Arrivederçi Itali, italianët e rinj po të ikin - Bota Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Arrivederçi Itali, italianët e rinj po të ikin

Arrivederçi Itali, italianët e rinj po të ikin

· 1 · 583

  • Postime: 27977
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 17-10-2010, 18:39:42
  Ky vend, vendi yt, nuk është më një vend ku është e mundur të jetohet me krenari. Për këtë arsye, me zemër të lënduar më shumë se kurrë, të këshilloj që sapo të mbarosh studimet të marësh rrugën për jashtë shtetit

Arrivederçi Itali, italianët e rinj po të ikin

Nuk është një lloj këshille që mund të presësh nga kreu i një universiteti elitar. Në një letër të hapur drejtuar djalit të tij nëntorin e kaluar, Pier Luigi Celli, drejtor i përgjithshëm i Universitetit LUISS në Romë, shkroi: "Ky vend, vendi yt, nuk është më një vend ku është e mundur të jetohet me krenari…Për këtë arsye, me zemër të lënduar më shumë se kurrë, të këshilloj që sapo të mbarosh studimet të marësh rrugën për jashtë shtetit. Zgjidh të jetosh aty ku ende e vlerësojnë drejtësinë, respektin, në një vend ku të njihen meritat dhe rezultatet e tua".

Letra e publikuar në gazetën italiane "La Repiblica" shkaktoi natyrisht debate kombëtare. Shumë njerëz ishin të mendimit të përbashkët se Celli kishte përhapur tek brezi i djalit të tij bindjen se shpresat dhe suksesi më i madh mund të gjendet vetëm jashtë vendit. Opinionistët thonë se po vërehet një largim masiv i italianëve të rinj dhe shqetësohen se vendi po humbet me shpejtësi burimin e tij më të çmuar. "Ne kemi vërejtur një rrjedhë të vrullshme për të dalë jashtë vendit dhe pothuajse asnjë rrjedhë për të hyrë", thotë Sergio Nava, drejtues i emicionit radiofonik "Talentet e Reja" dhe autor i librit "Fluturimi i Talenteve" që mbulon çështjen e eksodit.

Arsyet e atyre që ikin nuk kanë ndryshuar që në kohën e valës së madhe të emigrantëve ekonomikë, të cilët u larguan për t'u pasuruar jashtë vendit. Por, në vend të fermerëve dhe punëtorëve të krahut që mblidhnin plaçkat për të hipur në anijet që shkonin drejt qytetit të New York-ut për të ndjekur ëndrrën amerikane, tashmë Italia po humb pjesën e saj më të mirë dhe më të zgjuar në një dekadë të krizës ekonomike, të tregut të punës të ngrirë dhe të një sistemi të mbytur nga patronazhi dhje nepotizmi. Për njerëzit më të talentuar dhe më të shkolluar, toka e premtuar dhe vendi i shanseve të mëdha është kudo përveç se në atdhe.

Një shembull konkret mund të jetë arkitekti 31-vjeçar Luca Vigliero. Pasi u diplomua në Universitetin e Genova-s në vitin 2006 dhe pasi dështoi në të gjitha tentativat e tij për të gjetur një punë të mirë në vend, u shpërngul jashtë shtetit duke punuar fillimisht për një vit në Zyrën e Rem Koolhaas të "Metropolitan Architecture" në Roterdam dhe më pas duke pranuar një punë në Dubai në vitin 2007. Në Itali, kurrikulumi i tij nuk kishte ngjallur anjë lloj interesi. Në firmën "X Architects" në Dubai ai u ngrit shumë shpejt në detyrë. Tani ai drejton një skuadër prej shtatë personash. "Tani jam duke punuar në projekte të ndryshme për muzeume, vila, qendra kulturore dhe plane të mëdha", thotë ai. "Kam një karrierë të kënaqshme". Duke u larguar nga Italia, Vigliero pati gjithashtu mundësi që të bënte menjëherë një plan për jetën e tij. Ai dhe gruaja e tij tashmë u bënë me një djalë në shtator. Ai thoptë se po të kishin qëndruar në Itali nuk do të kishin patur mundësi të përballonin shpenzimet e një fëmije kaq shpejt. "Të gjithë miqtë e mi në Itali nuk janë të martuar. Ata bëjnë punë të paguara shumë pak dhe jetojnë me prindërit", thotë ai. "Këtu ka një të ardhme. Çdo vit ndodh diçka e re, plane të reja, projekte të reja. Në Itali nuk fryn as erë. Gjithçka ka ndaluar".

