×
Hyrja
Profili

Pandemia e populistëve

Pandemia e populistëve

· 1 · 303

  • Postime: 26671
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 06-05-2020, 22:31:57
 

Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi se injektimi i dezinfektuesve shtëpiak mund të kurojë njerëzit nga koronavirusi. Presidenti filipinas Rodrigo Duterte urdhëroi policinë dhe ushtrinë të qëllojë për vdekje këdo që “hap telashe” gjatë periudhës së izolimit në shtëpi. Dhe në Meksikë, presidenti Andrés Manuel López Obrador mohoi për javë të tëra që virusi ishte një kërcënim dhe vazhdoi të përqafonte dhe të shtrëngonte duart me mbështetës, vetëm për t’u tërhequr papritur nga këto deklarata de duke imponuar një izolim tepër të rëndë pa paralajmërim.

Për shkak se liderët populistë si nga e djathta ashtu edhe nga e majta kanë kryesuar radhët e paaftësisë gjatë pandemisë, është bërë e zakonshme të pretendosh që ata shumë shpejt mund të bëhen viktimat politike të saj. Për fat të keq, ky mund të jetë një mendim i dëshiruar. Virusi është vdekjeprurës dhe i pamëshirshëm, por vetëm ai nuk do ta rrafshojë kurbën e infeksionit populist.

Kriza ka pasur një nënprodukt të shëndetshëm: rikthimi i një lloj respekti për ekspertizën. Pasi i nënvlerësuan për shumë kohë mendimet e ekspertëve gjatë karrierës së tyre politike, si Trump ashtu edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson janë detyruar të mbajnë konferenca përshtyp bashkë me këshilltarët e tyre shkencorë, të cilët kanë kundërshtuar hapur shefat e tyre kur ka qenë e nevojshme. Më keq akoma, Trump është dashur të durojë me indinjatë rezultatet e një sondazhi që tregon se Anthony Fauci, eksperti më i lartë i qeverisë për sëmundjet infektive, gëzon një vlerësim gati dy herë më të lartë sesa vlerësimi që gëzon aktualisht populli për të.

Kjo është një goditje kundër anti-elitizmit që ka sjellë në pushtet populistët. Por faktorë të tjerë veprojnë ende në favor të tyre. Populistët  e dëshpëruar nuk janë të vetmit që po bëjnë rrëmujë. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe kryeministri italian Giuseppe Conte – jo populistë vetë, edhe pse kanë partnerë populistë në koalicionet e tyre qeverisëse – drejtojnë vende që kryesojnë në botë përsa i takon vdekjeve për kokë për shkak të koronavirusit.

Dhe kush ka thënë se faktet nxisin preferencat politike? Pesha e lajmeve të rreme dhe politikës së drejtuar nga identiteti mund të jetë duke u rritur, jo duke rënë, në epokën e COVID-19. Trump fajësoi Kinën për virusin dhe mbylli SHBA-në për emigrantët, dhe baza e tij e brohoriti për këtë. Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro ndoqi të njëjtin skenar, duke pretenduar se kriza e koronavirusit është një mashtrim mediatik. Siç tha një epidemiolog nga Universiteti i San Paolos: “Duket sikur të gjithë janë në të njëjtin tren që po shkon drejt buzës së një shkëmbi dhe dikush thotë: ‘Kujdes! Një shkëmb përpara!’ Dhe pasagjerët bërtasin: ‘Jo, nuk ka!’ Dhe makinisti thotë: ‘Po, atje nuk ka asgjë.’”

Për shkak se vendosja e marrëdhënieve shkakore është e vështirë (A po e ngadalësojnë izolimet shkallën e infektimit? A janë ekspansionet fiskale efikase në nxjerrjen e ekonomisë nga recesioni?), shumica e njerëzve nuk presin që një përgjigje të vijë vetë. Në vend të kësaj, ata i kthejnë sytë nga të tjerët që pretendojnë se dinë dhe më pas ndjekin një rregull të thjeshtë: Besoji njerëzve me të cilët mund të identifikohem, që flasin dhe veprojnë si unë dhe që ka të ngjarë të ndajnë të njëjtat vlera që unë kam dhe që marrin vendime që do t’i merrja edhe unë nëse do të kisha informacione të mjaftueshme.

Kjo është arsyeja pse votuesit u besojnë politikanëve populistë dhe nuk kanë besim tek establishmenti politik, liderët e institucioneve tradicionale dhe, deri vonë, tek ekspertët dhe teknokratët. Nëse populistët fitojnë ose humbasin politikisht nga pandemia, kjo varet nga fakti nëse kriza forcon apo dobëson më tej besimin në institucionet demokratike.

