“Revolucionet arabe” dhe Muri i Madh kinez - Bota Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

“Revolucionet arabe” dhe Muri i Madh kinez

“Revolucionet arabe” dhe Muri i Madh kinez

· 1 · 647

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 06-03-2011, 18:04:59
Nëse tronditjet e mëdha revolucionare të këtyre dy muajve të fundit në Tunizi, Egjipt, Jemen, Bahrein, Libi dhe në vende të tjera të botës arabe e zunë të papërgatitur Perëndimin, sa e mundur është që efekti domino i këtyre ngjarjeve të ndihet në rajone të tjera të botës së tretë, në Afrikë dhe në Azi? A janë protestat e javëve të fundit në vende të tilla të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, si Libani, Omani, Algjeria, Maroku, apo ato në Iran, në Bregun e Fildishtë, në Korenë e Veriut dhe në Kinë, shenja të dobësimit apo të këputjes së hallkave të tjera në zinxhirin e vendeve që po përjetojnë një zgjim dhe radikalizimin politik të tillë që ndoshta do t’i japë një përmbajtje të re shekullit të 21-të? A shënojnë, pra, këto ngjarje atë që tashmë rëndom kanë filluar ta quajnë “epoka e ngritjes së vendeve joperëndimore” (the era of the Rise of the Rest)? Trajtimi i kësaj çështjeje është shumë i komplikuar dhe kërkon më shumë hapësirë sesa kjo që më lejon ky OpEd. Këtu, sidoqoftë, unë dëshiroj të trajtoj çështjen se ç’domethënie kanë për Kinën tronditjet e mëdha politike dhe sociale që po ndodhin në botën arabe dhe a do të mundet vala e tyre të sjellë ndryshime edhe në këtë vend?

Vëzhguesit dhe analistët e “revolucioneve arabe” janë, përgjithësisht, të mendimit se “Kina nuk është Egjipti” dhe se ngjarjet në vendet e Magrebit dhe në Lindjen e Mesme nuk do të rezonojnë fuqishëm përtej Murit të Madh kinez. Pa dyshim që regjimi i sotëm kinez dhe regjimi i Hosni Mubarakut në Egjipt (apo regjimet e tjera në vendet arabe) kanë disa karakteristika të ngjashme. Së pari, si njëri, ashtu edhe tjetri, drejtoheshin apo drejtohen nga një grup oligarkik, i cili për dekada me radhë i ka shtypur masat e gjera të popullit dhe ka burgosur apo ka detyruar të heshtin elementët disidentë dhe opozitarë në shoqëritë e tyre. Së dyti, si njëri, ashtu edhe tjetri, kanë luajtur një lojë bizantine në marrëdhëniet me vendet e tjera, duke u angazhuar si me Shtetet e Bashkuara dhe me Perëndimin liberal, ashtu edhe me regjimet më autoritariste në kohën e sotme. Së treti, protestat e mëdha në të dy vendet (sidomos ato në Sheshin Tiananmen dhe në Sheshin Tahrir) morën shkas dhe u energjizuan kryesisht nga rinia.

Pavarësisht ngjashmërive të tilla, arsyet apo faktorët që i dallojnë Egjiptin (apo vendet e tjera arabe) nga Kina janë të shumta dhe më të rëndësishme. Më kryesoret ndër to mendojmë se janë: Së pari, në ngjarjet e Sheshit Tiananmen, më 1989, Ushtria Çlirimtare Popullore (UÇP) e Kinës, ndryshe nga ushtria egjiptiane në Sheshin Tahrir, nuk hezitoi të zbatonte urdhrat e eprorëve të saj komunistë dhe t’i shtypte qytetarët e saj kryengritës, duke vrarë qindra, në mos mijëra studentë dhe përkrahës të tyre. Në këta 21 vjet që kanë kaluar nga ato ngjarje, nuk ka asnjë arsye të besojmë se UÇP-ja është bërë më pak luajale ndaj udhëheqjes komuniste të Kinës. Ndërsa në Egjipt, agravimi i situatës u la të kuptojnë krerëve të lartë të ushtrisë së atij vendi se pozitat e tyre do të forcoheshin nëse e nxirrnin jashtë loje Mubarakun, ushtrisë kineze do i duhej të merrej jo me një individ të vetëm, por me një parti komuniste të tërë, e cila s’mund të detyrohet të lërë pushtetin aq lehtë sa një njeri i vetëm. Një rrethanë e tillë, natyrisht, mund edhe të ndryshojë, por aktualisht ushtria kineze vazhdon të identifikohet më shumë se me çdo gjë tjetër me legjitimitetin e regjimit të sotëm të Pekinit, edhe pse elementë të rinj nacionalistë në strukturat e larta të ushtrisë kineze mund të duan t’i zgjerojnë kompetencat e tyre përtej autoritetit të Partisë Komuniste.

