×

Sot [....] vjet nga “11 shtatori”

Sot [....] vjet nga “11 shtatori”

· 8 · 547

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 11-09-2011, 13:57:31
 Amerikanët përkujtojnë sot dhjetë vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Dy aeroplanë të marrë peng sulmuan dhe shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator të vitit 2001, ditë kur humbn jetën mbi 3000 persona. Fillimisht ishin dy avionë që u përplasën me kullat binjake të ''World Trade Center'' në Nju Jork, ndërsa një tjetër me Pentagonin në Uashington dhe i katërti u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë, pranë Shanksvilleen.

Në Washington, Presidenti amerikan Barack Obama po drejton një sërë ceremonish në këtë dhjetë vjetor duke nderuar ekipet e emergjencës, ushtrinë dhe mijëra njerëz që humbën jetën. Gjatë fjalimit të përjavshëm në radio zoti Obama foli për aktet e heroizmit një dekadë më parë në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork dhe Pentagon dhe ato në avionin United 93 mbi Shanksville të Pensilvanisë.

Presidenti tha se, “vitet e fundit Shtetet e Bashkuara kanë luftuar al-Kaidën dhe kanë eleminuar drejtuesit e saj kryesor, përfshi Osama Bin Ladenin. Zoti Obama tha se agjencitë qeveritare mbeten në vigjilencë, duke vazhduar të shtojnë sigurinë në mbarë vendin ndërsa terroristët sipas tij “vazhdojnë të përpiqen të na godasin”.

Presidenti Obama dhe zonja e parë Michelle Obama vizituan Varrezat Kombëtare të Alringtonit, ku qindra mijëra anëtarë të ushtrisë amerikane janë varrosur. Ata viziuan gjithashtu edhe pjesët e varrezave ku ndodhen varret e ushtarëve të vrarë në luftërat e dhjetëvjeçarit të fundit në Irak dhe Afganistan. Në ceremonitë e nderimit për 11 shtatorin marrin pjesë gjithashtu edhe ish-presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton. Ata ishin në një ceremoni në Shanksville të Pensilvanisë, për të përuruar një memorial kushtuar viktimave të avionit të "United Airlines", që u rrëzua në një fushë gjatë sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Memoriali prej guri të bardhë përkujton përpjekjet e pasagjerëve dhe ekuipazhit të avionit për të mposhtur rrëmbyesit e avionit dhe për ta ulur avionin. Në ceremoni folën ish-presidentët Xhorxh Bush, Bill Clinton dhe zëvendëspresidenti Xho Biden.
Ndërkohë në SHBA agjencitë e rendit në mbarë vendin kanë rritur masat e sigurisë për të parandaluar akte të mundshme terroriste. Ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se nuk ka asnjë dokumentacion specifik për komplot nga al-Kaeda,

Udhëheqësi i ri i Al-Kaedës, Ayman al-Zavahiri shfaqet gjithashtu në disa video duke bërë thirrje për sulme kundër objektivave amerikane dhe duke kërkuar mbështetjen e myslimanëve për kauzën e tij. "Nuk është koha për të rënë në vetëkënaqësi. Në fakt, në këtë dritare që al-Kaida po mundohet të shfrytëzojë, ne duhet të përpiqemi të parandalojmë sulmin tjetër."
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)
« Editimi i fundit: 11-09-2019, 14:23:01 nga M A X »

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 11-09-2011, 19:55:03
Në Shtetet e Bashkuara, kanë nisur ceremonitë përkujtimore në 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në New York, Washington dhe Pensilvani. (UPDATE)

Pas paralajmërimeve për një sulm të mundshëm të Al Kaedës, masat e sigurisë janë shtuar në maksimum. Tre persona janë shpallur në kërkim në Washington dhe në pjesën tjetër të vendit, të dyshuar si pjesëtarë të një celule të rrjetit terrorist, e gatshme të realizojë një tjetër atentat të bujshëm.

Në fjalimin e tij radiofonik të së shtunës, presidenti Obama kërkoi të theksonte se 10 vjet pas tragjedisë, Amerika është më e fortë dhe populli më i prirur të ecë


Megjithate, shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri edhe një herë në dukje se në predispozitën e tij anti-terrorit, vendi nuk duhet të ulë vigjilencën, as javët në vazhdim.

Numri dy i administratës, Joe Biden, ishte bashkë me ish-presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton në Shanksvill të Pensilvanisë për ceremoninë e dedikimit të një memoriali viktimave te Fluturimit 93 të linjës ajrore United, i cili u përplas në një fushë gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011.