Unë mund të imagjinoj dy përgjigje shumë të ndryshme për pyetjen e dytë. E para është përgjigjja e vitit 2010: Siç e panë shumë votues, pas krizës financiare globale Wall Street siguroi ndihmë financiare, ndërsa Main Street fitoi dhe konfiskime shtëpish nga bankat.

Në disa vende, rimëkëmbja ekonomike ishte e ngadaltë. Në disa të tjera, si Greqia, kriza u zvarrit për gati një dekadë. Shtoni edhe korrupsionin, pak paaftësi dhe pakëz skandale, duke filluar nga FIFA e deri te Kisha Katolike dhe ja ku e keni! Një tavë e përsosur mosbesimi. Shumë thanë se ne nuk jemi bashkë në këtë situatë. Elitat kujdesen vetëm për veten e tyre. Le ta thajmë kënetën.

Përgjigja alternative daton nga viti 1945. Nga rrënojat dhe shkatërrimi i luftës, lindi besim i qëndrueshëm shoqëror. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, fëmija i pasur nga Oksfordi ose Jeili kishte luftuar krah për krah me djalin e minatorit të qymyrit nga Jorkshajëri verior ose Hazardi, Kentaki. Bizneset private, të mëdha dhe të vogla, ishin mobilizuar për një qëllim publik: të përpiqeshin bashkë për luftën. Dhe politikanët kishin sjellë të mirën e fundit të përbashkët: fitoren.

Vuajtjet dhe humbja e jetëve gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin qenë të tmerrshme. Por në shumë vende, qytetarët mund të shpreheshin se jemi bashkë në këtë dhe së bashku do të ndërtojmë një të nesërme më të mirë.

Pra, cila do të jetë përgjigja këtë herë? Ajo e vitit 2010 apo ajo e vitit 1945?

Ndërkohë që është shumë herët për ta thënë këtë, duartrokitjet për punonjësit e shëndetit që ndodhen në vijën e parë në përballjen me koronavirusin, qoftë në Nju Jork, Madrid, Paris, apo Stamboll, të kujtojnë frymën e vitit 1945. Në lagjen time në Londër, fqinjët dalin çdo të enjte fiks në orën 20:00 jo vetëm për të duartrokitur për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit, por edhe për të treguar histori dhe për t’i ofruar njëri-tjetrit ndihmë për blerje ose për ndonjë fëmijë që ka nevojë për dikë që të kujdeset për të.

Besimi në një institucion publik dhe te fqinjët tuaj është diçka e keqe për populizmin dhe politikanët populist e dinë këtë. Kjo është arsyeja pse Santiago Abascal, drejtuesi i lëvizjes së ekstremit të djathtë Vox të Spanjës, po kërkon fundin e duartrokitjeve dhe këngëve entuziaste që i shoqërojnë ato. Në vend të kësaj, ai dëshiron që spanjollët të godasin tiganë e tenxhere në shenjë proteste kundër qeverisë.

Por përpara se demokratët liberalë të shtojnë shpresat, ata nuk duhet të harrojnë se kriza do të sjellë edhe shumë përçarje: midis profesionistëve që mund të punojnë nga shtëpia dhe punëtorëve të fabrikës që nuk mund ta bëjnë këtë; midis të moshuarve që nuk mund të dalin jashtë dhe të rinjve që mbahen brenda me dekret të qeverisë; dhe midis punonjësve zyrtarë që marrin subvencione pagash dhe të vetëpunësuarve që kanë humbur të gjitha të ardhurat.

Ndoshta kurba e përhapjes së koronavirusit po ulet, por kurbat e papunësisë dhe falimentimit të bizneseve vazhdojnë të mbeten në rritje. Nëse shoku që mori shëndeti publik pasohet nga një krizë e zgjatur ekonomike që lë shumë njerëz pas, besimi te qeveritë dhe institucionet do të vuajë dhe identitetet kombëtare do të thyhen edhe më shumë. Do të përsëritet përsëri viti 2010 ose edhe më keq akoma. Të bashkuar ne qëndrojmë në këmbë, të ndarë biem. Nëse ne biem, nuk do të jenë demokratë liberalë ata që do t’i mbledhin copëzat.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate.  The Populists’ Pandemics https://www.reporter.al/pandemia-e-populisteve/

Temat e fundit