×
Hyrja
Profili

Amerika në flakë

Amerika në flakë

· 4 · 503

  • Postime: 21592
InfoZ
ne: 01-06-2020, 20:56:08
 

Protesta paqësore u shndërruan në plaçkitje, vënie zjarri dhe dhunë në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte në paraburgim policor në Minneapolis të Minesotës. Siç njofton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, megjithë vendosjen e ndalim-qarkullimeve dhe një rritje të pranisë së forcave të rendit në rrugët e shumicës së qyteteve më të mëdha amerikane, tensionet racore kanë arritur një pikë të nxehtë.

Në trazira të përhapura që nuk janë parë në dekada … qytetet amerikane nga Siatëlli në Uashington D.C u dogjën ndërsa më shumë protesta paqësore gjatë ditës u kthyen në trazira dhe shkatërrime gjatë natën.

Guvernatorët në 12 shtete amerikane kanë aktivizuar trupat e Gardës Kombëtare për të shuar dhunën dhe për të rivendosur rendin.

Ishte masa më e fundit pas një javë tensionesh të përshkallëzuara pasi George Floyd vdiq në arrest policor. Derek Chauvin, oficeri i Mineapolisit i cili e mbërtheu Floydin në tokë duke përdorur gjurin e tij, tani përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së tretë në lidhje me vdekjen e Floydit. Por protestuesit kërkojnë më shumë, përfshirë akuzat kundër oficerëve të tjerë të përfshirë.

"Dua të sjell ndryshim për njerëzit e mi sepse kjo ka ndodhur për shumë gjatë dhe gjërat duhet të ndryshojnë kudo sepse asgjë nuk do të ndryshojë nëse vazhdojmë të flasim, ose të vazhdojmë të postojmë diçka në mediat sociale. Kjo është e gjitha”, thotë një protestues në Mineapolis.

Që nga e enjtja, Associated Press raporton se policia ka arrestuar rreth 1.700 njerëz në 22 qytete në të gjithë vendin në lidhje me dhunën që ka lënë të djegura dhjetra biznese, oficerë të plagosur dhe disa demonstrues të vrarë.

Ajo që filloi si përgjigje ndaj vdekjes së Floydit në Mineapolis ka kapërcyer kufijtë e SHBA, duke tërhequr qindra njerëz në rrugët e Londrës në shenjë solidariteti me ata që kërkojnë barazi racore.

"Kemi parë për qindra vjet afrikano-amerikanët dhe njerëzit me ngjyra të abuzohen dhe të vriten në rrugë dhe kjo thjesht po përkeqësohet. Mjaft më, nëse ata nuk do të dëgjojnë ne" thjesht do të thërrasim me zë edhe më të lartë. Nuk do të ndalemi derisa të bëhet diçka. Mjaft Më!. Këta janë njerëz që nuk mbajnë më. Është koha për të bërë disa ndryshime", thotë një protestues në Londër.

Ligjvënësja e Minesotës në Kongres, Ilhan Omar përfaqëson pjesë të qytetit të Mineapolis në qendrën e demonstratave dhe thotë se duhet të ketë "reforma mbarëkombëtare".

"Trazirat që po shohim në vendin tone nuk janë vetëm për shkak të jetës që u mor, por gjithashtu sepse shumë njerëz e kanë provuar këtë përvojë. Shumë njerëz kanë përjetuar padrejtësi brenda sistemit tonë".

Në fjalimin e përgatitur pas nisjes së suksesshme të astronautëve të parë amerikanë në një anije hapësinore komerciale, Presidenti Donald Trump tha se ndërsa ai mbështet protestat paqësore, nuk do të tolerojë shkeljet ligjore dhe shkatërrimin.

"Kujtimi i Xhorxh Floidit po përdhoset nga rebelët, plaçkitësit dhe anarkistët. Dhuna dhe vandalizmi po drejtohet nga Antifa dhe grupe të tjera radikale të krahut të majtë, të cilët po terrorizojnë të pafajshmit, po shkatërrojnë vendet e punës, po dëmtojnë bizneset dhe po djegin ndërtesat ".