Italia nuk po i numëron se sa nga profesionistët e saj të rinj po kërkojnë të bëjnë karrierë jashtë shtetit, por ka prova të shumta se ky numër po rritet dita-ditës më shumë. Numri i italianëve të diplomuar me moshë nga 25 deri në 39 vjeç që regjistrohen në vend si qytetarë që jetojnë jashtë shtetit po rritet ndjeshëm çdo vit, nga 2.540 që ishte në vitin 1999 në rreth 4.000 gjatë vitit 2008. Instituti i kërkimeve "Censis" vlerëson se gjatë vitit 2006 kanë gjetur punë jashtë shtetit 11.700 të rinj të diplomuar, që do të thotë 1 në 25 italianë që janë diplomuar atë vit. Sipas një sondazhi të agjencisë milaneze "Bachelor", 33.6% e të diplomuarve e ndiejnë të domosdoshme që të largohen nga atdheu për të përfituar më së miri nga shkollimi i tyre. Një vit më vonë, 61.5% e të diplomuarve ishin penduar që nuk e kishin bërë një gjë të tillë më parë.

Është e vështirë të kuptosh përse. Telashet ekonomike të Italisë po rëndojnë së tepërmi në shpatullat e rinisë së vendit. Sipas shifrave të publikuara në maj nga Instituti Kombëtar i Statistikave, 30% e italianëve nga mosha 30 deri në 34-vjeçare vazhdojnë ende të jetojnë me prindërit dhe ky numër është tre herë më i madh se ai i vitit 1983. Një ndër 5 persona nga mosha 15 në 29-vjeçare është praktikisht "i fikuri", nuk studion, nuk punon dhe nuk stërvitet. "Po e dënojmë një brez të tërë që të jetojë në një vrimë të zezë", thotë Celli.

Punë për djemtë (e vjetër)

Shumica e italianëve pa arsim të lartë jetojnë duke punuar në të zezë, duke bërë të gjitha llojet e punëve, por personat me diplomë universitare (ose ata me aspirate më të larta) e kanë jashtëzakonisht të vështirë për të gjetur një punë që të përputhet me kulifikimet e tyre. Norma e papunësisë së italianëve me arsim të lartë nga mosha 25 deri në atë 29-vjeçare është 14%, më shumë se dyfishi i normës në të gjithë pjesën tjetër të Europës dhe shumë herë më e madhe se ajo e bashkëmoshatarëve të tyre me arsim më të ulët. Italianët e përmbledhin këtë problem madhor me një fjalë të vetme: gerontokraci, ose rregull i të moshuarve. Pjesa më e madhe e ekonomisë është e orientuar për t'u përkujdesur ndaj italianëve në moshë.

Ndërkohë që vendi harxhon relativisht pak për strehimin, papunësinë dhe rritjen e fëmijëve, shpenzime këto që të rinjtë i lidhin ngushtë natyrisht me fillimin e karrierës, ka mbajtur historikisht pensionet më të larta në të gjithë Europën dhe ka arritur ta bëjë këtë pjesërisht duke marrë barxh pas borxhi. Pabarazia e madhe hapet gjerë edhe në sektorin privat ku esnafët kombëtarë dhe kultura e pushtuar nga vjetërsia i kanë bërë vendet e mira të punës të paarritshme për rininë e vendit. Italia gjithnjë ka vuajtur nga sistemi i saj hierarkial, me të rinjtë që janë të pabarabartë përpara autoriteteve derisa të vijë koha për ata që të marrin në dorë rremat. "Në Itali nuk konsiderohesh me eksperincë në bazë të CV-së, të aftëssisë apo në bazë të talentit tënd, por ekskluzivisht në bazë të moshës", thotë Federico Soldani, epidemologu 37-vjeçar, i cili është larguar në vitin 2000 nga Pisa dhe tashmë punon në Washington për "Food and Drug Administration". "Kur je nën moshën 40-vjeçare konsiderohesh i ri."

Ky sistem funksiononte, në një farë mënyre, për aq kohë sa ekonomia ishte në rritje. Durimi i jepte frytet e veta teksa hapeshin vende të reja pune për çdonjeri që ishte në radhë. Por, tashmë që ekonomia është në rënie, tregu i punës është mbyllur me zinxhir. "Radha nuk po ecën më", thotë Soldani. Disa profesione, si për shembull pozicioni mjaft i lakmuar i noterisë, janë aq shumë të limituar saqë janë kthyer në profesione të trashëguara brez pas brezi. Në një vend ku suksesi ndërtohet me anë të marrëdhënieve të ndërsjella dhe vjetërsia, vetëm njerëzit njohje të forta dhe fëmijët e elitës kanë shansin të kenë karrierë të shkëlqyer.

