×

Volodymyr Zelensky, kllouni që u bë President i Ukrainës

· 7 · 204

Volodymyr Zelensky, kllouni që u bë President i Ukrainës

· 7 · 204

  • Postime: 22260
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 21-04-2019, 22:13:30
 

Klisheja më bajate sipas të cilës jeta është shpeshherë më befasuese se vetë sajesat fillmike skajshmërisht të hiperbolizuara, është thënia më me vend në pikënisje të analizës së rezultatit të votimeve të raundit të dytë dhe vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. 41-vjeçari Volodymyr Zelensky, një figurë hokatare që kërkoi të veshë kostumin hijerëndë të kopsitur gjer në grykë të politikanit, është zyrtarisht kreu i ri i shtetit ukrainas.

Sipas rezultateve paraprake të exit-poll-eve, komediani Zelensky kryeson bindshëm me mbi 70 % të votave në balotazhin me presidentin në ikje, Petro Poroshenko-n, i cili ka arritur të korrë veçse një mbështetje minore në kuotën e 25 %-shit. Zelensky predominoi qartazi edhe në “overturën” elektorale të mbajtur më 31 mars, kur grumbulloi më shumë se 30 %  të votave në garën e diversifikuar ku morën pjesë 39 kandidatë, duke lënë shumë prapa Poroshenkon në pragun e pamjaftueshëm me vetëm 16 % të votave.

Imazhi i përvijuar gjer në imtësi i Zelensky-t është antiteza më përfaqësuese e bashkëgaruesit të tij, presidentit në ikje Petro Poroshenko. Popullariteti i Zelensky-t është fryt jo fort i mundimshëm i serialit të pëlqyer gjerësisht “Shërbëtori i popullit”, ku për ironi të fatit, presidenti i tanishëm i Ukrainës luante rolin e një një mësuesi gjimnazi, i cili motivohet nga nxënësit e tij për të shpallur kandidaturën për postin presidencial. Idealist dhe vullnetmirë, mësuesi arrin t’i fitojë zgjedhjet, por rrjedha e skenarit na prin drejt moralit të hidhur dhe shkurajues të fabulës: “shërbëtori i popullit” përfundon në realitet gjithnjë duke parazituar në supet e korrupsionit dhe të nepotizmit që ka ngërthyer fort një vend tipik të Evropës Lindore, siç është Ukraina.
Përsëri, jeta mund të kapërcejë pragjet më të largëta të një trillimi. Si për profeci, individit që detyra ia kërkonte të hiqej si shërbëtori i popullit ukrainas, arriti të fitojë rreth 70 % të votave në raundin e mbramë të zgjedhjeve presidenciale. Ndërkohë, Ukraina po përballet me sfida të thella ekonomike, demografike dhe sociale, teksa rreket t’i vërë fre agresionit dhe lakmisë së pandërprerë të Rusisë fqinje.

Mirëpo, si ia doli një riosh i papërvojë në politikë, të vërë përfund kundërshtarët e tij të sprovuar? Thënë metaforikisht, me intuitën e një detari, Zelensky kuptoi drejtimin e erës, përveshi mëngët gjer në llërë dhe ngriti velat. Kështu, komediani iu përmbajt një narrative mjaft të thjeshtë të përqendruar vetëm në trajtimin e problemit madhor të korrupsionit. Kjo narrativë gjeti mbështetje të gjerë popullore të shtrirë në të gjitha grupmoshat e votuesve, por pati dukshëm sukses imediat tek të rinjtë ukrainas, të cilët stereotipikisht janë parë si të çinteresuar, të paangazhuar dhe shumë cinikë ndaj politikës.

Ukraina, që qendron prej kohësh me statusin e një flegamtiku të potershëm në paradhomën e Bashkimit Evropian, ka mbjellë tek të rinjtë veçse zhgënjim, që përforcohet akoma edhe më shumë nga tranzicioni i ngadalshëm gjer në lodhje i vendit nga një ekonomi e qendërzuar në parametrat e tregut, si edhe nga një regjim totalitar në një sistem demokratik qeverisjeje.  Këto shtegdalje, Zelensky i shfrytëzoi për të depërtuar në sentimentet rinore, duke përfituar nga pakënaqësia e gjeneratës së njomë dhe nervadobët ndaj keqeverisjes dhe aferave të panumërta korruptive të elitës ukrainase.

Pikësëpari, Zelensky inkorporoi platformat e reja sociale dhe u dha rëndësi qendrore në fushatë. Nëse sipas sondazheve, të rinjtë përgjithësisht përdorin llogaritë e “Facebook”-ut për aktivizëm politik dhe qytetar, brezat e rinj në Ukrainë parapëlqejnë të “engledisen” në “Telegram”  apo në “Instagram”, për qëllime krejt apolitike që kanë karakter komunikativ dhe argëtues. Thënë këtë, këto dy platforma ndryshojnë rrënjësisht nga “Facebook”-u i dalëmode, që shërben para së gjithash si një medium tekstual, ku përmbajtje shkrimore deri-diku voluminoze apo komplekse mund të postohen nga përdoruesit, të cilët si subjekte të identifikueshme sociale mund të marrin pjesë edhe në debate.

