Derguar per "Zeri yt" Sokol ShametiËshtë konstituar sot gjatë një takimi në hotel Tirana, në orën 16.00 një
njësi koordinuese e quajtur "Skuadra Shqipëria" e cila do të marrë
përsipër financimin, organizimin dhe dërgimin në zonën e prekur nga
tërmeti vdekjeprurës i Azisë jugore, një ekip shqiptar mjekësh
epidemiologë dhe higjienistë.
Takimi është zhvilluar me praninë e iniciatorëve: lëvizja Mjaft dhe Parku
Kombëtar i Butrintit, të cilët kishin ftuar të jepnin mbështetjen e tyre
institucione të ndryshme shtetërore dhe private.
Midis të pranishmëve kishte përfaqësues nga presidenca e Shqipërisë,
ministria e financave, ajo e mbrojtjes dhe e shëndetësisë, bashkia e
Tiranës, dhoma e tregtisë, komunitetet fetare, organizata të ndryshme
joqeveritare si dhe biznesmenë, përfaqësues të medias dhe institucioneve
ndërkombëtare.
Përfaqësues të ndryshëm pjesëmarrës në takim shprehën mbështetjen e tyre
për këtë iniciativë humane e cila do ta rendisë Shqipërinë në listën e
vendeve kontribuese për kapërcimin e pasojave të tsunamit që shkaktoi
qindra mijëra të vdekur në një numër shtetesh të Azisë Jugore.
Pas kontakteve me autoritetet e krizës në vendet e goditura, nismëtarët
thanë se më kalimin e ditëve, po shtohet emergjenca dhe nevoja për ndihmë
të specializuar mjekësore pasi rreziku i epidemive dhe sëmundjeve ngjitëse
si pasojë e mosvarrosjes së numrit të madh të viktimave dhe mungesës së
ujit të pijshëm, është në rritje.
Rreziku i kolerës, tifos si dhe epidemive të tjera është shumë i afërt.
Miliona njerëz mes të mbijetuarve të kësaj tragjedie kanë nevojë edhe për
ndihmën më elementare: mjekim për plagët, ujë të pastër për të shuar etjen
dhe veshje të thata. Duke u munduar të kurojnë pasojat e këtij
shkatërrimi, më shumë se 30 vende të botës dhe miliona njerëz janë
solidarizuar nën flamurin e humanizmit në një fushatë globale, kësaj radhe
jo për luftë, por për të ndihmuar vendet e martirizuara nga një fatkeqësi
që mund t'i ndodhte kujtdo.
Për këtë arsye, "Skuadra Shqipëria" ka marrë angazhimin për t'i bërë një
thirrje publike edhe ndjenjës së solidaritetit human të qytetarëve
shqiptarë për të mbështetur me medikamente dhe logjistikë një njësi
vullnetare mjekësh dhe specialistësh të cilët do të ofrojnë asistencën e
tyre në zonat e goditura.
"Shqipëria dëshiron të tregojë në këtë mënyrë, se ndryshe nga mënyra sesi
stigmatizohet në kronikat kriminale si një vend që eksporton shqetësime,
mund të ofrojë shembullin sesi një vend i vogël mund të ofrojë zemrën e
tij të madhe", tha Erion Veliaj, drejtor i MJAFT dhe një nga iniciatorët e
themelimit të Skuadrës Shqipëria.
Nga ana e pjesëmarrësve në takim u shpreh mbështetje dhe midis donatorëve
të parë për "Skuadrën" u renditën menjëherë presidenca e Shqipërisë,
bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e
Shëndetësisë, Kryqi i Kuq Shqiptar, etj. Donacionet do të grumbullohen në
një numër llogarie bankare të vënë në dispozicion nga një fondacion që
lëvizja MJAFT ka ngritur për qëllime humanitare dhe brenda pak ditësh
fondet do të jenë vënë në përdorim.
Një sasi medikamentesh do të blihen në varësi të kërkesave që do të bëhen
nga autoritetet e krizës në rajonin Banda Aceh të Indonezisë ku mendohet
se do të ushtrojë veprimtarinë e saj "Skuadra Shqipëria".
Pranë shtabit të "Skuadrës Shqipëria të ngritur në zyrat e MJAFT kanë
nisur ndërkohë aplikimet për të gjithë mjekët vullnetarë që dëshirojnë t'i
bashkohen "Skuadrës", si dhe për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët e tjerë
që kërkojnë të ofrojnë asistencë në koordinimin e punëve të skuadrës
brenda vendit.
Organizatorët po kujdesen që "Skuadra Shqipëria" të përfshijë mjekë dhe
specialistë vullnetarë jo vetëm nga brenda kufijve por edhe nga Kosova në
shenjë uniteti dhe mirënjohjeje për atë që komuniteti ndërkombëtar ka bërë
për kombin shqiptar në ditët tona të vështira.
Një numër telefoni AMC do të vihet në dispozicion të të gjithë atyre që
duan të kontribuojnë qoftë edhe me një shumë simbolike prej 100 lekësh me
anë të një mesazhi që do të dërgohet drejt numrit.
Sokol Shameti
Lëvizja Mjaft
Adresa: Rr. Elbasanit, nr 77
Tiranë, Shqipëri
Tel/Fax: +355 4 223 661
Cel: 0692033001
Optional email: sokol@shameti.com
www.mjaft.org