Carizmi i ri rus në kontekst global - Bota Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Carizmi i ri rus në kontekst global

Carizmi i ri rus në kontekst global

· 3 · 1673

  • Postime: 27302
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 28-08-2008, 15:54:49
Carizmi i ri rus në kontekst global

 
Fatos Tarifa, PhD

Deri më sot, Rusia ka provuar se ka dështuar me tranzicionin e saj nga totalitarizmi në krijimin e një demokracie liberale. Thjesht duke deklaruar se pas shembjes së komunizmit ajo është bërë tashmë një vend demokratik dhe një ekonomi e tregut të lirë, Rusia nuk ka mundur të transformohet në një SHBA të dytë, siç ushqenin iluzione shumë analistë në fillim të viteve 1990-të. Në fakt, nuk do të ishte habi për askënd nëse themi se synimi i Presidentit Putin deri disa muaj më parë (dhe i pasardhësit të tij Dmitri Medvedev sot) ka qenë dhe është që Rusia të bëhet një shtet i fuqishëm dhe jo një shtet demokratik, apo një shtet borgjez “normal”. Madje, Kremlinin e sotëm duket se nuk e preokupon shumë fakti se ç’mendojnë vendet e Perëndimit për të. Siç shkruan Dmitri Trenin i Qendrës “Carnegie” në Moskë, “edhe udhëheqja komuniste e Bashkimit Sovjetik preokupohej më shumë për imazhin e saj në Perëndim se sa Vladimir Putin dhe stafi i tij”.
Kultura politike e Rusisë historikisht ka qenë dhe vazhdon të jetë jo e hapur ndaj institucioneve politike dhe ekonomike të Perëndimit, ndërkohë që ajo është përpjekur t’i riformulojë idetë dhe vlerat perëndimore në një frymë armiqësore ndaj principeve të shoqërisë civile. Edhe pse Rusia është një vend fqinj i Evropës (një pjesë e territorit të saj bën pjesë madje në hapësirën gjeografike evropiane), popullohet në pjesën më të madhe nga njerëz fizikisht të ngjashëm me evropianët, ka insistuar vazhdimisht gjatë tre shekujve të fundit të konsiderohet pjesë e Evropës, ka treguar se ka politikisht dhe kulturalisht aftësinë për të qenë evropiane (kush mund ta mohojë që Pushkini, Turgenievi, Tolstoi, Dostojevski, Çehovi, Stravinski, Çaikovski, Kandinski apo Shagall nuk janë pjesë e traditës kulturore perëndimore), me gjithë këto, pra, Rusia e ka pasur dhe vazhdon ta ketë thuajse të pamundur të krijojë, apo të adoptojë, një sistem shoqëror dhe politik të modelit evropian. Duke ruajtur deri në fillim të shekullit të 20-të format më ekstreme të absolutizmit feudal dhe pothuajse gjatë gjithë shekullit të kaluar një ndër format më ekstreme të autoritarizmit komunist, shteti rus është mbështetur vazhdimisht jo në mandatin popullor, por në dhunën.
Pavarësisht rimëkëmbjes ekonomike të Rusisë gjatë viteve të fundit, në themel të së cilës qëndrojnë çmimet e larta me të cilat ajo i shet naftën dhe gazin e saj në tregun ndërkombëtar, politikisht Rusia nuk ka krijuar një rend konstitucionalist liberal, por ka krijuar një “super-presidentcializëm”, në të cilin Presidenti Putin e kishte personalizuar pushtetin duke marrë ai vetë, si president, fuqi të jashtëzakonshme. Medvedev po tregon çdo ditë e më shumë se nuk ka ndërmend (madje as nuk mundet) ta ndryshojë këtë situatë, e cila i duhet përsëri Putinit kur të rikthehet në krye të Kremlinit katër vjet më vonë. Më shumë se një dekadë më parë, poeti i shquar rus Efgjeni Jevtushenko parashikonte krijimin e rrethanave të tilla në Rusi, në të cilat kapitalizmi rus mund të shndërrohej në një “formë të kamufluar të carizmit”. Ky realitet duket se karakterizon Rusinë e sotme, e cila, siç shprehet analistja Lilia Shevstova, e ka nisur shekullin e 21-të me një “carizëm efektiv”.