Ishte një mesazh që Këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien mbrojti pas një nate tjetër trazirash.

"Presidenti është i indinjuar nga kjo dhe të gjithë jemi. Kjo duhet të ndalet, dhe ne po i bëjmë thirrje FBI-së të hetojë Antifan dhe të arrijë në konkluzion për këta rebelues të dhunshëm. Nuk dua që ata të ngatërrohen me protestuesit paqësorë që kanë çdo të drejtë për të dalë në rrugë dhe kjo është ajo që e bën Amerikën ndryshe nga shumë vende të tjera të botës".

Me turmat e mëdha që mblidhen për të demonstruar vjen rreziku i përhapjes së mëtejshme të COVID-19. Ndërsa vazhdojnë trazirat në Amerikë, numri i infeksioneve në Sh.B.A nga koronavirusi po rritet gjithashtu së bashku me numrin e vdekjeve, i cili tani e kalon 100,000. /VOA Zeri Amerikes

 

 

 

 
« Editimi i fundit: 01-06-2020, 20:57:34 nga M A X »

  • Postime: 26671
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 03-06-2020, 10:01:26
Mes protestave të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara mbi vdekjen e George Floyd-it ndërsa mbahej nga policia, zyrtarët e shtetit kanë fajësuar provokatorë të jashtëm ekstremistë, duke thënë se ata përzihen me protestuesit e ligjshëm për të nxitur dhunën.
Guvernatori i shtetit Minesota Tim Walz citoi raportet e pakonfirmuara të shtunën se supremacistët e bardhë kishin qëndruar prapa protestave të dhunshme në Minneapolis, ku Floyd-i, i cili ishte afrikano-amerikan, vdiq të hënën e kaluar.

Kur nuk ishte bërë ende një deklaratë e tillë, Presidenti Donald Trump drejtoi gishtin drejt ekstremistëve të një ngjyre të ndryshme: aktivistëve antifashistë të krahut të majtë të njohur si antifa.

Duke fajësuar Antifa-n për dhunën që ndodhi në protesta në të gjithë vendin, Presidenti Trump u zotua ta përcaktojë atë si një organizatë terroriste.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr, nga ana e tij, paralajmëroi se dhuna e ushtruar nga antifa dhe grupe të tjera të ngjashme është “terrorizëm i brendshëm” dhe se do të trajtohet si e tillë.

Në vazhdim i hedhim një vështrim lëvizjeve ekstremiste të dyshuara për përfshirje në protesta:

Supremacistët e bardhë
Supremacistët e bardhë janë individë dhe grupe që besojnë në epërsinë e racës së bardhë, kundërshtojnë imigracionin dhe, në disa raste, mbrojnë dëbimin nga vendi i jo të bardhëve. Ndërsa dikur lëvizja prodhonte grupe të organizuara si Ku Klux Klan dhe organizatat neo-naziste, lëvizja është bërë gjithnjë e më e shpërndarë dhe pa një udhëheqës në vitet e fundit, me shumicën e anëtarëve që veprojnë tani në internet.

Megjithëse shumë supremacistë të bardhë nuk mbrojnë dhunën, një numër në rritje i individëve të frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë kanë kryer sulme vdekjeprurëse me armë vitet e fundit. Elementët e dhunshëm të ekstremit të djathtë njihen si “përshpejtuesit” sepse kërkojnë të përshpejtojnë një luftë të re racore. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka thënë se shumica e hetimeve të FBI-së për terrorizmin e brendshëm përfshijnë grupe të bardha supremaciste.