Memoriali është prej guri të bardhë dhe kujton përpjekjet e udhëtarëve dhe ekuipazhit për të mposhtur rrëmbyesit dhe për të penguar realizimin e objektivit të tyre.

“Kjo përmendore është një garanci se kombi ynë do t’i kujtojë gjithmonë ata që humbën jetën në 11 shtator. Por, ne kemi një detyrim përtej kujtimit. Kemi një detyrim përtej nderimit. Kemi detyrimin t’i jetojmë jetët tona në mënyrë të tillë që të lartësojnë idealet e këtyre burrave dhe grave. Kemi detyrën të gjejmë si komb një pikësynim të përbashkët”, u shpreh George W. Bush.

“Teksa kujtjomë çfarë ndodhi në New York, Pentagon dhe këtu, ne duhet të nderojmë ata që vdiqën, të falenderojmë të afërmit që mbajnë gjallë kujtimin, të rrisim fëmijët e tyre e të gjejmë forcën për të vazhduar jetën. Mendoj se duhet të falenderojmë presidentin Bush, zëvendëspresidentin Biden dhe presidentin Obama e të gjithë ata që shërbyen përkrah tyre, të cilët nuk lejuan që Amerika të sulmohej sërish”, tha në fjalën e tij Bill Clinton.

“Nuk ka momente të vështira që nuk mund të transformohen në forcë kombëtare. Farat e dyshimet të mbjella nga ata që na duan të keqen do të rriten për tu kthyer në kullota të gjelbra si kjo ku po qëndrojmë sot. Sepse ata nuk munden, ata nuk do të arrijnë të mposhtin shpirtin amerikan”, theksoi Joe Biden.

Viktimat e 11 Shtatorit u kujtuan edhe nëpër botë. Zjarrfikësit në Gjermani ngritën një memorial me çelik të marrë nga Kullat Binjake, italianët i kujtuan në heshtje të vdekurit e 11 Shtatorit, Parisi e bëri homazhin e tij me një riprodhim të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Por pati dhe nga ata që protestuan kundër Shteteve të Bashkuara. Në Pakistan dhjetëra vetë kanë dalë në protestë me pankarta ku amerikanët përshkruheshin si terroristë. Në Londër dy vetë u arrestuan pasi një grup manifestuesish islamikë dogjën flamurin amerikan përpara ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa incidenti më i rëndë, i lidhur ndoshta me këtë përvjetor, ishte shpërthimi i një kamioni-bombë pranë një bazë ushtarake në Afganistan, ku u plagosën 80 ushtarë amerikanë, por asnjëri nuk është në gjendje kritike për jetën.

Sulmin mbi bazën e Uardakut e morën përsipër talebanët, të cilët akuzuan Uashingtonin se i ngjarjet e 11 Shtatorit i përdori si pretekst për të pushtuar Afganistanin. /top channel

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 11-09-2011, 20:42:38
11 SHTATORI/Teori komploti

1. Dështimi në pengimin e avionëve të rrëmbyer

PYETJA: Përse forca ajrore më e fuqishme në botë nuk arriti të pengojë ndonjërin prej 4 avionëve të rrëmbyer?

TEORIA E KOMPLOTIT: Zëvendëspresidenti i atëhershëm, Dick Cheney, urdhëroi ushtrinë që të mos lëvizej dhe të mos pengoheshin avionët.

RAPORTI ZYRTAR: Ishte një rrëmbim i shumëfishtë shumë i pazakontë me dhunë në bordin e avionëve, dhe ku transponderi, i cili identifikon avionin, ishte fikur ose ndryshuar. Për më tepër, atë ditë ndodhi që të kishte një ushtrim rutinë ushtarak në komandën e forcave mbrojtëse të SHBA. Kontrollori i trafikut ajror, Colin Scoggins ishte në kontakt të vazhdueshëm me ushtrinë dhe ai nuk pa ndonjë mungesë reagimi. Kishte konfuzion dhe një mungesë komunikimi mes kontrollit të trafikut ajror civil dhe ushtrisë. PO kështu, pajisjet ushtarake ishin të vjetëruara dhe të projektuara për të parë përtej oqeanit për rreziqe të tipit të Luftës së Ftohtë.

2. Shembja e Kullave Binjake

PYETJA: Përse Kullat Binjake u shembën aq shpejt, brenda themelit të tyre, pas zjarreve në disa kate që zgjatën jo më shumë se dy orë?

TEORIA E KOMPLOTIT: Kullat Binjake u shkatërruan me shembje të kontrolluar. Teoritë përmendin shembjen e shpejtë (afro 10 sekonda), zjarret relativisht jetëshkurtër (56 minuta në Kullën 2 dhe 102 minuta në Kullën 1), të dhëna për zhurma shpërthimesh para shembjes, si dhe daljet e dhunshme të xhamave që mund të shiheshin në disa dritare shumë kate poshtë zjarreve.