Në radhët e analistëve të politikës ruse ka të tillë, të cilët mendojnë se garancitë më të mira që një vend me përmasat e Rusisë të zhvillohet dhe të përparojë duke mbetur një partnere e Perëndimit, janë që ajo të drejtohet nga një “dorë e fortë”. Anatol Lieven, për shembull, në një artikull të botuar në revistë Foreign Policy në fillim të vitit 2005, shkruante se “vetëm një qeveri gjysmë-autoritariste si ajo e Presidentit Putin mund ta mbajë Rusinë në drejtimin e duhur. Nëse Putini s’do të jetë më, ne shumë shpejt do ta ndjejmë mungesën e tij”. Shumë të tjerë, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, nuk pajtohen aspak me këtë gjykim. Po të perifrazojmë mendimin e shprehur nga Lordi Ralph Dahrendorf pas rrëzimit të Murit të Berlinit, Rusia e humbi në fillimet e tranzicionit të saj “kohën e juristit” (the hour of the lawyer) që të mund të kalonte me sukses fazat e tjera të tranzicionit: “kohën e ekonomistit” (the hour of the economist) dhe “kohën e qytetarit” (the hour of the citizen). Duke qenë vetëm një imitim i demokracisë liberale, por jo një demokraci liberale e mirëfilltë, Rusia ka mundur të prodhojë një imitim të ekonomisë së tregut, por jo një ekonomi tregu të lirë.
Njëlloj si Meksika në vitet 1970-të, apo Venezuela, Azerbajxhani dhe Kazakistani sot, Rusia ka përfituar shumë nga të ardhurat që i sjellin rezervat e pasura të naftës dhe të gazit dhe shitja e tyre me çmimet e larta të tregut të sotëm botëror. Këto përfitime, fatkeqësisht, i kanë zvogëluar shanset që Rusia të bëhet një shtet i vërtetë demokratik. Sidoqoftë, Rusia ndryshon shumë nga “petroshtetet” e tjerë për shkak se ajo është gjithashtu një fuqi bërthamore. Si e tillë, pra si një “petroshtet” (eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës pas Arabisë Saudite dhe eksportuesi më i madh i gazit) dhe si një fuqi bërthamore njëkohësisht, Rusia është një fenomen i ri në politikën ndërkombëtare, çka së bashku me vendin permanent që ajo ka në Këshillin e Sigurimit të OKB-së legjitimon, sipas Moskës, ambiciet e saj për një rol kryesor në politikën globale dhe rikthimin në statusin e një fuqie të madhe (velikaja derxhava).
* * *
Ka autorë, të cilët mendojnë se edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, nga e cila ajo doli e humbur, “Rusia nuk ka marrë fund si një fuqi e madhe”, se “elitat e saj akoma e shohin shtetin rus si një projekt imperial” dhe se ajo disponon si vullnetin, ashtu edhe mundësitë për t’u rikthyer në skenën globale me statusin e një superfuqie. Sergei Stankevich, një ndër këshilltarët e lartë për çështjen e politikave në Kremlin në fillim të viteve 1990-të, ka shprehur pikërisht këtë “sindrom imperial” të Rusisë, apo doktrinën sllavofile mbi rolin e saj si një fuqi e destinuar për të qenë një urë ¯ apo sipas fjalëve të poetit Aleksandër Blok, një “mburojë” ¯ midis Lindjes dhe Perëndimit, kur shkruante se misioni i Rusisë “në një botë të rindërtuar” mbetet i njëjtë: “një vend, i cili absorbon Perëndimin dhe Lindjen, Veriun dhe Jugun, unik dhe i aftë ndoshta në mënyrë ekskluzive për një kombinim të harmonishëm të shumë principeve të ndryshëm, të një harmonie historike. Ky është një rol përsosmërish i natyrshëm për të”.
Kështu gjykon ky autor, veçse shekulli i 21-të i ka rezervuar Rusisë një rol tjetër nga ai që ajo ka luajtur në skenën globale gjatë këtyre 300 viteve të fundit, kur e vetmja mënyrë përmes së cilës Rusia ka “absorbuar” dhe “kombinuar” deri më sot territore dhe kultura të ndryshme, ka qenë ajo e pushtimeve ushtarake dhe e aneksimit të territoreve të huaja. Përvoja historike e Rusisë, nga koha e Pjetrit të Madh deri tek Stalini, tregon se ky vend është bërë fuqi e madhe dhe superfuqi përmes militarizimit të jetës së përditshme, luftës dhe aneksimit të territoreve të pushtuara. Qysh nga koha e carëve të parë të saj ka qenë i përhapur mendimi se Rusia do të ishte trashëgimtarja e Perandorisë Romake. Pas rënies së Konstantinopolit më 1453, duke nisur me Ivanin e Madh, Rusia filloi të ushqente ambicien e saj perandorake për t’u bërë “Roma e Tretë”, apo “Roma e Re” (Roma e Dytë kishte qenë Konstantinopoli). Vetë fjala “Car”, të cilën filloi ta përdorë për herë të parë Ivani i Madh në cilësinë e monarkut të Rusisë, vjen nga fjala “Caesar”, sunduesi i Romës dhe themeluesi i