Së dyti, në vijim të argumentit të mësipërm, mund të thuhet se regjimi i Pekinit e ka bërë të qartë me ngjarjet e vitit 1989 se ai nuk do të lejojë të bjerë, ose të rrezikohet nga 100 000 apo më shumë protestues që mbushën Sheshin Tiananmen për shtatë javë me radhë, për një kohë, pra, tri herë më të gjatë se 18 ditët e protestave në Kajro, të cilat e detyruan Mubarakun të largohet. Presidenti aktual kinez Hu Xhintao dhe oligarkia e tij nuk duket se kanë lëvizur nga pozitat e pararendësve të tyre Ten Sjaopin dhe Li Pen. Fakti që Pekini ka censuruar, qysh nga muaji janar, thuajse çdo lajm nga Egjipti, dëshmon se udhëheqjes së sotme kineze i mungon madje edhe vullneti më i vogël për t’i lejuar qytetarët e vet të protestojnë qoftë edhe në mënyrë paqësore. Kjo, sigurisht, tregon edhe nervozizmin e saj për shkak se informacioni që marrin çdo ditë mbi 420 milionë kinezë, përdorues të Internetit (netizens, siç kanë filluar të quhen sot qytetarët që kërkojnë informacion, ose komunikojnë online), mund të çojë eventualisht në mobilizim dhe radikalizim politik dhe në galvanizim të situatës në atë vend.

Së treti, Egjipti (edhe pse më i populluari ndër vendet arabe, me 83 milionë banorë) dhe Kina ndryshojnë shumë nga pikëpamja demografike. Ata dhjetëramijë protestues që mbushën sheshet dhe rrugët e Kajros dhe të Aleksandrisë, edhe pse përfaqësonin vetëm një segment të vogël të popullsisë së Egjiptit, mjaftuan për ta detyruar Mubarakun të linte pushtetin, si edhe ushtrinë që të tregohej e përmbajtur. Por në një vend me një popullsi mbi 15 herë më të madhe, një numër i tillë protestuesish nuk do të përbënte një masë kritike. Në një vend me mbi 1.3 miliardë banorë, regjimi autoritarist kinez mund të izolojë dhe të shtypë relativisht lehtë masa qindramijëshe. Këtë regjimi aktual i Pekinit e bën çdo ditë. Vetëm në vitin 2005, ushtria dhe forcat e policisë kineze shtypën me dhunë mbi 90 000 protesta, kryesisht në zonat rurale të vendit.

Së katërti, ndryshe nga regjimi i Mubarakut, udhëheqja kineze ka treguar se është e aftë t’i kanalizojë pakënaqësinë dhe zemërimin e rinisë dhe të masave popullore ndaj regjimit komunist në drejtim të një objektivi të huaj, siç ndodhi, për shembull, në vitin 2005, kur protestat masive kundër Japonisën që u organizuan në Shangai dhe në Hanxhou, në fakt ishin të orkestruara nga vetë qeveria kineze. Fokusi i atyre protestave u bë një çështje thuajse abstrakte për qytetarin kinez, siç është kundërshtimi për t’i dhënë Tokios një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kina e sotme ka mjaft arsye për t’i manipuluar qytetarët e saj dhe për ta orientuar zemërimin e tyre ndaj problemeve të brendshme në drejtime të tjera, që kanë të bëjnë sa me pretendimet territoriale të Kinës në Detin e Kinës së Jugut, aq edhe me mbështetjen që Amerika u jep Tajvanit dhe Japonisë, duke u shitur atyre armë të sofistikuara.