“Djemtë Boogaloo”

Një mishërim relativisht i ri i lëvizjes paraushtarake kundër qeverisë, djemtë Boogaloo janë një komunitet në internet i aktivistëve pro-armëve që dëshirojnë një boogaloo të dytë, termin e tyre për luftë civile. Lëvizja u ngrit verën e kaluar kur supremacistët e bardhë përvetësuan termin për një arsye të tyren: një luftë racore në vend të një lufte civile, thotë Megan Squire, profesore e shkencës kompjuterike në Universitetin Elon. Kryesisht të bardhë, edhe pse jo ekskluzivisht të tillë, anëtarët e lëvizjes Boogaloo kanë qenë duke e promovuar veten si libertarianë që luftojnë tiraninë, sipas zonjës Squire.

Antifa
Në varësi se kë pyesim, antifa, shkurtim i fjalës antifashist, është një lëvizje e aktivistëve të majtë që kundërshtojnë neo-nazistët dhe grupet e tjera ekstremiste ose, siç e thotë një kritik, një “lëvizje ekstreme anarkiste-komuniste”.

Duke u organizuar në mediat sociale, ndjekësit e antifas shfaqen në mitingje të krahut të djathtë të veshur me të zeza dhe duke mbajtur maska, dhe shpesh përfshihen në konfrontime të dhunshme.

Simpatizuesit e Antifës ishin në mesin e kundër-protestuesve që dolën kundër mitingut “Bashkimi i së djathtës” në vitin 2017 në Charlottesville, Virginia, që u shndërrua në një ngjarje të dhunshme.

Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë thotë se nuk e etiketon antifan si një grup urrejtjeje pjesërisht sepse anëtarët e saj “nuk promovojnë urrejtje bazuar në racë, fe, etni, orientim seksual ose identitet gjinor”.

Duke pasur parasysh që antifa nuk është një grupim, është e pasigurt sesi Presidenti Trump synon ta etiketojë atë si një organizatë terroriste. Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Anarkistët
Me simpatizantët nga e djathta dhe e majta, anarkistët e shohin qeverinë si të paligjshme dhe përpiqen të mbjellin kaos. Historia e tyre në Shtetet e Bashkuara shtrihet në më shumë se një shekull, kur një anarkist vrau Presidentin William McKinley në vitin 1901.

Sot, shumë anarkistë të rinj janë anëtarë të Aksionit Anti-Racist, një rrjet kombëtar i shoqatave antifa, sipas Qendrës Ligjore Jugore të Varfërisë (SPLC). Kritikët shpesh denoncojnë ndjekësit e antifa-s si anarkistë, me Presidentin Trump që fajëson për protestat e fundit të dhunshme “anarkistët e majtë radikalë”.

“Në pjesën më të madhe, anarkistët që shohim këtu në Shtetet e Bashkuara kanë tendencë të jenë më të zhgënjyer me të majtën progresive,” tha Brian Levin, profesor i drejtësisë penale në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë.

Por anarkistët gjithashtu lulëzojnë nga e djathta. Për shembull, Anarkistët Kombëtare të Zonës së Gjirit, “parashikojnë një luftë të ardhshme racore që do të çojë në enklavat neo-fisnore, vetëm me njerëz të bardhë, të cilat do të quhen” Zonat Autonome Kombëtare “, sipas SPLC-së. /VOA

  • Postime: 26671
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 04-06-2020, 18:36:19
 

A mundet që Shtetet e Bashkuara të jenë duke u përballur me një përsëritje të verës së vitit 1968? Në atë kohë, bota pa se si zemërimi popullor shpërtheu në të gjithë Amerikën, ndërsa periferitë e qyteteve të banuara në përgjithësi nga afro-amerikanët shpërthyen në zjarr dhe të rinjtë u bombarduan me gaz lotsjellës dhe u sulmuan e shpesh u rrahën brutalisht nga forcat speciale policore dhe Garda Kombëtare.

Rezultati i trazirave civile ishte ajo që një pjesë e liberalëve të Amerikës kanë frikë se do të përsëritet më vonë këtë vit. Richard Nixon, kandidati republikan për President në atë kohë i premtoi “shumicës së heshtur,” “atyre që nuk bërtasin,” dhe atyre që nuk marrin pjesë në demonstrata,” se ai do të rivendosë rendin dhe ligjin me forcë. Të shpartalluara, zonat urbane më së shumti afro-amerikane u lanë pa fonde federale dhe u izoluan edhe më shumë, ndërsa periferitë suburbane përgjithësisht të bardha blenë më shumë armë dhe policia u armatos a thua se ishte një degë e ushtrisë.