Perandorisë Romake. Ekspansionizmi rus dhe militarizmi që e ka bërë të mundur atë, natyrisht, kanë pasur paralelet e tyre edhe në Perëndim, por në Rusi, nocioni i statusit të Fuqisë së Madhe ka pasur historikisht një rëndësi të veçantë, ngaqë si monarkia cariste ashtu edhe pasardhësit komunistë të saj, janë përpjekur ta legjitimonin autoritetin e tyre duke projektuar imazhin e një fuqie të pashkatërrueshme. Politika e jashtme e Rusisë nën Presidentin Putin (e cila nuk ka aspak të ngjarë të ndryshojë me ardhjen në krye të Kremlinit të Presidentit Medvedev), i ngjan në stil, siç shprehet Robert Blackwill, pikërisht politikës evropiane dhe asaj të Rusisë së shekullit të 19-të dhe “synon t’i rikthejë Rusisë rolin tradicional të saj si një fuqi e madhe, të rivendosë pozitën e saj dominuese në sferën e dikurshme sovjetike dhe të promovojë dhe sigurojë tregje për eksportet e saj të energjisë, gjë që i shërben avancimit të objektivave të saj gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë”. Në Rusi ka njerëz, të cilët edhe sot e kësaj dite, nuk duan të pranojnë se ata dolën të humbur nga Lufta e Ftohtë dhe nuk duan të trajtohen si të mundur. Këtë psikologji e ka shprehur shumë qartë Vladislav Surkov, një zyrtar i lartë i Kremlinit, i cili ka shkruar: “Ne nuk besojmë se dolëm të mundur nga Lufta e Ftohtë. Ne besojmë se në mbarim të saj mposhtëm sistemin tonë totalitarist”.
Por ç’tregojnë në të vërtetë faktet? Me dizintegrimin e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës në fillim të viteve 1990-të, Rusia e humbi tërësisht (dhe unë mendoj në mënyrë të pakthyeshme) statusin e saj si superfuqi. Ajo është sot shumë mbrapa Amerikës, superfuqisë së vetme të globit; Ekonomikisht dhe teknologjikisht Rusia është shumë mbrapa fuqive të tjera të mëdha, Japonisë, Gjermanisë, Anglisë apo Francës. Në fushën ushtarake Rusia vazhdon të jetë, pa dyshim, një fuqi e madhe, por edhe këtu ajo nuk mund të krahasohet me Shtetet e Bashkuara. Vlerësoni për një çast shifrat e mëposhtme: Sipas burimeve zyrtare ruse, aktualisht Rusia shpenzon çdo vit rreth 4 për qind të GDP-së së saj për qëllime ushtarake. Kjo përqindje është shumë më e lartë se ajo e çdo vendi të industrializuar dhe e barabartë me atë të buxhetit të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara në raport me GDP-në e këtij vendi. Sidoqoftë, nëse përqindja kundrejt totalit të GDP-së është për të dy vendet afërsisht e njëjtë, ajo çfarë përfaqëson kjo përqindje në shifra absolute është shumë e ndryshme po të krahasojmë GDP-në e SHBA-së (13.21 trilion dollarë në vitin 2006) me atë të Rusisë (733.6 miliard dollarë po në të njëjtin vit. Me një GDP vjetore 18 herë më të vogël se ajo e Shteteve të Bashkuara (më të vogël madje edhe se gjysma e GDP-së së Kalifornisë, apo të barabartë me GDP-në e shtetit të Nju Jorkut), Rusia ka, pra, një buxhet mbrojtjeje 18 herë më të vogël se buxheti i Amerikës.
Nuk mund të mohohet se pozita e Rusisë në arenën ndërkombëtare është forcuar gjatë viteve të fundit dhe mund të forcohet edhe më shumë në vitet e ardhshëm. Sidoqoftë, Rusia nuk do të mund të bëhet më Bashkimi Sovjetik i dikurshëm dhe as do të jetë në gjendje të rikthejë kohën e Luftës së Ftohtë, pavarësisht retorikës së saj shpeshherë anti-perëndimore. Edhe nëse Rusia, përtej parashikimeve tona, arrin të bëhet përsëri një superfuqi, gjë të cilën unë e shoh realisht shumë të vështirë, në mos të pamundur, me politikën e brendshme dhe të jashtme që ndjek ajo, Rusia mund të bëhet vetëm një superfuqi armiqësore ndaj Perëndimit dhe një vend gjithnjë e më shumë jodemokratik.
* * *
