×

Strategjia e Sarkozy

· 1 · 286

Strategjia e Sarkozy

· 1 · 286

  • Postime: 6671
  • Gjinia: Femer
erlehta
ne: 30-04-2012, 23:47:00
Strategjia e Sarkozy

Andreas NOLL

Socialisti François Hollande, siç edhe pritej, është fituesi i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë para Sarkozy. Edhe më shumë ka zgjuar interesim numri i madh i votave që ka fituar Fronti Nacional.
Fitorja e François Hollande ishte e qartë që para zgjedhjeve, sepse që në mesditë disa portale të huaja interneti kanë bërë publike rezultatet e votimeve të një dite më parë, të cilat dëshmonin se ai është në epërsi ndaj kundërkandidatit kryesor, Presidentit aktual Nicolas Sarkozy. Rezultatet e votimeve në Martinique apo Guadeloupe, konfirmuan atë që kanë parashikuar edhe sondazhet e muajve të fundit: François Hollande është favorit për futjen në pallatin Elysée.

Hollande nuk do të ndalet

Me rreth 29% të votave, socialisti Hollande la pas vetes Presidentin aktual Sarkozy, i cili në sondazhet e fundit cilësohet si një president më i padashur në historinë e re të Francës. Eksperti Henrik Uterwedde nga Instituti gjermano-francez në Ludvigsburg parashikon fitoren e Hollande edhe në balotazh.
"Do të duhej të ndodhnin shumë gjëra që Presidenti Nicolas Sarkozy të tejkalojë epërsinë e kandidatit socialist Hollande. François Hollande për mua është një favorit i qartë i këtyre zgjedhjeve", pohon ai.
Hollande ka fituar shumë pikë gjatë fushatës si një person krejt i ndryshëm nga Sarkozy. Francezët kanë votuar të dielën në fakt kundër Sarkozy. "Ai është një president, i cili në fund të mandatit të tij ka zemëruar shumë zgjedhës. Një president, i cili nuk ka realizuar shumë prej premtimeve të dhëna para pesë vitesh", pohojnë ekspertët. Dhe me të vërtetë: Franca tani gjendet para sfidave më të mëdha se para pesë vitesh. Papunësia ka arritur në 10%, që është niveli më i lartë në 20 vitet e fundit. Borxhet e shtetit kanë eksploduar, ndërsa deficiti i vendit është në nivel rekord. Pesë vitet e ardhshme do të jenë shumë të rënda. Por, mbetet kontestuese, nëse francezët me të vërtetë e shohin Hollande si një zgjidhje më të mirë se Sarkozy në kohën e krizës, thotë eksperti Uterwedde.
Ithtarët e Sarkozy shpresojnë megjithatë për fitore në strategjinë e tyre. Ata mbështeten tek natyra e një luftëtari dhe dueli televiziv mes Hollande dhe Presidentit aktual. Para pesë vitesh, Sarkozy doli fitues i qartë në këto duele me kundërkandidaten e atëhershme Ségolène Royal. Sarkozy dhe shtabi i tij këto ditë më së shumti do të sulmojnë mungesën e përvojës udhëheqëse të kandidatit socialist Hollande. Ai është gati një dekadë në krye të socialistëve, por kurrë nuk ka qenë në postin e ndonjë kryeministri.

Befasia e quajtur Marine Le Pen

Më së shumti ka befasuar rezultati i lartë i kandidates së partisë së ekstremizmit të djathtë Frontit Nacional. E bija e Jean-Marie Le Penit, Marine Le Pen, ka fituar gati 19% të votave, që është rezultati më i lartë në historinë e kësaj partie. "Kjo nuk është vetëm një fusnotë, por tregon përhapjen e ekstremizmit të djathtë në këtë vend", konstaton Uterwedde. Strategjia e Sarkozy që të prekë edhe temat e ekstremizmit të djathtë gjatë fushatës nuk ka dhënë rezultate. Një rol shumë të rëndësishëm në raundin e dytë do të luajnë edhe zgjedhësit e Le Penit.
Por, paralelisht me ekstremistët e djathtë edhe kundërshtarët e tyre nga krahu i majtë kanë shënuar rezultat të mirë. Kandidati i tyre Jean-Luc Mélenchon ka fituar 12% të votave. Ai ka përfituar më së shumti nga kursi i tij antievropian dhe premtimet për përmirësimin e gjendjes sociale të shtresave më të dobëta. Fakti që gati një e treta e zgjedhësve ka votuar për partitë ekstremiste mund të ketë pasoja edhe për politikën e jashtme të Francës, mendojnë ekspertët. Uterwedde thotë se, Gjermania duhet të ketë parasysh këtë fakt, sepse presidenti i ardhshëm duhet të marrë në konsideratë edhe kërkesat e ekstremistëve.