×

AOC: Një portret kritik për politikanen e majtë që po çmend Amerikën

AOC: Një portret kritik për politikanen e majtë që po çmend Amerikën

· 1 · 76

  • Postime: 22690
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 06-11-2019, 20:42:37
 

Mitologjia e krijuar rreth Alexandria Ocasio-Cortez (AOC) nuk kish sesi të mos bëhej një skenar ideal. E demonstron dokumentari i kohëve të fundit i prodhuar nga Netflix, “Knock down the house”. Fillon si historia e 4 kandidatëve outsider, progresiste dhe working class në primaret për zgjedhjet e mesit të afatit të Partisë Demokrate, por bëhet shumë shpejt historia e të vetmes prej tyre që ja del me sukses: domethënë e AOC. Politikisht, gara është bindëse. Sfida është e pabarabartë: kundër të gjitha parashikimeve, AOC duhet të mundë Joseph “Joe” Crowley, një pecogroso i partisë që kalon nga rizgjedhja në rizgjedhje. Terreni është Distrikti Kongresual i XIV i New York (Bronx lindor dhe pjesa qendrore e veriore e Queens): një melting pot etnik dhe social, i blinduar për demokratët. Posti në lojë është i lartë: kush fiton primaret, fiton një biletë vajtjeje për Uashington. Fushata duket një rast për manual personalizimi të politikës, por i ndërtuar përreth idesë së një lufte kolektive. Objektivi është “t’i rikthehet pushteti popullit”. Loja nuk është një përplasje midis “majtas” dhe “djathtës”, por midis “sipër” dhe “poshtë”. Alternative është midis “ne” dhe “tyre”, midis “popullit” dhe “elitës”. Lufta e vërtetë është kundër establishmentit demokrat që “shtyp demokracinë”. Nga dokumentari AOC del si politikane e lindur. Është fotozhenike, ka aftësi të mira oratoreske, këmbëngulje dhe kurajo. Fushata është e ndërtuar mirë: përmbajtjet janë dhe paraqiten bindshëm. Veç kësaj, kundërshtari ka mundësi që në fillim e nënvlerëson dhe kur zgjohet është shumë vonë. Establishmenti është mundur. AOC fiton primaret dhe, për pasojë, zgjedhjet e mesit të afatit për Dhomën e Përfaqësuesve: ka lindur një yll progresist.

Në vitin 1942, një austriak me maniera dhe me bindje aristokratike i emigruar në Amerikë, i quajtur Joseph Schumpeter, botonte “Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia”, një libër i destinuar të bëhej një klasik i teorisë politike falë përkufizimit të tij alternativ të demokracisë. Demokracia, thoshte Schumpeter, nuk është një proces nga poshtë – lart, në bazën e të cilit ekziston një “vullnet popullor” që identifikohet me një të “mirë të përbashkët” që përfaqësuesit duhet ta përkthejnë besnikërisht në zgjedhje qeverisëse. Në thelb, demokracia është një proces nga lart – poshtë. Është një konkurrencë midis pakicave të politikanëve me profesion për të siguruar votat e grupit të votuesve. Schumpeter bënte një analogji me tregun: politikani i trajton votuesit ashtu si tregtari trajton konsumatorët. Tregtari kërkon që të bëjë të përkojë oferta dhe kërkesa, politikani përpunon një platformë programatike dhe ideologjike që përfshin “instancat” e votuesve, që të sigurojë kështu votën e tyre dhe, për pasojë të sigurojë pushtetin. Përdorimi që i bën pastaj këtij pushteti është një problem tjetër.

Problemi kryesor është që zgjedhjet janë konkurrencë për pushtet. Për pasojë, politikani “fabrikon” një “vullnet kolektiv” të caktuar, që sigurisht nuk korrespondon me vullnetin e popullit – që nuk ekziston – por me imazhin e vullnetit sektorial të votuesve të tij. kjo nuk do të thotë se ato “instance” nuk ekzistojnë, por se janë të destinuara që të mbesin latente deri kur të gjejnë një interpretues që u jep atyre një fizionomi, duke i transformuar në një avantazh kompetitiv. Me pak fjalë, politikani duhet të kuptojë se cilat janë nevojat e pashprehura ose të krijojë një nevojë dhe më pas t’i asociiojë asaj një produkt të caktuar që premton ta plotësojë, domethënë të japë ofertën.