Telashet më 1968, njësoj si protestat sot, filluan gjithashtu me zemërim kundër shtypjes së njerëzve të zinj të Amerikës. Një ditë pasi Martin Luther King, JR., deklaroi se “kombi është i sëmurë,” ai u qëllua dhe u vra nga një kriminel racist i bardhë. Protestat që pasuan ishin jo vetëm një shprehje e zemërimit ndaj vrasjes së King, por edhe ndaj mungesës së mundësive ekonomike dhe arsimore që ishin rezultat i një historie të gjatë dhe shpesh të dhunshme racore.

Dhe pavarësisht se një afro-amerikan pati dy mandate në Shtëpinë e Bardhë së fundmi, kushtet sot vështirë se janë më të mira për ta. Dhe në disa drejtime, janë edhe më të këqija. Vdekja e dhunshme e King bëri jehonë këtë vit kur një i zi tjetër, George Floyd, i pafuqishëm 46 vjeçar nga Mineapolis, u vra nga një polic i cili i vuri gjurin në grykë për pothuajse 9 minuta.

Për më shumë, COVID-19 ka goditur afro-amerikanët me një ashpërsi të veçantë, për shkak se shumë prej tyre nuk kanë kursimet e nevojshme financiare dhe janë detyruar të punojnë në zonat e rrezikshme, si infermierë apo punëtorë të tjerë “thelbësorë,” shpesh pa kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Dhe sapo depresioni botëror të fillojë të ndjehet, shumë nuk do të kenë kurrfarë mbrojtjeje prej tij.

Dhe megjithatë, ka disa dallime të rëndësishme mes asaj që po ndodh sot dhe verës së vitit 1968, përveç faktit që muzika në atë kohë ishte më interesante dhe po kështu kishte më shumë shanse për seks. Kjo e fundit nuk është tërësisht për humor. Nëse je i izoluar për shumë muaj me radhë, për një të ri mungesa e seksit mund të shtojë zemërimin dhe rrjedhimisht, dëshirën për të dalë sërish në rrugë.

Protestat më 1968 nuk ishin vetëm për pabarazinë racore por edhe kundër Luftës në Vietnam. Të dyja këto çështje ishin të lidhura. Presidenti Lyndon B. Johnson, përgjegjës për përshkallëziimin e asaj lufte barbare, ishte një Demokrat, i njëjti njeri që miratoi ligjet për të drejtat civile të cilat në të vërtetë e përmirësuan jetën e afro-amerikanëve. Ai duke e bërë këtë provokoi urrejtjen e shumë prej votuesve nga jugu i Shteteve të Bashkuara, të cilët ia kaluan mbështetjen e tyre Partisë Republikane. Dhe kjo e fundit për këtë shkak u shty edhe më shumë djathtas.

“Ata që bërtasin” dhe “demonstruesit” kundër të cilëve Nixon bëri fushatë nuk ishin vetëm njerëz të zinj, por edhe të rinj të bardhë që i rezistonin rekrutimit për një luftë që ata e konsideronin imorale. Robert F. Kennedy, kandidati që premtoi se do t’i jepte fund luftës dhe që vizitoi getot që po digjeshin për të qetësuar frikërat e afro-amerikanëve, u vra dy muaj pas King.

Nixon fitoi zgjedhjet atë nëntor jo vetëm për shkak se ai zbuti “shumicën e heshtur” që ishte zënë nga paniku, me premtimin për ligj dhe rend, por edhe për shkak se Humbert Humphrey, një Demokrat i moderuar dhe dinjitoz, refuzoi të dënojë Luftën e Vietnamit. Joe Biden, kandidati kryesor i demokratëve për zgjedhjet e këtij viti, ka demonstruar se pavarësisht të gjitha defekteve, ai mund të mos jetë një Humber Humphrey i ri. Simpatitë e tij janë dukshëm me protestuesit. Biden ka dënuar publikisht shumë raste të dhunës policore kundër njerëzve të zinj të paarmatosur dhe ka premtuar se do të reformojë agjencitë ligjzbatuese.

