×

Pushtetin popullit?

Pushtetin popullit?

· 1 · 25

  • Postime: 22774
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 25-11-2019, 11:01:23
 

Nga Beiruti, në Hong Kong në Santiago, qeveritë janë të paduruara për t’u dhënë fund protestave masive. Por, në mungesë të një reagimi më të madh institucional ndaj halleve dhe kërkesave popullore, njerëzit nuk ka gjasa të rrijnë në shtëpi

Njerëzit në të gjithë botën po përdorin demonstratat masive, për të shprehur pakënaqësinë dhe parashtruar kërkesat e tyre të papërmbushura. Ndërsa, në disa drejtime, protestat popullore janë një triumf i parimeve demokratike dhe aktivizmit qytetar, ato gjithashtu mbartin rreziqe serioze, përfshirë edhe dhunën nga dhe kundër protestuesve. Përhapja e tyre sot tregon për një dështim të qeverive, demokratike dhe autoritare, për të dëgjuar, aq më pak plotësuar nevojat e popujve të tyre.

Çështjet në fjalë janë të ndryshme. Në Katalonnjë, demonstruesit kërkojnë lirimin e nëntë liderëve separatistë që përballen me dënime të gjata burgu, për rolin e tyre në përpjekjen e dështuar të qeverisë rajonale në 2017, për t’u shkëputur nga Spanja. Në Kili, pabarazia ekonomike po nxit demonstrata gjithnjë e më të dhunshme, të shkaktuara nga një rritje e tarifave në metronë e Santiagos.

Në Liban, ajo që filloi si protestë kundër korrupsionit dhe administrimit të dobët ekonomik tani synon heqjen e kleptokracisë sektare disadekadëshe. Dhe në Hong Kong, protestuesit po i rezistojnë mësymjes në rritje të Kinës, kundër lirive civile dhe sundimit të ligjit në qytet, dhe tashmë kanë detyruar qeverinë e tyre të tërheqë ligjin e famshëm të ekstradimit, prej të cilit e ka burimin gjithë kjo situatë.

Njerëzit mund të përdorin “retorikën e trupit” të protestave në rrugë, kur mendojnë se nuk mund të sjellin ndryshim përmes kanaleve demokratike, siç është kutia e votimit. Në Moskë, protestat shpërthyen këtë verë pasi kandidatët e opozitës u ndaluan të garonin në zgjedhjet e shtatorit, për parlamentin e qytetit. Lëvizja protestuese në Liban nxitet nga një mungesë e ngjashme e opsioneve të mirëfillta demokratike. Banorët e Hong Kongut nuk mund të votojnë kundër drejtuesve të Kinës.

Protestat mund të jenë një mjet i fuqishëm për të komunikuar angazhimin ndaj një kauze, jo vetëm për udhëheqësit, por edhe për bashkëqytetarët, të cilët mund të frymëzohen për t’u bashkuar me këtë kauzë. Dhe ato mund të shërbejnë për të tërhequr vëmendjen e botës së jashtme: Udhëheqësit e protestave nga Hong Kongu kanë kërkuar në mënyrë të qartë mbështetje ndërkombëtare.

Por demonstrimet masive shpesh kërkojnë sakrificë të konsiderueshme. Aktet e “mosbindjes civile” – si për shembull, bllokimi i trafikut (siç ka ndodhur në Beirut dhe Londër) ose paralizimi i aeroportit (si në Hong Kong) – mund të jenë një mënyrë e fuqishme për të tërhequr vëmendjen ndaj një kauze, por ato gjithashtu i vendosin pjesëmarrësit e tyre në rrezik, qoftë nga gazi lotsjellës, qoftë nga arrestimi.

Edhe atje ku protestat paqësore janë teknikisht të ligjshme, pjesëmarrësit mund veprojnë kundër ligjit, qoftë duke shkelur,  qoftë duke mos paraqitur dokumentat e nevojshme, apo edhe të ekspozohen përballë akuzave penale të paqarta si “prishja e qetësisë”. Në Shtetet e Bashkuara, lëvizja e të drejtave civile në vitet 1950 dhe 1960, protestat e Luftës së Vietnamit të viteve 1960 dhe 1970, dhe demonstrimet e sotme kundër ndryshimeve klimatike ndajnë një veçori kryesore: pothuajse të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë jo të dhunshëm, por prapëseprapë janë përballur me arrestime të përsëritura, ndonjëherë në shkallë të gjerë.

