×

François Hollande është i rrezikshëm

· 1 · 263

François Hollande është i rrezikshëm

· 1 · 263

  • Postime: 6649
  • Gjinia: Femer
erlehta
ne: 05-05-2012, 00:19:45
The Economist

Është gjysma e motorit franko-gjerman që shtyn Bashkimin Europian. Ka qenë vendi vendimtar në krizat e euros, varur mes një Veriu të kujdesshëm dhe Jugut dorëshpuar dhe ndërmjet kreditorëve dhe borxhlinjve. Dhe është i madh. Nëse Franca do të ishte vendi i radhës që do të përfshihej nga kriza, mbijetesa e monedhës së përbashkët europiane do të vihej në dyshim.

Për këtë fitorja e pritshme e kandidatit socialist François Hollande, në zgjedhjet presidenciale franceze, ka kaq shumë rëndësi. Në raundin e parë më 22 prill Hollande ishte vetëm pak para presidentit Nicolas Sarkozy. Megjithatë, ai duhet të fitojë në raundin e dytë më 6 maj, sepse do të marrë të gjitha votat e së majtës ekstreme që shkuan për Jean-Luc Mélenchon e të tjerë, e gjithashtu do të fitojë një pjesë të mirë nga Fronti Nacional i Marine Le Pen dhe nga centristi François Bayrou.

Sarkozy ka një mal për të ngjitur. Shumë votues francezë duket se nuk e pëlqejnë egërsisht. As Le Pen (e cila, për t’u shqetësuar, doli mirë) as Bayrou (i cili për fat të keq nuk doli mirë) nuk ka gjasa ta mbështesin, sepse të dy përfitojnë nga humbja e tij. Kështu që përjashto ndonjë të papritur të madhe gjatë debatit televiziv presidencial, Hollande mund të ketë besim te fitorja e datës 6 dhe më pas të shohë partinë e tij triumfante edhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

The Economist e mbështeti Sarkozy-në në vitin 2007, kur ai me guxim u tha votuesve francezë se nuk kishin alternativë tjetër veçse të ndryshonin. Ai ishte i pafat, sepse u godit nga kriza ekonomike globale një vit më pas. Ai gjithashtu ka pasur edhe ca arritje: e ka zbutur javën 35-orëshe të punës, liberalizuar universitetet dhe ka rritur moshën e pensionit. Prapë se prapë politikat e Sarkozy-së kanë qenë të paparashikueshme dhe defektive si dhe vetë i zoti. Toni proteksionist, anti-emigrant dhe gjithnjë e më shumë anti-europian që ka përdorur kohët e fundit mund të ketë si target votuesit e Fronit Nacional, por duket se ai beson një pjesë të mirë të tij. Për të gjitha këto, nëse ne do të kishim një votë më 6 maj, do t’ia jepnim Sarkozy-së, por jo për meritat e tij, aq sa për të penguar Hollande.

Me një president socialist Franca do të bënte mirë një punë të madhe. Hollande kundërshton politikat e ashpra fiskale që mbështet Gjermania, e cila po i mbyt shanset për rimëkëmbje të eurozonës. Por ai e bën këtë për arsyet e gabuara – dhe duket sikur çdo gjë tjetër e ka gabim, saqë prosperiteti i Francës dhe eurozonës do të jetë në rrezik.

Një Socialist nga Bregu i Majtë

Megjithëse nuk do ta dallonit kurrë nga platformat me të cilat garuan kandidatët, Franca dëshpërimisht ka nevojë për reformë. Borxhi publik është i lartë dhe vazhdon të rritet, qeveria nuk ka shënuar suficit në mbi 35 vjet, bankat janë hollë në kapitale, papunësia është konstante dhe gërryese dhe me 56 për qind të PBB-së, shteti francez është më i fryri në të gjithë eurozonën.

Programet e Hollande duken si përgjigje të vakëta për gjithë këto probleme-sidomos po të kujtosh se fqinjët e Francës kanë bërë reforma të njëmendta në këto pika. Ai flet shumë për drejtësi sociale, por aspak rreth nevojës për të krijuar pasuri. Megjithëse premton se do të ulë deficitin e buxhetit, ai planifikon ta bëjë këtë duke rritur taksat jo duke ulur shpenzimet. Hollande ka premtuar se do të punësojë 60 mijë mësues të rinj. Sipas përllogaritjeve të tij, propozimet e tij do të kërkojnë 20 miliardë euro përgjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Shteti do të bëhet edhe më i madh.