Pavarësisht së kaluarës së saj imperiale, Rusia e sotme nuk ka resurset njerëzore apo financiare që i nevojiten për t’u bërë superfuqi. Nga ana tjetër, në ditët tona nuk ekziston një shtet armiqësor ndaj të cilit Rusia të orientonte dhe materializonte antagonizmin e saj. Përsa i përket madhësisë së territorit të saj, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ngjarje të cilën Vladimir Putin e ka cilësuar si “katastrofën më të madhe të shekullit të 20-të”, Rusia, edhe pse vazhdon të jetë shteti me sipërfaqen më të madhe në botë, ka shtrirjen territoriale më të vogël që ajo ka njohur deri më sot që nga koha e Katerinës së Madhe, sundimtares së Rusisë nga viti 1762 deri më 1796. Pas dizintegrimit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), i cili humbi në “pluhurin e historisë”, po të përdorim një shprehje të Leon Trockit, Rusia humbi jo vetëm statusin e saj si një ndër dy superfuqitë e botës ¯ dhe, bashkë me të, prestigjin dhe influencën e saj në çështjet globale ¯ por edhe një territor afërsisht prej 5.5 milionë km2, territor ky që është 15 herë më i madh se territori i Gjermanisë së bashkuar, apo 4 herë më i madh se territoret e Francës, Gjermanisë dhe Italisë të marrë së bashku. Bashkë me këta territore, Rusia humbi gjithashtu një popullsi prej 143 milionë njerëz, popullsi kjo e barabartë me popullsinë e sotme të Rusisë, apo me 65 për qind të popullsisë së të gjithë vendeve të Evropës Perëndimore të marrë së bashku.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 1991 dhe zgjerimin e NATO-s (më 1999 dhe 2004) me dhjetë shtete të rinj, të cilët më parë kishin qenë ose republika të Bashkimit Sovjetik (Estonia, Letonia dhe Lituania), ose vende anëtarë të Traktatit të Varshavës, të dominuar nga Moska (Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, Bullgaria dhe Rumania), ose, në rastin e Sllovenisë, një republikë e ish-Jugosllavisë), Rusia ndeshet sot me një realitet, të cilin nuk e ka njohur asnjëherë më parë në historinë e saj si një shtet imperial. NATO është bërë tashmë fqinji i saj gjeografik, duke hyrë madje edhe në “oborrin e pasmë” të saj, siç konsiderohen tre republikat balltike. Sipas udhëheqësve të Kremlinit, zgjerimi i kësaj organizate politiko-ushtarake drejt lindjes, ashtu si edhe përpjekjet e Perëndimit për të promovuar demokracinë në vendet ish-komuniste dhe në ish-republikat sovjetike, janë një strategji, e cila, mbështetur në parimin “përça dhe sundo”, synon që ta rrethojë Rusinë me një varg qeverish, të cilat janë më miqësore ndaj Uashingtonit se sa ndaj Moskës. NATO ka avionë ushtarakë të stacionuar në aeroportet e Evropës Lindore; ajo ka baza ushtarake në disa vende të Azisë Qendrore dhe forca ushtarake në Afganistan. Me sistemet satelitorë mbrojtës (ABM) që do të instalojnë në Poloni dhe në Republikën Çeke deri në vitin 2012, Shtetet e Bashkuara dhe NATO synojnë të krijojnë një ombrellë mbrojtëse për veten e saj dhe për aleatët e saj transatlantikë. Nëse Ukraina, e cila në shekullin e 9-të ishte djepi i kulturës ruse, bëhet anëtare e NATO-s, siç ka të ngjarë të ndodhë brenda pak vitesh, atëherë, distanca nga kufiri i saj verior (që do të jetë kufiri i NATO-s) me Moskën do të jetë vetëm 425 km, distancë kjo pak a shumë e njëjtë me atë që ndan Nju Jorkun nga Uashingtoni, apo Parisin nga Amsterdami, më e shkurtër se distanca që ndan Vjenën nga Berlini apo Romën nga Athina. Moska, natyrisht, e sheh me shqetësim çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s, organizatë e cila, siç vinte në dukje pak kohë më parë shkrimtari i rus Aleksandër Solzhenicin, “po instalon në mënyrë metodologjike forcat e saj ushtarake në Evropën Lindore dhe në kufijtë jugorë të Rusisë”. Për Moskën, zgjerimi i NATO-s në Evropën Lindore dhe instalimi i sistemeve mbrojtës të raketave në Evropën Qendrore, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Rusisë.