Në kohë të këqija, sfiduesi ka disa avantazhe të caktuara. Njësoj si Johnson u mbajt përgjegjës për përshkallëzimin e një lufte shumë jopopullore, mbajtësi aktual i Shtëpisë së Bardhë do të ketë problemet e veta me sëmundjet e Amerikës sot. Donald Trump nuk mund të mbahet përgjegjës për pandeminë COVID-19, por ai mund të mbahet përgjegjës për reagimin e keq ndaj pandemisë.

Po kështu, racizmi institucional që ka hedhur sërish në flakë rrugët e Amerikës nuk ka filluar me Trupm. Por ai i ka fryrë zjarrit qëllimisht duke fyer imigrantët me lëkurë të errët si kriminelë dhe duke i ka quajtur supermacistët e bardhë të armatosur njerëz rë mirë apo ka injoruar protestuesit e zemëruar të zinj si “gangsterë,” apo ka nxitur milicët, rojet dhe policët, të shtypin me dhunë protestat, ose, siç e shprehu ai me një nënqeshte: “Ju lutem mos u tregoni me edukatë.”

Ndërsa disa grupe në ekstremin e djathtë në SHBA flasin me shpresë për një “luftë mes racave”, Trump nuk bën asgjë për të penguar entuziazmin e tyre të dhunshëm. Përkundrazi, ai duket sikur e mbështet atë. Një mesazh i kohëve të fundit në Twitter prej tij që thoshte se “kur fillojnë vjedhjet, fillojnë të shtënat,” është një citim i drejtpërdrejtë nga shefi i policisë së Majemit në Florida, i cili urdhëroi trupat e tij më 1967 të shënjestrojnë me shotgan demonstruesit nga “zonat e negrove” të qytetit të tij.

Kjo në politikë quhet “të përzjesh bazën.” Dhe një pjesë e madhe e bazës së Trump me të vërtetë që po përzjehet. Pyetja e madhe në Nëntor do të jetë se çfarë do të bëjnë njerëzit që votuan për të më 2016 por nuk janë mbështetës fanatikë të tij. Çfarë po mendojnë aktualisht gratë e bardha të rrethinave dhe punëtorët e mesëm të Mid Uestit apo të moshuarit e jugut?

Shumë amerikanë dukshëm janë tmerruar nga fjalët zjarrndezëse të presidentit të tyre. Por a do të mjaftojë zemërimi i tyre për të kapërcyer ankthin e krijuar nga dhuna nëpër protesta?

Dhe,  a do t’i shtyjnë sërish amerikanët paragjykimet racore shekullore – shpesh të pathëna, e madje edhe të papranuara – të votojnë një burracak ballist të bardhë që ofron një siguri false?

Shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet këtë verë të nxehtë. Nëse njerëzit mendojnë në mënyrë racionale në nëntor, është e vështirë të besosh se ata do të votojnë sërish këtë administratë rrënqethëse për t’i dhënë edhe katër vjet pushtet. Problemi është se frika është armiku më i madh i arsyes.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Another Long, Hot Summer in America
https://www.reporter.al/nje-vere-tjeter-e-gjate-dhe-e-nxehte-ne-amerike/

  • Postime: 7456
  • Gjinia: Mashkull
SteriOtipi B
#3 ne: 05-06-2020, 04:21:55
Qekur filluan plackitjet protesta e humbi shkelqimin.
Nuk tolerohet vrasja e atij te shkretit dhe duhen marre masat per te por tani kjo proteste Po kthehen ne sfond politik nga e majta sepse eshte e pafuqishme Ta munde Trump in ne zgjedhje dhe po perfiton nga kjo situate.

Temat e fundit