RAPORTET ZYRTARË: Një studim i zgjeruar i kryer nga Instituti Kombëtar i Standarteve dhe Teknologjisë konkludoi se avionët dëmtuan rëndë kolona mbështetëse. Një sasi shumë e madhe karburanti avioni u përhap në shumë kate, duke sjellë zgjerim të zjarrave. Temperatura deri në 1000 gradë celcius shkaktuan rënie të kateve dhe përkulje të kolonave të perimetrit, gjë që shkaktoi zhurmën e shpërthimeve.

Pesha masive e kateve ra, duke shkaktuar një ngarkesë dinamike shumë më të madhe nga sa mund të mbanin kolonat në bazë të projektit... RD

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#3 ne: 11-09-2011, 20:42:50
Nju Jorku/Krenar, i trembur, më human

Kur toka nisi të dridhet dhe ndërtesat të lëkunden, disa javë më parë, të gjithë përjetuam pakëz deja vu. Kushdo që ka qenë në Manhattan në 11 shator 2001 duhet të ketë ndier frikën qëka qenë sërish i sulmuar. Lëkundja, sic mësuam më vonë, u shkaktua nga një tërmet me epiqendër në Virginia, por të gjithë njerëzit me të cilët pata mundësi të flas më thanë se i kish mbërthyer një flashback.

Mund të kishim iluzionin se kishim harruar, apo pothuajse, por nuk është kështu. Në atë kohë, në ditët pas 11 shtatorit, mendonim se nuk do ta harronim asnjëherë atë tmerr, që jeta nuk do të ishte më njësoj. E dëgjoja të përsëritej kudo. "Asgjë nuk do të jetë më si më parë". E thoja edhe unë, e shkruajta madje në një artikull për The Guardian të Londrës. Por me kalimin e viteve kujtimi u zbeh. Ndonjëherë, kur shihnim ndonjë avion të fluturonte ulët apo kur dëgjonim një zhurmë, kishim një reagim të menjëhershëm, një shkarkim adrenaline: trupat tanë kujtonin fare mirë. Për ata që kishin humbur të dashurit e tyre në Kullat binjake, jeta kish ndryshuar përgjithmonë, dhe ishin jo të paktë ata që morën vendime dramatikë në ditët që pasuan atentatin: 11 shtatori ishte katalizatori që përcaktoi ndryshime në karrierë, martesa dhe divorce. Disa u larguan nga qyteti, një miku im la gruan dhe pranoi hapur homoseksualizmin e tij. Një tjetër, i motivuar nga fryma e vullnetarizmit dhe shërbimit për tjetrin që kishte prekur të gjithë në orët pas katastrofës, braktisi punën në bankë për t'iu përkushtuar një shoqate humanitare në Afrikë. Jeta është shumë e shkurtër, thoshin, për të mos e jetuar plotësisht. Por shumë prej nesh, ndoshta pjesa më e madhe, pavarësisht qëllimeve të mirë, vazhduam jetën e përhershme.

Nju Jorku e ka absorbuar tronditjen e 11 shtatorit, vdekjen e 2752 qytetarëve dhe afro 90 miliardë dollarë dëmet ekonomikë që provokuan atentatet. Por nuk ka qenë asnjëherë një qytet i aftë të shohë pas. E kaluara nuk na duket aspak interesante si e tashmja dhe e ardhmja që fshihet pas qoshes. Të vdekurve nuk iu lejua as edhe të varrosen në ishullin e Manhattanit, të gjithë varrezat në fakt u zhvendosën në lagjet periferike. Historia nuk është pika jonë e fortë. Kështu që, nuk na befason fakti që kemi ecur përpara.

Kur kuptuam se nuk bëhej fjalë për një agresion të ri kundër vendit, muajin që kaloi, njerëzit në rrugt e Manhattanit dukeshin në lehtësuar, madje euforikë. E megjithatë, shijuam atë ndjesi terrori që fshehim brenda, pak më poshtë sipërfaqes së përditshmërisë sonë, një ankth që më kujton në një farë mënyre vitet tetëdhjetë, kur Nju Jorku ishte një qytet i rrezikshëm dhe i pamëshirshëm... RD

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#4 ne: 11-09-2011, 20:43:00
Refleksione për 11 shtatorin