Rusia ka qenë dhe mbetet në vetvete një shtet “dualist”, e cila nuk duket se po i shpëton dot një kombinimi fatal të realiteteve të vjetra dhe të reja. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë se Rusia nuk është një shtet disfunksional. Përkundrazi, ajo është një shtet i organizuar, i centralizuar dhe autoritarist. Sidoqoftë, nga pikëpamja ushtarake, Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik i dikurshëm. Ushtria e saj sot nuk ka të krahasuar me Ushtrinë e Kuqe. Forcat e armatosura të Rusisë janë reduktuar nga 3 milionë njerëz në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë, në 1 milion sot. Kjo përsëri do të ishte një shifër e konsiderueshme nëse trupat ruse do të kishin në masë trajnimin dhe motivimin moral që kanë një pjesë e njësive ushtarake speciale të Rusisë, pa përmendur që armatimi i ushtrisë ruse është sot shumë i vjetruar në krahasim me atë të ushtrisë amerikane dhe të disa vendeve anëtarë të NATO-s. Përsa u përket kapaciteteve të saj bërthamore, në këtë drejtim Rusia nuk duket se ka bërë ndonjë përmirësim të dukshëm. Sidoqoftë, edhe pse kapacitetet bërthamore ekzistuese të Rusisë mjaftojnë për të parandaluar një sulm bërthamor ndaj saj, në kushtet kur armët bërthamore nuk janë më monopol vetëm i Shteteve të Bashkuara dhe i Rusisë, por janë bërë tashmë pjesë e arsenalit ushtarak të disa vendeve, të qenurit fuqi bërthamore nuk përkthehet domosdo në influencë politike. Në mënyrë paradoksale, rreziku më i madh që paraqesin armët bërthamore në kohën tonë vjen jo nga vendet që i zotërojnë ato, por nga mundësia që këto armë (në Rusi apo në Pakistan) të bien në duart e grupeve terroriste dhe të përdoren prej tyre.
Duhet theksuar, më në fund, se hapësira gjeografike e jashtëzakonshme e Rusisë dhe popullsia e saj krahasimisht e vogël, shumë e rrallë dhe që vjen duke u pakësuar nga viti në vit, përbëjnë një realitet paradoksal për një vend që aspiron statusin e një fuqie të madhe. Siberia, për shembull, një provincë shumë e madhe, me pasuri të shumta natyrore dhe me një popullsi jashtëzakonisht të rrallë, ndodhet gjeografikisht shumë larg nga pjesa evropiane e Rusisë (Vladivostoku është më shumë se 9.000 km larg Moskës, pothuajse njëlloj sa është larg prej tij edhe Sidnei në Australi). Po kështu, Rusia ndan me Kinën një kufi tokësor 4.300 km të gjatë, ndërkohë që Kina, një vend që po fuqizohet vazhdimisht dhe që ka një popullsi gati dhjetë herë më të madhe se popullsia e Rusisë, nuk i ka mohuar asnjëherë pretendimet e saj për territoret në jug të lumit Amur, territore këta të barabartë në madhësi me territoret e Francës dhe të Gjermanisë të marrë së bashku, të cilat Rusia cariste i ka aneksuar nga Perandoria kineze përmes një sërë “traktatesh të pabarabartë” në vitet 1858-1860 dhe deri në fund të shekullit të 19-të.
Në përfundim, dëshiroj të theksoj se zhvillimin normal të Rusisë dhe ngritjen e saj si fuqi e madhe mund ta pengojnë seriozisht në të ardhmen zhvillimet e brendshme politike të saj. Dy duket se janë problemet më të mëdha me të cilat, herët ose vonë, Kremlinit do i duhet të ndeshet seriozisht: Së pari, tendencat separatiste të disa republikave (p.sh., Tatarstani) pas përpjekjeve të ish-Presidentit Putin për defederalizimin dhe centralizimin e sistemit federal asimetrik që ai trashëgoi nga paraardhësi i tij Boris Jeltsin dhe, së dyti, zgjerimi i lëvizjes terroriste islamike, e cila ka filluar të përhapet nga Çeçenia në republikat e tjera myslimane të Kaukazit verior, si Dagestani, Kabardino-Balkaria, Ingushetia, Karaçevo-Çerkesia dhe Adigeja (në të cilat jetojnë rreth 15 deri 20 milionë myslimanë, po aq sa edhe në vendet e Bashkimit Evropian), me synim shkëputjen e sa më shumë “tokave myslimane” nga Rusia.
Edhe nëse ka autorë, të cilët besojnë se Rusia mund të bëhet përsëri një superfuqi, unë bashkohem me atë grup analistësh, të cilët gjykojnë se Rusia nuk do të mund të rimëkëmbet si një “superfuqi” aq shpejt sa u shemb dhe e humbi këtë status. Me fjalë të tjera, edhe sikur këtej e tutje çdo gjë të vejë mbarë në Rusi, fuqizimi i saj ekonomik, ushtarak, politik dhe teknologjik në atë shkallë sa ajo të krijonte një pol të dytë në sistemin global, do të kërkonte një kohë domosdo më të gjatë se ajo e një brezi njerëzor.