Për pjesën tjetër që duhet të mbështeten vetëm tek shpatullat e tyre, vendet e punës janë shumë të pakta, të paguara shumë pak dhe të mbingarkuara me përgjegjësi. Kur Filippo Scognamiglio, sekretari 29-vjeçar MBA Association NOVA, krahasoi pagën neto për të njëjtin pozicion që ai kishte, por në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se një italian me diplomë master për administrim biznesi që zgjedh të punojë në vend mund të arrijë të fitojë vetëm 58% të parave që do të mund të fitonte jashtë shtetit. "Është më e lehtë të jesh i suksesshëm në Shtetet e Bashkuara nëse ke talentin dhe dëshirën për ta shfrytëzuar atë, se sa në Itali", thotë ai. Pikërisht për këtë arsye, Scognamiglio, i cili u diplomua vitin e kaluar në Columbia Business School, vendosi që të largohej nga kompania italiane që kishte sponsorizuar diplomën e tij master, në mënyrë që të pranonte punën që i ishte ofruar në Shtetet e Bashkuara. "Është një zgjedhje prej 70.000 eurosh", thotë ai.

Por, nuk është vetëm paga e lartë, ajo që tërheq emigrantët e rinj italianë. Është edhe mundësia për t'i shpëtuar vendeve të rëndomta të punës që përfshijnë vetëm disa detyra rutinë dhe trajektore të kufizuar karriere. "Nëse je i ri në Itali, je një problem. Në vendet e tjera konsiderohesh si burim mjaft i rëndësishëm", thotë Simone Bartolini, një krijues reklamash i suksesshëm në Sydney. Ai u largua nga Roma në vitin 2007, pas një ndryshimi në menaxhim që iu bë firmës së reklamave ku ai punonte kur shefi i tij i ri i tha "Do të ta zëmë bishtin me rrotë". Fjalët e tij kishin qenë të vërteta. "Çdo ide refuzohej", thotë Bartolini. "Për çdo gjë përgjigjja ishte jo. Sapo bëja një gabim vihesha nën shënjestër". Në krahasim me Australinë, ku tashmë Bartolini ka krijuar një karrierë të suksesshme, Italisë thjesht nuk i hynte në punë talenti i tij. "Atyre i duhen ekzekutues", thotë Bartolini. "Ata nuk duan mendimtarë".

Probleme të vjetra, zgjidhje të vjetra

Italianët e rinj dinë të bëjnë më shumë se sa të kthejnë sytë nga shteti për të zgjidhur problemet e tyre, duke ditur se politika e vendit është edhe më shumë e fjetur. Një varg i gjatë koalicionesh qeverisëse kanë qenë të zëna duke u ndeshur kokë më kokë me njëri-tjetrin për interesat e tyre personale. Qeveria aktuale është një shembull shumë i mirë. Kryeministri Berlusconi erdhi në pushtet në vitin 2008 pas një qeverisjeje të krahut të majtë që tentonte të vinte në zbatim një sërë reformash që nuk kanë nevojë për koment: duke çrregulluar sistemin e taksive të vendit, duke lejuar supermarketet që të shesin ilaçe pa recetë, duke lejuar kompanitë private që të hyjnë në trasportin publik etj. Reformat u pezulluan si pasojë e një sërë protestash dhe grevash që e çuan qeverinë drejt rënies një vit e gjysmë më pas.

Tani, qeveria e Berlusconit po përballet me një krizë të sajën, një luftë për pushtet ndërmjet kryeministrit dhe ish-aleatit të tij Gianfranco Fini, kryetari i Dhomës së Ulët të Italisë. Fini i cili komandon një grup të veçuar të Parlamentit, ka mosmarrëveshje të vazhdueshme me Berlusconin në lidhje me një sërë reformash. Tani për tani të dy duket se kishin venë mënjanë mosmarrëveshjet, Fini madje mbështeti qeverinë gjatë një votimi muajin e kaluar, por tensionet tashmë mes tyre po rriten përsëri si pasojë e ndryshimeve të propozuara në sistemin e drejtësisë që mund të lirojnë Berlusconin nga gjyqet e tij për korrupsion dhe mashtrime tatimore. Ndërkohë, italianët kanë ngecur me një qeveri që mund të blelë në çdo moment dhe me lider që përgatiten gjatë gjithë kohës për zgjedhjet e reja. Kultura politike italiane është sklerotike. Ka dështuar në misionin për të krijuar liderë me reforma dhe vizion rinor si Barack Obama, David Cameron apo Nicolas Sarkozy.