Fareed Zakaria

Ata që jetojnë në Nju Jork, si unë, kanë kujtimet e tyre të vecantë për 11 shtatorin 2001. Po ecja me makinë përgjatë Long Island. Po nisja një muaj leje nga Newsweek, sepse do të punoja me një libër. Rreth orës 9 të mëngjesit, ndeza radion për të dëgjuar lajmet. Raportimet ishin kaotikë, por po përvijohej qartë ajo që kish ndodhur. U ktheva dhe u nisa për në Nju Jork për të qëndruar pranë bashkëshortes dhe djalit tim 1-vjecar. Teksa iu afrova Urës Triborough pashë barrikada të mëdha dhe dhjetëra makina policie. Të gjithë urat dhe tunelet ishin mbyllur. Vetë Manhattani ishte mbyllur. Celularët ishin të papërdorshëm atë mëngjes, për arsye se 8 milion vetë po përpiqeshin t'i përdornin njëkohësisht.

U ktheva sërish dhe vazhdova për në destinacion në Long Island, shtëpia e disa miqve ku kisha planifikuar të punoja me librin. Sapo mbërrita, ndeza televizorin tek CNN dhe pashë me tmerr dhe zemërim. Më në fund, mund të flas me bashkëshorten dhe mësova që ajo dhe im bir ishin mirë. Por shumë shpejt, më telefonoi një prej miqve më të shtrenjtë, shoku i dhomës në kolegj. Vëllai i tij, Chris punonte në një prej kateve të sipërm të Kullave. Askush nuk dinte gjë për të. Nisa t'u telefonoj miqve dhe kontakteve në Policinë e Nju Jorkut, FBI, CIA - cdokush që mund të kish ide se cfarë mund të bëja për të ndihmuar. Mbaj mend që pashë në sallat e emergjencës në spitale, me krevate të nxjerë në rrugë, në pritje të pacientëve. Por sigurisht, ishin bosh. Askush nuk erdhi. Nuk dëgjuam më kurrë nga Chris.

Hamendësova në cast se kush e kish bërë. Kisha disa vite që ndiqja Osama bin Ladenin dhe al Kaedën, që nga sulmet kundër ambasadave të SHBA në Afrikë dhe USS Cole në Jemen. Në punën e mëparshme, si kryeredaktor i Foreign Affairs, kisha botuar një koment të vogël për luftën e shpallur atëherë nga Osama kundër SHBA, një koment i historianit Bernard Leëis. Porgjithësesi isha i befasuar nga sulmi - nga guximi, thjeshtësia dhe suksesi. Në një drejtim, isha krejtësisht amerikan. Imagjinoja që Amerka ishte një ishull, një shkëmb, shumë larg nga telashet dhe infeksionet e pjesës tjetër të botës.Dhe ashtu si shumë amerikanë, ndjeva një tronditje, një dhunim.

Pezullova projektin e librit tim dhe kaloja orët duke lexuar dhe menduar se cfarë e kish shkaktuar sulmin. Si mund të shpjegohej kjo e keqe kaq monstruoze? Shkruajta komentet e mia për të dhe më pas, disa javë më vonë, vendosa të shkruaja një ese të gjatë ku të shpjegoja rrënjët e këtij zemërimi kundër Amerikës. Ndenja tre ditë dhe netë duke lexuar, kërkuar, shkruar... RD

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#5 ne: 11-09-2011, 20:51:37
Më trego 11 shtatorin tënd dhe të them kush je

Roger Cohen

Ime bijë mbushi katër vjeç atë ditë. E kisha në krahë teksa unë dhe ime shoqe vrapuam nga Remsen Street drejt Brooklyn Promenade. Tymi nga Kullat po trashej e po kthehej në një shtjellë resh. Copa letrash nga zyra imobilare të shkrumbuara fluturonin nëpër East River, nën një qiell, të cilin, tani e quaj blu 9/11. 

Gazetarët e kanë në gjak për të vëzhguar se në ç’drejtim po lëvizin njerëzit dhe ata shkojnë në krah të kundërt. I hipa trenit në Clark Street. Gruaja pranë meje po mundohej të përmbante lotët. Mendonte se të vëllanë e kishte në Kullën veriore. U mundova ta ngushëlloja. Treni i metrosë, një prej të fundmëve që do të lëvizte atë ditë, kaloi poshtë ferrit të Times Square.

Ishte dita ime e parë në një punë të re si editor. Nuk kisha më shumë se 10 minuta në tavolinën e punës kur, në orën 9.59 të mëngjesit, Kulla Jugore ra. Më pushtoi adrenalina: alkimia e gazetarisë. Keqardhja e ndrydhur u çlirua pak ditë më vonë. Një grua, që po kërkonte për burrin e saj të humbur, kishte ngjitur në mur një eko, ku shfaqej një fëmijë i palindur, që tani do të rritej pa baba. Kjo pamje e bëri punën për mua.