Metafora ekonomiciste e Schumpeter duket mjaft intuitive, por nuk mbaron këtu. Të gjitha partitë e mëdha të organizuara, qofshin ato në qeverisje, ose ato në opozitë, tentojnë që të marrin një dinamikë të tipit monopolist. Dhe monopolet janë problematikë në politikë aq sa janë edhe në ekonomi, pasi në mungesë të konkurrencës dy faktorë dobësohen: vëmendja ndaj reagimit të destinatarëve ndaj zgjedhjeve të tyre (klientë, përdorues apo votues qofshin) dhe stimuli për ta përmirësuar produktin e tyre që të mundin konkurrencën. Në këtë aspekt, sistemi demokratik të paktën ia kufizon deformimet duke paraqitur një konkurrencë për fitimin e pushtetit.

Nga kjo pikëpamje, historia e AOC duket se përputhet me rindërtimin e Schumpeter. Në thelb, Joe Crowley gjendej në një pozicion monopolist jokonkurrues (nuk mbaheshin zgjedhje primare në distrikt qysh nga 2004), me pak ose aspak stimul për të dëgjuar nevojat e votuesve. Nga ana tjetër, këta të fundit gjendeshin në një situatë ku nuk ekzistonte alternativë; në fakt, nuk ekzistonte ofertë tjetër (për demokratët) përveç Crowley.

Por për t’i kuptuar aftësitë shpjeguese e “teorisë moderne të demokracisë” të Schumpeter duhet bërë ende një hap prapa. Analogjia midis konkurrencës elektorale dhe ekonomisë së tregut është shumë më tepër se një shembull shpjegues. Për ta kuptuar, duhet marrë në konsideratë rëndësia që ideja e novatorizimit, e nënkuptuar si forcë e brendshme diskontinuiteti, luan në teorinë e tij të zhvillimit ekonomik. Motori qëndror i procesit novator të “shkatërrimit krijues”, sipas Schumpeter, është sipërmarrësi. Sipërmarrësit luajnë një funksion kryesor zhvillimi, pasi paraqesin novatorizma që “shkatërrojnë” situatat e konsoliduara dhe fusin element shkatërrues dhe risie. Që të mund ta bëjnë, në kontekstin e një ekonomie tregu, kanë nevojë për kredi. Dhe kjo kredi u jepet atyre nga kapitalistët.

Këta të fundit përfaqësojnë elementin llogaritës dhe racional të sistemit kapitalist, ndërsa sipërmarrësit veprojnë edhe mbi bazën e motiveve pararacionale, si shija për konkurrencën si e tillë, dëshira për t’u imponuar, krenaria familjare e të tjera. Domethënë sipërmarrësi përfaqëson një forcë të brendshme në zhvillimin kapitalist, jo jashtë tij, por falë shtytjes së elementëve të jashtëm të racionalitetit të këtij sistemi. Kështu, ky i fundit zhvillohet nëpërmjet një dinamike midis një tendence racionalizimi dhe monopolist apo një tendence drejt prishjes dhe jovijueshmërisë krijuese.

Ç’hyn këtu politika? Për Schumpeter, edhe sistemi liberaldemokratik thelbësisht funksionon në këtë mënyrë. Si organizata të mëdha centralizuese, burokratike dhe tendencialisht rezistente ndaj ndryshimit, partitë përfaqësojnë komponentin racionalizues, ndërsa outsider-ët eventualë përfaqësojnë versionin politik e sipërmarrësit schumpeterian, i pajisur me cilësitë e nevojshme që i mundësojnë të fusë një element përçarës dhe novator. Thënë kështu, duket se gjithçka ecën vaj: mjafton të gjendet pika e duhur e ekuilibrit midis racionalizimit e kreativitetit dhe procesi ecën. Por, siç na mëson historia e Joe Crowley, tregu politik është një lloj tregu zakonisht pak i hapur. Atëhere si ka arritur AOC të fitojë?

Një konkluzion interesant i teorisë së Schumpeter është se nuk ekziston një “vullnet kolektiv”. Çdo “kolektiv, edhe në sipërfaqen e dukshme të një veprimi të përbashkët, karakterizohet nga shtytje në drejtim të kundërt që i shkaktojnë shpërbërjen. Atëherë si veprojnë grupet? Duke përzgjedhur një lidership. Ose, për ta thënë si Schumpeter, duke pranuar një lider. Ky i fundit është ai që i jep një fizionomi interesave të tyre, u jep jetë “instancave” të tyre dhe “krijon” një vullnet politik.