Ndërsa Zelensky kishte një prani të konsiderueshme në “Facebook”, me të kuptuar veçorinë e terrenit elektoral ukrainas, u përpoq të zhvendoste fushatën në “Telegram” dhe “Instagram”, ku performanca e tij ishte krahasimisht shumë më e dukshme se veprimtaria e kandidatëve të tjerë. Në këtë mënyrë, atij iu dha mundësia që edhe të reduktonte sloganet e fushatës në një imazh të vetëm, me qëllim që votuesit e mundshëm të mund të merrnin për të mirëqena mesazhet politike, pa interferencën e mendimeve alternative që do të hasnin me tepri në “agorën” tejet demokratike të “Facebook”-ut.
Përzgjedhja e Zelensky-t si president jo vetëm që do të ripërmasojë politikisht Ukrainën, por do të ketë gjithaq implikime serioze edhe në një fushëpamje përtej Evropës Lindore. Në njërin kamp të argumentit qendron ekspertja e politikave të riskut në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, Otilia Dhand, e cila qëmton se vetëm një pjesë periferike e programit politik të Zelensky-it i kushtohet një sektori kyç, siç është ekonomia. “Është formuluar si një ekonomi për qytetarët, por kjo nuk u përgjigjet pyetjeve që institucionet dhe investitorët do të kishin për politikat financiare të Ukrainës.”- vuri në dukje Dhand-i.

Ndanë kritikëve që vënë në dukje se programi politik i Zelensky-it vërtitet rreth një retorike populiste shumë sipërfaqësore dendur me premtime zor të realizueshme, është fakt se “shërbëtori i popullit” i jetës reale udhëzohet nga këshilltarë të kalitur. Kështu për shembull, ish-ministri i Financave, Oleksandr Danyliuk-u, si edhe ish-kolegu i tij në krye të dikasterit të Ekonomisë, Vitold Fokin-i, janë anëtarët më me peshë të ekipit elektoral që kanë edhe të ngjarë të marrin sërish postet respektive ministeriale tanimë që Zelensky do të ulet në fronin presidencial. “Ai ka mbledhur ekspertë të lartë, ekonomistë dhe reformatorë rreth tij dhe unë do të thoja se programi i tij duket mjaft i mirë. Ka shumë qasje liberale për ekonominë dhe biznesin si dhe premtimin për heqjen e imunitetit për deputetët (anëtarët e parlamentit) – shumë oligarkë përdorin anëtarësimin në parlament si një mënyrë për të shmangur ndjekjen penale, kështu që kjo do të ndryshonte nëse anulon këtë.”- është shprehur për CNBC Viktor Andrusiv, drejtor ekzekutiv i Institutit të Ukrainës për të Ardhmen me qendër në Kiev, sipas të cilit Zelensky është shigjetuar padrejtësisht përgjatë fushatës elektorale.

Në dallim nga vendet e tjera ish-komuniste, në Ukrainë ka një hendek të thepisur mes breznive, për arsye se vendi ka shërbyer prej motesh si një amortizator ndërmjet fuqive antagoniste të përbetuara, NATO-s dhe Rusisë. Fëmijët e kapitalizmit të rritur gjatë pikut të epokës digjitale, po ngrejnë krye ndaj gjeneratës së prindërve, që në masë të madhe u latua nën totalitarizëm dhe u pajtua me hir apo me pahir me standartet e ulëta të jetesës, si edhe me mungesën e ndërveprimit në raport me institucionet shtetërore.

Zelensky trumfoi lavdishëm në raundin e sotëm vendimtar të zgjedhjeve, duke i qenë falë pikërisht të rinjve ukrainas, të cilët kësaj here nuk kanë garancinë se do të shkulen gazit…

©Lapsi.al

Përgatiti: Kristi Kaba

  • Postime: 3114
  • Gjinia: Mashkull
Gjumashi
#1 ne: 23-04-2019, 09:04:10
E njejta situat me duket se ishte dhe me Italin, qe pastaj deshtoje kur u fute ne politike.

Une mendoje qe sduhet arti dhe politika perzihen me njera tjetren.

  • Postime: 12738
Mishel...............
#2 ne: 23-04-2019, 13:25:16
E njejta situat me duket se ishte dhe me Italin, qe pastaj deshtoje kur u fute ne politike.

Une mendoje qe sduhet arti dhe politika perzihen me njera tjetren.

Llogjikisht i bie edhe Shqiperia :P

  • Postime: 22260
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#3 ne: 23-04-2019, 13:43:04
Artist eshte dhe lartmadhnia e tij.
Sdq, ka ardhur koha e populisteve gjithandej. Madje dhe Trump star i tv ka qene, mes te tjerave.

  • Postime: 12738
Mishel...............
#4 ne: 23-04-2019, 13:50:52
Artist eshte dhe lartmadhnia e tij.
Sdq, ka ardhur koha e populisteve gjithandej. Madje dhe Trump star i tv ka qene, mes te tjerave.

E de....ama po drejton gjithe ate Amerike :P

  • Postime: 398
  • Gjinia: Mashkull
Ωμέγα
#5 ne: 24-04-2019, 09:01:05
Me e keqja eshte se ky presidenti i ri eshte prorus.

  • Postime: 22260
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#6 ne: 26-04-2019, 08:44:00
Ky presidenti i ri si dhe keyeministri qenkan hebrenj te dy. Kjo e ben Ukrainen te dytin shtet ne bote pas Izraelit, qe ka si presidentin dhe kryeministrin hebrenj nga feja.