Zjarret u dogjën, të ushqyera nga hekuri i shkrirë i nën rrënojave. U dogjën për javë të tëra. Nganjëherë, në varësi të erës, era e djegësirës nga poshtë Canal Street, mbërrinte në Brooklyn, një kujtesë vjellandjellëse e asaj që kishin djegur zjarret. 

Kjo më kujtohet. Një prej gjërave që na mëson 11 shtatori, edhe pas një dekade, është se kujtesa është tradhëtare. Është përherë në lëvizje dhe joshkencore, më afër imagjinatës, e largët nga historia, sa edhe emocioni nga forma.

Sa herë, që nga ajo ditë, kam dëgjuar njerëz nga e gjithë bota, që shpjegojnë sipas tyre teorinë e asaj që kishte ndodhur, bazuar në atë, që ata besojnë se panë. Asnjë teori konspirative nuk ka qenë aq jashtëtokësore apo e marrë, sa për të mos u pëshpëritur. Më është dashur ta përmbaj veten. 

Më trego rreth 11 shtatorit tënd, dhe të them se kush je.

Joseph Brodsky pat shkruar njëherë: nëse ka diçka që e zëvendëson dashurinë, është kujtesa. Të mbash mend, atëherë, është të rikthesh intimitetin”. Ky nuk është një përkufizmi i keq i asaj që bën gazetaria e mirë: rikthimi i intimitetit. Portretet e Trishtimit që u shfaqën në “New York Times” për muaj pas sulmit, prekën në plagë sepse dobësuan, përmes detajeve të jetëve të veçanta, formulën e Stalinit: vrit në masë dhe humbja bëhet veç një numër.   

Më pas erdhi humbja e kombit-humbja e drejtimit. Fillimi i shekullit 20 ishte një periudhë e zgjerimit të ethshëm amerikan. Fillimi i shekullit 21 ka qenë një periudhë e grumbullimit të dyshimit amerikan. Shekulli Amerikan është pas nesh; ky i tashmi ende po e kërkon epitetin e tij ndërmjet fuqive të reja. Se çfarë roli luajtën sulmet në këtë riformatim të globit dhe ç’pjesë e tij mund t’i atribuohet rrymave të pandalshme të historisë- është një pyetje e hapur. 

Do të thosha se ndryshimi i vendeve ndërmjet fuqive ishte i pashmangshëm, por u përshpejtua nga 11 shtatori dhe nga shansi. Gjërat e lëna varur ndihmuan gjithashtu. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetën veten me një president aksidental. Ai e futi kombin në dy luftëra, pa e përgatitur atë për sakrifica. Virtutshmëria e tij nuk toleronte të vihej në pyetje. Papërgjegjshmëria ishte në aleancë me sigurinë, një martesë e tmerrshme. Gënjimi i vetes është mëma e mallkimit. Luftërat vranë. Wall Street gjithashtu. “Whatever” (një fjalë që ka hyrë në zhargon për të demonstruar shkujdesje dhe moskokëçarje-shën. i red.) u bë motoja e amerikanëve të mbytur në borxhe; dhe me kalimin e kohës, erdhi rrënimi.

Kur u vjen koha, ideologjitë ekstreme lulëzojnë. Duhet të ketë një armik të brendshëm. Duhen gjetur koka turku, kompromisi duhet shtypur. Efekti më shkatërrimtar i 11 shtatorit ka qenë polarizimi i Amerikës dhe inkubacioni i urrejtjes.   

Interesi kombëtar ka humbur duke i lënë vendin hakmarrjeve dhe mamuzeve të fanatizmit. Është manipulimi i kujtesës-përkujtimi i papërshtatshëm-që e ka kthyer një sulm nga një bandë muslimanësh fanatikë në bazë të një përpjekjeje groteske për ta nxjerrë jashtë ligjit Sharian islamike në disa shtete amerikane dhe te mendimet skandaloze për presidentin Obama dhe islamizmin. 

Ka një postskript për këtë dekadë: Shpresa. Arabët janë ngritur në këmbë në qindra miliona për të marrë dinjitetin dhe lirinë e mohuar prej kohësh. Tiranitë kleptokratike, nën të cilat jetuan, ishin linja prodhimi për fanatizmin pas 11 shtatorit. Siç Amerika ka mësuar së voni ndryshimi është i vështirë. Do të jetë i vështirë edhe në botën arabe. Por, në këtë shndërrim po konturohet më në fund, gjurma e një përgjigjeje konstruktive për 11 shtatorin. 