Në fakt, edhe një herë akoma: nga lart – poshtë, lideri ndërton imazhin e një veprimi kolektiv. Në politikë, këtë rezultat e siguron duke bindur. Sipërmarrësi politik nuk duhet domosdoshmërisht të shpikë një produkt të ri: mund të kufizohet në riorganizimin në mënyrë novatore të instancave të votuesve ose t’u drejtohet resurseve ekzistuese, por të shfrytëzuara jo siç duhet. Në një farë kuptimi, është ajo që bën AOC në Distriktin e XIV. Konkurenca midis një outsider-i dhe njeriut të establishmentit mund të lexohet mjaft mirë si një konkurrencë midis një lideri politik “sipërmarrës” (AOC) dhe një lideri politik “burokrat” (Crowley). E para arrin të kapë një pyetje të pashprehur dhe në përgjigje konfeksionon – në mënyrë bindëse – një ofertë korresponduese dhe jashtëzakonisht kompetitive. “Sikur të isha njeri racional – thotë AOC – do ta kisha braktisur garën shumë kohë më parë”. Është manifesti i sipërmarrësit Schumpeterian.

Domethënë, gjithçka është e qartë: nëqoftëse shkojmë përtej retorikës “popull përballë elitave”, lufta për Distriktin e XIV është lufta midis dy liderëve (apo dy minorancave konkurruese) për të siguruar votat e njerëzve. AOC fiton sepse ndërton një avantazh konkurrues përreth imazhit alternative të saj (femër, e re, hispanike, banore në Bronx) dhe i bind votuesit se me votat e tyre do të sajojë diçka të dobishme, diçka që tjetri nuk e ka siguruar deri më tani. Por këtu vijmë në leksionin e fundit të Schumpeter dhe është një leksion, ta themi kështu, paselektoral. Në këtë model, duhen marrë akoma në konsideratë dy faktorë. Parasëgjithash, cilësitë që e bëjnë individin një “sipërmarrës politike”, cilësitë që i lejojnë të fitojë garën (aftësi bindëse, ndjenjë mundësie, aftësi në ndërveprimin me të tjerët…), nuk e bëjnë domosdoshmërisht atë një administrator të mirë.

Mbi të gjitha, një pasojë e rëndësishme e modelit demokratik konkurrues është se politikani duhet të shpenzojë shumë resurse (fizike, dije, simbolike dhe kohë) për të fituar kompeticione të radhës dhe të mbrojë pozicionin e vet dhe këto resurse nxirren nga aktiviteti i qeverisë. Këtu vijmë edhe në faktorin e dytë dhe kthehemi tek roli i partisë. Duke vendosur një përzgjedhje të fortë në hyrje të elementëve novatorë, partitë “monopoliste” frustrojnë aspiratat e sipërmarrësve politikë, por është edhe e vërtetë – duke vazhduar me analogjinë – se një sipërmarrje që gëzon një pozicion monopoli të paktën relativ apo të përkohshëm mund të ketë stabilitetin dhe mjetet e nevojshme për të tërhequr novatorizmin, duke bërë investime të rriskuara dhe me periudhë afatmesme që asnjë sipërmarrës i veçantë nuk mund t’ia lejojë vetes. Dhe ja ku kemi udhëkryqin në të cilin ndodhen nga njëra anë AOC, jo më kandidate, por kongresmene, dhe grupi demokrat tani mazhorancë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Deri më tani, AOC e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke polemizuar me grupin e saj, të paraqesë propozime alternative ndaj rrymës kryesore demokratike, të kultivojë imazhin e saj prej outsider-eje që kërkon ta shtyjë partinë drejt nevojave të vërteta të popullit amerikan. Një strategji që mund të shërbejë për të fituar konkurrencën elektorale (dhe në fakt po mbledh fonde më shumë se kushdo tjetër). Por investimi dhe mbështetja nga ana e partisë mbesin thelbësorë. Nga ana tjetër, për demokratët AOC sigurisht që përfaqëson një investim me rrisk mjaft të lartë: mund të funksionojë, por mund edhe të rezultojë katastrofë. Trump, kuptohet tashmë, synon tek kjo e fundit.

Nga Il Foglio/ ARMIN TIRANA/ Bota.al