Së pesti, ndryshe nga Egjipti, ku fuqitë e mëdha dhe aktorët ndërkombëtarë mund të ushtronin influencën e tyre në punët e vendit, kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë me Kinën. Edhe pse Mubaraku ishte një diktator, ai ishte, gjithashtu, një aleat i Uashingtonit dhe përfitonte prej tij një ndihmë rreth 2 miliardë USD në vit. Një rrethanë e tillë bënte që Uashingtoni të ishte në kontakt të vazhdueshëm dhe të kishte ndikim mbi Mubarakun, ashtu siç Pentagoni ishte në kontakt me krerët e ushtrisë egjiptiane. Ka analistë të cilët mendojnë se fakti që ishte Këshilli Suprem i ushtrisë egjiptiane ai që vendosi fatin e Mubarakut mund të shpjegohet me presionin e Uashingtonit për t’i ndërprerë ushtrisë egjiptiane ndihmën amerikane, mbi të cilën ajo mbështetet. Një rrethanë e tillë nuk ekziston në marrëdhëniet kino-amerikane. Madje, edhe në kushte normale, Uashingtoni dhe Pekini komunikojnë me vështirësi, ndërsa dialogu politik midis tyre është tepër formal dhe larg çështjeve politike sensitive. Nëse do të imagjinonim në Kinë një krizë të ngjashme me atë në Egjipt, as Uashingtoni dhe as ndonjë fuqi tjetër e madhe nuk do të mund të luanin dot asnjë rol për të ndihmuar një zgjidhje paqësore apo demokratike të saj.

Së fundi, nuk duhet harruar se me gjithë natyrën shtypëse, brutale dhe kontrollin e rreptë mbi çdo aspekt të jetës së qytetarëve të saj, udhëheqja e sotme kineze ka meritën se ka ndërmarrë një ndër projektet më të suksesshme modernizuese ekonomike në histori. Edhe pse zhvillimi ekonomik në Kinë është i pabarabartë dhe ndoshta nuk do të mund të ruajë ritmet e derisotme për një kohë të gjatë, ky zhvillim ka nxjerrë nga varfëria ekstreme mbi 400 milionë njerëz, duke i bërë ata pjesë të klasës së mesme dhe vetë Kinën një aktor shumë të rëndësishëm në skenën globale. Egjipti i Mubarakut nuk ishte dhe s’mund të ishte një vend i tillë, madje, nën Mubarakun, varfëria dhe mjerimi në këtë vend vetëm u shtuan, duke çuar në protesta të fuqishme si ato që e rrëzuan atë nga froni. Në Kinë, përkundrazi, me gjithë pakënaqësinë dhe protestat në rritje të dhjetëra e qindra miliona njerëzve që jetojnë në kushte të varfërisë së thellë, janë dhjetëra e qindra milionë të tjerë që kanë përfituar nga politikat e qeverisë së sotme kineze dhe nuk duan, ose nuk janë gati, të mobilizohen për përmbysjen e saj.

Pavarësisht nga sa thamë më lart, në politikë asgjë nuk është e sigurt. Me gjithë mungesën e stabilitetit në Egjipt gjatë viteve të fundit, askush nuk e kishte parashikuar përshkallëzimin e tillë të ngjarjeve që çuan në rrëzimin aq lehtë të faraonit Mubarak. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kinën. Analistë të ndryshëm vënë në dukje dobësitë e sistemit politik në këtë vend dhe argumentojnë se ai është në rënie; të tjerë, përkundrazi, theksojnë se pozitat e Partisë Komuniste janë të forta dhe se në Kinë s’do të ndodhë politikisht asgjë edhe për disa gjenerata.

Sidoqoftë, ndoshta gjërat nuk janë fare kështu. Kina nuk është aq e qetë sa duket. Ajo pret një tranzicion tjetër autoritarist në udhëheqjen e saj vitin e ardhshëm, pra më 2012. Deri më sot, zëvendësimet në krye të udhëheqjes kineze kanë qenë relativisht të buta, por kjo s’do të thotë se tranzicionet e ardhshme të elitës në pushtet (për të cilën ne dimë shumë pak), do të jenë pa probleme. Nëse deri më sot elita kineze ka mundur të mbajë nën kontroll tranzicionin politik në krye të radhëve të saj, kjo mund të mos jetë e mundur edhe më tej. Kina mund të ndeshet me shumë të papritura. Një sfidë e minutave të fundit, një thirrje dhe një lëvizje reformiste për më shumë transparencë në vendimet që kanë të bëjnë me zëvendësimin e drejtuesve në pushtet, madje edhe një gabim nga drejtuesit e sotëm të Kinës mund të çojnë në divergjenca serioze brenda udhëheqjes kineze dhe të provokojnë një lëvizje të tillë politike, përballë së cilës protestat e Egjiptit, të Tunizisë, të Libisë dhe të Jemenit do të dukeshin lehtësisht të menaxhueshme. /Mapo

Temat e fundit