Në një prej atyre copëletrave që fluturan përmbi East River gjeta këto fjalë të shkruara për time bije: “po e lë këtë botë në datëlindjen  tënde. Mbaj mend çka sheh; Shkruaje; Kjo është vepra e urrejtjes; Ec përpara; Zgjidh dashurinë; Kërko mirëkuptimin; Mund të ndodhë çdo gjë. Nuk e di nëse Zoti ekziston. Po të mos ekzsitojë, do të jetë më mirë për reputacionin e Tij”.   

Vajza ime e vogël tani është një adoleshente pushtuar nga shtjella e mes fëmijërisë dhe maturitetit. Dikur thoshte se datëlindja e saj është e famshme, por jo ajo. Dikur thoshte se datëlindja e saj është në ditën që u rrëzuan Kullat. Tani ajo nuk thotë asgjë. Zgjedhje e mençur. Ka sa të duash zhurmë. Heshtja është përkujtim.

Kurrë nuk ia dhashë atë shënimin nga ai shpirti në ikje, sepse në fakt, ishte e gjitha e imagjinuar.

 MAPO.al

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#6 ne: 11-09-2011, 20:53:12
Dëshmitar në Manhatan 11 shtator 2001

Nasho Jorgaqi   

Në fillim të viteve 90, kur shkova për herë të parë në SHBA, një ditë tek barisja në një nga stacionet e metrosë së Nju Jorkut më kapi syri një pllakat të madh që më tërhoqi vëmendjen. Ishte monumenti i Leninit rrëzuar përtokë, kapur pas qafe me litar dhe nën të me shkronja të mëdha fjalët: “Nuk ka perandori të përjetshme”. Miku që më shoqëronte e vuri re habinë time kalimtare dhe duke soditur edhe ai pllakatin, me gjysmë buzagaz më pyeti: Pse a nuk është kështu?” “S’ka dyshim që kështu është, – iu përgjigja. – Asnjë shtet apo sistem shoqëror nuk i shpëton dialektikës së historisë.” Miku im, një malësor nga veriu i Shqipërisë, i ardhur që i ri në SHBA dhe i dashuruar e krenar pas atdheut të dytë, nuk e ngau më tej bisedën. Por më pas, kur erdhi treni dhe u ulëm në vagon, ndërsa unë isha akoma nën përshtypjet e pllakatit, krejt padashur e pyeta mikun tim, thuajse me një ton qesëndisës: “Po perandoria juaj a është e përjetshme?” Ai hapi sytë dhe ma ktheu menjëherë: “Pasha zotin, s’ka zog nane që e trand Amerikën!”

Me kaq biseda për pllakatin u mbyll dhe s’kish arsye ta ngisnim më. Pllakati simbolikisht tregonte tek e fundit një realitet të pamohueshëm. Ishte koha kur sistemi komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore kishte rënë. SHBA-ja tani, s’kish asnjë dyshim, ishte superfuqia e vetme e botës.

Pas afro dhjetë vitesh, në shtator të vitit 2001, unë u ndodha përsëri në SHBA. Kisha shkuar bashkë me regjisorin Viktor Gjika për të bërë një film dokumentar kushtuar historisë së shqiptarëve të Amerikës. Ishin ditë të mbushura me punë, sepse s’ishte e lehtë të rrokje dhe të përmblidhje në një film gjithë jetën nëpër vite të komunitetit shqiptare në SHBA, që përbënte një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Ndaj qemë në kërkim të personazheve, të dokumenteve dhe të relikteve që lypte vepra jonë dokumentare. Në skenar unë kisha vënë një personazh tepër interesant dhe atraktiv. Ishte fjala për shqiptarin Rrok Camaj nga Malësia e Madhe, që prej disa vitesh punonte në nja nga Kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ai kryente punën më të vështirë dhe më të rrezikshme atje: i lidhur me rripa qëndronte varur mbi katet e njëqind dhe fshinte xhamat dimër dhe verë. Guximi i pashoq i Rrokut kishte tërhequr dhe vëmendjen e shtypit dhe të mediave vendase e të huaja, të cilat e kishin pasqyruar në kronikat e tyre. Unë e kisha njohur Rrokun vite të shkuara. Bile kishim pirë kafe në barin “Dritaret e Botës”, në katin 110 të kullës jugorë. Ishte një burrë energjik dhe shumë i këndshëm në muhabet, ndaj nuk e pata të vështirë të lidhesha me të në telefon për filmin tonë. Do të qe një gjë e bukur dhe tepër kuptimplote që imazhi i tij i rrallë në sfondin e kullave të xhirohej prej nesh për të treguar se në ç’lartësi është ngjitur shqiptari në SHBA. Rroku zemërmadh nuk pati asnjë mëdyshje, përkundrazi u tregua i gatshëm. “Ç’ka po thue, bre burrë, – më tha në telefon, – këtu më kini, në katin e 110, ju pres të martën në ora 10.”