Nuk ka rrugë për në atdhe

Eksodi italian nuk do të ishte aq dërrmues nëse emigrantët mund të bindeshin për t'u rikthyer në atdhe bashkë me eksperiencën e përfituar jashtë vendit. Tashmë, pas vitesh me radhë që qeveria refuzonte të shikonte në sy problemin, ka filluar të bëjë pikërisht këtë, të kthejë mbrapsht rininë e saj. "Është njëlloj si një ndeshje xhudoje: të duhet ta transformosh rrezikun në forcë", thotë Guglielmo Vaccaro, një parlamentar i cili promovoi një reformë që do të ofrojë reduktim taksash për italianët që kthehen në atdhe pasi kanë kaluar të paktën dy vjet jashtë shtetit. Vaccaro tha se shteti shpenzon mbi 130.000 dollarë për të mundësuar që një person të marrë diplomë universitare, para këto që mund të rifitohen nëse qytetarët binden që t'i investojnë aftësitë e tyre në atdhe.

Nuk është se rinia ka dëshirë të jetojë dhe të punojë jashtë, përkundrazi italianët janë tejmase të lidhur me atdheun e tyre. Shumica e njerëzve që janë intervistuar thanë se nuk kishin dëshirë më të madhe se sa të ktheheshin në shtëpi. "AND-ja jotë, vetja jote, ajri që thith dhe çdo gjë që ha është ngushtësisht e lidhur me qytetin ku ke lindur", thotë Giovanni Chirichella, 34-vjeçari që punon si menaxher i burimeve njerëzore tek GE Energy në Houston. "Shumica për të mos thënë të gjithë italianët nëpër botë janë të përmalluar gjatë gjithë jetës së tyre. Asnjë italian nuk është i lumtur të jetojë larg Italisë".

Por, teksa emigrantët italianë zakonisht largohen për t'u rikthyer disa vite më vonë me eksperiencë pune jashtë shtetit në kurrikulumin e tyre, zbulojnë se rikthimi është shumë më i vështirë nga ç'kishin imagjinuar. Gjatë vitit të kaluar, Elena Ianni, 32-vjeçare menaxhere marketingu tek Royal Bank of Scotland në Londër, ia ka dërguar kurrikulumin e saj 100 kompanive kryesore dhe agjencive të punës në Itali. Ajo i kaloi pushimet e saj duke trokitur nëpër dyert e Milanos. Çdo natë, pasi kthehet në shtëpi ajo kontrollon listën online të njoftimeve të punës. Në Londër, ku ajo merr telefonata pafund nga sekserë punësh, Ianni ka refuzuar dy oferta punësh gjatë të njëjtës periudhë. Vetëm atdheu i saj duket se nuk e do. "Më kanë thënë tekstualisht këto fjalë atje, - thotë ajo. - Ti je një vajzë e re, nuk do të merresh kurrë seriozisht këtu".

Në këtë mënyrë, vendi ndodhet i ngecur në një rreth vicioz. Ekonomia e tij do të vazhdojë të bjerë akoma më shumë për aq kohë sa vazhdon të përjashtojë me kokëfortësi rininë e tij. Ndërkohë, çdo i ri që detyrohet të largohet është një zë më pak që bën thirrje për reforma. Silvia Sartori, 31-vjeçare, tentoi të rikthehej në Treviso pasi kishte punuar në Azi për katër vite me radhë. Pas një viti të çuar dëm duke kërkuar punë lart e poshtë, ajo u rikthye në Kinë ku menaxhon tashmë një fond 3 milionë dollarësh të Komisionit Europian për ndërtime të gjelbërta. "Është diçka që në Itali nuk do ta kisha arritur kurrë, vetëm po të isha 45 vjeç ose vajza, kushërira apo gruaja e dikujt të rëndësishëm", thotë ajo. "Vendosa t'i jap Italisë një shans të dytë", vazhdon ajo. "Ata e dogjën dhe as që duan t'ia dinë". Italia ndoshta nuk do të ketë edhe shumë shanse të tjera për të shtrënguar fort burimet e saj më të çmuara.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

RD

Temat e fundit