Rreziqet shkakttohen nga protestuesit qëllimisht të dhunshëm, të cilët mund t’i shohin veprimet e tyre si të justifikuara, por në fund të fundit dëmtojnë kauzën duke armiqësuar aleatët e mundshëm, duke justifikuar goditjet e qeverisë dhe duke rrezikuar protestuesit e tjerë. Hong Kongu – ku shumica e protestuesve janë jo të dhunshëm – është një rast ilustrues.

Nëse një lëvizje proteste ka sukses ose dështon, kjo varet kryesisht nga media. “Policia shtyp protestat e dhunshme”, është padyshim një titull shumë i ndryshëm nga “Policia shtyp dhunshëm protestat”, dhe as nuk dërgon të njëjtin mesazh si “Protestuesit dhe policia përplasen”.

Për më tepër, imazhet e momenteve dramatike – si një arrestim i profilit të lartë ose një zinxhir njerëzor – mund të lënë një përshtypje më të thellë në imagjinatën e publikut të gjerë, sesa debatet ose parullat. Disa nga protestat më të fuqishme kundër Luftës së Vietnamit përfshinin anëtarët e Teatrit të Bukës dhe Kukullave të Vermontit, të veshur me kostume që kujtonin vuajtjet që po shkaktonte lufta.

Po kështu, katër studentët me ngjyrëq që protestuan për segregimin në vitin 1960 duke u ulur në heshtje në banakët e restoranteve vetëm për të bardhë në në Greensboro, Karolinën e Veriut mund të mos kishin ndihmuar për nxitjen e një lëvizjeje masive për integrimin e ambienteve të ngrënies në të gjithë jugun e Amerikës, nëse media lokale nuk do të ndante fotografitë. Në të njëjtën mënyrë, media mund të mos ketë raportuar në mënyrë simpatike për çështjen e tyre, nëse nuk do të kishin dhënë një ilustrim të fortë padenjësisë dhe arbitraritetit të segregimit racore.

Mungesa e opsioneve të protestuesve për t’u përballur me politikat qeveritare të dëmshme ose të padrejta, u jep legjitimitet veprimeve të tyre. Si, përveç se nëpërmjet demonstratave në rrugë, banorët e Hong Kong-ut do të mund të kishin mobilizuar median globale për projekt-ligjin e propozuar për ekstradimet? E njëjta gjë vlen edhe për hungarezët që protestojnë ndaj një “ligji të punës skllavëruese”, i cili rrit në mënyrë drastike sasinë e orëve jashtë orarit që mund të kërkojnë kompanitë; Filipinasit që dënojnë vrasjet pa gjyq të shpërndarësve dhe përdoruesve të dyshuar të drogës; dhe brazilianët që kundërshtojnë zgjerimin katastrofik mjedisor të agrobiznesit në pyjet e Amazonës. Në të tre vendet, udhëheqësit populistë të krahut të djathtë kanë minuar sistemet demokratike që i sollën ata në pushtet, dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.

Por protestuesit duhet të kenë kujdes: ndikimi i mediave është thikë me dy presa. Imazhet e disa protestuesve në Hong Kong që shkatërrojnë dritare ose hedhin bomba me benzinë dëmtojnë rrëfimin, se është shteti kinez që po vepron kundër sundimit të ligjit. Tani, janë udhëheqësit e Kinës ata që mund të përdorin median globale – këtë herë për të diskredituar protestat.

Me pabarazinë, populizmin dhe autoritarizmin ende në rritje, duket se ka mundësi që demonstratat masive të mbeten një pjesë e politikës globale për të ardhmen e afërt. Padyshim që qeveritë do të përpiqen t’i shkatërrojnë ato. Por, në mungesë të një reagimi më të madh institucional ndaj ankesave dhe kërkesave popullore, njerëzit nuk ka gjasa të qëndrojnë në shtëpi.

Nga Aryeh Neier

PROJECT SYNDICATE – bota.al