E marta binte 11 shtator. Ne mëzi e prisnim këtë takim, sidomos Viktori, që nuk kish shkelur ndonjëherë tek Kullat. Atë mëngjes, kur u nisëm për atje, ishte një ditë e bukur vjeshte, që ndillte vetëm paqe dhe dëshirë për punë. Udhëtonim me makinë nëpër rrugët e drejta të Manhatan-it duke dëgjuar muzikë të gëzuar në radio. Nuk di sa vazhdoi kështu kur për një çast muzika ndali dhe në vend të saj jehuan disa zëra të çuditshëm si klithje dhe thirrje alarmuese plot potere. Ne nuk po kuptonim asgjë, veçse Ademi që ngiste makinën e ndali atë përnjëherë dhe doli prej saj. Ndërkaq nëpër rrugë ishte krijuar një situatë që nuk përshkruhej dot. Njerëz që vraponin, makina që thuajse përplaseshin me njëra tjetrën, një zhurmë e llahtarshme që s’përcaktohej dot se nga vinte. Vetëm kur dolëm nga makina pamë tmerrin që po ndodhte. Atë çast aeroplani i dytë po i binte Kullës jugore. Nuk deshëm t’u besonim syve, ishte si një ëndërr e përbindshme që shihej me sy hapur. Truri na kishte ngrirë, gjuha na qe lidhur, kishim shtangur në vend. Nuk di çfarë fytyre tjetër mund të kishte apokalipsi më shumë se ajo çka po ndodhte para nesh. Për një grimë herë nuk di se pse më shkoi mendja te Rroku. Mendova për fatin e tij tragjik. Ku veç atje, te Kulla jugore, në katet më të larta, ai do të ishte paraqitur si çdo ditë, po kësaj here dhe me dëshirën se do të priste dy vëllezër nga Shqipëria. Tani kjo dëshirë i qe vrarë mizorisht, ashtu siç e kishte pësuar edhe ai vetë.

Morëm të kthehemi, po gjithë rrugët ishin të mbyllura. Forcat e sigurisë kishin zënë të gjitha shtigjet e daljes nga Manhatan-i. Asgjë veç asaj që kishim parë nuk na shpjegonte  se ç’kishte ndodhur. Një gjë ishte e qartë se qe kryer një krim i llahtarshëm, i pangjarë, një atentat i pabesë që e kalonte çdo lloj përfytyrimi. Se kish mjaftuar vetëm një çast që e keqja të kish triumfuar mbi të mirën. Bota dhe progresi kishin ndalur frymën në këto momente tragjike.

Ditët që erdhën më pas nuk qenë të lehta, qyteti më vital dhe më dinamik i botës sikur qe gjunjëzuar dhe lëshuar. Në këto orë dramatike shteti u gjend thua krejt i papërgatitur. Befasia dhe pabesia e kishin goditur keq aq sa nuk dihej se ku gjendeshin krerët kryesorë të shtetit. Vetëm në mbrëmjen e ditës tragjike u dëgjua zëri fisnik, gjithnjë i mençur dhe realist i kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, që do të shqiptonte para gazetarëve: “Që sot Amerika s’ka për të qenë më ajo që ishte!” Por Nju Jorku i hutuar e i mekur do të dilte shpejt nga kjo gjendje, që ditën e dyte e akoma më shumë në ditët që pasuan. U zgjua Amerika e vërtetë. Nëpër ballkone e dritare shtëpish, në sheshe dhe në institucione u ngritën mijëra flamurë kombëtarë. Makina pa fund dolën nëpër rrugë duke u rënë borive dhe duke tundur flamujt. Dëgjoheshin thirrje plot pezëm dhe hakërrim për gjithë ç’kish ngjarë. Vala e patriotizmit dhe krenarisë kombëtare kish pushtuar qytetin-mëmë të botës, siç e quante Noli Nju Jorkun. Nëpër ekrane jepej videoklipi i famshëm i regjisorit shqiptaro-amerikan Sten Dragoti, kushtuar qytetit të tyre të pashoq. Ditën e tretë doli para kongresit amerikan Xhorxh W. Bush dhe foli. Gjithë kanalet televizive dhanë fjalën e tij. Unë e Viktori u ndodhëm në një nga lokalet ku qenë mbledhur njerëzit dhe dëgjonin fjalimin e kreut të shtetit. S’kisha parë atmosferë më të ndezur. Njerëzit dëgjonin dhe thërrisnin e duartrokisnin, ngriheshin në këmbë. Ishte një manifestim i gatishmërisë së tyre totale për t’i dalë zot vendit, atdheut të përbashkët që kish ngritur në piedestal punën, demokracinë dhe ligjin. Unë i ndiqja me emocion dhe durim dhe nuk doja ta besoja atë çka kish ndodhur tre ditë më parë. Kjo ishte forca e vërtetë e Amerikës. Pjesë e kësaj force qenë dhe shqiptaro-amerikanët. Një mbledhje e madhe u organizua të nesërmen prej tyre. Do të merrnin fjalën burra e gra, intelektualë e malësorë, ish-luftëtarë të UÇK-së. Fola dhe unë, u solidarizova shpirtërisht dhe mendërisht, e quajta atë që ngjau një akt të pabesë e aspak burrëror, një dhunim që i bëhej paqes dhe qytetërimit. Në këtë mbledhje të gjithë u ngritëm në këmbë dhe i bëmë homazhe tre shqiptaro-amerikanëv që kishin dhënë jetën tek Kullat binjake, Rrok Camaj, Simon Dedvukaj dhe Mon Gjonbalaj. Por për mua dhe Viktorin dallonte emri i Rrokut, heroit të dëshiruar të filmit tonë, që nuk arritëm ta xhironim. Por ndërkaq ishim të ndërgjegjshëm se Rroku dhe shokët e tij, me vdekjen e tyre, ishin bërë pjesë e tragjedisë heroike të 11 shtatorit dhe kishin hyrë tashmë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Rroku qe nderi dhe dhimbja jonë e përbashkët.