  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

#1 ne: 02-09-2008, 16:31:33
Rusia historikisht ka qenë, është dhe do ngelet një shtet mafjoz!
Russian Mafia->







  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

#2 ne: 02-09-2008, 17:12:55
Eshte absurde te mos e konsiderosh Rusine Superfuqi kur dihet shume mire qe pjesa me e madhe e naftes dhe gazit europjan vjen pikerisht nga Rusia, kur Ruset po blejne kompani europjane, po krijojne banka ruso-europjane te ndryshme ne çdo shtet europjan etj
E pra kush kontrollon ekonomin kontrollon edhe politiken dhe te ardhmen!!
Nese analistet presin krijimin e nje superfuqie Ruse identike si ajo USA e kane shume gabim, sistemi USA tashme eshte ne perendim e siper pasi ishte nje sistem i shek te 20  bazuar ne luften e ftohte! Politika qe po ndjek Rusia (si ne ekonomi ashtu edhe ne politik) eshte ajo e GLOBALIZIMIT  ku instrumentat dhe menyrat e ndjekura  nuk mund te jene kurre si ato te sistemit USA!!
Rusia nderkohe qer flasim eshte futur prej vitesh ne rrugen e Superfuqise dhe ne shek e 21 do jete nje superfuqi (na pelqen apo s'na pelQen)!

Prandaj Shqiptaret duhet te zgjohen nga gjumi dhe te fillojne te ndjekin politika ekonomike NACIONALISTE per te FUQIZUAR VETVETEN, ASHTU SIC PO BEN EDHE RUSIA!!

THE PUTIN SYSTEM!!



















Temat e fundit