Optimistët përgjigjen se, krahasuar me Partinë Socialiste Franceze, Hollande është një i moderuar që ka punuar si me François Mitterrand, i vetmi president socialist në Republikën e Pestë dhe me Jacques Delors, ministri i Financave të Miterrand-it para se ai të bëhej President i Komisionit Europian. Ai e udhëhoqi partinë gjatë qeverisjes së Lionel Jospin (1997-2002), i cili shpesh ishte më reformator sesa presidenti golist Jacques Chirac. Ata e shohin si simbolik premtimin e fortë të Hollande për të taksuar 75 për qind ata me të ardhura të larta dhe për të anuluar vendimin e Sarkozy-së për shtyrjen e moshës së pensionit nga 60 në 62 vjeç, duke argumentuar se 75-përqindëshi nuk do prekte askënd dhe se anulimi i pensioneve do të prekte shumë pak vetë. Ata shohin një pragmatist i cili do ta ndreqë sjelljen e tij nën trusninë e Gjermanisë dhe nga investitorët e shqetësuar nga klasifikimet e Francës nga agjencitë e kreditimeve.

Nëse kjo është e vërtetë, askush nuk do ishte më i lumture se ne. Por duket si shumë optimiste të hamendësosh se, pavarësisht asaj që ka thënë, pavarësisht asaj që ka qëllim, Hollande do të bëjë gjënë e duhur. Hollande shfaq një prirje të fortë anti-biznes. Ai gjithashtu do të kufizohet nga partia e tij e pareformuar dhe do të shtyhet nga një elektorat që ende nuk e ka kuptuar nevojën e reformave, sidomos prej tij. Asgjë në muajt e shkuar apo në karrierën e tij të gjatë si partiak, të thotë se Hollande është i guximshëm sa duhet për të grisur manifestin e tij dhe për të ndryshuar Francën. Dhe Franca është në një gjendje shumë më të brishtë sesa ishte kur Mitterand kreu eksperimentin e tij socialist në vitet ’81-’83. Kësaj here reagimi i tregjeve mund të jetë brutal-dhe mund të lëndojë edhe fqinjët e Francës.

Mirupafshim Berlin

Po pjesa tjetër e Europës? Refuzimi i Hollande për të toleruar çdo formë uljeje të shpenzimeve ka pasur një pasojë afatshkurtër me fat: ai mençurisht do ta rishpërndajë “densitetin fiskal” të eurozonës, në mënyrë që jo vetëm të kufizojë deficitet qeveritare dhe borxhin publik, por gjithashtu të promovojë edhe rritjen ekonomike. Kjo i bën jehonë një kori ankesash kundër kursimeve të frymëzuara nga Gjermania, që tani po pushton kontinentin nga Irlanda në Holandë e nga Italia në Spanjë.

Problemi është se, ndryshe nga, le të themi, Mario Monti në Itali, objeksioni i Hollande ndaj kompaktësisë nuk ka të bëjë dhe aq me elemente makroekonomike si ritmi i shtrëngimeve fiskale. Është kryesisht rezistencë ndaj ndryshimit dhe një këmbëngulje për të ruajtur modelin social francez me të gjitha kostot. Hollande nuk po sugjeron modifikime më të ngadalta fiskale për të zbutur rrugën e reformave: ai propozon që të mos bëhen reforma. Ja pse Angela Merkel tha se ajo do të bënte fushatë kundër tij.

Çdo kancelar gjerman me kalimin e kohës mëson si ta zbusë Presidentin fqinj dhe Hollande do të jetë një partner më pak sanguin se Sarkozy. Por refuzimi i tij për të pranuar reformën strukturore të çdo lloji sigurisht do ta bëjë të vështirë për të bindur Merkel-in që të tolerojë një inflacion më të lartë apo të konsiderojë një formë të përbashkësisë së borxhit.

Një thyerje mes Francës dhe Gjermanisë do të vinte në një kohë të keqe. Deri më tash votuesit e eurozonës duket se e kishin pranuar idenë e kursimeve dhe reformës. Kryeministrat teknokratë në Greqi dhe Itali kanë qenë popullorë; votuesit në Spanjë Portugali dhe Irlandë kanë zgjedhur qeveri reformatore. Por pothuajse një në tre votues francezë ia dhanë votat e raundit të parë Le Pen dhe Mélenchon, të cilët garonin mbi platforma anti-euro dhe anti-globalizmi.

Është e imagjinueshme që presidenti Hollande mund ta anojë balancën në favor të më pak kursimeve. Ai gjithashtu mund t’i frikësojë gjermanët duke i shtyrë në drejtim të kundërt. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: një president francez kaq armiqësor ndaj ndryshimit do të minonte vullnetin e Europës për të ndjekur reformat e dhimbshme që eventualisht i duhet të përqafojë për të shpëtuar euron. Kjo e bën atë një njeri të rrezikshëm.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super