërmend të përdorja ushtrinë në këtë luftë, kur të vinte koha. Reagimi ynë nuk do të ishte thjesht një sulm me raketë. Siç e thashë më vonë, do të bënim më shumë sesa thjesht të, "dërgonim një raketë një milion dollarëshe mbi një çadër pesëdollarëshe". Kur Amerika të përgjigjej ndaj këtyre sulmeve, do ta bënte me forcë dhe efektivitet. RD
 

"I love Tropoja" - Pershtypjet

Nisur nga M A XRubrika Kultura

Postimi i fundit 01-02-2020, 16:15:02
nga SteriOtipi B
Amanda "Ava Max" Koçi

Nisur nga ΩμέγαRubrika Muzika

Postimi i fundit 11-01-2020, 20:30:17
nga Ωμέγα
"Big brother" eshte kinez

Nisur nga M A XRubrika Tech

Postimi i fundit 22-12-2019, 23:27:59
nga M A X
Ç’po ndodh në Amerikën Latine

Nisur nga M A XRubrika Bota

Postimi i fundit 22-12-2019, 22:54:57
nga M A X
Flori Mumajesi "Thjesht te du"

Nisur nga M A XRubrika Muzika

Postimi i fundit 10-11-2019, 16:22:20
nga M A X