Në mbrëmje, pas mitingut, kur u mblodhëm në lokalin e një shqiptari në Bronks, miku im që më kish pritur në fillim të viteve 90 dhe së bashku kishim diskutuar për pllakatin e Leninit, në bisedë e sipër u tregoi të pranishmëve ngjarjen e atëhershme. Pas fjalëve të tij një heshtje e tendosur do të qëndronte varur si pyetje. Një pyetje e vështirë, që lypte mençuri dhe kurajë për t’iu përgjigjur. U desh të prisnim një nga burrat, ndoshta më i urti në mes nesh, që të fliste: “Amerika nuk vdes kurrë, – tha ai i menduar, – pushtetet po, ato nuk janë të përjetshme. Kullat binjake të rrëxueme kallëzojnë sa syçelur duhet të jetë shteti që mendon dhe punon për njerëzi.”

 

 

Viktimat shqiptare të 11 shtatorit

Viktor Saraçini, 51 vjeç, pilot në një prej katër avionëve të rrëmbyer nga terroristët. Saraçini, banor i Pensilvanisë ishte i martuar, me dy fëmijë. Punonte si komandant fluturimi në kompaninë “American Airlines” dhe pikërisht me fluturimin 175 i nisur nga Bostoni në Los Angeles, por u përplas me njërën prej Kullave Binjake.

Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, 60 vjeç. Punonte në njërën prej kullave binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë. Rrok Camaj ishte në katin e 105-të kur i telefonoi të birit, Vincent, për t’i dhënë lamtumirën dhe për t’i thënë se tani ai do të ishte në duart e zotit.

Simon Dedvukaj, shqiptar nga Mali i Zi, punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si përgjegjës i punonjësve të mirëmbajtjes së Kullave Binjake, i porsamartuar me Elizabetën nga Shqipëria, me shpresa të mëdha për jetën e familjen, Simoni me personalitetin e tij dëshmonte fuqishëm se edhe kur ke lindur në Amerikë me prindër shqiptarë është e mundur të ruash e të çosh më tej gjuhën, traditat e kulturën shqiptare.

Mon Gjonbalaj, shqiptar nga Kosova, 65 vjeç. Punonte prej 30 vitesh si portier në njërën prej kullave binjake. Mon Gjonbalaj e donte shumë punën dhe refuzonte të dilte në pension, megjithëse e kishte mbushur moshën. Në telefonatën e fundit nga kati i 86-të i kullës binjake numër dy, amaneti i tij ishte që fëmijët e tij të bëheshin të fortë dhe ta mbanin familjen të lidhur ngushtë.

 

Numrat e 11 shtatorit

2819 viktima

343 zjarrfikës dhe punonjës të ndihmës së shpejtë të vrarë

1609 njerëz humbën bashkëshortët

3051 fëmijë humbën një prind

1.506.124 tonë mbetje u lëvizën nga Kullat

146.100 vende pune u humbën

105 miliardë dollarë ishte dëmi pas sulmeve

600 milionë dollarë ishte kostoja e pastrimit

422 000 amerikanë vuajtën pasojat pastraumatike pas sulmeve

Shekulli.com.al